back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Shën Jeronimi dhe Bota Ilire – nga Prend Buzhala

Gazeta

Shen Jeronimi (347-420)
Shen Jeronimi (347-420)

Shën Jeronimi dhe Bota Ilire

nga Prend Buzhala

Data 30 shtator e vitit 420 mbas Epokës së Re,
shënon datën e vdekjes së Shën Jeronimit ilir, datë e cila Sot në botë shënohet
si Ditë e bibliotekave, përkthyesve dhe librarëve.
Mbi të gjitha, ishte dhe nderohet si Njeri i Biblës.
Studiuesi Prend Buzhala
Studiuesi Prend Buzhala

1.Shën Jeronimi dhe moderniteti

Figura e Shën Jeronimit zgjohet nga lashtësia dhe vjen në kohën tonë si njëri ndër personalitetet qendrore të krishterimit, të kulturës e të qytetërimit evropian, nga njëra anë dhe si personalitet, veprimtaria diturore, përkthyese, bibliografike, letrare, kritike e polemike e të cilit bën pjesë edhe në botën shqiptare. Ai vjen në kohët moderne për ta ndriçuar atë thënien e lashtë sokratiane të përjetësuar ndër shekuj: “Njih vetveten!” (si nëvizon Ramadan Sokoli).1) Përballë hullive të shterpëzuara e të shtrofuara të historisë, që aq shpesh i kanë ngushtuar hapësirat e ekzistimit tonë, përballë paragjykuesve të ndryshëm të traditës jeronimiane, shpërfillësve e mohuesve të saj, emri i Euseb Sofron Jeronimit (340-420) vjen dhe e zgjon edhe herë krenarinë tonë në këtë kohë, si përkthyes legjendar i “Biblës” nga hebraishtja e greqishtja e vjetër në gjuhën latine, e cila ishte gjuhë e kulturës, e shkrimit dhe e universit evropian. Së bashku me gjithë ata emra iliro-shqiptarë të shenjtorëve (Shën Eluteri – papë, Shën Flori, Shën Lauri, Shën Prokuli, Shën Maksimi, Shën Asti, apo siç janë poeti, kompozitori e muzikologu i njohur Shën Niketë Dardani, Shën Kostandini, Shën Justiniani etj); së bashku me një plejadë të shquar emrash të perandorëve ilirë që e drejtuan Perandorinë romake, atë organizëm shtetëror që përbënte dhe i jepte vulë identitetit evropian, (Deci, Probi, Aureliani, Makimiliani, Klaudi II, Justini, Diokleciani, Kostandini i Madh, dhe Justiniani i Parë); së bashku me data e emra kremtesh të krishtera, kishash e katedralesh, ikonash e librash të shenjta, praktikash rituale e arkitekturash sakrale; së bashku me ata scriptores illyri (si Quintus Ennius apo Kuint Eni, Epikadi, Viktorini i Ptaut apo i Ptujit të sotëm në Slloveni, Shën Niketë Dardani, Juliani filozof e perandor, Justiniani, Konstantini i Madh me Ediktin e Tolerancës etj. etj.); së bashku me një histori të tërë të “Biblës” e me dokumente aq të shumta, – tradita jeronimiane ka marrë dhe merr pjesë në formimin e identitetit kulturor e në fondin e vlerave të kulturës sonë nacionale. Shtyllat e këtij identiteti dhe sfondin e po këtyre vlerave, do t’i formësojnë, gjithsesi, edhe shtresat e kulturës pagane me ato të krishterimit ilir, të cilës kulturë, në kapërcyell kohësh e epokash, iu dha trajtë, përmbajtje e pamje vetë Shën Jeronimi.
Evropa Moderne dhe Civilizimi Modern vatrën e tyre e kanë tek shembujt e mësipërm e që janë në themele të tij.
.

2.Shën Jeronimi dalmat

Vendndodhja e saktë e qytetit Stridon, ku ka lindur Shën Jeronimi, ende po diskutohet e po shqyrtohet nga shkencëtarët. Disa mendojnë se kemi të bëjmë me kështjellën-qytet të Strzanjit, e cila gjendej pranë Shuica-s (te Tomislavgradi, Kroaci), të tjerët përsëri Stridonin e vendosin në viset tjera përreth. “Megjithatë, është e sigurtë se Stridoni gjendej në anën tonë të Adriatikut, sepse vetë ky shenjtor, sigurisht në mahi e sipër, shpesh thoshte: “Parce mihi, Domine, quia Dalmata sum”: (Më fal, o Zot, sepse jam dalmat).2) Jeronimi ishte fëmijë tepër me temperament, po me shumë dhunti, me inteligjencë e kujtesë të habitshme, po i padisiplinuar e i rebeluar, pasionant e i ndjeshëm, me karakter dyshues. Prandaj, “nga njëra anë ai kishte disponim të shkonte edhe nëpër katakombe e nëpër kishat e të vetëflijuarëve të shenjtë, e kjo ishte gjë e mirë, por, nga ana tjetër, shumë lehtë gjendej në shoqërim me njerëz mëkatarë e të gabuar, e kjo ishte gjë jo e mirë. Megjithatë, te Jeronimi triumfoi Shpirti i Mirë dhe, kështu, përmes mëshirës, u ngrit në Shenjtor” (nga shkrimet e bio-bibliografëve të tij).
Dalmat konsiderohej nga njerëzit e kishës së atëhershme. Kështu, dalmat e quan edhe shkrimtari i kishës greke Paladi(us), bashkëkohës i Jeronimit, i cili e ka njohur. Ky autor grek shkruan greqisht për të: “Ieronymos tis apo Dalmatias”, dmth “njëfarë Jeronimi nga Dalmacia.”3)
Veprimtaria e tij në fushën e përkthimeve, veprimtaria e tij letrare, diturore, ekleziastike, historiografike, epistolare, me shkrimet polemike, komentarët, predikimet a homilitë, dhe, përgjithësisht, veprimtaria e tij shkrimore e jetësore, rrezatojnë, pra, edhe sot, përmasa të reja. “Në mënyrë të përkryer i njihte latinishten (latinishten më të mirë, atë që e mësoi shkollën retorike të Ciceronit), greqishten e hebraishten, po i zotëronte edhe arameishten, sirishten e arabishten” (po aty). Përkthimi dhe përvetësimi i “Biblës” shënon fillet dhe vazhdën e traditës shkrimore e letrare të shumë popujve evropianë.4)
Lënda biblike qëndron në themelet e letërsisë shqipe), por ajo qëndron, gjithashtu, edhe në themelet e kodit kulturor e shpirtëror të shqiptarëve. Prandaj, emri dhe vepra e Shën Jeronimit janë emri dhe vepra që ndërlidhen me “Biblën” dhe me përhapjen e saj, janë sinonim i një civilizimi të ri që u përhap nën emrin e krishterimit; janë, së këndejmi, fijet që e patën bashkuar Evropën për dymijë vjet me radhë nga ana kulturore, shpirtërore dhe fetare. Këto fije, që nga Formula e Pagëzimit (1462) e Pal Engjëllit (1417-1470) e këndej, i ndërlidhin me traditat evropiane edhe shkrimin në gjuhën shqipe dhe letërsinë shqipe. E megjithatë, këto fije zgjaten tutje nëpër thellësitë e shekujve: që nga mesjeta e hershme arbërore e deri tek humanistët shqiptarë.
.

