back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shekspiri mbetet i vlefshëm në çdo epokë… – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu
Shekspiri mbetet i vlefshëm në çdo epokë…
nga Artan Kafexhiu

Në javën e parë të qershorit, shoku Stalin i dërgon Maksim Gorkit një letër prej miku zemre: “Si ndihesh? Si po shkon me të shkruarin? Unë dhe shokët jemi mirë!”
Maksim Gorki po vdiste. E vetmja gazetë, që nuk përmend vdekjen e pritshme të tij ishte gazeta e tij: Pravda; autoritetet me kujdes e kishin censuruar lajmin, posaçërisht për të.

Me kthimin e tij prej mërgimit, tetë vjet më parë, Gorki kishte kapërcyer çdo hezitim rreth Stalinit. “Më duhet të them ndershmërisht se partia është mendja jote, fuqia jote, udhëheqja jote – një udhëheqës i proletariatit perendimor, që fatkeqësisht, keqardhshëm akoma nuk e ka!” – u thotë punëtorëve në qytetin industrial të Sormovës.
Në moshën 68 vjeç, ai ishte shkrimtari më i dekoruar në Bashkimin Sovjetik. “Jetë të gjatë Stalinit, njeriut me zemër e mendje të madhe!” – ai deklaroi vitin që shkoi. Ai shihte virtute duke mbyllur njërin sy. “Ti je mësuar të heshtësh rreth gjërave që të bëjnë të revoltohesh.” – i shkruante ai, duke injoruar situatën, një mërgimtari rus me të cilin kishte afërsi. “Përsa më takon mua, jo vetëm që ndihem në të drejtën time të hesht rreth atyre (gjërave), por e shoh këtë aftësi si një nga cilësitë e mia më të mira. Imoral, do të më quash…? Fakti është se unë kam një urrejtje të sinqertë, e të pandryshueshme për të vërtetën, kur është neveritëse dhe gënjeshtër për 90 përqind të popullsisë.”
Në botën e arteve, ai kërkoi t’i jepte përparësi një optimizmi të ri, e të përmirësuar. Duke vizituar një ekspozitë në 1933, ai deklaroi: “Piktorët tanë, nuk duhet të frigohen nga një lloj idealizimi të realitetit sovjetik… më pëlqen të shoh më shumë fytyra fëmijësh, më shumë buzëqeshje, më shumë gëzim spontan.”
Nga ana tjetër, Stalini i kishte dhënë Gorkit, aq shumë gëzim spontan, sa ç’kishte ai nevojë, duke i akorduar çdo çmim të njohur për autorët sovjetikë, e shumë më tepër, midis tyre Urdhërin e Leninit, dekorimi më i lartë si qytetar sovjetik. Ai madje kishte prodhuar një film “Gorki Ynë” në nderim të tij. Gorki kishte një vilë në Moskë, një daça disa kilometra më larg, e një vilë-pallat në Krime. Ai ishte kryetari i Lidhjes të Shkrimtarëve Sovjetikë. Në Moskë, një institut ishte ngritur në emrin e tij, rruga Tverskaya tashmë quhej “Rruga Gorki”, e qyteti i tij i lindjes, Njizhni Novgorod, tashmë quhej Gorki. Tamam një vit më parë, Gorki vizitoi qytetin Gorki në një anije të quajtur Maksim Gorki. Kush mund të kërkonte më shumë?!?
Ndërkohë, që idealistët e rinisë së tij zhdukeshin burgjeve, Gorki i shkruante Stalinit duke e cytur të angazhonte shkrimtarët e realizmit socialist “të rishkruanin librat e botës prej fillimit”. “Çfarë ndodhte brenda tij?” – përpiqej të hamendësonte kolegu i tij, Viktor Serge, vite më vonë.
Çdo mëngjes, shkrimtari që po vdiste vizitohej nga shoku i tij Genrikh Yagoda, në rrugën e tij për në Lubianka, ku ai shërbente si kryetar i NKVD, policisë sekrete të Stalinit. Yagoda, ideatori e krijuesi i gulagëve, e kishte pajisur Gorkin me nje sekretar dhe një doktor, që sigurisht të dy ishin agjentë të NKVD.
Në fillim të qershorit, Gorki mori letrën miqësore të Stalinit, ku ai shkruante se dëshironte të ndalonte për një vizitë me disa miq të vjetër. “Le të vinë, n’se mundet me arritë në kohë.” – i përgjigjet Gorki.
Stalini mbrrin në shtratin e tij, i ndjekur prej Molotovit dhe Voroshillovit. Doktorët i kishin i dhënë një dozë qetesuesi, që të sigurohej se do të rrinte i qetë (prej dhimbjeve). Stalini menjëherë komandon situatën. “Përse kaq shumë njerëz këtu?” – pyet ai. E drejton gishtin nga mikesha e Gorkit, baronesha Moura Budberg, e veshur krejt në të zezë. “Kush është ajo e ulur në krah të Aleksei Maksimoviçit? A është një murgeshë? E vetmja gjë që i mungon është një qiri në dorë?” Ai i përzuri njerëzit përjashta dhomës. “Nxirri të gjithë jashtë prej këtu!” Ai ishte i vendosur, sërishmi, të çante (mes) përmes nëpërmjet triumfit të optimizmit. “Përse është një atmosferë funerali këtu? Një person i shëndetshëm mund të vdesë në një atmosferë të tillë!” Ai dallon Yagoda-n në dhomën e ngrënies. “E çka është ajo krijesë që po rri këtu përreth? Hiqeni qafe!”
Kur të gjithë kanë dalë jashtë, Gorki përpiqet të diskutojë letërsi me Stalinin, që papritur shëndrrohet në një njeri të librave. Stalini i mbyll gojën, duke kërkuar për ca verë, e ngre dolli me Gorkin. Të dy burrat përqafohen.

