back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shën Lasgushi – Shenjtor i Lirikës Shqiptare

Gazeta

Statuetë e Lasgushi nga Vaskë Basho
Statuetë e Lasgushi nga Vaskë Basho

Shën Lasgushi – Shenjtor i Lirikës Shqiptare

Shën Lasgushi,
desh dhe dëshira iu realizua…
Shkoi në Shënjtëri më pas se shkoi në vdekje Enveri.
Shën Lasgushi sot është ikonë në çdo kishë shpirti
e në çdo manastir të nesërmes…
Petraq Kote

Në pak rreshta,
një poet gjenial i shkollës së Romantizmit,
si Lasgush Poradeci,
jep gjithë pafundësinë e Universit,
duke demonstruar me një hir të jashtëzakonshëm
forcën magjike të Artit…
Robert Martiko

Më 12 nëntor 1987, 29 vjet më parë, Ti Shtërg fluturove…
Ti ishe Poeti, dhe meqë vetëm Poetit i dhurohet hiri i artit –
dhe hir i artit është frymë prej frymës së perëndishme –
se vetëm Poeti mund të bëjë art, art immanent,
që domethënë prej mundësirave të pakufishme,
po gjithnjë dhe fund e krejt të brendshme të Poetit.
Unë dhe Kostandina falenderojmë çdo ditë Zotin,
që ishim fëmijët e tu,
sepse ti na ke lumturuar shpirtin dhe na ke mësuar
jeta jetohet vetëm shpirtërisht…
Maria Lasgush Poradeci

“...nuk ish rastësi, që Ylberi i qëndroi aureolë mbi monumentin e tij...” Entela Gusho
“…nuk ish rastësi, që Ylberi i qëndroi aureolë mbi monumentin e tij…” Entela Gusho

Mbarim Vjeshte

vargje nga Lasgush Poradeci

Fluturoj dhe shtërg’* i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë…
Iku rënd’ e i përmallshmë, dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë…

Pra më s’duket shpes’i fatit prapa bujqish edhe plorësh,
Prapa brazdës së rëxuar hap-me-hap prej qè malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht’** e shkretëtirë.

Dheri-i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim e me fërtymë,***
E si shtohet cingërima… ja! se ku dinak dh’i voçërr
Nëpër gardhe-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçërr…!****

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale – posi dhëndër me kurorë!…
E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur – posi vash’e nusëruar…!
Poradec 1921, Korrik.

*Shtërg – lejlek
**Blatishtë – moçalishtë
***Fërtymë – stuhi
****Çoçërr – zog i vogël, cinxami, çerr

Marrë nga muri i fb. i Marie Lasgush Poradecit, 11 nëntor 2016

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Lame Fandi: Në vend të komentit, po vendos një shënim të shkurtër dërguar mikut tim Robert Martiko, pesë ditë më parë.
    “I dashur Robert, sot ne facebook pashë një foto ku Lasgushi ka dalë së bashku me shokë të nivelit të tij të lartë. Meqë fytyrat ishin të vogla, po mjaft të pastërta, e veçova për ta parë se si do të dukej i zmadhuar si dhe për t’u përqëndruar më mirë te shprehja e botës së tij të brendëshme. I tërhequr dalëngadalë prej thellësisë së saj, ndjeva një mrekullim, që s’mund të rrija pa e ndarë me ty.”
    Si zakonisht, Roberti më dërgoi përgjigjen e tij: “I dashur Lame, Lasgush Poradeci është një figurë e mrekullueshme, që përfaqëson denjësisht kredon tonë evropiane, që nuk ka asnjë lidhje me metastazat e Njeriut të Ri” (13 nentor 2016)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.