back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shën Prendja e Kurbinit – “Scriptorium” i Trashëgimisë Historike dhe Kulturore Shqiptare nga Kastriot Marku

Gazeta

Kisha e Rindërtuar e Shna Premtes
Kisha e Rindërtuar e Shna Premtes (faqja anesore)

Shën Prendja e Kurbinit –

“Scriptorium” i Trashëgimisë Historike dhe Kulturore Shqiptare

nga Kastriot Marku

Studiuesi Kastriot Marku
Studiuesi Kastriot Marku

Krahina e Kurbinit së paku që prej Mesjetës ka qenë një nyje e rëndësishme komunikimi për Arbërinë Qendrore e Veriore dhe më gjerë në Detin Adriatik, sepse në grykëderdhje të lumit Mat ka shumë gjasa të gjendej asokohe skela detaro-lumore e Shufadasë, (Suffada, Zufada, Semphanday) qendër kjo e rëndësishme tregtare dhe doganore prej nga nisnin rrugët tregtare që e lidhnin atë skelë me qytete të rëndësishme si Lezha, Shkodra deri në Prizren në Kosovë dhe Dibër e Ohër në Maqedoni. Malësia e Kurbini, sidomos Mali i Skënderbeut dhe e gjithë zona përreth tij, kanë qenë pjesë e rëndësishme e veprimeve luftarake të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) gjatë viteve 1443-1468 kundër ushtrive osmane, ku një vend të posaçëm zë beteja historike e Ujit të Bardhë, ndryshe Albulenës (lat. Albulae Ascqua) në fshatin Zhejë më 2 shtator 1457. Përfaqësuesit e krahinës së Kurbinit morën pjesë në kuvendet ndërkrahinore shqiptare në të cilët u diskutuan pjesmarrja dhe organizimi në projektet për kryengritjet antiosmane si në Kuvendin e Lezhës (2 mars 1444), në kuvendin që u mbajt në Shën Llezhdër (Shën Aleksandër) të krahinës së Dukagjinit më 15 shkurt të vitit 1602, ku morën pjesë edhe 4 përfaqësuesit e krahinës, po ashtu në Kuvendin e Arbënit të 14-15 janarit të 1703, që u mbajt në Mërqinë të Lezhës, mbajtja e të cilit u njoftua më 2 dhjetor 1702 nga Selia Ipeshkvore e Durrësit në Shën Prenë të Kurbinit; në kuvendet e vetë krahinës të mbajtura në vitet 1903, 1904, 1905, ku veçohet ai i 5, 6 e 7 gushtit 1906 në Delbnisht; në Kuvendin e Zejmenit, të Manatisë, të Shënkollit, të Pllanës dhe të Rubikut gjatë vitit të Pavarësisë 1912.

Rrënojat e Kishës së Shën Prendes Gallatë dhe Selisë Ipeshkvnore të Arbnisë
Rrënojat e Kishës së Shën Prendes Gallatë
dhe Selisë Ipeshkvnore të Arbnisë

Kisha e Shën Prendes

Kisha abaciale benediktine e Shën Prendës (Santa Veneranda di Curbino), përbën mbase komplesin më enigmatik dhe më mbresëlënës njëherësh, në qerthullin e rrjetit kishtar mesjetar shqiptar duke nisur nga Durrësi, Kruja, Lezha, Mirdita e deri në Mat e Dibër, për të mos thënë nga Tivari e deri ne Prevezë. Do të jetë pikërisht kjo rezidencë ipeshkvore e cila do të mbajë peshën kryesore në organizimin kishtar të vendit përgjat gjithë shekujve XVII-XIX, prej së cilës do të ftilloheshin nismat më të rëndësishme fetare, arsimore, kulturore dhe identitare të shqiptarëve të brendashkruar hapësirës territoriale gjatë kësaj periudhe historike. Për afro 300 vjet (1571-1865), dioqezat shqiptare ishin pa asnjë kishë katedrale, me përjashtim të asaj të Durrësit, e cila kishte katedralen e saj pikërisht në Shën Prende të Kurbinit. Vështirë të gjendet një vend tjetër, i cili ka ruajtur një komunikim/ raportim konstant të paprerë për tre shekuj radhazi me Selinë e Shenjtë e konkretisht me Congregazione de Propaganda Fide/ Kongregata e Përhapjes së Fesë (1622), e cila mbështeti financiarisht Shkollën e Kurbinit, e cila u ftillua në rezidencën e Selisë Ipeshkvore të Arbënit (1615-1640), në Shën Prende në fshatin Gallatë e mandej u shndërrua në Seli të Arkidioqezës Metropolitane të Durrësit (1640-1853).
Kisha në fjalë gjendet në shpatin lindor të fshatit të sotëm Gallatë, në faqen perëndimore të malit të Trodhnës në majën e një kodre kundruese dhe mjaft piktoreske, prej së cilës shihet dhe kontrollohet me sy të lirë e gjithë lugina e lumit Hurdhazë deri në kuvendin tjetër benediktin të Shën Gjergjit në Ferrë – Shkopet, për të vijuar më pas deri në kuvendin e françeskan të Shelbuemit të Rubikut. Po ashtu prej aty shihet e gjithë malësia lindore e Lezhës. Gallata si toponim del që në regjistrin kadastral osman të vitit 1467, në trajtën Galata, njëzetë e katër vjet pas Shën Prendes kur kjo e fundit përmendet si kishë e Kurbinit, fshat i krahinës me të njëjtin emër.
Kisha e Shën Prendës pas ndarjes së dioqezës së Durrësit në dy pjesë në vitin 1279, i takonte ipeshkvit të Krujës dhe, më vonë, pas marrjes në dorë të Durrësit që ishte nën administrimin e venedikasve nga turqit më 1502, ajo tashmë kthehet në seli ipeshkvore deri në vitin 1850. Sipas Farlatit prej vitit 1286, Kruja dhe Arbanum kishin ipeshkvinjtë veçmas, ndërsa pas pushtimit të Krujës nga ana e turqve më 1478, ipeshkvinjtë u shpërngulën prej andej, (në fakt më 1415) titujt e ipeshkvive u shkrinë në një të vetëm, dhe titullari i tyre tashmë do të rezidojë në Shën Prende. Pas pushtimit të Durrësit në vitin 1501, për plot 140 vjet selia e Kryeipeshkvisë mbetet vakante deri kur përtërihet në vitin 1640 në Shna Prende të Kurbinit. Duhet të kemi parasysh se në këtë kohë Kthella, Ndërfana, pra Mirdita Verilindore ishin nën varësinë juridiksionale kishtare të Kryeipeshkvisë së Durrësit dhe selia Ipeshkvore do të duhej të transferohej brenda juridiksionit të saj territorial. Po ashtu edhe selia ipeshkvnore e Krujës u zhvendos herë në një vend e herë në një tjetër, të paktën që në vitin 1478, vit ky kur ky qytet u pushtua nga turqit, me ç’rast u dogj edhe katedralja e saj së bashku me të gjithë librat e vjetër që gjendeshin aty, çfarë mund të hamendësohet se mund të kenë humbur edhe shkrime shqipe. Kisha e Shna Prendes dikur ka qenë kuvendi abacial i  benediktinëve së paku qysh para gjysmës së dytë të shekullit XV, sepse në letrën e Papës Kalistit III, të datës 18 gusht 1457 shkruhet se: “…Kalisti III (papë) i jep të  drejtën Abatit të Shna Prendes së Kurbinit në dioqezën e Krujës të bashkonte me manastirin benediktin të Shën Mërisë së Ndërfandës në dioqezën e Arbnit, me kishën e afërme të Shën Gjergjit me që të dyja qenë (rrënuar, prishur, shkatërruar) e varfërnuar nga një sulm i turqve”. Këtu përmendet Santa Venera di Curbino, emër i cili më pas për më shumë se dy shekuj e gjysëm duke filluar nga shek. XVII, përveçse si emër krahine, do të përdoret edhe për kuvendin abazial të Shën Prendes i identifikuar si vendndodhja e Selisë Ipeshkvore e Arbënit (1615-1640), mandej Selisë së Kryeipeshkvisë Metropolitane të Durrësit (1640-1853), përmes datimit të dokumenteve të kancelarisë arqipeshkvore dhe veçanërisht relacioneve të dërgura nga titullarët e tyre Kongregatës së Propagandës Fide ne Romë. Kisha e Shën Prendes dikur, kuvendi abacial i benediktinëve, së paku qysh para gjysmës së dytë të shekullit XV, e që më pas u administua nga françeskanët, ishte një ndër qendrat kryesore fetare dhe politike të Arbënisë mesjetare. Ndërkohë përgjat kërkimeve tona në dokumentacionin historik kishtar të mesjetës kemi arritur të sigurojmë një tjetër dokument më të hershëm lidhur me përmendjen e emrit të kësaj krahine, i cili daton 14 vite më herët, më 10 shtator 1443 me po të njëtin përdorim: S. Venerae de Corbino.

