Shiu i fatit tim nuk di se ku bie…
Cikël poetik nga Mercedes Gega
Mercedes Gega,
në kët cikël poezish sjell delikatesën e shpirtit të saj,
botën e freskët të emocioneve mbështjellë me velin
e një trishtim të ëmbël, që aq shumë i ngjan atij shiut të verës,
ku ne shpesh me dëshirë pranojmë të lagemi prej tij…
Në kët cikël, që është i pari i saj në këtë faqe,
ajo vjen mbas disa librave të botuar, dhe na dhuron
një pamje fluide të botës ku vozisin ndjenjat e saj,
nën filtrime herë të trishta e herë të ngrohta të emocioneve
n’atë vajtje-ardhjen e tyre, e shpesh na detyron të ndalemi
e ta vërejmë me vëmendje portretin e saj
për të hequr ndonjë paralele edhe me poezinë e saj…
E vërtetë që ajo të ngop me ngrohtësi të pakufi,
por ndodh që edhe të vërtitet pak me tepri rreth vetes,
për veten e ndaj vetes, sa të krijon përshtypjen se është duke e kërkuar poezinë
dhe jo poezia duke u ndalur natyrshëm ndër buzët e saj…
Por, duke qenë e re, e shpresoj duke e ballafaquar veten me çka është më e mira
e lirikës botërore, sigurisht ajo do ta pasurojë veten po edhe lexuesit e saj,
për të na i sjellë sa më natyrshëm emocionet e saj
përmes vargëzimesh më pretenduese poetike…
Duke u uruar suksese Mercedes Gegës, urojmë edhe lexim të këndshëm
të këtij cikli të parë të saj, në faqen radiandradi.com…
jozef radi, 8 qershor 2022
Kur je larg…
I vesh një mbi një gjithë ikjet e tua!
Aromë dashurie vishet ajri rreth meje..
Frymëmarrja ime bërë heshtja jote.
Më mungon!
Koha ndërkohë kohësh
më përqafon në
Bosh.
Ngjyrat zhduken.
Ora sheh nga unë,
Vjen Ti.
Afrohesh ajrshëm
Dritshëm më zhvesh
një nga një ikjet e tua…
Pastaj…
Vishemi puthshëm
Me dy gjysmat tona!
Plotë.
Mjafton që je
Dhomëza ku rrihnin më parë dy zemra
sonte ngushtë u rri shtatit të fjalëve të pathëna.
Dal vetes, vesh hapat e tu e rrugës nga shkove vij…
Kollitet thatë dhe mbytur qielli i gjysmë hënës sonte
por ka ditë që shirat s’duken këtej pari.
Parku fle nën puthjet e një stinë të shkuar vetëm dje…
Toka kërcet nën këmbë si rënkim sysh i një gruaje
që i rishkel besimin e ngjitur me puthje.
Ngrica priten të vijnë këtë natë…
Ndërkohë lumi midis nesh kërkon shtratin e tij,
Mua më mjafton që ti je…
Në duar s’të mbajta dot
E di, s’ishte faji im,
që s’të mbajta dot në duar,
por gjithsesi sot ndihem bosh,
si varkë bregut ankoruar.
E di, e di, s’ish faji im,
ndoshta yti nuk qe aspak,
por s’gjej dot fjalë për ngushëllim,
sot shpirtit tim që të ka larg.
E di, e di, jeta është kjo,
na hedh, na pret, na puth e shkon.
E dashur ti, më fal, në mundesh,
në duar jo, s’të mbajta dot!
Është koha për dashuri
Tek unë ka filluar të bjerë borë
(Ti e di sa e dua borën!)
Dhe flokëve fjongo të bardha malli t’më qëndisë…
Përtej dritës së syrit,
Shtrirë mbi ngjyrat e pendesave të fjalëve të palindura
Mbi gjinj të enjtur sythesh Mars-i,
një mjegull heshtjesh endet…
Endet…
dhe më shfaq copëza siluetash të një drite,
qiellit rrudhadendur
ballit të ditës që nxitimthi ngjizëm dje…
Ti dhe Unë.
Ndërsa,
Kopështit të hënës së plotë
zambakët e së nesërmes vazhdojnë të rriten
në dy kahe të kundërta,
Rrugës nga ku për të ardhur vetes
Shkuam…
Netët më mbajnë, gjithsesi mëri
Për puthjet e gjumit të ëmbël
Si t’ua shpjegoj që nga dritë tash je yll
Yll agu në një tjetër ëndërr…
Stinët që atë ditë u quajtën:
Ti
Dhe gjithë orët shënojnë fiks:
Kohë për dashuri!
