back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shënime mbi një libër të harruar nga Rigels Halili

Gazeta

Rigers Halili
Rigers Halili

Shënime mbi një libër të harruar

nga Rigels Halili

Kur përmend autorët, të cilët rihynë në letërsinë shqipe në fillim të viteve 90’ të shekullit të kaluar, fill pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Robert Elsie shkruan diçka edhe për Lazër Radin. I arrestuar menjëherë pas çlirimit të Tiranës, në 23 nëntor 1944, Radi u dënua me tridhjetë vjet burgim për veprimtari armiqësore. Qelinë në burgun e Tiranës e ndau me Petro Markon, Jusuf Vrionin dhe Andrea Varfin. Njohës i disa gjuhëve të huaja, ishte drejtuei i grupit të përkthyesve të formuar në këtë burg nga autoritetet e pushtetit të ri popullor, me qëllimin që të përkthenin, kuptohet, pa marrë kurrëfarë shpërblimi, veprat e para si të nevojshme për formimin e “Njeriut të Ri”. Të gjitha shënimet dhe krijimet e tij, të fshehura në një kutizë në shtëpinë e vet në Tiranë, u dogjën, në panik e sipër, nga familja gjatë kontrollit të forcave të policisë shtëpi-më-shtëpi menjëherë pas shpërthimit të bombës në ambasadaën sovjetike në kryeqytetin shqiptar në 1951.
U lirua nga burgu në prill të vitit 1954 dhe, siç ndodhte zakonisht në kësi rastesh, menjëherë u internua, fillimisht në Shtyllas të Fierit, më pas në Kuç, Gradishtë, Çermë, për ta mbyllur këtë kalvar të gjatë në fshatin Savër të Lushnjes, prej nga u lirua në vitin 1991, mbas një periudhë totale prej 41 vitesh burgimi dhe internimi të pandërprerë!1
Gjithsesi Radi ia doli mbanë të vazhdojë të shkruajë, prozë, poezi, kujtimet e veta, duke i mbajtur të fshehta dorëshkrimet nën tokë, të futura në një ish kosh plerash. Një pjesë e tyre u botua pas rënies së komunizmit, për të përmendur në radhë të parë librin me kujtime Shqipëria në vitet 30. Kronikë e përjetuar, të botuar në Tiranë në vitin 1997. Një titull i tillë nuk është pa vend, sepse pikërisht në vitet 30’ zë fill krijimtaria e Lazër Radit, kur akoma si nxënës në gjimnazin e Shkodrës fillon të shkruajë e të botojë vjershat, tregimet e skicat e para. Siç iu shpreh me keqardhje të thellë Robert Elise, gjysëm shekulli më vonë, në vitin 1940 në Tiranë nga Ministria e Punëve të Jashtëme e Italisë u botua libri i tij i parë me titull “Fashizmi dhe Fryma Shqiptare”.
Pikërisht ky libër i harruar tashmë, një kopje e të cilit ruhet vetëm në Bibliotekën Kombëtare, do të jetë objekt i asaj, çka vijon. Në parathënien e vet, Vangjel Koça e quan debutimin e Radit “veprën e parë në lëmin e kulturës politike në vendin tonë.” Në këtë këndvështrim, ky libër mund të shihet si një manifest politiko-shoqëror, ku shtrohen disa nga problemet më kryesore tëkohës, kur u shkrua. Pra, me të drejtë ai mund të quhet një dëshmi historike për këtë periudhë. Por i trajtuar në një kontekst më të gjerë analitik, shfaqen në të disa nga problemet, idetë dhe mitet kryesore të jetës politike, shoqërore e kulturore shqiptare në përgjithësi duke nisur që nga kapërcyelli i shekujve XIX-XX (disa prej të cilave vazhdojnë në një formë, apo në një tjetër, të gjallojnë edhe sot e kësaj dite). Radi i referohet të kaluarës, paraqet të tashmen dhe projekton zhvillimin e tyre në të ardhmen. E si i tillë ky libër mund të shihet edhe si një fakt kulturor, dëshmi e një stadi të mendimit politik dhe shoqëror shqiptar.
.
