back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shënime rreth “Tre sfidave të Dom Ndre Zadesë” të poetit Fejzi Gushta – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pertefe Leka, shtator 2018
Pertefe Leka, shtator 2018
Shënime rreth “Tre sfidave të Dom Ndre Zadesë”
të poetit Fejzi Gushta
nga Pertefe Leka

Duke lundrue në Internet ndesha në vargjet e poetit shkodran Fejzi Gushta, i panjoftun për mua edhe pse ishte moshatari dhe bashkëqytetari im.
Në ato vargje, e në pak fjalë e në mënyrë figurative jepej një tablo e plotë e Shqipërisë së copëtuar dhe shkaktarët, që “e shqyen nga dega e fisit Ilir” dhe e “shndërruan në zjarr shekullor”.
Ishte viti 1996, kur poeti shkodran publikoi vargjet, “A nuk jam bija yte Evropë/ Një filiz nga trungu yt pjellor…?” Janë një varg pyetjesh që pasojnë si një protestë e ligjshme që natyrshëm i dalin nga shpirti. E identifikojnë Shqipërinë si bijë e Evropës dhe pjesë e Ballkanit në zjarr nga gjenocidi serb. Atëhere, kur toka shqiptare Kosovë, po shkretohej me dhunë të hekurt nga “Kasapi i Ballkanit”

A nuk jam bija yte Evropë,/ Një filiz nga trungu yt pjellor?/
e si më shqyve nga dega e fisit Ilir?/ më dogje, më shndërrove në zjarr shekullor/
A thue prap për arsye historike:/ Unë duhet të jem martire?!/
Viktimë e syve të Simonidës?/ A thue prap, si në Legjendat Ballkanike /
Do murosem në themelet e Graçanicës?!
1996, Fejzi Gushta, shkodrani (1942-2004)

