back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar… Lasgush Poradeci për Gjergj Fishtën

Gazeta

At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)
At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)

Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar…

Lasgush Poradeci për Gjergj Fishtën

Pjesë nga një analizë e Lasgush Poradecit
rreth veprës së At Fishtës, në Mars 1941,
tre muaj pas largimit Viganit të Letrave nga kjo jetë…

Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike, diplomatike....  Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi. At Gjergj Fishta dhe Asdreni.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare,
qytetnuese, letrare, politike, diplomatike….
Poradeci dhe Koliqi – Fishta dhe Asdreni.

“…Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat shvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtet, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë, të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut;
Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta, është koncepuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vendi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Asdreni - Fishta -Koliqi - Poradeci - mes qytetarisë shkodrane 1937
Asdreni – Fishta -Koliqi – Poradeci
– mes qytetarisë shkodrane 1937

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij.
Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërejtjen tonë. Sepse ajo fjalë s’është fjalë po element, ajo shprehje s’është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipëri, ky është urdhëri i çasit, dhe i ditës, dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërngatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi nër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:
Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombin – anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: “…fundi i fundit, dhè Kombi ka të drejta mi mua”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.