Shkesia diplomatike/ Pse Skënderbeu nuk donte të martohej
nga Ilirjan Gjika
1
Për martesën e Skënderbeut është shkruar herët që pas vdekjes së Heroit duke nisur që nga Barleti, Gjon Muzaka, Biemi dhe për të vijuar me autorë të mëvonshën të shekujve XIX-XX-të, duke përmendur në këtë rast Hoph-in, Konicën, Nolin, Ermenjin dhe Edwin Jacques. Duhet thënë se rreth kësaj ngjarjeje historike jo vetëm që nuk është shkruar sa duhet por edhe në librat tanë të historisë së Shqipërisë, ajo është trajtuar përciptazi. Një mungesë e tillë “vëmendjeje” ka bërë që shpesh herë rreth kësaj ngjarjeje të aludohet edhe në mënyrë të pasaktë dhe abuzive. Por si qëndron e vërteta dhe çfarë dëshmish na sjellin autorët e ndryshëm. Le t’i marrim me radhë atëherë ato.
Autori i parë që na jep të dhëna rreth martesës së Skëndërbeut është Marin Barleti në veprën e tij “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis”, botuar në Venecia në vitin 1508. Në të ai përshkruan disa të dhëna të përgjithëshme rreth martesës së Heroit, shkaqeve që çuan në të, kushteve të saj, duke mos na dhënë datën dhe vendin e celebrimit të saj, si dhe hollësi të tjera. “Skëndërbeu nuk e vonoi dasmën, por e mori menjëherë gruan më shtëpi dhe e ndau gëzimin e zakonshëm me popullin. Princat fqinj dhe pothuaj gjithë bujarët e Epirit, ku qenë e s’qenë, ose muarrë pjesë vetë në atë mbrekulli me një suitë fort të madhe e me dhurata madhështore, ose i dërguan urime ose përfaqësonjë me peshqeshe nga më të bukurat”, shkruan Barleti te historia e tij.1 Ndërkohë që edhe bashkëkohësi dhe bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka, na jep edhe ai të dhëna mbi martesën e Gjergj Kastriotit. Te “Historia e Genealogia della casa Musachia” botuar në vitin 1510, ky autor ndër të tjera shkruan se “Skënderbeu kërkoi për grua vajzën e zotit Arianit Komnen… Kështu u ujdis kjo martesë, dhe Skënderbeu mori për grua zonjën Andronika Komnena, e cila ishtë kushurira ime dhe pastaj mori emrin Skënderbej nga i shoqi.”2
Më pas sipas radhës kronologjike vjen Biemi, i cili në librin e tij “Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbej,” botuar në Breshia të Italisë në vitin 1756, na sjell të dhëna interesante për dasmën e Skënderbeut. Ky autor na jep për herë të parë edhe datën e martesës dhe moshën e çiftit. Në fakt libri nuk është i Biemit, i cili nuk bëri gjë tjetër veçse përktheu nga latinishtja në italisht një tjetër vepër. E titulluar “Historia e Skënderbeut, e botuar prej një shqiptari” (Historia Scanderbegi edita per quendom Albanensem), ajo u botua së pari në Venecia në vitin 1480, dhe konsiderohet ndryshe edhe si historia e Anonimit të Tivarit. Pavarësisht historisë së tij ky libër mbetet për shumë arsye referenca vetme dhe kryesore për martesën e Skënderbeut. Gjithsesi autorësia i mbeti Biemit, i cili midis të tjerave shkruan se “…vitin që pasoi 1451, e kaloi në qetësi dhe shlodhje si kërkesë për gjithë vështirësitë të viteve të shkuara. Ishte gjithashtu një vit memorial për martesen e Skënderbeut me Marinën vajzën e Arianitit si dhe për ndërtimin e kështjellës se Modrizës. Martesa u bë ne datën 26 Prill dhe dhëndrri kishte 48 vjeç, ndërsa nusja 26 vjeçe.3