Fragment afresku, në anën jugore të absidës
Fragment afresku, në anën jugore të absidës

Françeskanët rezultojnë këtu në Shën Prende në gjysmën e parë të shekullit XVII. Mark Skura, Arqipeshkëv i Durrësit me seli në Shën Prende të Kurbinit, në relacionin e tij të vitit 1644 tregon: “…pasi qe marrë Shqipnija (prej turqish) krijohej nji ipeshkëv i vetëm, titulli i të cilit ishte “Albanense”, (i Arbënit), sepse Shqipnia asht nji provincë e vetme dhe pjesë e mbretnisë s’Epirit. Ai ipeshkëv (i Arbënit) banonte tash në nji vend e tash në nji tjetër dhe shumë mirë, sepse aty ishin popuj të gjithë të krishtenë e katolikë të mirë, sikurse janë ata t’Italisë. I ndyeri imzot Gjon Kolesi, banonte në tokën e Kurbinit bashkë me fretnit e Shën Françeskut dhe me dy priftën famullitarë të vendit. Dhe po ashtu Imzot Fra Mark Skura, pasardhësi i tij, i cili pastaj në vjetin 1640 qe ngarkue me titullin e kishës Metropolitane të Durrësit”.
Duhet thënë se Selia Ipeshkvore e Dioqezës së Arbënit u vendos në Shën Prende nga Ipeshkvi i kësaj dioqeze Imzot Gjon Kolesi në vitin 1615, (sikurse edhe e pohon vetë ai kur thotë në vitin 1624, se ka dhjetë vjet që është bërë ipeshkëv), me ç’rast ai bëri edhe rindërtimin e saj, sikurse shihet në mbishkrimin në një nga gurët e fasadës tashmë të rrënuar të kësaj kishe në të cilin lexohet: “1618 F. I. Colesivs epvs albanensis F.F.”, i cili i transkriptuar do të ishte: Fra Ioannes Collesius Episcopus Albanensis. (Fra Gjon Kolesi Ipeshkvi i Arbënit). Pra, duket qartazi titullari i ipeshkvisë së Arbënit.
Në fakt vendosja e kësaj selie korrespondon me shugurimin e këtij ipeshkvi, çfarë ne mendojmë se ai qe vendosur që më parë aty, sepse Farlati thekson se kur ky Imzot Kolesi u emërua me 31 gusht 1615 ipeshkëv i Arbënisë, “shtëpinë ipeshkvore në fshatin e Kurbinit, jo fort larg qytetit të Krujës, e gjeti të shkatërruar nga turqit”, por gjithsesi ai këtu u vendos pas vitit 1605, vit kur Kolesi rezulton në Laç, si Epror në Kuvendin Françeskan të Shën Mërisë, (sot Shën Antonit), sikurse na e tregon këtë mbishkrimi në ballin e kësaj të fundit. Nëse do të ndjekim relacionet e Imzot Mark Skurës, Selia Ipeshkvnore e Arbënisë, që asokohe gjendej në Shën Prende (në atë kohë famulli e dioqezës së Krujës), ishte “…në kishën e Shën Pjetrit të vendosun pranë fshatit të Mamëlit të Kërrabës, ku e kishte selinë Imzot Fra Nikollë Mejkashi… dhe paraardhësi dhe ishte Imzot Gjon Kolesi që e transferoi nga ky fshat gjendet sot në zonën e Elbasanit, sikurse e përforcon më pas edhe Shtjefën Gaspari në vitin 1672. Kur vdiq Ipeshkvi i Arbënisë, Nikollë Mejkashi, pasardhësi i tij Imzot Gjon Kolesi, duke parë se ato krahina ishin islamizuar pothuajse krejt, e zhvendosi selinë e vet ndër male të Kurbinit, ku sikurse na e thotë vetë ai, ishin “rreth njëqind katunde me nga 20-30 shtëpi secili, të gjithë të krishtenë shumë të mirë e shumë besnikë”, dhe e përsërit Imzot Mark Skura në vitin 1644 “të gjithë të krishtenë e katolikë shumë të mirë, sikurse janë ata t’Italisë”. Imzot Mark Skura, në relacionet e viteve 1641 dhe 1644, pohon se Ipeshkvi i Arbënisë “banonte tash në nji vend, tash në një tjetër”, i mbrojtur prej popullit katolik që ishte i mirë e besnik. Se ka qenë pikërisht Imzot Kolesi ai që e ka transferuar Selinë Ipeshkvore të Arbënit nga Mamli në Shna Prende të Kurbinit këtë na e pohon në vitin 1702 edhe vizitatori apostolik Shtjefën Gaspari.
Po pse u zhvendos Selia Arqipeshkvore e Durrësit në Kurbin?
Ajo që mund të theksojmë në këtë argument është fakti se, vendosja e Selisë Ipeshkvore në Shën Prende të Kurbinit, nuk ishte një vendim rastësor, por një vendim i peshuar mirë, i cili justifikohej plotësisht me gjasë për disa arsye:
Së pari sepse atje ishte selia e vjetër e Ipeshvisë së Arbërit e cila ishte e lidhur me emrin e Shën Prenës që sikurse dihet është një emër shumë i vjetër1 sikurse ishte shumë i vjetër identiteti i dioqezës së Arbënit e cila kishte dhe ka për pajtore pikërisht Shën Prenën, dinjitet që me sa duket ishte përvetësuar sipas Injac Zamputit nga Dhimitri e Progoni, për t‘u zhvendosur nga Kurbini në shekujt XII-XIII, pa mundur dot t’i rezistojë shumë gjatë, mbasi dinjiteti ipeshkvor ngjan të jetë rikthyer menjëherë, por në mënyrë të fisshme na rishfaqet në shekullin XVII e më pas. me këtë unifikimin me Arqipeshkvinë e Durrësit, selia e së cilës zhvendoset këtu, duke qenë se ishte dioqesë sufragane e kësaj të fundit, shuhet. Pra me vendosjen aty të Selisë Arqipeshkvore të Durrësit në vitin 1640, shuhet nga pikëpamja juridiksionale Ipeshkvia e Arbërit.