Autori Gushta ka evidentue Mitin e Simonidës që përdoret edhe sot prej politikës serbe për të mashtrue opinionin publik kundër shqiptarëve.
I vetmi që ka nxjerrë para botës të vërtetën për  Sytë e Simonidës, ishte Akademiku Mark Krasniqi, i cili në vitin 1979, botoi librin “Gjurmë e Gjurmime” që nxori të vërtetën duke përgënjështruar mashtrimin serb të Milan Rakiçit. Miti i Simonidës i përket vitit 1321, kur vdiq Milutini… Simonida gruaja e pestë e kryepeshkopit Milutin Nemanjës, e gjeti rastin të ikë menjëherë nga ajo mbretni tmerri. Këtu fillon hakmarrja nga ndjekësit e Milutinit të cilët në pamundësi ta ndalonin ikjen e saj, goditën me thika Afreskën e bukur të Simonidës që me urdhër të Milutinit, ishte vizatue me 1310, por u dëmtue më 1321. Hakmarrësit kishin prekur sytë e bukur të saj dhe ashtu ka mbetur edhe sot piktura me sy të hequr. Sipas poezisë së Rakiq-it, i cili i ngarkuar me urrejtje etnike, përpiloi një sajesë, që mendoj se as ai vetë nuk e besonte se “sytë ia hoqi shqiptari në errësirë që askush s’e pa”
Kisha e Graçanicës ishte ndërtuar në kohën e sundimit bizantin, para ardhjes së serbëve. Sidomos gjatë perandorisë Bizantine themelues të së cilës ishin perandorët iliro-shqiptarë.
Por serbët e uritur për troje, që herët kanë luajtur rolin e viktimës, ndaj vazhdojnë edhe sot ta mbajnë të tjetërsuar të vërtetën historike. Kur shqiptarët 1000 vjet para serbëve kishin pranuar krishterimin dhe faltoret e para ishin ndërtuar prej tyre; si Manastiri i Deçanit që ishte projektuar nga arkitektë, skulptorë dhe shumë artizanë shqiptarë dhe po këto faltore mbroheshin dhe mirëmbaheshin nga ikonografë, afreskografë, piktorë të arteve të aplikuara po shqiptarë.
…Më 1889, u hap konsullata serbe në Kosovë, ku u zgjodh si konsull 1909-1911, Milan Rakiç. Ishte koha që shqiptarët luftonin kundër ushtrisë osmane dhe njëkohësisht kundër fqinjëve veriorë që kërkonin të përfitonin sa më shumë në këte situatë.
Kur Milan Rakiç, ishte diplomat në Prishtinë, shkroi vjershën “Simonida”, duke akuzue shqiptarin, që hoqi sytë nga piktura e Simonidës. Duke u mbajtur pas këtij Miti, serbët edhe sot gënjejnë vizitorët e Manastirit. Me këto mashtrime, shkojnë para kancelarive të botës, me u ba të besueshëm, për t’u zgjerue në trojet shqiptare, edhe pse ishin ardhacakë.
Duke u nisur nga ky mit, poeti F. Gushta ka zbulue një nga zanafillat e shumë mashtrimeve që përdorin serbët për t’u qarë para fuqive të mëdha.
Poeti shkodran, Fejzi Gushta, për të cilin duhet të hulumtohet më shumë, lindi në Shkodër në familjen e mirënjohur Gushta. Të parët e familjes, gjyshi i tij, kishte jetuar shumë herët në Egjypt. I jati, Osmani, ishte ekonomist, por ai vdiq në moshë të re, 35 vjeçare. Fejzia u rrit jetim në familjen e re që krijoi e ëma. Në ato kushte nuk mundi të merrte një edukim shkollor të lartë, por si autodidakt, falë librave të panumërt që lexonte, vullnetit të hekurt dhe talentit që gëzonte arriti të hyjë në radhën e poetëve të përmendun dhe artistëve shkodranë, ku bashkohej me shumë letrarë e artistë që gjeneronte parreshtur qyteti i vjetër i kulturës në kohën e tij në ‘Klubin Rinia’ të qytetit e më tej, edhe pse shkruanin brenda kornizave të kufizuara ideore.
Sipas publicistit Kolec Traboini (poet, eseist, sociolog, gazetar…) njohës i veprimtarisë së poetit Gushta, e quente mikun e tij – Poeti i Kantjereve – ndaj shkruante:
“Kush nga gazetarët apo shkrimtarët vajti në kantjerin e Vaut të Dejës dhe nuk u kthye në barakën – bujtinë të poetit, ku gjindej një mjedis gazmor dhe artistik. Atje veç të tjerëve gjeje dhe Frederik Rreshpen, kur shkoi për të shkruar romanin “Zëri i largët i kasollës” 1972…” K. Traboini,
Ndër të tjera z.Traboini e vuante shumë që nuk është evidentue krijimtaria e poetit F. Gushta. Në një takim që kishte pasë me tw ndjerin shkruante: “…më shpaloste një drame të tërë, të cilës nuk harronte t’i vinte edhe titullin “Globi”. Nuk e di se çfare është bërë me atë veprim dramatik”
Nga botimet e poetit Gushta njihet:
Një cikël me poezi publikuar te Besa 1991 nr. 11, 30 dhjetor
Disa shkrime tek “Shqipëria Etnike” ndër to edhe eseja për Poetin e ëmbël shkodran Zadeja:

Fejzi Gushta
Fejzi Gushta

“Tre sfidat e Dom Ndre Zadesë”.
Ndaj në vargjet e poetit Gushta ndihet ndikimi i Zadesë, edhe pse janë shkruar në kohë të ndryshme. Lexohet i njëjti qëndrim ndaj coptimit të Shqipërisë, i aprovuar nga fuqitë e mëdha “për t’i mbyllë gojën” shovenistëve fqinj me pjesë nga trojet shqiptare.
A nuk jam bija yte Evropë?/ Një filiz nga trungu yt pjellorë?/
e si më shqyve nga dega e fisit Ilir?/ F. Gushta
Ashtu si edhe vargjet e Zadesë
“Në kjoftë se fletët e tua// Don me t’i k’putë Europa//
Edhe këto krahët e mi// U bajshin copa copa’’ Ndre Zadeja
Zadeja i bindun për qëndresën e Shkodranëve në rrethimin e 1913-të dhe 1920 – (Lufta e Koplikut) kur lakmia e fqinjëve veriorë me shti në dorë Shkodrën nuk shuhej e shpreh në vargjet:
“Çka kanë sot mali e fusha?//Pse po gjimojnë poterë?
Ta dijë mirë jugosllavi,// Se Shkodra vdes me Nder!//
S’e mblon shkodranin dhuna// Pa u mblue me gjak krejt Buna!’’
(por më 1919, Shqipërisë i doli në mbrojtje, drejtuesi i një shteti të madh demokratik, Presidenti Wilson. Në Konferencën e Paqës në Paris, ndaloj copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë.)
Zadeja, ishte i qetë, i urtë, i ëmbël si në vargjet e tij. Këte ma tregonte Dr. Agim Leka, (e kishte takuar në Tiranë, kur i Riu Leka 18 vjeçar, po bënte përkthimin në italisht të artikullit të Dom Nikollë Mazrrekut “Skandali Cordignano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar” si përgjigje dhe kundërvënie ndaj priftit italian Fulvio Cordignano.)
Kështu kanë shkruar të gjithë ata që e kanë njohur, të cilët e kanë cilësuar poet i amëlsisë, por nëse do t’i prekje Atdheun, Kombin, trashëgiminë… e ngrinte zanin fuqishëm. Me guxim mbronte të drejtën të vërtetën, përballë padrejtësive të fuqive të mëdha, shovenistëve fqinj, edhe përballë një individi, siç bëri me Priftin Italian Atë Fulvio Cordignano që fyu në sy të botës rracën shqiptare që sulmoi bërthamën e ekzistencës shqiptare” te Revista d’Albania in March 1941, L’Articolo di Cordignano, “L’Albania nella Storia e nella Vita”
Me guxim qytetar, Zadeja, i quejti, Dokrra, të pavërtetat e priftit italian:
“Por nuk jan’ dokrrat tua qi e bâjn’ paçavër rracash Shqiptarin!”
Ndaj thërret si dëshmitare duresën shqiptare për të dëshmuar.
Dishmitare ty t’thrras o e tepruemja
durés’ shqiptare, ti qi vuen pa zâ,
e brén pa u ndî, e kjân pa ankim…

Dom Ndre Zadeja (1891-1945)
Dom Ndre Zadeja (1891-1945)