Këto janë të dhënat nga autorët e vjetër ndërsa nga ata modernë ishte Konica ai që e trajtoi ndër të parët. Në esenë e shkurtër të titulluar “Martesa e Skënderbeut” botuar në një nga numrat e revistës së tij Albania, Faik Konica shkruan se: “Dasma u bë më 26 të Prillit, 1451, Skënderbeu ish 47, e zonja 23 vjetsh. Princët dhe zotërit fqinj erthnë me të shumtët në dasmë, dhe ata që ishin të penguar në dhe të tyre, dërguan zëvendës, të gjithë me kanisqe të bukura. Veç, nuk erthnë princë Dukagjinë, që ishin pas si të ftohët me Skënderbenë, edhe të vëllezërit e nuses, të cilët s’deshnën të venë në dasmë se ishin të zemeruar keq që i ati i kishte dhënë pajë të tepër së motrës tyre!”4
Më pas do të ishte Fan Noli, autori që i kushtoi një vëmendje më të madhe dhe i bëri një pasqyrim më të gjerë martesës së Skënderbeut. Në veprën e tij “Historia e Skëndërbeut”, Noli duke u mbështetur kryesisht te Biemi, shkruan se “Dasma u bë në 26 të prillit 1451, kur Skënderbeu ish 39 vjetsh dhe nusja Marina Andronika 23. Princat aliatë dhe krerët fqinjë ose ardhë vetë, ose dërguan bajlozë për të përgëzuar të martuarit e rinj me dhurata të pasura. Nuk muarën pjesë në këtë gëzim princët e Dukagjinit, të cilët qenë ftohur prapë, dhe vëllezërit e nuses, të cilët qenë zemëruar që i ati i dha motrës së tyre një pajë tepër të madhe.”5
Ndërkohë që historiografia jonë shkruan shumë pak rreth martesës së Skëndërbeut, duke nisur nga libri “Historia e Shqipërisë”, vëllimi i parë i vitit 1959, i cili nuk e trajton këtë ngjarje.6 Kurse në librin “Historia e Popullit Shqiptar”, botim i vitit 2002, për martesën e Heroit jepet vetëm një pasazh i shkurtër: “Luftimet e vitit 1450, për mbrojtjen e Krujës sollën dëme dhe vështirësi të ndryshme, të cilat duheshin kapërcyer… Realizimi i një detyre të tillë kërkonte mbështetjen e gjithanshme të Gjergj Arianitit dhe bashkërenditjen e veprimeve ushtarake me të. Prandaj Skënderbeu forcoi lidhjet më Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën e tij, Donikën, në vitin 1451.7 Po kështu në këtë botim nuk na jepet data dhe muaji në të cilin u krye martesa e Kastriotit por vetëm viti. Ndërsa disa autorë të tjerë të shek. XX, të mbështetur kryesisht te Biemi bëjnë përpjekje dhe e përmendin një fakt të tillë në librat e tyre. Kështu, Abas Ermenjit tek vepra e tij “Vendi që që Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, thekson se “Gjergj Arianiti u afrua dhe dërgoi përsëri ndërmjetës për martesën me të bijën, Donikën, duke i premtuar një pajë më të madhe. Skënderbeu këtë herë s’kishte si ta shtynte për më tutje, dhe martesa u bë më 26 të prillit 1451.”8
Po kështu edhe Edwin Jacques te libri i tij “Shqiptarët”, duke ju referuar Nolit për këtë ngjarje shkruan se: “Gjatë një intervali të lumtur midis fushatave të pandërprera ushtarake, më 26 prill 1451, në katedralen e Krujës, u bë martesa e Skënderbeut tridhjetenëntë vjeçar me Marina Andronikën.”9
.