Së dyti, ipeshkvitë mesjetare shtriheshin zakonisht në një krahinë të rëndësishme, gjë e cila nuk vihej në dyshim për Kurbinin, mjafton të kujtojmë se Imzot Gjon Kolesi në relacionin e tij të vitit 1924, thekson se në Shën Prende qëndronte pjesën më të madhe të kohës princi Skandërbe.
Së treti, famullia në fjalë kishte të ardhura deri diku të mjaftueshme në krahasim me famullitë e tjera kandidate edhe pse relatorët ipeshkvinj të saj ankohen për mungesën e tyre për shkak të taksave dhe kushteve të tjera të vëna nga pushtuesit turq.
Së katërti, selia u zhvendos këtu, sepse ishte një vend i mbrojtur prej sulmeve të shpejta e të befta të turqve. Shën Prendja rrethohej nga katër kështjella që gjenden përkatësisht, një në Daul, (lagje e Selitës), një në Laç e njohur si kalaja e Sebastes, një tjetër ajo e Pervizit në Ferrë-Shkopet, dhe e fundit një tjetër kështjellë që gjendet edhe ajo në Shkopet, të cilat paraqesin jo pak interes nga pikëpamja historike dhe ndërtimore. Arsyeja e katërt është se populli i kësaj zone ishte i mirë dhe besnik, sikurse e theksojnë dy ipeshkvinjtë, Imzot Gjon Kolesi dhe Imzot Mark Skura.
Në relacionin e vizitës së parë baritore që i bën Arkidioqezës së Durrësit në vitin 1640, kur sapo ishte emëruar në krye të saj, Imzot Mark Skura na jep këto të dhëna. “Ipeshkvi i shërben Kishës Katedrale të Shën Venerandës Parashqvisë, 8 milje larg nga qyteti i Krujës dhe është e madhe sa Shën Kryqi i Jeruzalemit në Romë, e zbuluar, në gur të gjallë, thuajse e rrënuar nga vjetërsia, dhe do të ishte e rëndësishme të rindërtohej nga Kongregata e Shenjtë për ta shpëtuar, ka kompanelin dhe një kambanë të madhe, nuk ka sakristi në kishën e përmendur e janë 3 altarë të Shën Venerandës Parashqevisë, të Zojës dhe të Shën Nikollës dhe i paguan çdo vit detyrimet turqve 20 skudë e ndonjëherë edhe 30.”
Një vit më pas këto të dhëna përforcohen dhe plotësohen: “Kisha katedrale, që sot me breve apostolik gjendet në Kurbin, asht nën titullin dhe në pajtimin e Shna Prendes. Motit ka qenë abaci e mitrueme, e cila [kishë] asht e gjitha në gur të gjallë. Pranë kishës janë vorrezat e saja. [Kisha] ka tre altarë, N’altarin e madh, arqipeshkvi i sipërthanun ka vendosë më 1640 një tabernakull të bukur prej bakri krejt të praruem dhe të stolisun me gurë të ndryshëm kristali; përmbi tabernakull ka bame të vendosej një kuadër i madh e shumë i bukur me suaza të prarueme dhe me fytyrën e të shënjtënueshmes Virgjin Nanës së Zotit. N’altarin e dytë, n’anë t’epistullës, një kuadër tjetër të ngjashëm me të sipërthanunin me fytyrën e Shna Prendes. Në të tretin, një kryq dhe pranë tij faldistorin e vet. Që të tre altarët ka bamë që të kyçen n’atë mënyrë si disa kishë t’Italisë. Ka kumbanoren me nji kumbonë të madhe. Kisha nuk ka sakresti as relike veçse ato t’altarëve të lëvizshëm, dhe veshjet mbahen në dhomën e arqipeshkvit.”, për t’u përsëritur sërish pa thuajse asnjë ndryshim edhe në vitin 1644/1650 teksa raporton: “Kisha asht e gjitha në gur të gjallë, por shumë e vjetër, dhe gjysma e saj asht tue ra për tokë, gjysma tjetër asht meremetue prej imzotit të thanun me ndihmën që vinte prej Kongregacionit të Prop. Fide. Ajo asht e mbulueme me tjegulla. Pranë kishës janë vorrezat e saja; ajo ka tre altarë, N’altarin e madh, arqipeshkvi i sipërthanun ka vendosë një tabernakull të vogël prej bakri krejt të praruem dhe të stolisun me gurë të ndryshëm kristali; përmbi tabernakull ka bame të vendosej një kuadër i madh shumë i bukur, me suaza të prarueme dhe me fytyrën e Virgjinës së Shënjtënueshme. N’altarin e dytë, n’anë t’epistullës, një kuadër tjetër të ngjashëm me të, me fytyrën e Shna Prendes; dhe në të tretin, fytyra të tjera dhe pranë tij një faldistor. Dhe që të tre altarët ka bamë që të kyçen sipas zakonit italian. Kisha nuk ka sakresti as relike, veçse vargonin që i venin në qafë Shën Aleksandrit dhe ato [relike] t’altarëve të bajtshëm. Ato pak veshje që ka, mbahen mbahen në dhomën e arqipeshkvit. Ka kumbanore dhe një kumbonë.”