3.Emblemë ilire për Evropën

Nuk është e çuditshme, prandaj, pse kudo në Evropë, një traditë e tillë kulturore, letrare, përkthyese e ekleziastike të identifikohet me emrin e Shën Jeronimit, si traditë Jeronimiane.
Përmasat universale të figurës së tij shquhen edhe me një rëndësi e peshë tjetër historike: atij, me përkthimin e “Vulgatës”, “i bie merita për zhvendosjen e qendrës së krishterimit nga Lindja drejt Romës” (Rexhep Ismajli). Në këtë mënyrë personaliteti i tij nuk ka se si të mos i japë vulë identitetit kulturor-fetar të Evropës, por ai i jep vulë edhe krishterimit ndër shqiptarët.
Përmes emrit të tij dje dhe përmes emrit të tij sot, Evropa di më shumë për ilirët dhe për shqiptarët, ashtu sikundër di për ne përmes emrave emblematikë të Nënës Tereze apo të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Për këta dymijë vjet, pra, nga gjiri iliro-shqiptar, në momentet e krizave, të kthesave historike e të përplasjeve nga më të ndryshmet, del një figurë që bëhet emblemë e identitetit nacional, emblemë e identitetit fetar-kulturor, emblemë e lirisë po edhe emblemë e bamirësisë apo e “dashurisë në vepër”.5) Nuk është e habitshme, prandaj, pse e përmendin emrin e tij dhe pse shkruajnë me devocion për Shën Jeronimin, pothuajse, në të gjitha enciklopeditë e leksikonet e përgjithshme e nacionale në Paris apo në Londër, në Gjermani apo në Itali, në Spanjë apo në Poloni, në Kroaci apo në Hungari, në Lindjen e Evropës apo në Perëndimin e saj. Do të shkruhet për të në historitë kishtare, po edhe në historitë e letërsive të përgjithshme apo të atyre nacionale. Do të përmendet si klasik i letërsisë së krishterë dhe si njëri ndër katër etërit kishtarë krahas Shën Ambrozit, Shën Augustinit dhe Shën Gregorit, një katërshe klasikësh që shëmbëllente katër autorët e ungjijve.
Që nga Mesjeta e këndej për Shën Jeronimin do të shkruhen trajtesa, artikuj, ese, vështrime, e, madje, do të shkruhen edhe monografi studimore, sikundër është monografia dyvëllimshe në frengjisht e P. Cavalera-s (“Saint Jerome” I-II, Louven 1922), vëllimet gjermanisht e latinisht që botoheshin në hapësirat gjermanishtfolëse: të R. Laqueur-it (“Eusebius als Historiker seiner zeit”, Berlin-1929 dhe në RE VIII 2 col. 15-65, 1912), të H. Lietzman-it (“Christliche literatur”) e të E. Lübeck-ut (“Hieronymus quot neverit scriptores”, Leipzig 1872); apo në Itali të A. Ficarra-s (“La posizione di S. Girolamo nella storia della cultura”, Palermo 1916) e të Eusebi Pamphili-t (“Chronici Canones latine vertit S. Eusebius Hieronymus”)6) etj. janë me qindra monografi studimore e me mijëra shkrime, kudo nëpër botë, që i kushtohen kësaj figure interesante.
Në historinë e letërsisë shqipe që nga Barleti e humanistët tjerë shqiptarë e këndej do të çmohet, vlerësohet dhe nderohet lart, sidomos te “Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit, kurse Andreas Alexius Epirota, arkitekt e skulptor i madh humanist arbëror-shqiptar nga Durrësi, i cili jetoi në hekullin XV, e ka përjetësuar figurën e Shën Jeronimit në shumë vepra arti e nëpër tempuj kishtarë që i ndërtoi gjatë jetës së tij. Në historinë dhe në kulturën e popullit kroat në kuadrin e “lëvizjes ilire”, atij do t’iu kushtohen trajtesa, piktura e vepra figurative, do t’i botohen të përkthyera veprat e tij dhe me emrin e tij do të formohet shoqata, ashtu sikundër e kishte formuar një shoqatë me emrin e Shën Jeronimit edhe poeti i shquar dom Ndre Mjedja (simbas një ligjërate të dr. Engjëll Sedajt).
Studiuesi evropian Ludvig Traube e quan “Aristark të krishterimit”, kurse studiuesi i shquar gjerman i kohëve moderne, Ernest Robert Kurcius, në veprën e tij monumentale studimore historiko-letrare “Letërsia evropiane dhe mesjeta latine”, Shën Jeronimin e konsideron si njërin ndër personalitetet qendrore të krishterimit dhe të letërsisë e të kulturës evropiane deri në epokën e Mesjetës. Pa dyshim, Shën Jeronimi është njëri prej autorëve e njëri prej personaliteteve më të popullarizuara të krishterimit e të kulturës evropiane në përgjithësi.

Prend Buzhala - Shën Jeronimi dhe Bota Ilire
Prend Buzhala – Shën Jeronimi dhe Bota Ilire

4. Konteksti ilir brenda nesh

Interesimi i sotëm për figurën e Euseb Sofron Jeronimit në suazat historiko-letrare, është interesim për vetveten dhe për kulturën tonë. Edhe sot ilirët, siç do të shprehej Aleksandër Stipçeviq, “janë brenda nesh.” Pra, edhe rëndësia historiko-letrare dhe kulturore-fetare e veprës së Shën Jeronimit qëndron te ndikimi mijëravjeçar në jetën shpirtërore të popujve ervopianë. Nga ana tjetër, më se njëherë, me mburrje, vetë Shën Jeronimi e ka theksuar përkatësinë e tij ilire. Në veprën e tij “De viris illustribus” (“Mbi njerëzit e shquar”) për veten e tij thotë: “Unë, Jeronimi, biri i Eusebit nga qyteti Stridon, i cili dikur gjendej në kufi mes Dalmatisë dhe Panonisë dhe që u shkatërrua nga gotët deri në këtë vit (në vitin 393, vër. P. B.) dhe pikërisht deri në të 14-tin vit të sundimit të perandorit Theodos, – shkrova këto vepra…” Në veprën tjetër të tij, “Epistolae” (“Letrat”, ai flet për veten e tij, për familjen, si dhe për Atdheun e tij, Ilirinë. Përkatësinë e tij ilire nuk e kontestojnë autorët evropianë.
Në veprën e tij ai jep jo pak dëshmi për ilirët, për pushtimet e tokave ilire nga Perandoria Romake. Dihet, se shumë vise ilire të urbanizuara, u romanizuan; në ato qendra flitej dhe shkruhej gjuha latine. Ndërkaq, siç na dëshmon edhe vetë Shën Jeronimi, jeta ishte krejt ndryshe në viset larg qendrave të urbanizuara. Ndonëse nën presionin e madh të akulturimit (siç saktëson A. Stipçeviq), ilirët vazhduan të flasin gjuhën e tyre popullore, t’i respektojnë hyjnitë e veta, t’i varrosin të vdekurit në mwnyrën e tyre tradicionale, ta ruanin veshjen e tyre dhe fëmijët e tyre t’i pagëzonin me emra ilirë. Në shkrimin e tij “Komentar për Isaia-n”, Shën Jeronimi dëshmon për përdorimin e gjuhës ilire tek populli i tij. Ai ishte dëshmitar i depërtimit të popujve barbarë në Panoni e në Dalmaci, të cilit u kishin shkaktuar ilirëve dhe romakëve vuajtje të mëdha dhe u sollën atyre shkatërrime të pafund (shekujt II e III). Në njërën nga “Epistolat” e tij, ai bën një përshkrim tronditës të atyre ngjarjeve: “Më rrënqethet shtati, kur mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë… goti, sarmati, kuadi, alani, huni, vandalët dhe markomanët shkretëtërojnë, plaçkisin dhe grabisin Sktythinë, Maqedoninë, Dardaninë, Dakinë, Thesalinë, Ahenë, Epirin, Dalmatinë dhe gjithë Panoninë. Sa gra fisnike, sa virgjëresha kushtuar zotit, sa njerëz të lirë dhe fisnikë u dhunuan në këto luftëra! U morën robër peshkopë, u vranë presbyterë dhe shërbyes të tjerë të ndryshëm të kishës. U shkatërruan kishat. Pranë altareve të Krishtit u vendosën kuajt si në grazhd. Kockat e martirëve u nxorën nga varret. Kudo zi, kudo tmerr dhe hija e madhe e vdekjes.”
Këso dëshmish ai jep edhe në veprat “Libër komentarësh për profetin Sofron” dhe në “Kronikat botërore”. Në shkrimet e tij ai flet për përhapjen e krishterimit në tokat ilire, krahas njoftimeve “me karakter gjeografik e administrativ”.5)
Këso dëshmish ai jep edhe në veprat “Libër komentarësh për profetin Sofron” dhe në “Kronikat botërore”.
Në shkrimet e tij ai flet për përhapjen e krishterimit në tokat ilire, krahas njoftimeve “me karakter gjeografik e administrativ”.
Duke pasur parasysh disa nga dëshmitë e theksuara më lart, nga njëra anë, si dhe shkrimet e shumta, gjithnjë me të drejtën e patjetërsueshme të historianëve e të linguistëve shqiptarë e të huaj që të shkruajnë për historinë e popullit tonë që nga kohët e mugëta të njerëzimit; që të flasin për raportet e për vazhdimësinë në mes ilirishtes dhe shqipes në planin gjuhësor; atëherë kjo e drejtë nuk duhet të jetë e tjetërsuar as për studiuesit e letërsisë as për historianët e letërsisë shqipe. Nga ky prizëm, po shtohen zërat që thonë se një histori e letërsisë shqipe duhet të shkruhet, duke u nisur nga literatura e epokës ilire. Jo vetëm emrat e Shën Jeronimit, apo të Shën Niketës, apo të Justinianit, po edhe teatrot e antikës ilire, mitologjia ilire, mbishkrimet greqisht e latinisht në tokat ilire, poezia epitymbike e asaj kohe, si dhe autorët ilirë që shkruanin latinisht e greqisht në ato kohë; do të përbënin kapituj të kësaj letërise. Kush ishte Euzebi nga Cezareja, një i afërt i Konstantinit të Madh?
.