Fashizmi Parathania nga Vangjel Koça
Fashizmi Parathania nga Vangjel Koça

Rrethana e rrethina historike

Ashtu siç i takon të jetë çdo manifesti, që meriton të quhet i tillë, botëvështrimi kundërvënës (pra në thelb maniheist) zi-bardhë përbën boshtin e këtij libri, i dukshëm qysh në rreshtat e para. Natyrisht, paraqitet i ngarkuar me një dramatizim tipik për kohën, përsa i përket stilit e gjuhës, si dhe me një synim të qartë ideor, përsa i përket mendimit. Prologu tingëllon i njohur: “Për shumë kohë i patëm bjerrë të gjitha shpresat tona për të pa nji Shqipni të ringjallun. Kujtuem se kthetrat e përgjakuna të disa politikantave tashma të falimentuem ishin bà zotnuese të përhershme të të gjitha pasunive arbnore: morale e materiale. Mjerimi i pakufijshëm derdhej rrëkena lotësh në çdo kasollë e gadi në çdo familje shqiptare. Veli i mjerueshëm i vajit shtrihej mbi tokën t’onë: nën peshën e tij shtypeshin, me ofshame shpirti, të gjitha shpresat e shqiptarve2. Kapërcyelli i largohet së tepërmi këndvështrimit tipik historiografik që sundon sot: “…në nji mëngjes të kulluet Prilli, nji Ushtri e lumnueshme dhe vllaznore, kaloi Adriatikun e kalthër, dhe, zbriti ndër brigjet e rrmyeshme të tokës Arbnore për të sjellë nji rregull të ri e nji drejtsi shoqnore e njerzore të dèj për nji popull të shumvuejtnun si ky i joni. Nuk mund të pritej mà!”3 Dhe aq më tepër i largohet, për të mos thënë i kundërvihet këtij këndvështrimi, tabloja në skajin tjetër: “Në nji kangë popullore, të lindun mbas ngjarjeve të 7 prillit, vërejmë nji besim të bindun e të fellë të popullit – për nji mirqënie të përgjithëshme të krijueme prej Fashizmit. Populli beson në frymën qytetnuese që do të përshkohet në tokën t’onë të lanun mbas doret. Spikatë, sidomos, premtimi i madhnueshëm i Mussolinit: “ Ç’se të jetë Roma të kjoft bajraku!” 4 Me një fjalë regjimit zogist i erdhi fundi në sajë të ndërhyerjes së ushtrisë italiane mike, gjë që në tërësi hapi një periudhë të re në historinë shqiptare.
Një pamje e tillë nuk i largohet shumë propagandës në organet kryesore të shtypit në Shqipërinë e atëhershme, e aq më tepër në Itali. Vështirë të mendohet, se kjo paraqitje gati idilike e së Premtes së Madhe 5erdhi për faktin, se 23 vjeçari Radi asokohe ndodhej në Romë, duke vazhduar studimet për drejtësi në Universitetin Sapienza. Pa kaluar në mitologjizimin e periudhës së pasluftës, gjithsesi disa reparte të xhandarmërisë shqiptare, kryesisht në Durrës nën drejtimin e Abaz Kupit (natyrisht, për arsye që dihen, roli i tij në këtë episod u përhesht në historiografinë komuniste), edhe pse të armatosura keq, arritën për disa orë ta frenojnë përparimin e forcave italiane. Sipas një vlerësimi objektiv, rreth dyqind ushtarë italianë mbetën të vrarë në Durrës (popullsia lokale fliste për 400 syresh) e në tërësi gjatë kohëzgjatjes së operacionit forcat italiane humbën rreth 700 ushtarë6. Radi duhet ta ketë ditur këtë fakt. Por, siç ndodh zakonisht, dija nuk mund të fitojë me bindjen. E Radi na paraqitet që në faqet e para të librit të vet si një fashist i bindur. Të paktën në vështrim të parë.
Por, Lazër Radi shfaqet edhe si një antizogist i bindur. Librin e përshkruan një kritikë e thellë e regjimit shqiptar të para 1939, sidomos përsa i përket qëndrimit të tij kundrejt rinisë. Zogu quhet tiran, satrap, regjimi i tij natë e errët, kujdesi i tij i vetëm: të grabisë sa më tepër nga arka e shtetit dhe të shtypë rininë sa më shumë. Kronologjikisht dhe intelektualisht Radi i përket brezave të parë të të rinjve shqiptarë, të cilët u edukuan tashmë në kuadrin e sistemit shkollor shqiptar në Shqipërinë e viteve ’30. I bindur në një familje katolike në Prizren në vitin 1916, gati gjithë fëmijërinë e rininë e vet Radi e kaloi në Shkodër, ku mbaroi edhe gjimnazin. Ishte pikërisht kjo kudhër mendimesh e idesh, ky vendtakim librash, që kalonin dorë më dorë, apo artikujsh që shkëmbeheshin me copa, mbi të cilat diskutohej me orë të tëra, që e edukoi edhe të riun prizrenas. Njohës i mirë (dhe i vetëm ndër moshatarët) i serbishtes Radi, përkthen literaturë revolucionare komuniste, që hyn në qytet bashkë me puntorët malazes e përhapet sidomos tek nxënësit e shkollave. Natyrisht, Migjeni, Merxhani janë burim frymëzimi. Bashkë me disa shokë, e midis tyre një djalosh jashtëzakonisht inteligjent të quajtur Qemal Stafa, Lazri mer pjesë në mbledhjet e një grupi komunist. Në njërin prej takimeve revolucionarët e pranishëm malazes u kërkojnë kolegëve të rinj shqiptarë ndërmarrjen e akteve revolucionare, apo – në terminologjinë e organeve të rendit të kohës – akteve subversive (sot do t’i quanin terroriste!). Ata, që i kishin dëbuar familjen, po i kërkonin të vriste shqiptarë?! Tek Lazri ndjenja e kombit fitoi mbi ndjenjën e revolucionit. Kjo ishte mbedhja e fundit për atë si anëtar i grupit komunist.7 E natyrisht regjimi ndërhynte me aparatin e vet, duke iu kundërvënë, në emër të luftës me propagandën bolshevike, çfarëdolloj aktiviteti të rinisë shkollore. Përgjegjësia, – thekson Radi, – për këtë veprimtari “antikombëtare, antihistorike e antinjerzore”8 nuk bie vetëm mbi Zogun, por mbi gjithë pjestarët e klikës së tij. Por, këtu nxjerr krye një problem interesant. Shumë prej atyre, që dikur i shërbyen Mbretit Satrap, në kohën kur u shkrua libri, po i shërbenin denjësisht Mbretit-Perandor. Të jetë ky anashkalim, rezultat i një mungese vëmendjeje nga ana e studentit të shkencave juridike?
