back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shkencëtari i uritun tek grumbulli i plehut! – nga Fritz Radovani

Gazeta

Mark Harapi (1890-1974)
Mark Harapi (1890-1974)

Shkencëtari i uritun tek grumbulli i plehut!

nga Fritz Radovani

 Me 3 Kallnduer 1948!
Procesverbal gjykimi, Trupi gjykues i përbërë nga:
Kryetar Kap. II Pertef Alizoti; Anëtarë N/toger Anastas Koroveshi, N/toger Xhemal Bejtja
dhe ndihmës prokurori ushtarak i zonës së Shkodres, Toger Zurdi Shehu!
Vendosi: At Mark Harapi, 10 vjet privim lirije!
Mbasi plotsoi dënimin u interrnue 5 vjet…
.
Në vitin 1963, lirohet dhe kthehet në Shkodёr, ku me 10 Shkurt 1974, ka vdekë…
La porosi me u varrosë në vendlidjen e tij në Shirokë, dhe nën kujdesin e At Ferdinand Palit dhe At Gjergj Vatës, iu plotsue dёshira e varrimit. Për kët veprim u arrestuen të dy, me akuzёn “krim kundёr shtetit” dhe u dënuen. Nëpunësi i varrimit të komunales së Shkodrёs, Luigj Bushati, pёr lejen e varrimit atje, u pushue nga puna…
Po kush ishte jezuiti At Mark Harapi?
Ishte i biri i Dodë Harapit nga Shiroka, familje e vorfёn, po fisnike, dhe kishte edhe dy vllazën, At Antonin frat, e Zefin, nëpunës.
At Marku asht le me 25 Mars 1890. Misionarët shetitës në Shkodёr i ndihmojnë dy vllaznit Harapi me ndjekë shkollat në Shkodёr, dhe mbasi i pёrfunduen shkёlqyeshёm, shkuen me vazhdue studimet e nalta në Austri.
At Marku ka pёrfundue në Seminarin Papnuer Shqiptar gjimnazin klasik pёr filozofi. Ndёrsa në dy vite ka studjue edhe teologji. Vazhdoi studimet në Innsbruck të Tirolit, dhe erdhi e dha Meshёn e Parë në Shkodёr në Gusht 1913.
U emnue në Pog-Mgullë, ku ka shёrbye pёr 7 vjet, kohë në të cilёn shpёtoi fshatin pa u djegë nga malazezët…
Shkoi në Itali dhe u doktorue në Filozofi në Universitetin Gregorian në Romë. Atje mori liçencë e doktoratё, dhe me kenë se ishte në Vatikan, kёrkoi me pa librin “Meshari” të Buzukut, pёr të cilin ato ditë “Hylli i Dritës” dyshonte se nuk gjindej. At Marku e gjeti librin dhe biblioteka e Vatikanit ia dha në dorë me e pa pёr knaqësinë e tij. At Marku, bani edhe njoftimin e kenjes së Librit “Meshari” në revistat e kohës.
Erdhi në Seminarin Papnor si profesor i gjuhës shqipe, dhe antar i gjyqit kishtar.
.
Hylli i Dritës, Marc-Korrik 1939
Hylli i Dritës, Marc-Korrik 1939
Në Firence mbaron mësimet e Urdhnit Injacjan, dhe bahet antar i Misionit Shetitës, tue shёrbye në Rrëshen, Bishkash, Shna Prende, Delbinisht, Zhejë, etj… Vazhdon shёrbimin në Elbasan, pёr unifikimin e Kishave dhe vazhdoi misionin e vet në Sarandë, Delvinë dhe Gjinokastёr. Viziton burgjet e Jugut… dhe qёndron edhe në Berat, kohë në të cilën përgatiti “Pёrgjegjen katolike Katekizmit ortodoks”…
At Marku ka refuzue të gjitha detyrat e nalta kishtare tue pranue me vazhdue në vitin 1936, në Shkodёr, si profesor i Seminarit Papnor pёr filozofi, teologji, dogmatikë dhe besim.
Në Kolegjin Saverian, ai ishte i njoftun ndёr teologët ma të përgatitun që ka pasë ajo shkollë. Përgatitja e tij ishte në disa fusha ku la gjurmët e veta si shkencëtar.
Adaptoi në alfabetin e sotёm librin “Çeta e Profetëve” (Cuneus Prophetarum)…
Pёrktheu librin e Manzonit “Të fejuemit”. Boton në revistat e kohës artikuj filozofikё dhe shkencor. Vazhdon deri në vdekje tё Norbert Joklit, korrespondencën shkencore me tё.
At Mark Harapi ishte një dijetar në fushёn e botanikës, e njihte mirë atё në zonat ku ka shёrbye dhe kryesisht pasioni i Tij lidhej me zonёn e panjoftun të Dukagjinit, ku me një kujdes të madh mblodhi bimët e panjoftuna t’asaj zonë dhe krijoi koleksionet e plota.
Komunikonte në këte fushë me Dr. Margraf, profesor në Universitetin Botanik nё Berlin. Gjatë kohës që shkonte me mbledhë bimë të panjoftuna në Dukagjin dhe në zonat e nalta Malore të Veriut, At Marku, studjonte edhe insektet e shpendët e atyne fshatrave.
Në muzeun e Shkollës së Jezuitëve, me ndihmёn e Fratel Salës (italian), ai arriti me plotsue me punime allçije disa nga shpendët e rrallë, insekte e lule, të cilat plotsonin fondin shkencor të atyne studimeve aq me vlerë pёr shkencёn shqiptare, deri atëherë, jo vetёm e panjohun, po edhe e pa prekun me dorë nga askush.
Në vitin 1946, At Mark Harapi kishte studime, dorёshkrime e koleksione shkencore të panjohuna (ndoshta edhe në universitetet Europiane), tri valixhe të mbushuna e të ruejtuna në Muzeun e Shkollës Jezuitëve, të cilat u sekuestruen nga sigurimi i shtetit, kur u mbyll shkolla dhe të gjitha ju kaluen Instituti të Shkencave në Tiranë…
Po, kush i shfrytёzoi ato punime shkencore, e kush vuni emnin e vet me titull “Dr. Prof.” mbi kopertinat e dorёshkrimeve të shkencëtarit at Mark Harapi ?…
Kjo asht nji tjetёr “Dosje” e pahapun ende pёr “Dr…Prof. e Akademikët” tanë!
.
At Anton Harapi (pikture Pjerin Sheldija)
At Anton Harapi (pikture Pjerin Sheldija)

