back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Sheshi Mirdita” – (Piazza Mirdita) në San Kosmo Albanese – nga Artan Lleshi – Gjomarkaj

Gazeta

Artan Gjonmarkaj
Artan Lleshi – Gjonmarkaj
“Sheshi Mirdita” – (Piazza Mirdita) në San Kosmo Albanese
nga Artan Lleshi – Gjomarkaj

Nga data 27 shtator, dita kur një popull vital në bregun tjetër të Adriatikut gëzon e lut festën më tradicionale të komunitetit, Shën Kozmo e Damiano, në një shesh të vogël, jo fort larg vendlindjes së De Radës, Zef Serembes dhe Terenc Toçit, pra qysh prej ditës së Shën Kozmait e Damianos, një shesh i bukur me pamje nga Shqipëria do të quhet “Sheshi Mirdita”
Pasi banda frymore e pallatit komunal të San Kosmo Albanese, ekzekutoi hymnet kombëtare te Shqipërisë dhe Italisë, kryetarët e bashkive përkatëse, z. Damiano Bafa, kryetar i komunës San Cosimo Albanese dhe z. Albert Mëlyshi, kryetar i bashkisë Mirditë, zbuluan pllakatën në të cilën shkruhet: “Sheshi Mirdita” – Piazza Mirdita.
Pllakata u bekua Veskovi udhëheqës i delegacionit Santuar të ritit bizantin ardhur nga Roma. Në ceremoninë e zbulimit të pllakatës përveç fjalës së rastit, (fjalime mbresëlënëse) të kryesuesve z. Bafa dhe z. Mëlyshi, me plot mbresa përshëndeti gjithashtu Këshilltarja Rajonale e rajonit të Kalabrisë , znj. Pasqualina Straface, e cila solli mes fjalës së saj urimet më të ngrohta të Presidentit Rajonal, z. Roberto Ochiutto për aktin madhështor të vllazërimit të dy komuniteteve tona, gjeste të cilat mbajnë gjallë historinë e derisotme shqiptaro-arbëreshe e përshëndrisin udhën e së ardhmes.

Në ceremoni mori pjesë gjithashtu si i ardhur nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, z. Klement Zguri, këshilltar i Presidentit të Republikës
Udhëtimi për mbërritjen në Sheshin “Mirdita” ka nisur fill mbas ceremonisë Solemne të Binjakëzimit të Bashkisë Mirditë me komunën San Kosmo Albanese, ceremoni e organizuar në mbarim të Meshës Solemne, në prani të qindra qytetarëve vendas dhe qindra pelegrinëve të ardhur nga të gjitha rajonet e Italisë.
Mirdita, ashtu sikur ka gërmat e saja të ndritura ndër arkivat e Vienës, Parisit, Berlinit, Venecias e Romës, nga sot ka gërmat e saj edhe në një pllakatë tek një shesh arbëresh ku me siguri italo-shqiptari i shquar Terenc Toçi ka hedhur të parat gjurmë fëminore për të qenë më vonë jovetëm një dijetar i formuar pranë vendit ku u thur Fiamuri Arbrit si gazeta më e shquar arbëreshe dy shekuj më parë, por për të qenë edhe themelues i ndër të parave gazeta javore e më vonë të përditëshme shqiptare, siç ishte gazeta “Taraboshi” e po ashtu për të qënë i pari patriot, i cili organizoi Kuvendin e dëgjuar të Kimzës me 1911, kuvend nga i cili dihet se është ngritur për të parën herë Flamuri Shqiptar pas ripushtimit osman dhe është kërkuar vetëqeverisja ose më saktë është themeluar Qeveria e Përkohëshme e Kimzës.

Gra në San Cosmo Albanese
Gra në San Cosmo Albanese

Ky shesh, mban sot emrin “Sheshi Mirdita”, sikurse e gjithë Shqipëria u përgjak nga dhuna komunise, edhe ky shesh përgjaket së largti me gjakun e patriotit Terenc Toçi pasi Tirana komuniste Terencin trim e dënoi me vdekje në muajin prill 1945, për fajin e vetëm se ishte patriot i rrallë.
Gërmat e Mirditës në qytezë të San Kozmos jan po aq të ngrohta sa vargjet e Zef Serembes në çdo varg, e vetëm kto gjashtë a shtatë gërma më bënë të kujtoj këtu se edhe vetë De Rada, pikërisht në këtë shesh me pamje nga Shqipëria ka endërruar Shqipërinë ndaj është pasionuar e ka shkruar “Këngët e Milosaos” ka pasur mall për vendin e gjyshërve të tij ndaj ka mbledhë më bukur se askush çdo rrem e degë të veprës së Barletit shkodran, për të mos u humbur kurrë historia e kryelegjendarit tonë hero, Gjergj Kastriotit.
Mirdita tashmë është edhe emër sheshi në një qytet që ka për Monumente Kulture shtëpinë e De Radës e po ashtu edhe Santuarin “Shën Kozma e Damiano” – kishë e tejet e zbukuruar me afreskët e piktorit me famë botërore, Nikos Jannakakis, por mbi të gjitha ky qytet është njëri nga pesë qytetet që formojnë Unionin Arbëresh, sikur janë San Demetrio Korone, Santa Sofia, San Giorgio Albanese, Vaccarrizzio Albanese; qytete të cilat delegacioni ynë i vizitoi dhe u pritëm me tepër vllazëri nga gjithë kryetarët e komunave dhe stafet administrative dhe u premtuam se midis administratës së Bashkisë Mirditë dhe administratave të të gjithë ktyre komunave e në veçanti midis nesh dhe komunës së San Kosmo Albanese me të cilën tashmë jemi binjakëzuar, do të ketë bashkëpunime të denja e të pareshtura në të mirë të të dyja komuniteteve.
Artan Lleshi Gjomarkaj, Mirditë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.