Menjëherë pas përfundimit të pushtimit, nën drejtimin e ministrit të punëve të jashtme të Italisë, dhëndrit të Mussolinit, Kontit Galeazzo Ciano, filloi të vihej n ëjetë plani për legjitimizimin e operacionit, duke mënjanuar pasojat e mundëshme në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye në 12 prill nën drejtimin e Xhafer bej Ypit u mblodh në Tiranë një Asamble Kombëtare, e cila në vitin e “17 të Fruerit (dmth Erës Fashiste)” vendosi abrogimin e kushtetutës së Shqipërisë së vitit 1928, e për rrjedhojë heqjen e titullit mbretëror prej dinastisë së Zogut. Asambleja vendosi bashkimin personal midis Italisë dhe Shqipërisë, duke ia ofruar kurorën shqiptare Victor Emmanuelit III.9 Asambleja krijoi qeverinë e re shqiptare me në krey Shefqet Bej Vërlacin, ku ndër disa figura të konsumuara tashmë në politikën e atëhershme shqiptare, e të mbuluara plotësisht me tisin e allishverisheve, u shfaq edhe Ernest Koliqi, si ministër i arsimit. 10 Një ditë më pas, Këshilli i Lartë Fashist në Romë e pranoi deklaratën e Asamblesë Kombëtare. Në 16 prill, një delegacion shqiptar me në krye Vërlacin i dorëzoi në Romë Mbretit-Perandor të Italisë kurorën shqiptare. Në fillim të qershorit 1939, një delegacion tjetër shqiptar, përsëri në Romë, iu dorëzua kushtetuta e re e Shqipërisë, e quajtur Statuti Themeltar.
.
Lazer Radi - Loto e Laures 1942 Doktor ne Jurisprudence
Lazer Radi – Foto e Laures 1942 Doktor ne Jurisprudence

Për Lazër Radin akti i Këshillit të Lartë Fashist e për më tepër dokumenti kushtetues vërtetojnë besimin e popullit. “Statuti Themeltar i Mbretnis së Shqipnis asht nji shprehje e kulluent e ndiesive ma të përzemërta që burojnë prej shpirtit të popullit italian. Ky popull, mik e vllà, në sa e sa rasa e ka çfaqë me fakte seç ndjenja bujare e frymzojnë kundrejt vendin t’onë e kundrejt popullit t’onë. Statuti i Ri asht nji gur themeltar i ndërteses së Shqipnis së Rilindun.”11

Duke mos hyrë me imtësi në përmbajtjen e dokumentit, Radi vetëm sa paraqet disa pika themelore, të cilat “mbushin zèmrën me enthusiazëm” dhe tregojnë bujarinë e Italisë Fashiste “që ka vendosë me na nderue e me na naltësue në shkallën e nji kombi me të drejta e me tradita shekullore”. Edhe pse i pajisur me sëpatat e Liktorit, flamuri i Kastriotit “vazhdon triumfalisht valimin e vet krenar nëpër thepat e lavdishme shqiptare të martirizueme”. Statuti sanksionon përdorimin e gjuhës shqipe, lirinë e besimit, respektimin e pronës private dhe të drejtat e puntorit.12 Për Radin këto janë veçse “vegime të horizonteve të reja”. Për historianin Bernd Fischer dokumenti në fjalë sanksionon një diktaturë ushtarake ky vlerësim i bërë gjysëm shekulli më vonë. Le të kthehemi tek Radi dhe koha e tij.