***

Ishte nji ditë me diell korriku e nxehtë… në Shkodёr.
Enver Hoxha me “Fjalimin programatik” të 6 Shkurtit 1967, topiti mbarë Shqipninë.
Shkodra u mbush me “Fletë Rrufena”… Komiteti i Partisë i Rrethit filloi organizimin e disa mbledhjeve pёr demaskimin e Klerikëve Katolikё të Shqipnisë. Në Institutin Pedagogjik, ku strehohej si hije anadollaku Ramiz Alia, i ndihmuem prej Xhemal Dinit e Musa Krajës, të cilët PPSh, edhe sot i konsideron si “Bashkautorё të Gjenocidit komunist”, madje Musa Kraja mori edhe titullin “Akademik”, tue u vlerёsue dhe nderue edhe nga Pekini e Stambolli, pёr meritat e zhdukjes sё Klerit Katolik Shqiptar, në Revolucionin Kultural tё 1967.
Nën lëvozhgёn e Frontit Demokratik u demaskuen të parët: At Gegë Lumaj, At Mark Harapi, At Frano Kiri dhe At Gjergj Vata… Filluen edhe nji herë arrestimet si në 1945.
Kalvari i At Mark Harapit ishte i pafund! Pos tjerash ishte edhe vlla i At Anton Harapit…
Dijetari e shkencëtari i heshtun At Marku, kalonte rrugëve të Shkodres pa folë me njeri nga frika se mos i sillte pasoja njerzve të vet dhe qytetarëve të Shkodres. Më kujtohet aty nga viti 1969, kur po kalonim në lagjen Serreq, te kryqzimi i Kishës Katedrale, ishe me mësuesin dhe mikun tim Sander Troshani, u ndaluem të dy dhe të stepun, nuk po i besonim syve… po vrojtonim At Mark Harapin, tё veshun me rroba të vjetra e të zeza, me nji shkop e nji strajcë që kishte në dorë, po kёrkonte në grumbullin e plehut pranë shtëpisë së të ndjemit Shan Deda, sigurisht, “dishka me ngranë…!”.
E tmerrshme!
Shkencëtari, dijetari, botanisti, pёrkthyesi…
I uritun tue kёrkue një kashatë bukë ndёr grumbujt e plehut pёrballë Kishës Kathedrale!
Mësuesi i Rinisë Shkodrane… tue kёrkue me shkop në pleh bukёn e gojës!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.