5.Zëdhënës në kapërcyell të dy epokave

Shën Jeronimi i kishte 18 vjet, kur shkoi të studiojë në Romë. Bëri udhëtime nëpër Gali e mandej qëndroi në Akvile, afër vendlindjes së tij. Sociologu, filozofi dhe matematikani anglez, Bertrand Rasell, në veprën e tij “Urtësia e Perëndimit”, për Shën Jeronimin thotë se aty i ndodhi një konflikt dhe për këtë arsye ai shkoi në Lindje dhe nëpër shpellat e Sirisë i kaloi pesë vjet, si eremit, me ç’rast e mësoi dhe e studioi hebraishten. Kur shkon në Konstantinopojë, e mëson greqishten. Me ftesën e Papa Damas-it kthehet në Romë. Aty, gjatë viteve 382-385, në rrethin e patricëve romakë, e studion Biblën. Papa ia beson revizionin e përkthimit latin të Biblës, sepse Ati i Shenjtë e dinte se Shën Jeronimi, kur kishte qenë student, e pati frekuentuar shkollën e retorikës te Donateu, duke gërshetuar, kështu, siç shkruan imzot Nik Prela, kulturën themelore pagane me ndjenjën e thellë kristiane.6) Mbas vdekjes së Papës, ai do të bjerë përsëri në konflikt me autoritetet kishtare, do të largohet dhe do të arrijë në Kuvendin e Betlehemit, tani për herë të dytë, i shoqëruar me çetën e nxënësve të tij, si dhe të shpurës së zotërinjve të nderuar. Me ta ishin nisur edhe një grup mikeshash romake, që i ishin përkushtuar perëndisë. Së andejmi ai do t’iu përvishet përsëri përkthimeve nga hebraishtja. Filloi ta përkthejë tërë Biblën nga tekstet burimore. “Mbas vdekjes së Papa Damasit (384), që ishte mecen i madh i Jeronimit e mbrojtës i tij, vetë Jeronimi ishte njëri ndër kandidatët më seriozë për fronin papnor.7) Mirëpo, kur zgjidhet kandidati tjetër, Siricius-i, të cilin Jeronimi nuk e pëlqente aspak, ai e braktis Romën, duke shkuar fillimisht në Antioki, e mandej në Aleksandri, për t’u vendosur, së fundi, në Betlehem (386), ku për shumë vite do të jetojë si asket në një shpellë (besonte se pikërisht aty kishte lindur Jezusi), tek do të merret me veprimtari shkencore dhe do të shërbejë si udhëheqës shpirtëror për rregulltarë e për rregulltaret që gjendeshin në dy konaqe për femra e në një konak për burra e që i kishte themeluar me një grua që quhej Paula. Në përkthimin e të gjithë librave të Besëlidhjes së Vjetër do të punojë 15 vjet rresht! Në Betlehem edhe ka vdekur në vitin 420.” (po aty). Mirëpo, përsëri zënë akuzat kundër tij. Qarqet klerikale tani e akuzojnë se Jeronim Eusebi po e përçmon kishën para dijes hebreje. E gjithë ajo shpurë e dinjitetshme përcellësish, ashtu e disiplinuar dhe e përkorë, do t’i zbatojë urdhrat e kërkesat e tij, që kishin të bënin mbi celibatin dhe mbi vetëpërmbajtjen (maturinë). Aty, te ai kuvend hyjnor i Jezusit, do të qëndrojë deri në vdekje.
Për shkak të mënyrës së jetesës së tij, Shën Jeronimi ka ndikuar në përhapjen e lëvizjes eremite (asketike), duke u bërë mbrojtës i asketëve. Së andejmi, nxënësit e tij romakë, në Betlehem patën themeluar katër kuvende. Simbas shembullit të etërve kishtarë, ai shkroi shumë letra, të cilat vërtet, do ta ngjizin dhe do ta ngërthejnë edhe fytyrën e letërsisë pagane. Bertrand Rasell8) thotë se, shumë ndër këto letra ua kishte drejtuar vajzave që e zgjodhën rrugën e virgjërisë; prandaj i porosit ato të qëndrojnë në rrugën e virtytit, të përkushtimit ndaj hyjit e në rrugën e virgjërisë. Sado që në Romë ai lexonte me përkushtim literaturë te gjerë, me studimin e me përkthimin e Biblës, megjithatë, ai s’do të ngurrojë që t’i udhëheqë nga aspekti shpirtëror damat fisnike të kohës, siç ishin Paula, Marcela dhe Eustokia, për të cilat është ruajtur një epsitolar i pasur në mesin e 167 esipstulave (letrave) të tij. Epistolari ishte zhanër klasik e biblik. Studiuesi Hamann thotë: “Rreptësia e tij për gratë fisnike kishte forcë tërheqëse, të cilat kështu ndienin siguri pranë tij.” Apostullati a rruga e tillë shenjtërore e tij, nxiste shumë kritika, intriga e thashethemnaja të tëra kundra tij, ashtu si kudo, çdo vendbanim në botë që i ka thashethemexhinjtë e vet. E Shën Jeronimi kundër tyre thoshte: “Do t’u kisha folur shumë pak grave, sikur meshkujt do të më pyesnin më shumë për Shkrimet e Shenjta.”9)
Mirëpo, “Letrat” e tij kanë edhe vlerë të madhe letrare e dokumentare. Të 157 epistulat janë shkruar e janë frymëzuar edhe nga kërkesat e mëdha të njerëzve të kohës, anekënd botës së atëhershme, të cilët kërkonin këshilla dhe i drejtoheshin atij. Ato dëshmojnë për urtësinë, për origjinalitetin dhe për stilin e zhdërvjelltë; ato dëshmojnë, gjithashtu, për talentin e për prirjen e tij në përshkrimin e gjendjeve shpirtërore të asaj kohe. I përshkon, këto përshkrime të situatave, ndjeshmëria e mendjemprehtësia e veçantë, siç e pamë edhe në letrën mbi sulmet barbare në Iliri. Vepra ka 126 letra dhe deri më sot janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Kurse ndaj këtyre shkrimeve të këtij iliriani ne jemi sjellë me shpërfillje e paragjykime! Duke qenë një njohës i jashtëzakobshëm i letërsisë, i kulturës dhe i filozofisë pagane antike, greke e latine; duke qenë njohës i mirë edhe i Terencit, Plautit, Salustit, Virgjilit, Horacit, Lukanit e sidomos i Ciceronit, të cilin e adhuronte shumë; duke qenë njohës i disa gjuhëve, nga të cilat do t’i përkthejë librat e shenjtë, – ai qëndron në kapërcyellin e epokës antike e pagane në atë të krishterimit e të Mesjetës. Për t’i ndërlidhur të dy epokat dhe të dy kulturat, atë pagane me atë të krishterimit, Shën Jeronimi, më se njëherë, vë korrespondime në mes tyre dhe bën përpjekje që të gjejë analogji e ngjashmëri në mes tyre. Në Letrën e tij të popullarizuar dërguar Paulinit nga Nola, ai jep këshilla se si duhet të lexohet Shkrimi i Shenjtë; ai Davidin, personazhin e Biblës, e krahason me Simonidin, Pindarin, Alkeun, Horacin, Katulin dhe Serenin. Në këtë letër e dëshmon dhe e spikat njohjen e tij ndaj filozofisë së Pitagorës, Platonit dhe Aristotelit; gjithnjë duke i dhënë përparësi tekstit biblik, si për nga argumenti, si për nga lashtësia apo urtia. Prandaj, qëndrimi i tij në Shpellën e Halkidës, si asket e vetmitar, ku gjendeshin edhe shumë asketë të kohës, e shtyri të punojë aq mundimshëm e me duresë krejt në vetmi, me net të tëra duke qëndruar zgjuar e duke studiuar. Gjë e rrallë: temperamenti i tij i rreptë ishte në opozicion me mënyrën e tillë të jetesës. Së këndejmi, te Jeronimi u zgjua njaj vullkan betejash të brendshme në mes Frymës Klasike dhe Shpirtit të Arsimuar të Krishterë.
Ndikimi i antikes shihet edhe në veprën “Mbi njerëzit e shquar”. Simbas shembullit të Sveton Trankillit, shkruan biografitë e shkurtra të poetëve, retorëve, gramatikanëve, historianëve, oratorëve dhe shenjtorëve. Ndërsa Komentimet e tij për Biblën, i ka bërë tek “Kronikat”, duke e krahasua Psaltirin me kumbimin harmonik të poezisë së Pindarit e të Horacit, kurse te Libri mbi Job-in, ai do ta veçojë përsosmërinë.
Pra, në kontekstin historiko-letrar dhe në rrafshin e teorive letrare, do të mund të flitej, me siguri të plotë, për një teori e poetikë të Shën Jeronimit. Gjithnjë simbas frymës së krishterë patristike dhe hyjnore-shkollore (E. R. Kurcius). Në topikën e veprës së tij, Shën Jeronimi do ta përdorë arsenalin shprehës antik-ciceronian, sikundër janë formulat hyrëse e përfundimtare, formulat e thjeshtësisë, ligjërimin ngushëllues, si dhe ligjërimin me formula të nënshtrimit, të përkuljes, të lutjes e të devocionit.
Retorikën e krishterë biblike dhe poetikën biblike do ta zbatojë edhe te një varg shkrimesh tjera, të cilën poetikë “ai ia lë trashëgim Mesjetës” (Kurcius). Tradita e lashtë e muzave, si pajtore të arteve, do të shtegtojë edhe në kohën e Jeronimit. Mbi muzat është shkruar e folur gjithnjë, që nga Antika e deri në ditët tona. Për to ligjëron edhe Shën Jeronimi. Mirëpo, mbi të vërtetën që e ngjizin muzat, ai e vë mbi to dhe e parapëlqen të vërtetën hyjnore: “para kësaj të vërtete le të tërhiqet mënjanë kjo mrekulli e gënjeshtërt dhe e trilluar, qoftë në stilin grek, qoftë në stilin romak.” (nga “Epistula 3”). Në thjerrëzën e shkrimeve të tij do të gjenden autorë si Varroni, Lukreci, Virgjili e Tertuliani, si dhe romani satirik i Petronit, po shumë të tjerë nuk pajtoheshin me mënyrën e tij të përkthimit.
.
Shen Jeronimi
Shen Jeronimi