Kjo është epoka e rrebelimit të masave, e thënë me titullin e librit të famshëm të Josè Ortega y Gasset, pra një nga momentet kyç në historinë europiane, kur masa, turma, grumbulli i njerëzve arrin të zotërojnë plotësisht pushtetin në shoqëri.14 Radi në veprën e vet bën një paraqitje të ngritjes, konsolidimit dhe fitores së lëvizjes fashiste në Itali. E natyrisht, në plan të parë del figura e Benito Mussolinit. “Gjeneratat e reja që do të lindin do ta dashunojnë me dashunì fanatike. Në veprimtarin e tij do të gjejnë shkëndin e zjarrtë, do të frymzohen me gjallnin e pathyeshme të vullnetit Fashist e Revolucionar e do të fluturojnë, me nji realizëm karakteristike, drejt horizonteve të fitimshme gjithnji e ma të reja. Nuk jam tue profetizue!”15 Revolucioni fashist – shkruan më tej Radi – nisi në një ofiçinë, ku Duçja i ardhshëm punonte si mekanik i thjeshtë, për t’u derdhur më pas”, “si një vërshim i fuqishëm uji në të tanë Italinë”16. Bashkë me Radin, plot patos e dramatizëm, lexuesi ndjek hap pas hapi fatet e lëvizjes, krijimin e gazetës “Popolo d’Italia” në 1914, formimi i fascio-ve të para një vit më vonë, dalja në dritë e Partisë Fashiste – “mrekullija politike dhe ideologjike e shekullit të njizete”17 – miratimi i kushtetutës dhe së fundi marshimi në Romë, me 27 tetor 1922. Revolucioni Fashist nisi bonifikimin e shpirtrave, frymëzoi një etikë të re, krijoi një mënyrë të re jetese.
Kjo jetë e re mbështetet në shtetin totalitar, thekson Radi. Fashizmi si doktrinë në tërësi mbështetet në parimin: Shteti në raport të ngushtë me Kombin dhe Atdheun. Sepse fashizmi nuk u ngrit vetëm kundër qeverisjes liberale të degraduar, por edhe kundër “ideologjinave të vjetra, që prishin parimet shèjte të Religjonit, t’Atdheut e të Familjes. Levizja Fashiste asht pra mbi të gjitha edhe nji lëvizje spirituale.”18 . Një vend të gjerë Radi i kushton legjislacionit, mbi të cilin mbështet ky rregull i ri politik e shoqëror. Ne veçanti përshkruan Kartën e Punës dhe Kartën e Shkollës, dy dokumente, të cilat rregullojnë, siç do të thoshim sot, rrjetin e ndërvarësive sociale, duke i vënë ato në funksion të drejtpërdrejtë të shtetit. Por Radi është i ndërgjegjshëm për faktin se “shumë nene të këtij dokumenti themeltar të fashizmit, tash për tash, nuk mund t’i përshtaten gjendjes shqiptare.”19 Nuk mund të ndodhë ndryshe në një vend ku mbi 90% e popullsisë ëshë analfabete, ndërsa rrjeti i rrugëve të shtruara (bëhet fjalë për zall, e jo për asfalt), nuk i kalon të 400 km në total. Pikërisht për këtë arsye Radi referon shpesh njërin prej parimeve themelore të shtetit fashist – puna si një detyrë shoqërore – dhe i mëshon domosdoshmërisë së përdorimit të tij në realitetin shqiptar. E përkrah kësaj dalin në pah disa bindje të autorit, në fund të fundit tipike për botëkuptimin mbretërues të epokës: “Pa punë s’kemi gja në dritë! Pa punë s’ka qytetnim. Vetëm të paqytetnuemit, vetëm njerzit e gjunglave t’Afrikës nuk ndijnë as fort nevojën e punës, sepse ata jetojnë të zdeshun nën hije të pèmve dhe presin që të bijë për dhè ndonji fryt që ta hajnë. Por, na nuk mund të jetojmë n’at mënyrë! Neve duhet të veshemi, t’ushqehemi, të banojmë në ndonjë shtëpi e të plotësojmë sa e sa nevoja të tjera: të gjitha këto nevoja nuk mund të plotsohen po nuk punuem: Puna për Ne Shqiptarët Asht Nji Detyrë Dyfish Shoqnore.”20
Askund kjo gjendje e mjeruar ekonomike nuk duket më qartë sesa në statistikat demografike. “Tue e ruejt foshnjen, ruhet jeta e breznive në punën e të cilave, Kombi, mbështetë shpresat e së pritmë së vet. (…)Foshnja shqiptare lindë në nji ambient plot nyje që e ngatrrojnë krejt jetën shqiptare, që e shtrëmbnojnë harmoninë e jetës familjare të Kombit; kemi mungesë tronditëse të njoftunive ma elementare të higjenës; jeta ekonomike e vendit shkonte rryshëm; kemi nji syper-prodhim analfabetizmi, nji tubë paragjykishem fatale, – sa e sa sende të tjera që na e paralizojnë deri në themel jetën e Kombit.”21 Politika demografike dhe sociale fashiste synon të përmirësojë këtë gjendje të mjerë. Pikërisht për këtë qëllim themelohen institucione të veçanta, si për shembull “Amni e Foshnje”. Tipike, siç thekson Radi, për mentalitetin shqiptar është tradita e kujdesit për ruajtje të racës dhe të vazhdimësisë së fisit. Këtij kujdesi tradicional tashmë i shtohet edhe politika fashiste për “Mbrojtjen e Racës”. “Ruejtja e rracës nuk kufizohet vetëm në mprojtjen fizike, të trupit, por shtrihet edhe n’atë të mbrojtjes intelektuale e morale.