Ajo që bie në sy në të tre relacionet e Mark Skurës të viteve 1640, 1641 dhe 1644/1650 është fakti se ai shënon se motit ka qenë abaci e mitrueme me rend të madhe, gjë të cilën e konfirmon edhe P. Fulvio Cordignano teksa thekson se: “Kisha Kathedrale e Kurbinit me titull e Shën Prendes, dikur Abaci e vjetër”. Po ashtu kisha ka qenë e zbukuruar me dy piktura, njëra e Shën Mërisë dhe tjera e Shën, Prendes të cilat sot konsiderohen të humbura.
Është ky fakt konstant dhe mjaft domethënës që tregon vjetërsinë e kësaj kishe. Gjithsesi, kisha është meremetuar para vitit 1645, sepse Ipeshkvi Mark Skura në një letër të tij të datës 12 janar të vitit 1643 do të shkruajë se: “katedralja ime asht në nevojë” dhe përsëri një vit më pas na ka thënë qartazi se “Kisha asht e gjitha në gur të gjallë, por shumë e vjetër, dhe gjysma e saj asht tu ra për tokë, gjysma tjetër asht meremetue prej imzotit të thanun me ndihmën që vinte prej Kongregacionit të Prop. Fide”, pra ajo është ndërtuar së paku 1 shekull më parë, përndryshe nuk mund të quhej e vjetër, dhe se i është bërë meremetim i pjesshëm.
Më 28 Shkurt 1686, Imzot Gerard Gallata i shkruan nga Selita, Propagands Fide në Romë se pasojat e luftës turko-veneciane dhe sidomos nga kryengritja e Arqipeshkvit ët Durrësit me 14 mijë luftëtarë të zgjedhur nga malësia e Veriut, kanë bërë që Krerët turq të Krujës i kanë shkuar në Shna Prende, i kanë shkuar 30 veta i kërkuar 200 zekinë që nuk i ka pasur pastaj në darkë janë bërë 100 i kanë marrë gjithçka dhe kanë dashur ta marrin peng por e kanë lëshuar më në fund dhe ai përmes shiut ka qëndruar 4 netë në mal zbathur e çveshur pa ngrënë me temperaturë dhe kur ëshët kthyer fshehurazi pas disa ditësh gjysë i vdekur gjysëm i gjallë sa që askush nuk e besonte se do të shtynte edhe një ditë të vetme duku u lutur që më mirë të vdiste e ta dërgonin në pyll, sepse e sheh si të pamundur të kthehej të jetonte aty. Në fund shkruan se po i shkruan këto me sytë plot me lot e gjak me me fytyrë për tokë.
Për më tepër informacion të mëvonshëm mbi këtë kishë mund të merret nga relacioni i vizitës pesë mujore pastorale të Vizitatorit Apostolik Vinçenc Zmajeviçit, që u miratua nga Papa Klementi XI, me një letër që mban datën 8 qershor 1702, vizitë e cila më pas përgatiti Kuvendin e Arbënit në vitin 1703.
“Në mesin e gjithë këtyre fshatrave është Kisha e Shna Prendes, ish abaci e ipeshkvisë së Krujës, dhe tani katedrale e kryeipeshkvit të Durrësit, rreth 20 hapa e gjatë bashkë me hajatin, dhe gjashtë e gjerë, me dy varreza të mbuluara dhe këmbanore të ndërtuar në trajtë të mirë. Të gjitha pjesët (anët) janë të dëmtuara prej tërmetit dhe kanë nevojë për restaurim (meremetim). Kryeipeshkvi kishte grumbulluar materialin për të ndërtuar pullazin (çatinë) e kishës me ndihmën e 50 skudëve që kishte dhënë Kongregacioni i Shenjtë për këtë punë, dhe do të kishte kryer veprën sikur të mos ia kishin ndalur sundimtarët turq të Krujës prej të cilëve shpresohet të nxirret leja, por me mjetin e zakonshëm të dhuratave për të cilat, meqë kryeipeshkvi s’kishte mundësi, ka menduar visitatori.” Famullia e Shna Prendes/ Kurbini kishte gjithsej këtë vit 59 familje katolike me 368 shpirt. Kisha është konceptuar si një ndërtim me tiparet e një bazilike e që, sipas përshkrimit, jo krejt profesionist, por me mjaft rëndësi të bërë nga Theodor Ippen:
“Ka një madhësi të pazakontë ndër kishat katolike të Shqipërisë, me një këmbanore që ngrihet e izoluar me një anë, katërkëndëshe e të rëndë; nuk ka asnjë pikë referimi që do të mund të përcaktonte moshën e kishës, megjithatë përshtypja e përgjithshme thotë se është ngritur mbas pushtimit turk dhe nuk është më tepër se ndoshta dyqind vjeçare; ndërtimi nuk tregon asnjë lloj stili të spikatur dhe është krejt pa zbukurimie. Ndër pajisjet e kishës vlen të përmendet një kryq altari, i cili është gatitur me argjent të praruar dhe është stolisur me relieve figurash; kjo është një punë zejtari që ka karakterin e sendeve kishtare të prodhuara dikur nga argjendarët e Raguzës; nuk ka asnjë mbishkrim e as vit…”