2
Martesa e Skënderbeut me Donikën ishte hapi që i dha shtytje të mëtejshme luftës shqiptaro-osmane të shek. të XV-të. Studimi dhe trajtimi i plotë i saj na jep një tablo të qartë rreth periudhës dhe zhvillimeve historike, të cilat mbyllën veprimtarinë e Lidhjes së Lezhës për t’i hapur rrugën krijimit të Shtetit të Përqëndruar të Skënderbeut. Në këtë drejtim një nga autorët që na e përshkruan në mënyrë të hollësishme këtë periudhë është natyrisht Fan Noli. Te historia e tij për Heroin, ai na paraqet situatën reale në të cilën ndodhej Shqipëria e vitit 1450, ku Skënderbeu ndodhej në një pozitë të vështirë për shkak se, aleatët e tij në Lidhjen e Lezhës kishin nisur ta refuzonin, në një kohë kur vendi kërcënohej nga fushata e ardhshme e sulltan Muratit të II-të.10
Njëri prej këtyre aleatëve ishte Gjergj Arianiti, për të cilin Noli thekson se “Arianiti i zemëruar që Skënderbeu e shtynte për më tutje martesën me të bijën, refuzoi t’i dërgonte ndihmë. Skënderbeu u përpoq ta zbutte dhe t’ia mbushte kokën që s’mund të bënte dasmë, si humbi Sfetigradin dhe Beratin, dhe kur gjithë ay rrezik i turrej Krujës dhe Shqipërisë; i zotohej që martesa do të bëhej pa vonim, porsa të shkonte furtuna që afrohej, po Arianiti s’deshte të dëgjonte asnjë nga këto arësye: A dhëndër, thoshte, a ska ndihmë.”11 Dhe një qëndrim i tillë ndeshej në kushtet kur Skëndërbeu ishte në një pozitë të vështirë, përpara fillimit të fushatës së sulltan Muratit II, për pushtimin e Shqipërinë. Pra, Skënderbeu “ndodhej midis dy zjarreve”, ku nga njëra anë kërcënohej ushtarakisht prej osmanëve, ndërsa nga ana tjetër ishte braktisja e hapur nga aleati i tij kryesor Gjergj Arianiti.
Po përse Skëndërbeu e kishte refuzuar martesën me Donika Arianitin? Këtë gjë na e shpjegon përsëri Fan Noli. Në analizën që i bën fakteve historike te libri i tij “Historia e Skënderbeut – Mbretit të Shqipërisë 1412-1468,” botuar në Boston në vitin 1921, midis të tjerave ai thekson se “Ngulma e Skëndërbeut për mosmartesë, si do të shohim më vonë, kishte edhe një tjatër shkak me rëndësi kryesore: ishte frika se mos zemërohej nipi i tij Hamza Kastrioti, i cili kishte shpresë t’i zinte këmbën sa kohë Skënderbeu s’kishte bij të tijtë… Duke u martuar, pra, në këtë rasje, e cila pa dyshim s’ishte për dasmë, Skënderbeu do të futte zjarrin në shtëpi të tij. Kështu, pra, martesa u la mënjanë dhe Arianiti mbeti i ftohur dhe i armiqësuar.”12
Kështu shfletimi dhe studimi i kësaj historie na nxjerr në pah karakteristikat e vërteta të shoqërisë feudale të kohës, ku martesat nuk luanin veçse rolin e aleancave politike dhe koalicioneve ushtarake. Edhe fisnikëria shqiptare nuk përjashtohej nga marrëdhënie të tilla, ku funksioni kryesor i martesave dinastike ishte ai politik. Por mund të ndodhte edhe ndryshe që prishja apo mosrealizimi i tyre të sillte edhe mëri, armiqësira, biles edhe konflikte. Të tilla ishin refuzimi i Lek Dukagjinit prej Jerina Dushmanit apo prishja e martesës së Suina Muzakës me Muzakë Topinë. Gjithsesi duhet theksuar se midis Kastriotëve dhe Arianitëve përveç lidhjeve të krushqive, ekzistonte më parë edhe një lidhje martesore e drejtëpërdrejtë.13 E tillë ishte ajo e motrës së Heroit, Angjelinës, e cila ishte martuar me Vladan Arianit Komnenin, vëllain e Gjergj Arianitit. Ndërkohë që pas një refuzimi të gjatë, Skënderbeu, u detyrua së fundmi të martohej kundrejt këmbënguljes dhe qëndrimit imponues të Gjergj Arianitit