(…) Paragjykimet e këqija që, për arsyena politike, kanë disa të huej për ne, do të zhduken dhe bile ata vet do të habiten me bukurinë e typit shqiptar.”22 Dhe nuk vonoi shumë pas pushtimit të Shqipërisë, kur specialistët italianë mbi racat zbuluan se edhe shqiptarët e prapambetur e kokëshkret i përkasin trungut të racës Nordike, ashtu si edhe vetë italianët. Këtë fakt Konti Ciano e quajti në ditarin e vet ndoshta edhe më të rëndësishëm sesa vetë aneksimi i Shqipërisë.23
Edukimi i të rinjve përbën një aspekt tjetër themeltar të shtetit fashist, bazat e fuqisë së tij. E megjithatë Radi nuk shkruan edhe aq për zhvillimin e sistemit të edukimit në vetvete, por për inkuadrimin e tij në sistemin fashist të trajtimit të të rinjve. Edukimi i brezave të rinj shihet prej tij si pjesë e një strategjie të tërë të shtetit fashist, ku jeta familjare,, ajo shkollore, e sidomos pjesëmarrja në organizatat fashiste të fëmijve dhe të rinjve shihen si elemete që plotësojnë njëri-tjetrin. “Balilat” për fëmijët e vegjël”, “Fashistat e rinj” për ata pak më të rriturit pastaj organizmat që grupojnë vajzat si “Shqiptaret e vogla”, “Shqiptaret e reja”, dhe “Fashistet e Reja”, të gjitha këto të federuara në kuadrin e “Rinisë Shqiptare të Liktorit” janë kudhra e vërtetë e edukimit fashist. “Në kët pregatitje totalitare, në kët enthusiazëm ushtarak, Fashizmi ka gjet sigurinë e vet ma të madhe.”24
Ministri Koliqi gjithashtu nuk u mor gjatë me hapjen e shkollave të reja. Përkundrazi, Liceu i Korçës u mbyll sepse shihej si një qendër arsimore nën ndikimin e thellë francez. Ministri sugjeroi, se kjo shkollë ishte përgjegjëse për hapjen e ideve subversive.25 Por shpjegimi zyrtar ishte i njëjtë me atë, që disa vite më parë jepte një ministër po aq i famshëm arsimi, Mirash Ivanaj, ndërsa ndërmori reformën e vet nacionalizuese të arsimit:26 vendi nuk ka nevojë për kaq shumë njerëz, që mbarojnë shkollat e mesme të përgjithshme. Ndërkohë, duke iu referuar gjerësisht disa ideologëve të mendimit pedagogjik fashist, Radi kërkon shtimin e numrit të shkollave, ngritjen e prestigjit dhe rolit të mësuesit, duke e përkufizuar misionin e shkollës së re si një “shkollë Kombtare, nji shkollë e besimit Fashist”. Në këtë mënyrë: “Tipi i ri i shkollës shqiptare do të jetë nji tip populluer: tip që do të lidhi shkollë e familje në nji mënyrë popullore, që do të lidhi kulturë e jetë në nji mënyrë popullore, e që do të lidhi dije e ndërgjegje në bazë të traditave t’ona të çmueshme.”27
Më tepër sesa me shkollat pushteti i ri, të paktën në fillimet e tij, u mor me tekstet shkollore, me ndryshimin rrënjësor të tyre, sepse, çdo “epokë e re” nis me emërimin e ri të rrugëve e shesheve dhe rishikimin e teksteve të historisë për shkollat e nivelit të parë, apo të dytë. Një përfytyrim tjetër historik u duhej përcjellë nxënësve të veshur tashmë me uniforma këmishëzeza, sidomos përsa u përket marrëdhënieve italo-shqiptare. Në shkrimet e Radit duket qartë jehona e këtyre ndryshimeve: “Historija botnore – e pagabueshme dhe mësuese e jetës – na difton se si populli romak kurrë nuk ka pasë shpirt shtypësi e as shkelësi të liris së popujve; ka pasë vetëm shpirt mprojtësi e qytetnuesi: Si i tillë Ka Shkelë Edhe në Tokën Shqiptare. Historija shqiptare, na difton se si ndër kohnat ma të vjetrat e vazhdimisht ndër të gjith shekujt e mavonshëm e deri nder ditët t’ona, romaku e shqiptari, jane kenë gjithmonë të bashkuem për jetë dhe vdekje. Kjo àsht nji lidhje fatale e fortë dhe e pashkëputshme.”28 Natyrisht Radi ka plotësisht të drejtë, kur i referohet maksimës romake mbi historinë si mësuese e jetës.