6.Ekuivalenca dinamike e përkthimit

Sot Shën Jeronimi mbahet si patron (shenjtor, mbrojtës) botëror edhe i përkthyesve, ashtu sikundër mbahet edhe patron i bibliotekave e librarëve, sepse, si në Romë, ashtu edhe kur bëri udhëtime, ai e merrte me vete bibliotekën e tij, i themelonte ato kudo që shkonte. Stili dhe përkthimi i tij i pazakonshëm gjuhësor nxiti kundërshtime, e aty këtu edhe protesta të besimtarëve. “Duke konsideruar se çdo fjalë e veçantë e Biblës ishte hyjnore, qoftë edhe presjet, përkthyesit e deriatëhershëm në gjuhën latine përkthenin fjalë për fjalë. Jeronimi i pari e hetoi se përkthimet e tilla të fjalëpërfjalshme kanë shumë të meta, sepse nuk marrin parasysh frymën e secilës gjuhë, prandaj zuri të përkthejë jo fjalë për fjalë, po kuptim mbas kuptimi (e a.q. ekuivalencë dinamike). Do të kalojnë shumë vite, përderisa qëndrimi i tillë i tij nuk do të pranohej në gjithë Kishën (deri më sot). Përkthimi i tij i Biblës njihet me emrin Vulgata (dmth ‘e përgjithshme’, ‘e njohur përgjithithësisht’ ose ‘në përdorim të përgjithshëm’)”, duke i vënë, kështu, bazat e përkthimit modern, të kohëve që do të pasojnë.
Edhe kur mbyllet në jetën asketike, nuk do të ngurrojë ta marrë me vete një bibliotekë të tërë, në të cilën, më së shumti, zënë vend autorët paganë (simbas M. Budimir e M. Flashar). Edhe atëherë kur e akuzuan se po lexonte autorë paganë, se ata po i adhuroka tej mase; edhe atëherë, që, për shkak të kësaj akuze, kishte dashur ta mënjanonte një libër që nuk iu kishte pëlqyer autoriteteve kishtare, siç thotë në Letrën Pomakiusit; edhe atëherë kur ishte betuar se nuk do t’i lexojë më autorët paganë; ai nuk do t’i përmbahet këtij premtimi, siç thuhet, retorik. Procedimorin e tyre letrar, simbas shembullit të Shën Jeronimit, autorët e krishterë e arsyetonin me ndarjen e formës nga përmbajtja, kurse modeli pagan do të përbëjë vetëm mbulesën elegante të mveshjes së veprës së krishterë.
Jeronimi nuk u mor vetëm me përkthime, po zuri të shkruajë edhe komentarë të librave biblikë. Kështu, janë të njohura disa vëllime të botuara anekënd botës me Komente për Besëlidhjen e Vjetër, Komente për Besëlidhjen e Re, Komente të Çështjes hebraike, Komente të Kronikave të Eusebiusit dhe Komente të Shkrimeve të Hershme. Në këtë fushë ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, kështu që edhe shumë specialistë të sotëm biblikë thonë se si ata komentarë ende janë shumë aktualë e të dobishëm. Studiuesit e sotëm thonë se askush nuk ka mundur të depërtojë në thellësitë e Biblës si Shën Jeronimi i moçëm.
Megjithatë, edhe ai gjithnjë i përmbahej interpretimit alegorik, i cili në atëkohë ishte mbizotërues, e për këtë arsye në përkthime ia mbante anën më shumë sfondit real e historik, në të cilin qenë krijuar këta libra. Pos kësaj, ka shkruar shumë libra të spikatur mbi estetikën, rregulltarinë dhe teologjinë.
.

7.Polemist i rrallë në literaturën botërore

Vlen të theksojmë, së mbrami, se Shën Jeronimi kishte temperament polemik. Në lëmin e polemikës do të mbajë qëndrim satirik. Kishte një karakter tepër krenar, ashtu siç shkruante për vendlindjen e tij dalmate (Parce mihi, Domine…), prandaj aq shpesh dinte t’i kritikonte oponentët e tij. Kështu, për komentues tjetër të krishterë biblik Pena e tij nuk do t’i kursejë, qofshin ato edhe qarqet kishtare (e quante Romën, si Shën Gjoni tek “Zbulesa, “Roma kurvë”), ndërkohë që korrupsioni i shoqërisë romake do të përvëlohet nën flakët e ashpërsisë së kësaj satire. Këta dy rrathë tematikë-polemikë do t’i trajtojë në letrat që i shkroi në Siri. Akuzuesit e tij, e në mesin e tyre, edhe Shën Augustini, tek e përbuznin punën e tij titanike të përkthimit të Biblës, do të bëjë që Libri i Shenjtë të mos pranohej deri në Kuvendin e Tridentit. Kundër këtyre akuzuesve, nuk do të kursejë për ta shfaqur temperamentin e tij të njohur polemik, por në këto polemika ai do të tregojë dije e njohuri të thella. Janë të botuara në gjuhë të ndryshme të botës disa vëllime me polemika, si Librat kundër Rufinit (pesë libra), Librat kundër Jovinianusit (dy libra), Librat kundër Pelagianëve (tre libra), e të tjerë. Prandaj, edhe mbas shumë e shumë shtegtimeve të gjata e mbas shumë veprimtarive të nduarnduarta, Jeronimi idhnak e i rreptë në polemikat e tij, gjeti prehje, më në fund, në Tokën e Shenjtë, ku i kaloi 34 vjetët e fundit të jetës së tij, “pranë pemëve të Hyjit në Betlehem, duke u lutur, duke studiuar dhe duke udhëhequr me manastirin e murgjëve” (po aty). Mirëpo, as atje nuk iu shmang polemikave! Në vetminë e tij të Betlehemit, nuk mundi ta anashkalojë karakterin e tij të ashpër polemik e konfliktuoz, siç ishte ngjarja me ipeshkvin e Salaminës në Qipro, Shën Epifani-n, i cili mblodhi dosje të tëra akuzash kundër Jeronimit.
Megjithatë, nga 157 letrat e tij të ruajtura, ai shfaq dashurinë e tij ndaj njerëzve të varfër dhe të pambrojtur, po gjithashtu edhe dashurinë ndaj argumentit të fortë. Janë të njohura Letrat e tij drejtuar Paulinit nga Nola, Shën Augustinit, Eustokisë, Pamakiusit, Rufinit etj.
Ka themeluar shkollën e retorikës për fëmijë në Jeruzalem, kujdesej për refugjatët që kishin ikur në Tokën e Shenjtë mbas vërshimit të Vandalëve në Romë më 410. Tashmë shëndeti i tij po rrënohej. Në njërin nga shkrimet e tij, në Shpellë, ai zhvillon këtë dialog me Jezusin fëmijë, kur i drejtohet:
Jeronimi: “Si po dridhesh, o vogëlushi im! Për shpëtimin tonë ashtu je shtrirë i vuajtur? Çka mund të bëj për ty?”
Jezusi: “O Jeronim, asgjë nuk dua nga ti! Vetëm këndo: Lavdi Hyjit në lartësi! Në Mal e në Kalvar do të jem edhe për shumë kohë, ashtu, i mjerë e i vuajtur.”
Jeronimi: “Do të të jap para.”
Jezusi: “T’ua japësh fukarenjve, ashtu m’i ke dhënë mua.”
Jeronimi: “Nëse nuk të jap gjë, do të vdes nga vuajtja.”
Jezusi: “M’i jep të gjitha mëkatet tua, të gjitha shqetësimet e zemrës sate.”
Jeronimi: “E çka do të bësh me to?”
Jezusi: “T’i mbaj e t’i duroj në supin tim.”
Jeronimi: “Merri, o Jezus, mëkatet e mia. Dhe dhuro atë që është jotja. Kush i dorëzohet Hyjit, mund të vdesë. I mundur e i gjunjëzuar nuk mund të jetë.”
Dhe vitet e fundit po i kalonte në vuajtje të shumta, shikimi po e linte. I cfilitur, i vetmuar e i verbër, mbas aq e aq betejash gjatë tërë jetës së tij, më 30 shtator 420, ai që nuk ishte gjunjëzuar para papëve, mbretërve, krerëve më lartë të kohës, gjeti prehjen e përjetshme duke u dorëzuar vetëm tek Hyji. Tek vepra “Mbi burrat e shquar”, për veten e tij ai thoshte: “Ishte njëkohësisht filozof, retor, gramatikan dhe dialektik.”
 