Shna Premtja - Pamje e ballore e kishës së rindërtuar
Shna Premtja – Pamje e ballore e kishës së rindërtuar

Përshkrimi i monumentit

Kompleksi arqipeshkvor i Shën Prendes është një ndërtim fillestar i shekullit XI-XIV, sikurse shumica e komplekseve të tjera monastike të Shqipërisë Veriore, i cili së bashku me shtesat dhe ndryshimet e realizuara në shekujt pasues dëshmon ecurinë e zhvillimit dhe larminë tipologjike të ndërtimeve monastike të arkitekturës romanike. Kompleksi kuvendor përbëhet nga kisha dhe konakët, që e rrethojnë atë, kryesisht nga ana verilindore. Nga këto ndërtime ruhet në gjendje relativisht të mirë kumbanorja ndërsa kisha dhe konakët janë thuajse në gjendje të rrënuar. Kisha e Shën Prendes në brendësi rezulton të jetë një bazilikë trinefëshe (tri navatash, anijesh) me hyrje në anën perëndimore, në të cilën nuk ruhet asnjë shenjë muri mbi tokë. Bazilikat nga ana e planimetrisë vëllimore ishin ndërtime të mëdha me qëllim që të nxinin një numër sa më të madh besimtarësh. Ndërtoheshin lehtësisht dhe kishin arkitekturë të thjeshtëzuar bazuar kryesisht në traditën vendase. Kisha e manastirit, në organizimin hapësiror të brendshëm u bindet kritereve të ndërtimit karakteristik të kishave bazilikale trenefëshe, por me një apsidë jo në formë rrethore por drejtkëndëshe dhe mjaft të vogël në krahasim me përmasat që ka kisha. Teknika e ndërtimit është e një cilësie deri diku të mirë, veçanërisht kumbanorja e cila është gjallëruar me elemente dekorative të punuara në gur shtufi. Gjykuar nga elementët e rrënojës si dhe mbi bazën e një fotografie të bërë nga Theodor Ippen në fund të shekullit XVIII, kisha e Shën Prendes kishte edhe një portik në trajtën e një hajati, i cili shtrihej në të gjithë gjatësinë fasadës. Sikurse shihet nga fotografia duket qartë se kishës i janë zgjeruar mjediset, kështu që mendojmë se ndërtimi i saj ka kaluar në disa faza.
Në anën veriore gjendet qela me mjediset famullitare, ose selia rezidenciale e ipeshkvinjve, e cila u dogj më 28 shkurt të vitit 1989 nga një zjarr që ra aty, e bashkë me të edhe ajo pasuri skulpturore e ikonografike, si dhe një pjesë të bibliotekës që kishte tepruar nga bastisja e bërë aty në vitin 1967. Urrejtja e ideologjisë së kuqe nuk kishte gjetur sfidë më të madhe sa profanimin e vendit të shenjtë me plehun e bagëtive, i cili do të çonte në hi shkollimin shqip, por jo gjuhën e bukur shqipe, jo besimin perëndimor të shqiptarëve, që në atë kodër piktoreske na ftojnë sot e gjithë ditën për refleksion jo të vogël. Qela dykatëshe, tashmë e rrënuar, gjendet rreth 14 metra larg kishës, e cila duket se nuk është ndërtuar njëherësh, pasi pjesa jugore është më e vjetër, ndërsa ajo veriore është shtuar më vonë. Datimi i pjesë së parë shkon krahas me kishën, ndërsa ai i pjesës veriore mendojmë se i përket shekullit XVII, kur edhe u themelua seminari dioqezan realizuar ky nga Gjon Kolesi. Ajo kishte 16 dhoma, përmes të cilave kalonin katër korridore të vegjël një ahur, mbuluar me çati me tjegulla. Muret janë ndërtuar përgjithësisht me gurë të zez dhe tek-tuk edhe me gurë gëlqerorë të lidhur me llaç gëlqereje me rërë shtufi. Pjesa jugore është e vjetër, ndërsa ajo lindore duket qartë se është shtuar më vonë. Përmirësimi i fundit që iu bë ndërtesës ishte ai i vitit 1932, kur seminari i atyshëm u caktua si qendër verimore për seminaristët e Seminarit Papnor të Shkodrës. Në anën veriore ka qenë kulla e zaptijve, që tani është zhdukur krejtësisht. Rreth 15 metra në veri të qelës, gjendet një pus jo i mirëmbajtur që mban ende ujë. Në rrënojat e kishës gjenden 3 gurë, ku në secilin prej tyre gjenden 3 mbishkrime. Në mbishkrimin e parë lexohet: “1618 F. I. Colesivs Epvs Albanensis F.F.”, i cili në formë të plotësuar do të ishte: Fra Ioannes Collesius Episcopus Albanensis. Në të dytin: PA.GAL ÆDI. 1819 dhe në të tretin; „PA. GA. AR. F. 1824“ = Paulus Gallata Archiepiscopus Fecit 1824. (Pal Gallata Arqipeshkvi i Durrësit ndërtoi 1824). Kisha përveç kësaj zotëronte edhe Mullinin Fall. Pra titullin e tillë e justifikonte në njëfarë mënyre autonomia ekonomike. Zotërimi i këtij pushteti publik e përjashtonte famullinë, seli ipeshkvore, nga detyrimet e taksave zyrtare osmane, çfarë Imzot Kolesi dhe Imzot Skura kishin vuajtuar aq shumë.
Më në fund Këshilli Shkencor pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës ka shpallur Monument Kulture tw i kategorisë së I-rë me vendimin nr. 241, dt. 19. 07.2016, Katedralen e Shën Prendes në fshatin Gallatë të bashkisë së Kurbinit, dikur seli ipeshkvnore e dioqezës së Arbënit (1615-1640) dhe seli e Arqipeshkvisë së Durrësit (1640-1653). Këtë status e kishte merituar me kohë ky ansambël historiko-kulturor, tashmë monument kulture, një ndër kuvendet më të rëndësishme benediktine të Shqipërisë veriore që më pas u administrua prej etërve françeskanë, ku edhe u themelua një ndër shkollat e para të gjuhës shqipe (1632), e financuar nga Kongregata e Shenjtë e Propagandës Fide. Historia shqiptare, kultura shqiptare, shkolla, arsimi, gjuha, libri dhe letërsia shqipe kanë tashmë mes tyre një dëshmi më shumë deri më tash të munguar; një “scriptorium” të kujtesës sonë kombëtare në altarin e identitetit kombëtar shqiptar. Bazilika e Shën Prenës që kishte shenjtëruar përmes dorës së Imzot Gjon Kolesit, Imzot Mark Skurës, Imzot Gerard Gallatës, Imzot Nikollë Radovanit, Imzot Pal Gallatës e Imzot Rafaelo D’Ambrosio-s një univers më vete të botës shqiptare e që u dhunua dhe u përdhos prej regjimit komunist (1945-1990), më në fund ka marrë mbrojtjen formale të shtetit shqiptar. Urojmë që kjo mbrojtje të mos mjaftohet vetëm me një tabelë/pllakat njoftues, por të shoqërohet me projekte konkrete konservimi dhe restaurimi.