në njërën anë, por edhe atë të kërkesës së popullit dhe të njerëzve të tij të afërt në anën tjetër. Kështu, populli e shikonte një lidhje të tillë si një aleancë ushtarake që do të ishte e aftë ta mbronte nga atë prej rrezikut të pushtimit osman. Për këtë rast, Barleti, në historinë e tij thekson se “Të gjithë ishin të gëzuar që të dy princat më të fuqishëm të Epirit u lidhën midis tyre me një krushqi të a’tillë, sepse dukej qartë që në të ardhmen fuqitë e tyre të bashkuara kishin për të mbrojtur lehtë nga çdo rrezik e dëm luftës.”14 Ndërsa, po për këtë pikë, Noli, midis të tjerave shkruan se “Shqiptarët ishin të bindur që të mos ngiteshin prej turqve disa vjet dhe kështu nisnë prapë lutjet e krerëve që të martohej Skënderbeu për të lënë një trashëgimtar të froni. Arianiti i kujtoi përsëri zotimin, dhe Skënderbeu s’kishte qysh të shpëtonte këtë herë. Martesa ishte e nevojshme se me këtë shigurohej aleanca me princin më të fortë të Toskërisë, ndihma ushtëriake dhe financiale e të cilit ish e domosdoshme për pasimin e luftës…”15
Nga ana tjetër në lidhje me një martesë të mundshme të Gjergj Kastriotit kemi edhe qëndrimin e krerëve feudalë farefis apo bashkëpuntorë të Skënderbeut, të cilët këmbëngulnin se një hap i tillë do t’i sillte Kastriotit, trashëgimtarin e munguar. Të mos harrojmë se në vitin 1450, kur tratativa të tilla u bënë të fuqishme, Gjergj Kastrioti ishte 45 vjeç dhe e kishte kaluar prej vitesh moshën e martesës. Për këtë rast edhe Barleti e thekson i pari se “Purpurantët dhe princërit farefis nuk e linin Skënderbeun rehat, nga dëshira që kishin për të shtënë në mëndje më tepër kujdesin për çështjet familjare dhe për filizin që duhej t’i zinte vendin…”16 Por Barleti na zbulon edhe shkakun e vërtetë të këmbënguljes dhe insistimit të Gjergj Arianitit rreth kësaj martese. Duket se pak kohë përpara se të realizohej kjo lidhje, ndoshta diku në vitin 1450, Gjergj Kastrioti dhe Gjergj Arianiti kishin përfunduar një marrëveshje, për të realizuar një aleancë të përbashkët antiosmane e cila parashikonte në fazën finale, kurorëzimin e Kastriotit me vajzën e Arianitit. Për këtë Barleti thekson shumë qartë se: “Kastrioti, megjithëse lidhej si me zinxhirë në këtë mes kundër dëshirës së ve, praseprapi, kur merrte parasysh rrethanat me radhë, e gjente të udhës ta bënte atë punë më tepër për nderin dhe dobinë e saj, dhe nuk duhej që ta mohonte përsëri, sepse ua pat dhënë fjalën vitin e kaluar, kur ja kërkonin me aq ngulm. Prandaj nuk nxori asnjë kundërshtim…”17 Kështu martesa aq e pritur dhe aq e përfolur u realizua më në fund në 26 prill të vitit 1451.
Martesa e të bijës me Gjergj Kastriotin ishte një nga sukseset e politikes të Gjergj Arianitit, i cili pas kësaj ngjarje shpejtoi të nënshkruante në qershor 1451, Traktatin e Aleances me Alfonsin V të Napolit.”18 “Gjithashtu të dy palët kanë rënë në ujdi që qysh nga Berati duke përfshire Greqi e Myzeqe deri tek një lumë që quhet Devoll (Seman), t’i jepen madhërise së tij (Alfonsit) dhe vendi përtej Devollit t’i jepet Arianitit,” shkruhet në një pasazh të saj. Pra kjo dispozitë e traktatit do të zbatohej pas çlirimit të Beratit, Myzeqesë dhe vendeve të tjera me forca të përbashkëta. Pasi të arrihej kjo gjë, fushën në jug të Semanit (Myzeqenë e Vogël) do ta merrte Alfonsi ndërsa fushën në veri të tij, Gjergj Arianiti, i cili e kishte zotëruar disa herë atë.
.
3
Por ku u zhvillua martesa e Skënderbeut?!