Por, nga ana tjetër, mendimet e tij tregojnë se sa lehtë jeta bëhet “mësuese” diktuese e historisë.
Agimi i një bote të re
“ky libër, në vetvedi, àsht nji parathanje: parathanje e veprës historiko-politiko-shoqnore që do të kryhet këtu në Shqipnin t’onë. Në çdo pjesë, lexuesi do të vèj oroè, se si pa korrigjime të shumta jam përpjekë me shkri shpirtin t’im, me i shprehë dëshirat e ndjenjat e mija, me skalitë bindjen t’ime – për nji qëllim të vetëm: Tue ndjekë shembullin e Revolucionit Fashist dhe nën hijen e lavdishme të Liktorit me pregatitë frymën e rè dinamike shqiptare. Shqipnija, e ngrofun prej rrezeve qytetnuese të Fashizmit, do t’a bàjë evolucionin e vet: kët shteg i a cakton vet rythmi i gjallë i kohës së soçme dhe rryma e fuqishme e historisë së sajë.”29 – kështu e shpjegon Radi qëllimin e veprës së vet në “Dy fjalë lexuesit”. Ky synim i tij duket qartë në ndërtimin e strukturës paralele duke pranëvënë italinë Fashiste dhe zhvillimin e Fashizmit në Shqipëri AD 1940. Në mënyrë të tillë: “shqiptarët do të kuptojnë më mirë qëllimet e nalta të Fashizmit, qëllime për të cilat Shqipnija ndin nji nevojë të domosdoshme që të realizohen edhe në vendin t’onë”30
.
Vangjel Koça (1900-1943)
Vangjel Koça (1900-1943)

Parathënien e këtij libri e shkruan Vangjo Koça, pas 1939, mbështetës i hapur i fashizmit, përkrah Branko Merxhanit, një nga ish-publicistët kryesorë të rrymës së “Neo-shqiptarizmës”. Dhe jo pa arsye i vetmi mendimtar shqiptar i cituar në librin e Radit është Vangjo Nirvana (pseudonimi i Koçës), sidomos artikulli i tij i botuar në vitin 1936 “Mendimi Shqiptar”. Pikënisje për parathënien e Koçës bëhet një vlerësim i ngjashëm me përmbajtjen e artikullit në fjalë: “Vendi ynë është një lëmsh i ngatërruar problemesh: problèm moràl, problèm mendòr, problèm shoqëròr, problèm kombëtar. Këtë lëmsh të ngatërruar problemesh i a kemi hua robërisë pesëshekullore ottomane, e cila nuk është shkulur akoma nga shpirti e nga mendja jonë.(…) Arrijtëm të bëhemi Shtet më vèhëte, duke qenë Kombësi e jo Komb. Kombësi: gjak, gjuhë, tokë. Jo Komb: bashkim shpirtëròr.”31 Pak më poshtë Koça nuk lë dyshim për mënyrën sesi mund të zhvillohet Shqipëria: “Duke patur për bazë këtë realitet historik: Shtet Indipendènt dhe pjestàr i vetë-vullnètëshmë në kuàdrin e Perandorisë, nè Shqiptarët nën udhëheqjen e ndritur të Mbretit-Perandòr e të Duçes edhe me ndihmën moràle e lëndore të Italisë së Madhe Fashiste, duhet të vazhdojmë udhën që kemi nisur këtu e 60 vjet më parë: të bëhemi Komb dhe t’a bëjmë këtë Vend të qytetëruar e të lumtur, që kështu t’i shtiem Shtetit t’onë themele moràle e lëndore të fortà e të pa-tundura.”32 Libri i Radit ndjek pikërisht këtë hulli mendimi.

