back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shën Jeronimi nga Iliria antike dhe çfarë ka të bëjë emri i tij me Organizatën e Kombeve të Bashkuara – nga Frank Shkreli

Gazeta

Shen Jeronimi
Shen Jeronimi

Shën Jeronimi nga Iliria antike dhe çfarë ka

të bëjë emri i tij me Organizatën e Kombeve të Bashkuara

nga Frank Shkreli

“Parce mihi, domine, quia dalmata sum!” – Më fal o Zot se kam ndodhur dalmat – fis ilirian – citohet të jetë shprehur në latinisht, Shën Jeronimi (347- 420), i lindur në qytetin Stridon të Ilirisë, që duhet ketë ekzistuar diku në territorin e Kroacisë ose Sllovenisë së sotshme. Kush është ky bir i Ilirisë antike dhe pse e përdor emrin e tij Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) sot, pothuaj, 17-shekuj më vonë?
Kësaj pyetjeje i përgjigjet Dom Lush Gjergji në librin e tij, “Shën Jeronimi Ilir”: “Shën Jeronimi ilir është një ndër kolosët e mëdhenj fetar, shpirtëror, kulturor, biblik, patristik, që e pranojnë dhe nderojnë jo vetëm të gjithë të krishterët, por mbarë njerëzimi, si shenjt dhe dijetar të madh, një ndër doktorët dhe etërit e Kishës më të spikatur të kohës së tij, “egregius doctor Ecclesiae” – doktor i shkëlqyeshëm i Kishës, së bashku me Shën Ambrozin (330-297) dhe Shën Augustinin (354-430). Ai ishte njeri i dijes dhe kulturës, por edhe i studimit, uratës, pendesës, jetës së rreptë asketike, duke luftuar kundër mëkatit, veseve, epsheve, pothuaj gjithnjë në kërkim të përsosmërisë dhe shenjtërisë.
Këto arsye, por edhe shumë të tjera, sidomos në 1600-vjetorin e vdekjes së tij, ai vjen tek ne dhe ndër ne me shumë porosi dhe aktualitete, si njeri i Provanisë dhe historisë tonë të lashtë martire dhe biblike, “vegël” e Zotit, për t’ia dhënë mbarë njerëzimit Biblën, nëpërmjet “Vulgatës”, përkthimit të shkëlqyeshëm në gjuhën latine, me shekuj si burim jete dhe frymëzimi për fe, traditë, kulturë dhe qytetrim europian dhe botëror”, ka shkruar Dom Lush Gjergji, i njohur tanimë në botën shqitare dhe më gjerë si biografi i Nënë Terezës, autor i dyzina librash mbi jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës shqiptare, në gjuhën shqipe dhe të përkthyera në gjuhë të tjera, përfshir anglisht. Dom Lush Gjergji është autor edhe i shumë veprave të tjera letrare, përkthimesh, botimesh teologjike dhe subjektesh të tjera.
Por le t’i kthehemi subjektit të këtij shkrimi modest, protagonistit kryesor, Shën Jeronimit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthyesve Botërorë – ditë që shënohet nga Kombet e Bashkuara me 30 Shtator, ndonëse pak me vonesë – datë kjo që Kisha Katolike Universale shënon gjithashtu edhe Festën e Shën Jeronimit – Ilirit të vetshpallur.
Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve është caktuar si e tillë me anë të një rezolute nga Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara me 24 Maj 2017, për të nderuar rolin e përkthyesve dhe profesionistëve gjuhësorë, të cilët me punën e tyre, bashkojnë kombet, përforcojnë paqën, mirëkuptimin dhe zhvillimin midis vendeve, gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Asambleja e Përgjithëshme e OKB-së e ka parë të arsyeshme që Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve të jetë, pikërisht, 30 shtatori, dita kur, sipas kalendarit kishtar, shënohet festa e Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës, që si i tillë konsiderohet edhe mbrojtësi i përkthyesve. Bibla është libri që është përkthyer në mbi 2 mijë gjuhë botërore, nga gjuhët e vjetra hebraishtja, armaishtja dhe greqishtja. Shën Jeronimi – Ilir e ka përkthyer

Biblën në latinisht dhe në greqisht.
Përkthyesit e Kombeve të Bashkuara në kabinat e tyre gjatë një debati brenda Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Organizata e Kombeve të Bashkuara është organizata e cila punëson numrin më të madh të përkthyesve dhe profesionisteve gjuhësorë në botë. Photo: UN/Manuel Elias –

30 shtatori është dita liturgjike e festës së Shën Jeronimit. Kjo është arsyeja që OKB-ja ka caktuar, pikërisht, këtë ditë si Ditën Ndërkombëtare të Përkthyesve, në nder të Shenjtit të madh me origjinë ilire, i cili i ka dhënë botës perëndimore përkthimin e parë të Biblës në latinisht dhe në shenjë respekti për të gjithë përkthyesit, anë e mbanë botës, për rolin e tyre lehtësimin e komunikimit midis popujve dhe njeriut me njeri. Tema e Ditës Ndërkombëtare të Përkthyesve 30-shtator 2022, ishte “Një botë pa pengesa” (A world without barriers)
Sipas Kombeve të Bashkuara, Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve është një mundësi që, të pakën njëherë në vit, të nderohet puna e përkthyesve dhe e të gjithë profesionistëve gjuhësorë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në komunikimin midis popujve dhe kombeve, duke lehtësuar dialogun, bashkëpunimin dhe zhvillimin, ndërkohë që me punën e tyre ata kontribojnë për forcimin e paqës dhe sigurisë në botë.
Është interesant fakti që Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vendosur që në këtë Ditë Ndërkombëtare të kujtohet çdo vit, pikërisht, Shën Jeronimi, një prift katolik, me origjinë iliro-shqiptare – si simbol dhe shembull i një profesioni – përkthyes Biblës pothuaj 17 shekuj më parë – për brezat e rinjë të përkthyesve sot – punën e të cilëve, OKB-ja e cilëson, si një vlerë themelore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Frank Shkreli

Ps: një shkrim i para disa viteve për autorin dhe përkthimin e parë nga teksti origjinal i Biblës, Beslidhjes së Re, në gjuhën shqipe. Frank Shkreli/ Dom Simon Filipaj: “Shqiptarë, flisni shqip me Zotin!” | Gazeta Telegraf

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.