Është shpallur shenjtor dhe At i Kishës, kurse Kuvendi i Tridentit e kishte shpallur edhe At kishtar, i cili është titulli më i lartë që e jep Kisha zyrtare. Ky është një fakt që sot të mburren jo vetëm popujt ku sot jetojnë në vendlindjen e tij, po edhe ne, si iliro-shqiptarë, me këtë shenjtor, i cili ka rrjedhur nga këto vise. Jetën e tij e ka kaluar jashtë Atdheut, por aq e aq shpesh e kishte kujtuar. Për deri sa Shën Jeronimi do të përpiqet t’i trajtojë e t’i bashkojë traditat hebraike me ato greke, t’i pajtojë kulturën e artin pagan me atë të krishterë, Shën Augustini do ta kundërshtojë këtë përpjekje; deri sa Shën Jeronimi ishte filolog, hulumtues, humanist, egzegjent, përkthyes e dijetar, kurse Shën Augustini ishte mendimtar e filozof, mësues i retorikës dhe platonian.
Janë mbi 30 vepra që Shën Jeronimi ia ka lënë trashëgim literatures botërore. Biri i këtij trualli e aq pak i njohur ndër ne! E, Shën Jeronimi, mbi të gjitha, do të mbetet shembull i dashurisë së madhe ndaj Ilirisë. I quajtur si murg i Mesjetës, për shkak të idealit të tij të krishterë, e kanë shtrënguar ta mohojë artin e mendimin pagan, por ai do të vdesë si ciceronian.
.

Shen Jeronimi
Shen Jeronimi

8.Pajtor i shumëfishtë

Shën Jeronimi ilir (347-420), sot konsiderohet pajtor i bibliotekave, përkthyesve, satiristëve e polemistëve, arkeologëve, arkivistëve, studiuesve të Biblës, nxënësve të shkollave, studentëve, satiristëve, polemistëve etj. dhe, mbasi ishte përkthyes i Biblës, përzgjidhet edhe pajtor i shkrimtarëve dhe gazetarëve. Atij, nga Kisha, i janë njohur edhe dy tituj tjerë: shenjtor dhe doktor (domethënë, në mesin e katër doktorëve, emrave më të shquar të antikitetit të vonë, hyn edhe emri i tij). Mbi të gjitha, nderohet si Njeri i Biblës. Shën Jeronimi u shpall shenjtor, sepse përktheu Biblën në latinisht dhe krijoi variantin e tij të Testamentit të Vjetër.
.