Yenekidsky, Stalini dhe Gorki ne vitin 1931
Yenekidsky, Stalini dhe Gorki ne vitin 1931

Ditën tjetër, Stalini ndalon për një vizitë përsëri. Doktorët i thonë që Gorki është tepër i sëmurë për ta parë, kështu që ai i lë një shënim: “Aleksei Maksimoviç, ne erdhëm të takonin në dy të mëngjezit. Pulsi jot më thanë ishte 82. Doktorët nuk na lejuanin të vinim tek ty. Ne u nënshtruam. Përshëndetje prej të gjithë neve, një përshëndetje të madhe, Stalin.”
Molotovi dhe Voroshillovi shtojnë firmat e tyre. Nga të gjitha kartat e urimit për një shërim të shpejtë, kjo ishte më djallëzorja.
Gorki vdes në mëngjezit e 18 qershorit. Doktorët listojnë shkaqet si tuberkulozi, pneumonia, dhe zemra e dobët. Atij i jepet një funeral i plotë shtetëror, me orkestër dhe paradë ushtarake. Stalini udhëheq kortezhi mortor, duke veshur në krah një shirit të zi.
Njëzet muaj më vonë, Yagoda gjykohet për faje të shumta, përfshirë tradhëti, spiunazh, konspiracion, e akte terrorizmi. Listuar ndër fajet ishte edhe vrasja e Gorkit. Doktorët dhe sekretari i Gorkit, u fajësuan gjithashtu për vrasjen. Në gjyq të gjithë pranuan krimin. Doktorët deklaruan se ato ishin konspiratorë për të krijuar situatën, ku Gorki të merrte një të ftohur në kopshtin e vilës së tij në Krime. Prokurori i shtetit i përshkroi të akuzuarit si një “pirg kundërmues plehrash njerëzore…”.
Sekretari dhe një doktor u ekzekutuar; një doktor tjetër, Pletnev, u dënua me 25 vjet burg. Në 1948, Pletnev, i thotë një të burgosuri tjetër, që Stalini e vrau vetë Gorkin me një kuti ëmbëlsirash të helmuara. “Ne doktorët heshtëm.” – shtoi ai. Sipas tij, Stalini i frigohej një plani të Gorkit, që t’i tregonte botës që gjyqet ishin një shfaqje farsë.
Në 1963, dhjetë vjet pas vdekjes së Stalinit, njëzeteshtatë vjet pas vdekjes së Gorkit, e veja e tij i mbështeti këto akuza.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.