Pamje e absidës në të cilën ruhen konturet e dritares të stilit gotik
Pamje e absidës në të cilën ruhen konturet e dritares të stilit gotik

Jeta Shën Prendes

Shën Prendja ka ardhur si formë e shqipëruar e asaj që në traditën bizantine njihej si Shën Parashqevia, Veneranda ose ital. San. Veneranda ose San. Parasceve ose Venerina (rreth vitit 100-26 korrik 143), që në greqisht do të thotë gatim, ndërsa në traditën latine njihej si Venera ose Shën Veneranda, të cilat kanë të njëjtë datën 26 korrikun si ditë liturgjike të përkujtimit të tyre. Shën Prendja ka qenë një martire e krishterë kulti i së cilës adhurohet si shenjte e Kishës Katolike. Ajo lindi të Premten e Madhe në Romë, në kohën e perandorit Adrian në vitit 100 pas Krishtit, në zonën e banjave romake Xiphonie afërt Acireale (i njohur edhe si Banja e Santa Venera al Pozzo). Prindërit e saj Agatoni dhe Hipolita, dy fisnikë të krishterë nga Galia, megjithëse shumë besimtarë, të devotshëm dhe të përkushtuar për bamirësi dhe lehtësimin e të varfërve, nuk patën fëmijë, dhe mbas lutjeve të shumta, dhe përgjërim ndaj Zotit, pas tridhjetë e pesë viteve martesë, Ai i gëzoi duke u dhuruar një vajzë. Nëna e saj kërkoi që ajo të quhej Venera në kujtim të ditës me fat të lindjes së saj, megjithatë Agathon kishte njëfarë druajtje se emri mund të ngatërrohej me atë të perëndeshës së nderuar me të njëjtin emër; por grekët e rrethit, duke marrë frymëzim nga emri që përdoret nga hebrenjtë për të treguar ditën para së shtunës së Pashkëve, në të cilat vajza kishte lindur, e thirrën Parashqevi. Prindërit i vdiqën, kur ajo ishte 26-vjeçare. Që e vogël Zoti i kishte dhënë mençuri më tepër se kishte moshën e shtatin dhe prindërit duke vënë re tek vajza e tyre hire të jashtëzakonshme ia kushtuan Zotit duke e vënë nën mbrojtjen e shenjtërve martirë njëherazi edhe pajtorë të saj Florit dhe Laurit, të cilët nënkuptojnë lule dhe lar (dafinë), që Prena do t’i ruante të paprekura: lulen virgjinisë dhe larin e martirizimit. Shën Prendja e dhuroi të gjithë pasurinë që trashëgoi nga prindërit dhe u tërhoq në një kuvend. Qëndronte e mbyllur në shtëpi dhe lexonte vazhdimisht Shkrimin Shenjtë, i cili më pas i dha shpirtin dhe gëzimet e virtytshme, ndërkohë që merrte lajme mbi përndjekjen dhe salvimet e të krishterëve. Ndërkohë, ajo vuri re brenda vetes se ishte e thirrur të predikonte Ungjillin në mes të njerëzve, dhe kështu ajo pa humbur kohë doli nga vetmia e kuvendit për të ndjekur gjurmët e apostujve dhe kështu në moshën tridhjetëvjeçare del dhe u predikon të pafeve Ungjillin dhe fenë e Jezu Krishtit. Predikoi në mjaft qytete të Perandorisë Romane: në Italinë Jugore, Siçili, Kalabri si dhe në një pjesë të Francës. Dallohej si një gojtare mjaft e zonja dhe me një kumbim zëri mjaft tërheqës dhe të ëmbël. Në kushte të mbizotërimit të besimit zyrtar pagan, perandori romak Antonio Pio, urdhëroi arrestimin e saj, duke i kërkuar që ajo të mohonte besimin e krishterë. Edhe përkundrejt salvimeve të romakëve, ajo i qëndroi besnike besimit të saj dhe nga burgu i kërkoi leje perandorit për të vizituar tempullin e Apollonit, një zot ky i paganëve. Atje ajo predikoi Zotin e vërtetë Jezu Krishtin, çfarë bëri që kujdestarët e tempullit të zemëruar kundër saj, t’i kërkonin perandorit ta dënonte Shën Prenën me vdekje, e cila ndodhi në vitin 143, kur asaj iu pre koka. Në takimin me vdekjen, ajo vazhdonte të predikonte Ungjillin, sepse goja e saj ende fliste, ndërsa përfundonte predikimin edhe pse koka tashmë ishte prerë. Shën Prendja virgjër dhe martire nuk duhet ngatërruar me kultin e një tjetër shenjtëreshe, e cila ka jetuar në shekullin X, me të njëjtin emër e që nderohet në viset ballkanike në Serbi dhe posaçërisht në Bullgari, e cila e ka për pajtore kombëtare, festimi liturgjik i së cilës kremtohet më 13 tetor.