Rinia shqiptare duhet të përvetësojë thellë në ndergjegjen e saj idealet e Fashizmit, duhet të punojë me dëshirë e vetëmohim për jetësimin e tyre, sepse vetëm kështu Shqipëria do të ndjekë rrugën e zhvillimit të Italisë fashiste, të vetmen rrugë të drejtë zhvillimi. Në një takim me të rinj shqiptarë studentë në Romë, ku Radi ishte i pranishëm, gjeneral Francesco Jacomoni, mëkëmbësi i Mbretit-Perandor në Shqipëri, iu drejtua të pranishmëve: “Mbrenda nji kohe të shkurtë Shqipnia do t’a ndrrojë fizionomin t’i arritë kësaj, duhet që ju të jeni pionerët dhe apostujt.”33
Radi është pikërisht një prej këtyre pionerëve, apostujve të botës së re.34 Kjo logjikë mendimi e drejton atë, kur shkruan për fashizmin si bonifikues i tokës dhe i shpirtrave. Nën kujdesin fashist, toka bujqësore në Shqipëri do të bonifikohet, do të ulet numri i përmbytjeve, do të likudohen kënetat e malarja, e për rrjedhojë do të lulëzojë bujqësia e fshati shqiptar. Fashizmi i kundërvihet urbanizimit të pavend, kërkon nga fshatari të jetë i ndërgjegjshëm për rolin e vet, kërkon që fshatari t’i vëjë veshin “këngës së tokës”. Kjo nuk është diçka e huaj për shqiptarët, thekson Radi. Përkundrazi ky zhvillim gjen burim e mbështetje në traditën shqiptare të autarkisë, pra të plotësimit të të gjitha nevojave brenda familjes. Fashizmi, i cili në tërësi i respekton traditat popullore, do ta mbështesë këtë traditë, si një model të natyrshëm zhvillimi për Shqipërinë.35
Por ndërtimi i Shqipërisë së re kërkon përballjen me “bakcilat e tuberkulozit oriental”, e thënë me fjalët e Radit. “Sundimi shekulluer turk – nuk mujt me na influencue në rracë por, vetëm në shpirt. Përgjithsisht mentaliteti i popullit t’onë àsht oriental deri në kulm.”36 Ky mentalitet sjell plogështi dhe dembelizëm të përgjithshëm ndër shqiptarë. Askund nuk duket më tepër pesha e tij, sesa në pozicionin dhe rolin e gruas në shoqërinë shqiptare. Në zgjedhën e re çdo gjë ndryshoi, çdo gjë u shpërfytyrua. “Vetëm ndër kandet e fella të Shqipnis, atje nder male, atje ku kamba e aziatikut dhe e asnji të hueji nuk ka mund me shkelë, janë ruejt të pastra virtytet e rracës: Atje valon fryma e kulluet shqiptare.”37 E në këtë tërësi, ndoshta më tepër nuk ka humbur sesa vasha shqiptare, e cila e mbuluar tashme me tisin e zi u bë rob shtëpie. Por, shton menjëherë Radi “Vajza shqiptare e kohës së Mussolinit, e arsimueme me avullin e nji fryme qytetnuese të rè, e ngrofun me dritën e nji Ideali njerzor – duhet të rrebelizohet kundra mentalitetit që na dërmoi shpirtin.”38 Por përkrah kësaj femra shqiptare duhet mbi të gjitha të jetë edhe një nënë e mirë dhe e denjë, sepse ky është roli i saj kryesor në shoqëri. Sepse emancipimi në këtë rast nuk do të thotë mungesë kufijsh dhe përgjegjësish. Në përgjithësi, shprehet Radi:39 “S’duhet me qenë romantik në kuptimin
 
Footnotes
1R. Elsie, History of Albanian Literature, Vol II New York 1995, f. 584-585
2L.Radi, Fashizmi dhe fryma shqiptare, Distapur, Tiranë 1940, s.23
3Ibid, s.24
4Ibid, s. 25. Tërheq vëmendjen fakti i përdorimit të këngës popullore si mjet legjitimizimi. Kënga e popullit shpreh mendimin dh ebotëkuptimin e tij – mbi këtë parim mbështetet edhe sot e kësaj dite folkloristika shqiptare. Harrohet, që kënga popullore në fund të fundit është pjellë e rrethanave shoqërore e politike, e për rrjedhojë rrjedha e saj mund “të drejtohet”, pra manipulohet. E provën m ët ëmirë për këtë e gjejmë pikërisht në folkloristikën shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Por kjo çështje del nga kufijtë e problemit të trajtuar në këtë artikull e meriton të trajtohet në veçanti.
5Dita e 7 prillit 1939 përkonte me të Premten e Madhe në festën e Pashkëve të ritit katolik.
6B. J. Fisher, Albania at War 1939-1945. Hurst&Company, London 1999, f.22
7L.Radi, Shqipëria në vitet 30’, Kronikë e përjetuar, Tiranë 1997, f. 115-116. Ky libër përbën me të vërtetë një burim me vlera mbi situatën intelektualo-shoqërore në Shqipërinë e atyre viteve, sidomos përsa i përket sferës së jetës së përditëshme.
