back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shefat e rinj lexojnë me kujdes – nga Yzedin Hima

Gazeta

Yzedin Hima - Berati në sfond
Yzedin Hima – Berati në sfond

Shefat e rinj lexojnë me kujdes*

nga Yzedin Hima

Ai kaloi shëtitoren e madhe pa u përshëndetur me njeri. Kishte kohë që të njohurit rralloheshin përherë e më tepër dhe qyteti po i bëhej çdo ditë e më i huaj. Te dera e institucionit ku punonte i doli para një burrë trupmadh dhe e ndaloi. Diku e kishte parë e njohur, por nuk po i binte ndër mend se kur e ku.
-Ku vete? – e pyeti trupmadhi me një ton disi kërcënues.
-Në punë, ku tjetër, – iu përgjigj ftohtë. Pse po më pyesni?
-Se kam një porosi nga shefi për ty. Duhet të paraqitesh te zyra e kuadrit, – i foli rëndë – rëndë portieri. Nga toni e kujtoi Selon, “xhelatin” e paraburgimit të paraviteve ‘90. Dikur mustaqet e tij qenë bërë tmerri i të burgosurve. Thoshin se të rrih te sa binte shi i kuq. Heqja e mustaqeve allastalin, dukshëm, e paraqiste si tjetër njeri, tashmë të reformuar.
Me ç’dukej shefi i ri e kishte filluar reformimin e institucionit që nga porta. Në korridore endej një qetësi e frikshme. U drejtua për nga zyra e kuadrit dhe atje me gjithë mend pati një stepje a frikë të vjetër: ishte po ai shoku Raqi, me po atë xhaketë me kuadrata si dikur në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Raqi nuk kishte asnjë thinjë, ndonëse nga dita kur i kishte dhënë fletën e pushimit nga puna për shkaqe të biografisë së familjes së tij kishin kaluar më shumë se tri dekada. Sikur kishte dalë drejt e nga ajo kohë. Instiktivisht vuri dorën mbi flokët e tij, tashmë të rralluar dhe të thinjur. Po si ka mundësi? – pyeti me zë të lartë. Unë atëherë isha fare i ri, ndërsa ky qe mesoburrë. Mos koha ka ecur së prapthi për disa?! Mos jetojmë në dy dimesione kohe dhe në një dimesion hapësire?!
-Aaaaaaaaa… erdhe ti! Raqi i zgjati majën e gishtave, duke i vënë kufi prekjes nga dora e tjetrit, gishtin e madh. Sapo i preku majat e gishtave të shefit të burimeve njerëzore, ky i fundit e tërhoqi dorën sikur të kishte prekur korrentin.
“E kapi epilepsia e dikurshme e luftës së klasave” – mendoi i sapoardhuri. U hap e njëjta dosje e kuqe, dhe Raqi me të njëjtën qetësi po e shfletonte si dikur, para më shumë se tri dekadave. Po tmerri e kapi përsëri, kur ai nxori një laps kopjativ, nga ata që kishin të paktën një çerek shekulli që qenë zhdukur nga qarkullimi dhe, pasi e leu me pështymë, ia zgjati për firmë.
-Firmosni këtu që e morët lajmërimin e pushimit nga puna. Duhet ta kuptosh, e bëjmë për reformë. Evropa nuk na pranon pa bërë reformat e duhura.
I sapodëbuari nga puna shkroi shpejt emrin e tij dhe anash firmën. Ia zgjati lapsin shefit të kuadrit, por në gishta i ngelën shenjat mavi të kopjativit, të cilat do të qendronin gjatë si tatuazh në duart e tij.
-Një minutë ti shok… zotëri a si e ke! Kesha edhe diçka për të thënë. Ke shkruar se ti dhe shokët e tu keni një armë të fortë, shkrimin, ndërsa për shefat tanë ke shkruar se kanë një armë të tmerrshme, mosleximin. Ja këtu ke gabuar. Shefat tanë, vërtetë nuk kanë bërë shkollë, por diplomat i kanë, madje nga dy e tre për kokë. Ata vërtetë nuk lexojnë, por jemi na që edhe lexojmë edhe shkruajmë. Pastaj futi në xhepin e xhaketës me kuadrata lapsin kopjetiv dhe nuk harroi ta pështynte edhe njëherë fort majën e tij të mprehur me kujdes.

*Tregim i jetuar keqas

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.