Shna Premtja - Nefi qëndror me absidën
Shna Premtja – Nefi qëndror me absidën

Shkolla e Kurbinit (1632)

Këtu pranë Kishës së Shën Prendes në vitin 1632 u çel edhe një seminar, në të cilin përgatiteshin priftërinjtë e ardhshëm, meqë seminaret sipas udhëzimeve të Konçilit Tridentin funksiononin pranë ipeshkvive dhe katedraleve. Meqë arsimi në gjuhën amtare ishte i vështirë të realizohej për shkak të pushtimit turk, me themelimin e Kongregatës de Propaganda Fide (1622) dhe me kontributin e drejtpërdrejtë të saj, pikërisht në këtë kishë, rivendoset bashkë me strukturën ipeshkvore edhe seminari, ku edhe nis edhe ringjallja e aktivitetit fetar. Vetëm 3 vjet mbas themelimit të Kongregatës së Propagandës Fide, më 1625, ipeshkëvi i Durrësit Gjon Kolesi, “njeri i kuptueshëm dhe me dije” që kishte qenë Ministër Provincial i françeskanëve, kërkon të hapë një shkollë. Ja çfarë shkruan tekstualisht ai: “Do të duhet të ngrehej një shkollë, ose dy, me nga dhetë ose dymbëdhjetë çuna secila. Këtu do të mësonin këndim e shkrim dhe themele të mira të besimit, dhe pastaj do të mund të dërgoheshin me u përsosë në kolegjën e Shtëpisë së shenjtë të Loretos, sepse kështu do të nxirrej fryt i mrekullueshëm n’ato vende, ku s’ka shkolla as mësues që të mësojnë farë gjaje. Dhe këto shkolla mund të baheshin: njena po në shtëpinë e ipeshkvit të sipërthanun dhe tjetra ku ma i mirë të gjendej vendi ma i përshtatshëm….”. Këtë shkollë sipas të dhënave që kemi deri më sot, ai arriti ta hapte më 1632. Merret vesh se kjo ka qenë një shkollë për qëllime fetare për përgatitjen e seminaristëve. Giovanni Collesio (Gjon Kolesi) ishte ipeshkvi, i cili kishte selinë në Kurbin dhe pas vdekjes së tij më 1635, emërohet Mark Skura, edhe ky françeskan. Nga një relacion dërguar Kongregatës së Propagandës Fide pas një vizite baritore, që mban datën 20 dhjetor 1641 dhe që është lëshuar nga Kurbini, pra në kishën e Shën Prenës, mes të tjerash ky i fundit shkruan se në Kurbin; “Ha una scuola di 12 chierici, che l’Arcivescovo alimenta del suo, per alevar sogetti per ordinar poi a suo tempo sacerdoti…” (Ka një shkollë me 12 gjakoj, që arqipeshkvi i ushqen me mjetet  veta për të rritë subjektë, që të shugurohen meshtarë pastaj, kur të jetë koha), ndërsa në një relacion tjetër 3 vjet më pas rithekson sërish: “Ha una scuola di 10 chierici, che l’Arcivescovo alimenta del suo, e li veste per aleuarli sogetti per ordinar poi a suo tempo sacerdoti…” (Ka një shkollë me 10 gjakoj, që arqipeshkvi i ushqen për xhep të vet dhe i veshë për të rritë subjektë, që pastaj, kur të vijë koha, me u shugurue meshtarë).
Në një tjetër letër të vitit 1650, Imzot Mark Skura ankohet se “tash 22 vjetë e ushtron detyrën e vet baritore vetëm me bukën e mundimit, pa asnjë ndihmë. Me qenë se ai ka arritë moshën e pleqnisë dhe të mundimshme dhe të nënshtruemit e tij janë në gjendje të mjerë, nuk mundet me qëndrue ma gjatë n’ato anë që me i mbajtë të ngulun në fe ata popuj, me e ruejtë kishën e vet nga persekutimet e barbarëve otomanë dhe me e mbajtë shkollën e 12 gjakojve që e ka zakon t’i mbajë e t’i rrisë për t’i shugurue pastaj meshtarë, kur të jetë koha për të mirën e atyre popujve të krishtenë, sikurse mirë e dijnë të gjithë”.
Më 14 dhe 15 janar të vitit 1703 me ndihmën e Papa Klementit XI (1700-1721) me origjinë shqiptare nga Laçi, por ka mendime se kishte origjinën nga Kelmendi, si dhe me organizimin e kryeipeshkvit të Tivarit Vinçenc Zmajeviqit, i cili pas bëri një vizitë baritore 3 mujore nëpër kryeipeshkvitë, ipeshkvitë dhe dioqezat e kishave të Arbënisë me anën e një letre të lëshuar në Kurbin me dhjetë dhjetor 1702, lajmëron mbledhjen në Mërqinë në kishën e Shën Gjon Pagëzuesit (3 km në veri të Lezhës) Konçilin, apo të quajtur ndryshe Kuvendin e Arbënit (1703), të Dielën e dytë pas Dëftimit (Epifanisë), në të cilin morën pjesë kryeipeshkvinj, ipeshkvinj, meshtarë, misionarë dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të botës shqiptare për të analizuar gjendjen e besimit të krishterë, i cili dashje pa dashje po merrte kuptim politik e kulturor si pasojë e pushtimit turk. Nga dokumentet e këtij Kuvendi, të botuara më 1706 me ndihmën e Propagandës Fide nga Francesco Maria da Lecce në dy gjuhë, shqip dhe italisht, bie në sy përkujdesja për shkollat e Kurbinit dhe të Velës. Në pjesën e katërt, kreu i pestë, me titullin “Përmbi shkollën e Kurbinit e të Lezhës”, jepen udhëzime për të. Shihet pra se kjo shkollë është rihapur si nevojë e përgatitjes së xhakonëve, meshtarë të ardhshëm për dioqezën e Durrësit dhe thekson se: përpos që mjeshtri ka për t’i mësuar që të dinë të lexojnë, t’i mësojnë edhe të shkruajnë. Se leximi si edhe shkrimi, janë themelet dhe pasuria e priftit të famullisë për të ditur t’i kryejë detyrat e veta. Për këtë punë mësohen në shkollë xhakonët. Mjeshtri i Shkollës së Kurbinit të mos e lërë pasdore punën e shkrimit, sikur të ishte shkrimi një punë për t’u qitur poshtë; pse si të mos dinë të shkruajnë, xhakonët nuk mund t’ia vënë mendjen as këndimeve as nuk mund ta mësojnë gjuhën latine, as t’i mësojnë detyrat që kanë barinjtë e shpirtërave… Mjeshtërit mbasi t’i ketë mësuar shkollarët të lexojnë e të shkruajnë, t’ua mësojnë dhe gramatikën e t’i bëjnë të mësojnë dhe gjuhën latinishte, në mos tepër mirë, së paku për ta përdorur”. Nga sa theksohet më sipër është fjala për mësime në arsimin fillor dhe me arsye të mjaftueshme na lind e drejta të mendojmë se nëse mësimi i këndimit dhe shkrimit do të ishte në latinisht, ç’kuptim do të kishte të theksohej kjo gjë, gjë që sipas nesh lë të nëkuptohet se është fjala për mësimin në gjuhën e vendit, pra në gjuhën shqipe. Studiuesi Ludovik Shllaku do të theksojë se: “Në këtë shkollë, përveç leximit e shkrimit, jepej edhe gramatikë,…përveç librave të tjerë, përdoreshin si tekste mësimore edhe veprat e Pjetër Bogdanit, Frang Bardhit, Pjetër Budit, dhe të ndonjë tjetri në gjuhën shqipe. Kjo përbën një dëshmi me vlerë, që flet për momente të rëndësishme historike që kalonte përpunimi dhe lëvrimi fillestar i gjuhës sonë”. Da Lecce ishte dërguar në atë kohë në Shqipëri nga Propaganda Fide si prefekt apostolik i misioneve që në vitin 1692, ku pasi mësoi shqipen, botoi të parën gramatikë të shqipes që njihet deri më sot, si dhe një fjalor italisht – shqip, fati i të cilit nuk dihet, megjithëse thuhet se një kopje gjendet në Arkivin e Propagandës Fide.