9.Iliria: scriptores illyri: antika ilire ose

ndërrimi i kaheve të historisë: një histori kulture

Nëse na pëlqen, që për historinë tonë të flasim që nga agu i historisë njerëzore, të flasim për mbretër, perandorë, ushtarakë etj atëherë përse edhe një Histori e letërsisë të mos hidhet së andejmi, që nga shekujt kur jetuan e vepruan ilirët?
Një shkrim eseistik si ky, nuk përbën teori, as një zbulim apo analizë shkencore, por një reflektim. Një diskurs të lirshëm. Kësisoj, kur flasim për vlerat identitare të lashtësisë sonë, nga pikëpamje e një kundrimi eseistik, ne spikatim qasjen e një historie shpirtërore, e një historie të kulturës. Po qe se gjetjet arkeologjike të deritashme, mbishkrimet antike, dokumentet e historianëve antikë, na ligjërojnë për ilirët: atëherë assesi nuk mund t’i ikim çështjes së prejardhjes sonë nga ato rrënjë antike, nga ilirët, sado që ka zëra që e mohojnë atë lidhje historike me ne.
Nuk ishte e rastit, që në shekujt XVIII-XIX, Falmereyer, Eduard Gibon, apo Shafarik të deklaronin se “sllavët janë varrmihës të kulturës antike.” Vërtet, në frymë të këtij vlerësim, sot edhe mund ta shtrojmë pyetjen: si u zhbënë nga faqja e dheut ilirët e dikurshëm?
Kush jeton sot në ato troje?
Ç’ndodhi me Ilirinë?
E kemi theksuar shpesh se sa kishte perandori romake si sistem botëror antik, brenda kufijve të saj (dhe kufijve e hapësirave ilirike,) nuk lejohej të hynin brenda saj popuj barbarë, megjithëse, në kufijtë brenda Perandorisë Romake, dikur, dyndeshin fise e popuj për të jetuar brenda saj, natyrisht dhe për ta plaçkitur. Për shkak se Perandoria kishte zhvillim, civilizim (civitates), senat (zgjedhja e senatorëve, kuvendet, debatet, ligjet), tregti, kushtetutë… Popujt barbarë jetonin jashtë perandorisë, pa këto atribute civilizuese. Ilirët nuk radhiteshin ndër popuj barbarë, sepse jetonin sipas traditës së kuvendeve ilire (me rregulla, ligje, norma, me mënyrën e civilizimit vetjak, autokton, tradicional)… Kishin qytete, kishin civilizim antik. Nëse Shën Jeronimi konsiderohej themelues i shkencës letrare të Mesjetës,10) ai nuk ishte i vetmuar si autor iliri: “Nëpërmjet analogjive dhe krahasimeve, mund të pranohet se qytetërimi vendës ilir është zhvilluar në përmasa më modeste sesa te ndonjë tjetër popull i lashtë. Sidoqoftë, një popull që jo vetëm i dha Perandorisë romane komandantë e perandorë të shquar, por krijoi një kulturë materiale të dalluar në epokën pararomane dhe nxori shkrimtarë si Eni (Ennius Quintus nga Mesapia) dhe Epikadi (Cornelius Epicadus), dijetarë si Niketë Dardani1) apo si Jeronim Euzebi…, nuk mund të qe një zhgan burrash pa virtyte, sikundër e paraqitnin ndonjëherë disa nga armiqtë e tij greko-romanë. (Nuk u ndalëm këtu tek ai numër i madh shkrimtarësh ilirë që njihen në literaturën latine si “Scriptores Illyriani”)11)
Teksti shqip dhe latinisht i himnit kishtar botëror, ishte kompozuar nga një dardan Niketa Dardani. (Teksti shqip ekziston te libri – Kristo Frashëri: “Historia e Kosovës – Dardania (Kosova antike), botimet DUDAJ, Tiranë 2008, fq. 2003- 2004)
Ekzistoi, pra, një epokë, kur Iliria e ilirët ndërruan kahet e historisë për të mbarë. Liria fetare është shenjë e Identitetit Evropian dhe themel i lirive dhe të drejtave njerëzore qe 1700 vjet! Konstandini i Madh nga Naisuss-i (Nishi ilir i sotëm) ose Shën Konstandini, legalizoi krishterimin më 313. Kur më 311, u shpall Edikti i tolerancës fetare, në emër të të krishterëve atë e kishte nënshkruar Konstandini i Madh, perandor ilir i perandorisë romake. Dekreti mbi tolerancën është një deklaratë e bërë nga perandori Galerius, që u lëshua më 311 nga Tetrarku romak Galerius, Konstandini dhe Licinius, zyrtarisht iu dha fund persekutimit që Diokleciani ua bënte të krishterëve. Perandorët romakë Konstandini i Parë dhe Licinius lëshuan Ediktin e Milanos që legalizoi krishterimin nëpër tërë perandorinë. (Nga: enciklopedia në 15 vëllime: New Catholic Encyclopedia, botim 2003 by The Catholic University of America. Published by Gale. – Detroit, New York, San Diego, San Francisco, Cleveland, New Haven, Conn, Waterville, Maine, London, Münich).
E pra, perandorët ilirë dhe vete ilirët ia ndërruan kahet historisë evropiane: duke ua përkthyer Biblën (Shën Jeronimi ilir), duke ua dhënë krishterimin (Shën Konstandini etj), duke ua dhënë himnin kishtar Te Deum (Shën Niketë Dardani nga Remesiana ilire e Nishit, simbol i traditës sonë muzikore e autor tekstesh sakrale… kur nuk kishte ende sllavë në Gadishullin Ilir, që sot quhet Ballkan), duke ndërtuar konceptin e lirive e te drejtave njerëzore dhe duke ua kodifikuar kushtetutën romake që është themel i kushtetutave të sotme europerëndimore moderne (Justiniani ose Shën Justiniani)…
Përmendet se Shën Konstantini ka pasur adhurim të posaçëm për njerëzit e letrave, sidomos thënia e tij lapidare, kur kishte kundërshtuar arrestimin Origenit, njërit ndër njerëzit më të mëdhenj të letrave:
“Kurrë mos vini dorë mbi intelektualët, poetët dhe filozofët, sepse ata janë pasuria e shekujve”, e shqiptuar para cezarëve të lartë. Ai kishte respekt e nderim sidomos për ato mese e kisha që zhvillonin reforma pa dhunë, si në Siri etj. Vetë ky perandor, duke e bashkuar Perandorinë, sikundër thekson dr. Imzot Gaspër Gjini,12) këtë dhuratë ai deshi t’ia bëjë edhe kishës, mbasi kishin shpërthye rryma të shumta edhe në lëmin e besimit të krishterë.
Liria fetare është shenjë e Identitetit Evropian dhe themel i lirive dhe të drejtave njerëzore që 1700 vjet!
Në historitë letrare të letërsive të mëdha evropiane e botërore, ndër të tjera, hyjnë edhe korpuset tekstore që njihen si “zhanre faktike”, sikundër i përkufizon ato Zherar Zhenet,13) një dijetar i fushave të studimit letrar. Në këtë rast, brenda kësaj tipologjie tekstore do të hynte edhe korpusi tekstor i kohës së Justinianit, që njihet me emrin Kodi i Justinianit, i përbërë nga 12 libra, prej tërësive tekstore: Kodeksi i të drejtës i Justinianit, Digjestet, Instituciones dhe Novelles. Në literaturën e panumërt botërore për Justinianin, ndër të tjerë, që nga Prokopiusit (“Historia sekrete e oborrit të Justinianit” anglisht “The Secret History of the Court of Justinian”), të (S. P. Scott, “The Civil Law, XI, Cincinnati” 1932, të Ostrogorskit, fq42), të Ogyst Bajisë “Perandoria e Bizantit” etj etj, Justinaini përmendet si personaliteti më i rafinuar e më erudit i shekullit të tij. Procopius e përmend se ai ishte nip i Justinit të Parë ilir.
Nëse na pëlqen, që për historinë tonë të flasim që nga agu i historisë njerëzore, të flasim për mbretër, perandorë, ushtarakë etj., atëherë përse edhe një Histori e letërsisë të mos hidhet së andejmi, që nga shekujt kur jetuan e vepruan ilirët?
Leximi është akt. Shkrimi dhe leximi nënkuptojnë akte kulture, që pushtohen me anë të përvetësimit edukues të kulturës. Porse të mësuarit e shkronjave na shpie më tej: jo thjesht, si të mësojmë lidhjen e shkronjave brenda një fjale të shkruar, po si ta kuptojmë botën, si ta zbulojmë, si ta shquajmë e si ta njohim me forcën e mendjes. E pra, si t’i deshifrojmë kodet e saj. Mos të harrojmë, fjala kod që lidhet me këtë fakt të ndërliqshëm veprimi, rrjedh nga korpusi tekstor i Justinianit. Këndej kanë dalë kuptimet e fjalës kod aq e përdorur në epokën moderne: kod civil, kod penal, kod i punës, kod teknik, kod informativ, kodi i shenjave, kodi letrar, kod telegrafik, sistem shenjash konvencionale që përdoren për dhënien e një njoftimi etj etj. Nga emri i Justinanit përhapet edhe nocioni justicia, jus juris, nocion që merr përmasa botërore kohore e hapësinore: e ai është emri i drejtësisë: i cili në tërë botën lidhet me emrat jurisprudencë, jurist, juridiksion, etj etj. Kurse emri i Jusstinianit latinisht do të thotë Njeri i Drejtë. Leximi në kohën moderne ka marrë konotacione edhe më të gjera e më të ndërliqshme se sa ai i edukimit të njeriut që di shkrim-lexim.
Ndryshe, nuk do të ishin rimarrë me mijëra e mijëra herë ato tri korpuse tekstore të Justinianit nga tradita 1600 vjeçare evropiane, nga të gjitha institucionet shtetërore e shkencore, nga shkollat dhe universitetet evropiane për këta 16 shekuj e sa. Kjo na është ideja e iluminizmit evropian, e cila zë fill në idenë e humanizimit si vetënjohje, si vetintepretim, si ndërtim i vetvetes si njeri, të leximit si detyrë për ta kuptuar më mirë botën dhe vetveten. Për deri sa, leximi letrar kupton lirinë e zgjedhjes e të leximit, leximi i i zhanrit e i tekstit faktik, në këtë rast, i kushtetutës ai Kodit të Justinianit ai kushtetutës së Republikës sonë, bie fjala, në një universitet, është diçka tjetër. Qytetari, si dikur, si sot, detyrohet ta lexojë kushtetutën, si detyrë qytetare, jo si detyrim i dhunshëm, por si lektyrë e detyrueshme qytetare e që na shpie te qëllimi për të ditur për fatin tonë si qytetarë e shtetas, si të lidhur ngushtë me politikën e një bashkësie të drejtpërdrejtë. Kushtetuta është ai teksti relevant që lidhet me të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh se a janë apolitikë apo me bindje të ndryshme politike. Mosnjohja e kësaj lektyre na shpie në rrugë qorre, në kundërshtim me normat shoqërore… Porse qytetari e di se kur kjo kushtetutë i shkel të drejtat e tij, gjithnjë sipas bindjes së tij qytetare, prandaj na duhet leximi. Bie fjala, e kemi të drejtën ta kritikojmë qeverinë, sipas të drejtës së lirisë së fjalës që ta garanton kushtetuta, e mund të ndodh të burgosesh pse e ke shkelur atë, në emër të mbrojtjes së kësaj lirie. Paradoks apo jo! Është e qartë se kushtetutat kanë lindur sepse pjesëtarët e një bashkësie e kanë parë të domosdoshme rregullimin e lirisë së vet dhe të të drejtave të tyre individuale, kolektive e më vonë, të atyre shtetërore e nacionale. Këtu e ka burimin, te Kodi i Justinianit, edhe tipari i bindjeve qytetare të Njeriut Modern Evropian: kushtetuta vlen nëse e mbron lirinë e tij.
.

10.Rikonstruktimi i trashëgimisë

Ideja arsimuese e leximit ishte e ngulitur edhe në letërsi, madje kjo ide evropiane e ardhur që nga lashtësia, vjen edhe në kohën tonë si libër letrar, si lexim letrar nëpër të gjitha plan-programet shkollore evropiane, e pra, edhe në ato në gjuhën shqipe. Teksti letrar dikur kuptohej si dokument historik për vetënjohje. Leximi si hermeneutikë e interpretim i teksteve të traditës, hyn, kështu, në kozmosin e dijes, arsimimit, trashëgimisë. Dijetari anglez, Wolfang Iser, thotë se konvergjenca e tekstit dhe e lexuesit, e krijon mundësinë e ekzistencës së tekstit, sepse leximi e ofron kënaqësinë e leximit, vetëm nëse është aktiv dhe kreativ. Në këtë rast, interesimi për tekstet e njerëzve të shquar të Ilirisë gjithnjë sipas pikëpamjes moderne iluministe, në kuadrin e një historie të letrave shqipe, do konsideruar si dokument historik.
Kjo është praktika e edukimit kulturor modern evropian, është mënyra se si Njeriu Modern Evropian e kupton leximin. Është thënë, gjithnjë sipas kësaj paradigme evropiane, që leximi është mjet për t’u bërë njeri, për t’u bërë qenia më e lartë, e aftë të mendojë, të flasë, të punojë, të ndërtojë shoqëri e shtet, të shkruajë kushtetutë e ligje, të bëhet qenie e zhvilluar dhe e qytetëruar, pra, të dallohet nga njeriu i shpellave dhe i shkretëtirave; qenie që di të jetojë në mesin e shoqërisë njerëzore.
.

