Shën Gjergji
Poezi nga Ernest Koliqi
Vashat duer-njoma pa çilë agimi
kpusin sot gema me ia vu derës
si shej gazmendi, si shej urimi
pse erdh Shën Gjergji krushku i Prandverës.
T’tana u stolisen dyert qi ka shpija
me gema kumbullash e drandofillesh:
pa za t’përshndesin era e freskia
kahdo qi t’sillesh.
Erdhi Shën Gjergji! Me cërcërrime
flutrojn’ dallndyshat npër rreze ari.
Qoft’ bekue dora qi n’derën t’ime
dy gema lulesh n’mëngjes i vari.
Qoft’ bekue dita qi n’mjeri t’soçme
nji doke gzimi përtrin me mallë,
rritin e bukur t’prandverës s’moçme
ambël tue ngjallë.
Shën Gjergj, Prandvera, – zoja hirplote –
prore ty t’pati ndër né lajmtar:
kët kremte lulesh papra ndër mote
ti ia përsritë prillit shqiptar.
Ti lulevilet i hap’ mbi tanda
ku n’andrra t’reja zemrat na dridhen,
e ti mkamb’ vallet nën manda
ku shrregllat hidhen.
N’stërnipa mbrrijti si nëpër mjegull
hareja e pastër qi dikur solle.
S’dijm’ me hov t’vjetër m’u lkundun n’shregull!
e vallja plogtas shtiellet okolle!
Dhe n’i u përgjegjshim grishjeve t’tueja,
dhe n’qe se vallet endè s’kan’ heshtë,
prap s’dijm’ me t’lutun: shllimet e hueja
s’na lane t’thjeshtë…
Sa dyer t’stolisuna me lule t’bardha
jan’ rrzue gjat’ moteve, o dit’ pagane!
e sa duer vashash ka ngrimun mardha
qi me kput’ gema dikur i bane!
por psè ndër shekuj ndrruen njerzt e feja,
zakon i moçëm, jo, nuk u buer:
me gema e lule kah dyert e reja
prap çohen duer.
N’Shen Gjergj t’ardhshëm le t’çohen prore
duer t’bardha vashash n’shpijat shqiptare:
le t’varin lule duert prandverore
ku ruhen doket porsi visare.
Bift’ n’ato shpija gzimi ma i dlirti,
ma e ambla valle n’prill u këndoftë,
andrra ma e bukur qi dëshron shpirti
aty lulzoftë!!