Shna Premtja - Qemer i punuar me gur shtufi
Shna Premtja – Qemer i punuar me gur shtufi

Në disa relacione të tjera i kërkohen Kongregatës së Propagandës Fide, financime për arsimimin e rinisë, e cila nuk kishte mundësi arsimimi. Vargu i ipeshkvinjve në Shën Prene pas Gjon Kolesit, Mark Skurës, vijon me Nikolla Karpinon e pas tij me Gerard Gallatën (Gerardo Galatea), i cili më 1662, do të kryejë edhe ai punën e mësuesit të kësaj shkolle. Në vitin 1675, ky ipeshkëv “kërkon ndihmat për gjashtë klerikë…” për mbajtjen e një mësuesi të Kishës së Kurbinit dhe kjo shkollë mbështetet me 50 skude, meqë mësuesi përveç mësimit e leximit do të mësojë edhe lëndën e besimit, ndërsa më 1702, Zmajeviç na tregon se shkollën e ndjekin 4 xhakonë, kurse më 1710, D. Gj. Salura zëvendës në misionin e Kurbinit në vend të D. Martin Bushiala si mësues në shkollë”. Në vitin 1702, Vinçens Zmajeviç, gjatë vizitës së tij baritore, na njofton se Imzot Pjetër Zymi mban me vështirësi 4 studentë kishtarë, për të cilët paguhej mësuesi nga dhembshuria e Kongregacionit të Shenjtë. Më vonë kjo shkollë në të cilën banonin së bashku mësuesit dhe nxënësit, ngrihet në nivelin e një kolegji, (shkollë e mesme), por për shkaqe politike ajo mbetet pa mbështetje financiare dhe mbahet vetëm me ndihmën e arqipeshkvit deri në vitin 1802, kur edhe përmendet për të fundit herë. Në këtë periudhë, ky kolegj transferohet së bashku me Selinë Ipeshkvore në Delbnisht, për t’u ndërprerë përfundimisht në vitin 1859, kur seminaristët e të gjitha dioqezave të Shqipërisë kalojnë në Seminarin Papnor të Shkodrës.
Çështja që shtrohet sot është nëse kjo shkollë, ky seminar, ishte në gjuhën latine apo në gjuhën shqipe? Për të reflektuar mbi këtë pikë, del e nevojshme t’i referohemi pikërisht dokumenteve. Nga relacionet, kryesisht atij të Marin Bicit dhe deri tek Kuvendi i Arbënit, besojmë se bëhet e qartë gjendje kulturale e klerit. Gjithashtu Frang Bardhi në fjalinë e parë të Dictionarum-it të tij thekson qartasi qëllimin e hartimit të tij, i cili është: “me ndimuem mbë nj’ànë giuhënë tanë qi po bdaretë e po bastardhohetë sa mà parë të ve, e mà fort me ndihmuem gjithë atyne që janë nd’urdhënite Tinëzot e të Shintesë Kishë Katolike e s’dìnë giuhënë latine…”
Po ashtu një fakt tepër interesant na jep Pjetër Budi në letrën e datës 15 shtator 1621 dërguar kardinal Gocadinos kur i shkruan: “…në rininë time, kam qëndrue pothuej vazhdimisht në shërbim të disa ipeshkvijve të  vendit tonë, pranë të cilëve jam marrë me studimin e këtyne pak ditunive deri në moshën 21 vjeçare”. Si i tillë Kolegji në Shën Prende kishte si gjuhë mësimi italishten, ndërsa gjuha e ritit kishtar ishte latinishtja, ndërkohë që shqipja shërbente për të mësuar dy të parat. Në shkollën e Kurbinit u përdorën si tekste mësimore didaktike kryetekstet e shkrimit shqip si: Dictionarium Latino-Epiroticum/ Fjalori latinisht-shqip, (Romë, 1635)  i Frang Bardhit, Cuneus Prophetarum/ Çeta e Profetëve, (Padovë, 1685) e Pjetër Bogdanit, Il Dittionario italiano-albanese (1702) dhe Osservazioni gramaticalli nella lingua albanese/ Vëzhgime gramatikore në gjuhën shqipe, (Romë, 1716), të P. Francesco Maria Da Lecce-s, Conciλi Provintiaaλi o Cuvendi i Arbenit. (Romë, 1706), Breve copendio della dottrina cristiana/ Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane së krishterë (1743) e Gjon Nikollë Kazazit etj. Kurbini është vendi i hartimit të së parës gramatikë në gjuhën shqipe të botuar (1716) dhe vendi i hartimit të njërit prej fjalorëve të parë dhe më të pasur të gjuhës shqipe (1702) deri në Kongresin e Alfabetit të Gjuhës shqipe në Manastir (Nëntor 1908), fjalor i cili u hartua sikurse e përmendëm më sipër nga Francesco Maria Da Lecce (botuar në vitin 2009).

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.