Ende…
Ende flokëve të mi vazhdon bie borë
E fjongove të bardha një dritë
Një dritë malli përndrit…
Puhizë dashurie
Hapat e fundit të mbrëmjes
trokasin në qiellin e përskuqur
horizonteve tona re dendura…
Puhizë dashurie ndër degët e shelgjeve,
që ndajnë hapsirën midis lotëve
që nderur kemi litarit të ajërt
dy faqeve të hënës së pakafshuar
numërimit mbrapsht deri në rilindjen e radhës…
Ky çast, mes dy psherëtimave,
mban përherë tingujt harmonike
të hapave të buzëqeshjeve tona
nën një shi puthjesh…
Si një shall i ngrohtë, ngushëllues
supeve të mbrëmjes
ngrirë një dite pengmarrë diejsh shprese…
Një kurorë margaritash faqediellta shikimesh
përqafuar rishtas buzësh rreze agrilindur…
Aromë përkëdhelje duarsh
nën gurgullimë psherëtimë ujrash sydashuruar…
Buzës së mëngjesit tonë,
Tashmë kur mbrëmjes i kanë ngelur vetëm disa hapa
për të kapërcyer veten,
Ti je i gjithi Unë, i dashur
Unë lindur jam, të jem Ti!
Sot
Sot mbush fiks një jetë që dje!
Toka ende rrotullohet…
Unë fle të mos ndjej turravrapin e saj…
Nën çarçafë nata numëron sa vende më kanë ngelur
e pa kafshuar ende nga pyetja retorike:
“Përse duhet të dashurosh si fëmijë…?”
Fiks një lumë drite mes nesh nga dje!
Uji i ftohtë m’i bën bashkë copëzat e mëngjesit në sy!
Marramendem…
…rrjedhës së ujit ia dorëzoj fytyrën…
ajo më kthen këngë zogjsh…
Zhurmë makinash…
Përshëndetje formale…
Hapa të përgjumur…
Puthje të padhëna…
Një qytet zgjohet brenda meje…
Fiks një jetë nga dje…!
Dritë…
Dritë…
Hej…
Po fle?
Ani…
Fli edhe gjumin tim
Unë zgjimeve pa dritë iu iki…
Dritë…
Qerpikëve të mi dridhen ca puthje
Të padhëna natës së mirë…
Ato nuk flasin fjalësh
Ndaj nuk më binden Dritë…
Dritë…
Mollëzave të gishtave të tu
mbjellë kam një ëndërr
Shpirtin e pakohë të një ëndrre
të një ëndrre me emrin:
Ti!
Dritë…
Kaploi gjithë dimrat e sikur-eve
Dhe eja ëndrrës
Syve t’mi dhe ndizmi yjet
Me një: “Hej…!”
Ti ende po fle Dritë…
Unë erdha…
Erdha vetëm të të shoh…
…e të të them se syve të tu
Sytë e mi humbur kam
Por mbrapsht s’t’i dua jo!
Sa kohë rruga për tek vetja më kalon nga ti
Largësia më kthehet n’një pëshpëritje fryme:
Dritë…
Ti erdhe vetëm për të ikur
Ti erdhe vetëm për të ikur
e dot s’mund të bëje ndryshe.
Drita kuptohet në errësirë,
kafazët s’janë për dallëndyshe.
Ti erdhe vetëm për të ikur,
një jetë e tërë në veç një çast,
për kë të njohu, sa shumë, sa shumë!
Për kë të desh, sa pak, sa pak!
Ti erdhe vetëm për të ikur
t’më tregoje ç’është drithërima,
buzës që digjet nga lot i nxhehtë,
Mallpërzhitur nga dashuria!
Sa herë që ulem, të kujtoj,
ndodh bota dritën një çast humbet,
buzëqeshjes tënde i marr një rreze
e bota ngjyrat sërish rigjen!
Ti erdhe vetëm për të ikur
e dot s’mund të bëje ndryshe.
Drita kuptohet në errësirë,
kafazët s’janë për dallëndyshe.
Shiu im je ti…
Shiu i fatit tim nuk di se ku bie…
Njësoj si ti që s’u bëre dot shi
edhe brenda gjumit nuk je re e zezë
jam tokë që pres prej teje një rrebesh!
Ai shi parqesh që përcjell sa gjumëra
E zgjon lëkurës së lagur 1000 fjalë-ndjesi
Derdhur gjurmësh vere mblidhmë në diej mallesh
Çelmi gjithë pranverat
Shiu im je ti!
Kohësh…
Më kërcet koha ndër gishta
Si një kafshatë bukë e thatë
Nga natë në natë rris një ditë
Nga dita në ditë tres një natë…
Më kërcet malli në buzë
Si gështenja të pjekura në vatër
Në plasaritjet ku drita sot lind veten
Prehet hiri i një zjarri pa emër…
Sonte
Ti mban aromën e drurit që digjet
n’përqafime t’flakësht lirie
Unë, një fletë e bardhë,
varg i pashkruar dashurie…
Kaq të dua
Ti larg je tani
7 qiej ndrojtje na ndajnë
Unë hënat e plota i ndaj në dy pjesë
Me hurma i shartoj çdo janar.
Çdo vjeshtë kur rruga të të sjellë këtyre anëve,
ndalu një grimë çast
Çdo hurmë pret të të thotë: “Të dua”
Çdo njërën ti shumëzoje me shtatë!
Kaq të dua!
E të nesërmen nga fillimi prap…
.