8L. Radi, Fashizmi dhe fryma shqiptare, op. Cit, s.123
9Ibid, s.36. Hipotetikisht, nga pikëpamja formale kurora Mbretërisë së Shqipërisë vazhdon të mbetet e drejtë e shtëpisë mbretërore të Savojës, edhe pse ajo u shkurorzua në Itali me krijimin e Republikës. Kjo, sepse asnjë organizëm përfaqësues shtetëror shqiptar nuk ka ndërmarrë aktin formal të rikthimit të kurorës shqiptare dinastisë Zogu. Por kuptohet, kjo hipotezë merr sens vetëm nëse pranohet mungesa e vazhdimësisë së shtetit shqiptar nën drejtimin e mbretit Zog I pas pushtimit italian. Gjithsesi, kongresi i Përmetit i zgjidhi përfundimisht këto ambiguitete historiko-ligjore.
10Ibid, s.37. siç shkruan Fischer nga shumë të rinj intelektualë të kohës ky emërim u prit me çudi e ngurrim dhe e dëmtoi prestigjin e Koliqit. Vështirë të mendohet për reagimin e tyre, sikur ta dinin se shkrimtari bënte pjesë në listënb e njerëzve, të cilëve Konti Ciano u paguante rregullisht pensione nga buxheti italian, duke i quajtur si mbështetës kryesorë të politikës italiane në Shqipëri. Pa kërkuar të justifikoj veprimet e Koliqit, shpreh vetëm mendimin, se në gjykimin e këtij aspekti të jetës së shkrimtarit duhet marrë parasysh koha dhe rrethanat e atëhershme. Do të bëhet fjalë pak më poshtë për këtë çështje. Shih për këtë: G.Ciano, “The Ciano Diaries, 1939-1943, Doubleday, New York 1945, p.XVII
11L. Radi, op. cit., s. 27
12Ibid, s.27-29
13B. Fischer, op. cit., s.40.
14J.Ortega y Gasset, Bunt Mas, Muza SA, Vvarszavva 1997, s. 7. Filozofi spanjoll e botoi këtë vepër në vitin 1923 në Madrid. Menjëherë Rebeliòn de las masas zuri vendin e njërit prej librave klasikë të mendimit sociologjik, si një analizë e thellë e lëvizjes totalitare të gjysmës së parë të shekullit të XX
15L.Radi, op.cit., s.34.
16Ibid, s.42.
17Ibid, s.40.
18Ibid, s.50.
19Ibid, s.54.
20 Ibid. s.63
21 Ibid. s.85
22 Ibid. s.90 Fjalinë e fundit të këtij fragmenti të cituar, Radi e shkruan me shkronja kapitale.
23 B.J. Fischer, op.cit., s.48 Fischer e trajton këtë problem nëpërmjet prizmit ekonomiko-politik. Në sajë të këtij zbulimi Jacomoni e Vërlaci nënshkruan një marrëveshje, e cila u jepte të drejta të barabarta italianëve në Shqipëri, e Shqiptarëve në Itali. Pra, italianët do të mundnin të blenin tokë në Shqipëri, që në politikën e Romës ishte një nga elementet bazë të shtrirjes së kufijve të Perandorisë në lindje. Por nuk duhet anashkaluar këtu edhe aspekti propagandistik dhe ai social. Mendoj se Ciano ishte parasysh përfitimet e mundshme, që sillte kjo “dhuratë” ndaj shqiptarëve, kur përmend këtë fakt në ditarin e vet. Shih: G. Ciano, op. cit. S.71.
24Ibid. s.114.
25B.J. Fischer, op.cit., s.51
26Në kujtimet e veta Radi e kritikon reformën e Ivanajt, edhe pse atë personalisht e vlerëson. E parë nga perspektiva e të riut të atëhershëm gjimnazist, kjo reformë solli kryesisht uljen e ndjeshme të nivelit mësimdhënies.
27L. Radi, op.cit., s.148
28Ibid. s.107
29 Ibid. s.19
30 Ibid. s.45
31 Ibid. s.13
32 Ibid. s.14
33 Ibid. s.128
34 Ibid. s.95 bën përshtypje fakti, që e njëjta metaforë schileriane – bota e re e ngritur mbi gërmadhat e botës së vjetër, që po përmbyset – përdoret gjerësisht asokohe edhe nga kundërshtarët ideorë të Radit, apostujt e revolucionit proletarë, e në shumë raste ish shokët e tij gjatë viteve shkollore.
35 Ibid. s.71-81
36 Ibid. s.105
37 Ibid. s.96
38 Ibid. s.97
39 Ibid. s.106

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.