At Fulvio Cordignano, jetoi në Shqipëri e shijoi për 35 vjet mikpritjen shqiptare. Kur Shqipëria u pushtua nga Italia Fashiste, për të justifikue okupimin si civilizim, Cordignano shkroi një shkrim të gjatë duke i përçudnue cilësitë e arta të shqiptarëve për të cilat Ai vetë kishte shkruar më parë. Ai me at shkrim u mohonte shqiptarëve autoktoninë, u mohonte prejardhjen Ilire pa vwrtetuar asgja duke veprue si filoserb, mbështetw mbi të pavërtetat e tyre për origjinen e shqiptarëve.
Në janar 1942, (viti kur kishte lindë ithtari i tij F. Gushta) ndjenja e fyer atdhetare e Zadesë u përgjegj me dinjitet, pa frymë hakmarrje ,si shprehja e popullit: (Anmikun mos e druej, por nderin ia ruej.Malsi e Madhe)
Me nji letër të hapun në vargje, si nje relike e çmuar shkruan: “Harrohet e nuk harrohet çdo dhunë mbi tokë, por nderi për komb asht i shejtë” pra shpifjet do t’i fshijë koha:
“Ravizë e zbehtë tradhtie, asht gjurmë gamili”
Mesazhi i poetit Zadeja që i kundërvihet tradhëtisë së priftit italian, ndaj popullit tonë të vjetër me plot virtyte etnie, si mikpritës e bujar, trim i besës me histori të lavdishme, me prejardhje dhe gjuhë ilire, do të mbetet aktual… Zakonet ilire t’i ruejmë edhe gjuhën të papërlyeme… Mesazhi solli një reagim, jo vetëm në Shkodër, por ngjalli një revoltë mbarë kombëtare…
Ndërsa poeti Gushta i shkruan vargjet pas gjysmë shekulli, nga Zadeja, kur Ballkani ishte në flakë nga mizoritë serbe. Kur bota njohu gjenocidin serb në Bosnje, që në vazhdimësi po i drejtohej Kosovës.
Poeti me pyetjet retorike kërkon të zhdrivillohen nyje legjendash të sajuara për të shburrnue trimërinë shqiptare, që ka rezistue ndër shekuj shpatëzhveshur.
A thue prap për arsye historike:/ Unë duhet të jem martire?!/
Viktimë e syve të Simonidës?/ A thue prap, si në Legjendat Ballkanike/
Do murosem në themelet e Graçanicës?! (F. Gushta)
Edhe pse pa shumë shkollë, F. Gushta , punëtori i shumë kantjereve, sypagjumi i penës, mundi me njoftë kulturën e kohës dhe të drejtat njerëzore.
I sheh me dyshim agresorët e 1996-tës, kur Shqipëria po i afrohej NATO-s syhapun, (që u realizue më vonë në 2009) ndaj përsëritet togfjalëshi “A thue prap… A thue prap, mizorët, do të sajojnë përralla për të mbulue të vërtetat historike …
Por jo, me 1996 filluan të ndryshojnë situatat, hapja e zyrës Amerikane (Agjensia Informative Amerikane) e propozuar nga R. Hollbruk me 12 janar 1996, e cila u hap me 5 Qershor 1996, nw Prishtinë ishte ogur i mirë. Presidenti Rugova e quajti “Ditë Historike”. Po në muajt e parë të po këtij viti u hap edhe kalimi nga Kosova në Shqipëri.
Mbi të gjitha ishte fjalimi i Bill Clinton, që vulosi vendimin për me intervenue: “…Në të dy luftrat botërore, Evropa ishte e ngadaltë për të njohur rreziqet, dhe SHBA-të pritën edhe më gjatë për të hyrë në konflikt.
Imagjinoni nëse liderwt në atw kohë do të kishin vepruar me mençuri që në fillim, sa shumë jetë mund të ishin shpëtuar.
Ky ishte gjenocid në zemër të Evropës, jo në vitin 1945, por në vitin 1995.” B. Clinton
Të dy poetët pavarësisht diferencave të edukimit shkollorë, janë heronjte e pendës, ata guxuan.
Nën zhgunin e priftit Zadeja, rrihte një zemër patrioti.
Poeti Dom Ndre Zadeja (1891-1945), studioi në Kolegjin Severian, Shkodër, studimet e larta në Insbruk, Austri.
Me 1916, u shugurue meshtar, shquhet për melodramat “Ora e Shqypnisë”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa”, “Hijet e Zeza”, “Shpella e Bogdanit” dorëshkrim, “Ruba e Kuqe…”
I larguar si Fanolist u kthye në kohën e pushtimit fashist. Nuk ngurroi të shkruante kundër priftit italian Cordignano-s me një Letër të Hapur, ku kishte gdhendë në 291 vargje, historinë e artë shqiptare ndër shekuj. Ishte një përgjigje e merituar ndaj bukëshkelësit mosmirënjohës dhe mohues i kulturës shqiptare Fulvio Cordignano. Ishte sociologji shqiptare, antroplogji kulturore për çështjet jetësore në mbrojtje të vetive tradicionale të nji populli, ku janë ruajtun elemente të shëndosha të nji qytetnimi.
Vuni në dukje rrebeshet e kohës që kërcënuan karakterin shqiptar që e ka të shtrejtë, komb e Atdhe.
Ishte Zadeja që paralajmëroi për: “Re të zeza, me ideologji të kuqe…” që do të helmonin atmosferën e rinisë shqiptare, e nuk vonoj; Komunizmi i përpiu, i torturoi me dorë të hekurt guximtarët, dijetarët, të parin Dom Ndre Zadejën, martirin që vazhdon të flasw edhe sot .
Ithtari i Zadesë, poeti F. Gushta punoi kantiereve, ku njohu izolimin, punën pa shpërblimin e merituar dhe mungesën e fjalës lirë. Ai nuk kishte studiuar në shkolla të larta, por guxonte të lexonte letërsinë shqiptare dhe të huaj, të citonte Fishtën, kur ishte e ndaluar të përmendej vepra madhore “Lahuta e Malcisë”. Ndiente dhimbje për Kosovën e trimave që mbahej nën zgjedhë, ndaj i kushtoi vargje grishëse, për rrugëzgjidhje ndaj dhunës vdekjeprurëse të pushtuesit serb. Vdiq i ri por e jetoi një 10 vjeçar të demokracisë dhe çlirimin e Kosovës. Vargjet e poetëve janë aktuale edhe për sot, kur lakmuesit e trojeve shqiptare lëshojnë kthetrat e pretendimeve me kërcënime nga ma të ndryshmet. Qyteti mijra vjeçar i heronjëve e martirëve meriton thënien universale të “Mbretëreshës së Maleve”: “Shkodra më mrekullon. Kur nuk jam atje, po jua rikujtoj, që vetëm atëhere jam pothuajse gati të betohem bashkë me shqiptarin se asht qyteti më i mirë në botë…” Edith Durham

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.