11.Stridoni i Dalmacisë

Duke shkruar më se njëherë për vendlindjen e tij, Stridon të Dalmacisë, ai e quan oppidium (qytet). Rëndom, në antikë, edhe sheshet e tregjeve, sheshe ku tuboheshin pleqtë për kuvende (prej nga vijnë toponimet e sotme Tërstenik Trst, Dërstenik, Trogir, Triesste etj); kanë përfshirë emërtimin oppidium, ashtu sikundër kështu quheshin edhe vende që kishin fortesa ushtarake. Nga të gjitha këto i përfshinte ky vendbanim, ashtu sikundër ekzistonte mundësia që po ky Stridon të ishte edhe qendër ipeshkvore. Shkrimet e asaj kohe, po edhe të Jeronimit, duan të na dëshmojnë se me siguri ky vendbanim ishte qendër ushtarake strategjike dhe i pajisur me mjete ushtarake. Mirëpo, meqenëse aso kohe, diku mes viteve 376-379, vetë Jeronimi përmend sulmet e gotëve në Iliri, atëherë sulmohet edhe ky qytet, pasi nuk mundi t’iu rezistonte gotëve, nuk u meremetua më kurrë, prandaj edhe nuk dihet as sot vendndodhja e tij.14)
Letra, siç komentojnë njohësit e veprimtarisë së Shën Jeronimit, është interesante që e përmend motrën e vet dhe atdheun e tij, për të cilin asgjë nuk dimë, në ekziston a jo. Motra, duket, sikur kishte rënë në mëkat dhe ishte rikthyer në jetën e virtytit nga xhakoni Julian e këtu thuhet se është xhakon i Antiokisë. Ky xhakon shfaqet si mik i Jeronimit. Mik nga vendlindja. Këtu po e japim të plotë, me përkthimet e krahasimeve të përkthimeve nga latinishtja në tri gjuhë të tjera: frëngjisht, anglisht e kroatisht:15)
 
Letër për Julianin, xhakon i Antiokisë
Është një thënie e moçme: Gënjeshtarëve nuk duhet t’ju besojmë, edhe kur flasin të vërtetën. Dhe nga mënyra në të cilën më qortoni për heshtjen time, pse nuk ju kam shkruar, unë e kuptoj që kjo ka qenë pjesa ime me ju.
A do të them, kam shkruar shpesh, por bartësit e letrave të mia nuk janë kujdesur t’ua japin ato? Ju do të më thoni, se ky është një Justifikim juaj është i zakonshëm, i vjetër, për të gjithë ata përtacë që nuk arrijnë të shkruajnë. A do të them që nuk kam gjetur askënd që t’i merrte letrat e mia për t’ua dhënë ju? A do të pretenduakam se unë u kam dhënë atyre letra?
Ata nuk i kanë dorëzuar ata, do të mohojnë se i kanë pranuar ato. Për më tepër, një distancë kaq e madhe na ndan sa do të jetë e vështirë të arrihet në të vërtetën.
Çfarë duhet të bëj atëherë? Megjithëse me të vërtetë nuk do t’ju fajësoj, unë ju kërkoj falje, sepse mendoj se është më mirë të tërhiqem dhe të bëj parakalime për paqen, se sa të qëndroj me vendosmëri të grindem me ju. E vërteta është se sëmundja e vazhdueshme e trupit dhe shqetësimet mendore, me të cilat jam mbingarkuar, më kanë dobësuar aq shumë, sa me vdekjen kaq afër varrit, e kisha vështirë ta njihja edhe vetveten.
Dhe në mënyrë që të mos dyshoni në ato që po them, pasi deklarova problemet e mia, pasi po i imitoj oratorët po i thërras në ndihmë dëshmitarët, për ta vërtetuar këtë.
Vëllai ynë i nderuar, Heliodori, ka qenë këtu kur unë isha i sëmurë; por përkundër dëshirës së tij për të banuar në shkretëtirë me mua, ai është frikësuar nga mëkatet e mia dhe iku.
Për më tepër, nëse heshtja ime që më ka bërë kaq të keq, unë jam i gatshëm, ta shlyej fajit tim; domethënë, u dashka të ju shkruaj shpesh. Ashtu si e gjykoi Horaci në satirën e tij:
“Të gjithë këngëtarët kanë një faj në mes miqve të tyre:
Ata kurrë nuk këndojnë kur i pyesin, ata që nuk pyeten asnjëherë, ata nuk pushojnë.”
Tani e tutje do t’ju kapërcej me kaq shumë tufa të tilla letrash, saqë do të jeni i pari që do të më kërkoni të mos ju shkruaj më.
Unë gëzohem që motra ime, e cila është vajza juaj në Jezu Krishtin, vazhdon të jetë e patundur në qëllimet e saj, dhe ju falënderoj që keni qenë i pari që ma tregoi këtë lajm të mirë.
Mirëpo, këtu ku jam tani, nuk di asgjë jo vetëm se çka ndodh në tokën time amtare, por as nuk e di nëse ekziston ende.
Edhe pse gjarpri iberik (spanjoll) do të më sulmojë me gjuhët e zjarrta të flakëve, nuk ju frikësohem gjykimit të njerëzve, sepse e kam një Zot që do të më gjykojë. Ashtu si thotë një poet:
“Edhe nëse bota bëhet copë-copë
unë do të qëndroj i paepur në rrënojat e saj.”
Mbani në mend, pra, ju lutem, parimin e apostullit 1 Korintasve 3,14: “Nëqoftëse vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim”, nga Zoti në shpëtimin e motrës time; dhe me letra të shpeshta rrisin gëzimin tim për lavdinë në Krishtin e që ne e ndajmë së bashku.
(Letër e shkruar nga shkretëtira më 375).
 
Stridoni ishte një vendbanim në kufirin e provincave romake të Liburnia-s, pas hartës së pestë të Ptolemeut për Evropën. Është vendlindja e Shën Jeronimit. Vendndodhja e këtij vendbanimi ende nuk është përcaktuar deri më sot. Josip Bedeković shkroi në librin e tij “Natale solum magni ecclesiae doctoris sancti Hieronymi” më 1752, se Strigova në Megjumurje është Stridoni antik, i njohur si vendlindja e Shën Jeronimit.16)
Për ta dëshmuar përkatësinë e origjinës së tij, jo vetëm Shën Jeronimi, por edhe studiuesit e veprës së tij dhe biografët e e tij ndër shekuj, të shpeshtën e shënojnë emrin e tij Eusebius Hieronymus Stridonensis (Euzeb Jeronimi nga Stridoni): “Ndër shekujt pas vdekjes së tij më 420, pas Krishtit, shenjtëria dhe epërsia e Jeronimit si studiues biblik dhe teolog asketik, në përgjithësi u morën të mirëqena nga të krishterët. Ndërsa historia gradualisht i jepte rrugë legjendës, që u përhap për nder të tij, duke filluar që nga periudha e hershme mesjetare. Ai u bë objekt i i përshpirtërisë së devotshme dhe një kult jashtëzakonisht i popullarizuar. Por, përpara se të ekzistonte një kult i Shën Jeronimit, përpara se të ekzistonte edhe një Jeronim ‘Shenjt’, aty ishte Eusebius Hieronymus Stridonensis, një provincial i prejardhjes së errët nga praktikisht qyteti i panjohur i Stridonit në kufirin midis Panonisë dhe Dalmacisë”.17)
Nga vëllimi me studime “Jerome of Stridon – His Life, Writings And Legacy”18) një autor tjetër thekson edhe natyrën personale të stilit, me shmangie nga latinishtja, por me ngjyresa lokale (PB: ilire): “Më 406, domethënë njëzet vjet pas qëndrimit të tij në Aleksandri (386) me Didyme l’Aveugle, Jeronimi tre librat e tij për Zacharia-n, ia kushton Exupère-it, ipeshkv i Toulouse-it… Për dallim nga komentet për origjinën dhe për Hipolitit-in, të cilët kanë humbur, punimi për Didimën është ruajtur me aq shumë boshllëqe të gjata dhe të shumta në Librat I, II, III, IV e V; pavarësisht prej kësaj, krahasimi midis Komentit të Jeronimit dhe modelit të tij aleksandrin, zbulon se ky stridonias nuk përfshihet në një imitim servil të paraardhësit të tij. Në fakt, lidhja e dukshme midis dy veprave vetëm sa e thekson tipizimin personal, me të cilin ngjyroset latinishtja e tij te “Zachariam”: e gjithë arkitektura, detaji i proceseve, përdorimi i burimeve të ndryshme, E Personalizojnë komentin e tij. Këto i japin një ton dhe stil të veçantë, duke e paraqitur atë, pjesërisht, sipas rrymave të ndryshme të ekzegjezës aleksandrine, dhe plotësisht në ekzegjezë alegorike sipas Jeronimit.” 19)
Kjo do të thotë që Shën Jeronimi nuk ka mundur të shkëputet plotësisht nga ngjyresat e shprehjes ilirike e të mendësisë ilirike. Kësisoj, këta autorë theksojnë se njohuritë e tij si dhe “procedimet e vazhdueshme të anamorfozës, “mospërfilljet e vullnetshme”, siç janë efektet e pasqyrave shtrembëruese, dëshmojnë se puna e Jeronimit, nuk është as plagjiaturë, as pastish (imitim a evokim i stilit) i komenteve të Didyme-s, dhe, në vend të “huazimit të personalitetit” aleksandrin, Stridonasi e pohon të vetin, duke e përmirësuar komentin e tij me gërshetimin e rrymave të ndryshme artistike”.20)
Jeronimi flet përsëri për të në letrën tjetër (§4). Stridonin ai nuk e harroi asnjëherë, sado që kishte ndërmarrë udhëtime të shumta e të gjata. Në Stridon ai kishte lënë miqtë e tij, siç na dëshmon Letra xhakonit Julian.
Po ashtu, edhe përdorimi i emrave ilirë është dëshmi e qëndresës ilire kundër romanizimit. Shën Jeronimi përmend shpesh në shkrimet e tij shprehjen sermo gentilis, siç e dëshmon ai, e përdorur shumë dhe gjerësisht në vendlindjen e tij. Sermo gentilis ishte e folura pagane, jolatine dhe jogreke, dmth, ilirike. Është dëshmi e gjuhës së tij amtare e përdorur ende në antikitetin e vonë. “Duke gjykuar me disa shembuj, emrat ilirë u përdorën në zonën desidiate edhe pas romanizimit dhe morën shtetësinë (p.sh. Dassius, djali i Clarius dhe vëllai i Ursus)… dëshmohet indirekt nga tradita e emrave ilirë në Mesjetë. Mbi të gjitha, përkundër pranimit masiv të qytetërimit romak, kultivimit të stilit mesdhetar greko-romak dhe shkrirjes në qenien kombëtare dhe politike të popullit romak, romanizimi ende nuk arriti të eliminojë gjuhën amtare edhe në antikitetin e vonë.”21)
.
Shën Jeronimi (347-420)Shën Jeronimi (347-420)
Shën Jeronimi (347-420) (Girlandaio)

Bibliografi për Shën Jeronimin

1.Ramadan Sokoli, 16 shekuj, Eurorilindja, Tiranë 1995, f. 5.
2.Sipas Hrvatska Zh Svetog Jeronima – Chicago mars 2003. Shih edhe: 1. Jaciopo Coletti: “De situ Stridonis, urbis natalis sancti Hieronymi” (Venecia 1784); 2. Don Frane Bulić: Stridon (Orahovo Polje u Bosni) Rodno mjesto Svetoga Jeronima, rasprava povjesno-geografska, Sarajevo, Zemaliska štamparija, 1920 (libër në 104 faqe); 3. Sergio Predonami, Signore, perché sono dalmata ©Città Nuova Editrice Roma – Via della Scrofa, 14 Botimi 2 1965. Botimi kroat: Oprosti mi, gospodine, jer sam dalmatinac, botues: Zajednica izdanja ranjeni labud, Mistar- Zagreb, 2000. 4. Šimun Šito Ćorić: Sveti Jeronim – Oprosti mi, Gospodine, jer sam Dalmatinac. Životopis i drama, botoi Glas koncila, Zagreb 2020.
3.Nga gazeta e përditshme kroate, fejtoni në vazhdime i Vojko Mirković: “Sv. Jeronim, najveća kulturna ličnost povijesne Dalmacije”, 29.9.2003- 6.10.2003. Split. ponedjeljak, 6.10.2003, utorak, 30.9.2003.
4.Dr. Engjëll Sedaj, “Bibla & Përkthimet e saj në gjuhën shqipe”, Shtufi, Prishtinë, 1999. Sabri Hamiti, Testamenti, Botuar nga ASHAK, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, f. 241. Sabri Hamiti, Letra shqipe, botues Dukagjini, Pejë, 1996.
5.“Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, Rilindja, Redaksia e Botimeve, Prishtinë 1979, f. 354-355. Ribotim sipas botimit të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës të vitit 1965.
Shih te Shën Jeronimi: Letra Heliodorit… Shih edhe te: Shën Jeronimi: Letra Heliodorit (Epistula ad Heliodorum)
6.Imzot Nik Prela, Shenjtorët ilirë-pajtorët tanë, Drita”, Ferizaj 1995; Nikollë Loka dhe Gjet Kola, Iliria biblike-shenjtorët iliro-shqiptarë, GEER, Tiranë 2005.
7.Marijan Mandac, Sveti Jeronim Dalmatinac, Služba Božja, Makarska, 1995, f. 31.
8.Bertrand Russell: Mudrost Zapada, – “Mladost”, Zagreb 1970 f. 132-133.
9.www.sv-jeronim.hr › index2.
10.Curtius Ernst Robert, Evropska književnost i latins Aurel Plasari, Don Kishoti zbret në Shqipëri dhe ese të tjera të letërsisë së krahasuar, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, f. 54. korednjovjekovlje, Kategorija: Teorija i povijest književnosti, Izdavač: Matica hrvatska, 1971, Zagreb.
11.Aurel Plasari, Don Kishoti zbret në Shqipëri dhe ese të tjera të letërsisë së krahasuar, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, f. 54.
12.Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj. Botime historike, Drita, Prizren, 1992
13.Gérard Genette-Palimpsestes. La Littérature au second degré est un livre. Paris, Le Seuil, coll. “Essais”, 1982, fq. 338.
14.Shih: MANDAC, M., Sveti Jeronim Dalmatinac, Služba Božja, Makarska, 1995, ff. 12-13
15.Burimi anglisht. Source. Translated by W.H. Fremantle, G. Lewis and W.G. Martley. From Nicene and Post-Nicene Fathers, Second Series, Vol. 6. Edited by Philip Schaff and Henry Wace. (Buffalo, NY: Christian Literature Publishing Co.,1893) Revised and edited for New Advent by Kevin Knight. <http://www.newadvent.org/fathers/3001006.htm>.
Burimi frëngjisht: EUVRES DE SAINT JÉRÔME. https://livres-mystiques.com/partieTEXTES/jerome/table.htm
burimi latinisht: SANCTI EUSEBII IERONYMI STBIDONENSIS PRESBYTERI OPERA OMNIA K X C U D E B A T U R F T V E N I T A P U D J – J\ I H G N B, EDITORE M, fll VIA D I C TA THIbAOD, jOLIM &AMBOISEPKOPE ^POHTAM L U T E T I j E P A R I S I O R U M VULGO” PENFER N O M l N A T A M , S E U PETlT-MONTtlOUGE, NlhNC Y E K O 1NTRA MOKNIA PARISINA 1866
http://www.patrologia-lib.ru/patrolog/hieronym/epist/index.htm.
16.https://hr.wikipedia.org/w/index.php?title=Stridon&oldid=5074717
17.JEROME OF STRIDON- HIS LIFE, WRITINGS AND LEGACY, edited by Josef Lössl (Author), Andrew Cain (Editor), University of Colorado, USA and Cardiff University, UK, ASHGATE, fq. 47.
Kapitulli i katërt: “Përsiatje rreth portrete të Jeronimit për gratë e shenjta”, fq 47-57.
Sipas: Stridon’s precise location has long been debated. See f. Bulic, “Stridone luogo natale precise location has long been debated. See f. Bulic, “Stridone luogo natale di S. Girolamo”, in Miscellanea Geronimiana. Scritti varii pubblicati nel XV centenario dalla morte di San Girolamo (rome, 1920) 253-330; i. fodor, “Le lieu d’origine de S. Jérôme. reconsidération d’une vieille controverse,” RHE 81 (1986) 498–500.)
18.Po aty.
19Po aty. Aline Callenis: “12 L’In Zachariam de Jérômeet la Tradition Alexandrine. F. 155. Këtu: In Zach., m. Adriaen ed., CCSL 76A (turnhout, 1970) 747-900 Sipas: F. Cavallera, Saint Jérôme, sa vie et son œuvre (Paris, 1922) 2.156 ; J.n.d. Kelly, Jerome, His Life, Writings, and Controversies (London, 1975) 124-6. 2 Hier. In Zach., m. Adriaen ed., CCSL 76A (turnhout, 1970) 747-900.
20.Po aty, f. 159. (Sipas: 79 Shih SC 83: 132).
21.Salmedin Mesihović, ILIRIKE. Prvo autorsko izdanje, Elektronsko I. Izdanje Sarajevo, 2014, f. 697.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.