Kjo është një pyetje të cilës deri më sot askush nuk mund të na japë një përgjigje bindëse, qoftë nga autorët e vjetër apo edhe ata bashkëkohorë. Një gjë e tillë ndodh për shkak të mungesës së dokumenteve të shkruara. Aludohet që dasma në shtëpinë e nuses u zhvillua në Kaninë, atje ku Gjergj Arianiti kishte selinë megjithëse të dhënat dokumentare nuk e pohojnë një gjë të tillë. Ndërkohë që legjendat dhe gojëdhanat popullore na dëshmojnë të kundërtën. Kështu toponime të tilla si, “Ara Skënderbeje” dhe “Vaja Skënderbej”, të dokumetuara në vitin 1960, në fshatin Penkovë të Vlorës, dëshmojnë për një udhëtim të Skënderbeut drejt Kaninës.19
“Skënderbeu, kur u martua me Marinën, të bijën e Aranitit, princit të Himarës, nga një në çdo fshat, shkuan krushq me shumë peshqeshe me varkë për deti e duallnë në skelën e Kaninës dhe gjithë bashkë shpunë nusen e Skënderbeut në Krujë,’’ thuhet në një gojëdhanë të gjetur nga etnografët në vitin 1950, në Qeparo.20 Po kështu gojdhana e celebrimit të martesës së Skënderbeut është ruajtur edhe nga komuniteti i murgjëve në Manastirin e Ardenicës, dëshmitë verbale të të cilëve u bënë publike gjatë shek. XX. Ishin një sërë autorësh si: Gjergj Haxhimihali, Lorenzoni, Llukë Karafili dhe Irene Banushi, të cilët përmendin në shkrimet e tyre kurorëzimin e Skënderbeut dhe Donikës në altarin e kishës së këtij manastiri.21 Sipas tyre, çifti mbërriti në këtë Manastir pas dasmës së zhvilluar në Kaninë, në 21 prill 1451. Ata shoqëroheshin nga princat shqiptarë, njerëz të familjes, ambasadorët e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Venedikut. Ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 Prill 1451, i drejtuar nga peshkopi i Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodhej edhe manastiri i Ardenicës.
Gjithsesi martesa e Skënderbeut shënoi një pikë kthese në zhvillimet e Luftës Shqiptaro-Osmane të shek. të XV-të. I liruar nga presioni i turk, i forcuar nga aleanca me Gjergj Arianitin dhe me një tjetër prestigj tashmë, ai nisi goditjen ndaj partikularizmit të krerëve aleatë të Lidhjes. Si kryekomandant i saj, Skënderbeu, “ju vu punës” për krijimin e një shteti të përqëndruar, i cili megjithë problemet që hasi dhe situatat që kaloi, funksionoi deri në momentin kur Heroi vdiq në 17 janar të vitit 1468. Ndërkohë që kjo ngjarje pati edhe rrjedhojat e saj, të cilat ishin të pritshme dhe nuk vonuan.
Ndërsa pas tre vjetësh, martesa i solli Skënderbeut atë që dikur Barleti e quante si: “filizin që duhej t’i zinte vendin.”22
Lindja e Gjonit të Ri, i cili sipas traditës mori emrin e gjyshit solli të tjera ngjarje. “Duke u martuar Skënderbeu do të fuste zjarrin në shtëpi të tij…”23 theksonte Noli në historinë e tij. Dhe pikërisht në vitin 1457, Hamzai, nipi dhe njëri prej bashkëpuntorëve të tij të ngushtë, tradhtoi. I mbetur pa trashëgimninë e Kastriotëve, atij si ushtarak nuk i mbeti gjë tjetër veçse të bënte atë që kishtë bërë më mirë në jetën e vet. Të merrte armët dhe t’i drejtonte ato kundër të ungjit.
“Kjo vetëm më mbetej, të luftoj kundër gjakut tim!24 – deklaroi pas kësaj ngjarje Skënderbeu sipas Nolit. Ndërsa Biemi në këtë rast shkruan për Heroin se: “Qau akuzuar më tepër fatkeqësinë në njerëzit e tij më të dashur, sesa pabesinë e nipit!”25
Ky ishte epilogu i kësaj martese të “parandjerë” nga Skënderbeu.
Gjithsesi këto zhvillime nuk e zbehin rëndësinë e saj të cilës në të ardhmen i duhet lështuar më shumë vëmendje nga historiografia.
.
Referencat
1.Marin Barleti, Histori e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, përkthyer nga Stefan I. Prifti, Universiteti Shtetëror i Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1967, F. 294.
2.Kronika e Gjon Muzakës, shih te Pëllumb Xhufi, “Nga Paleologët te Muzakajt”, SH. B. 55,. Tiranë 2009, f. 418-419.
3.Giovanni Maria Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, G. M. Rizzardi. Brescia 1756, f. 285-përkthimi Etnor Canaj.
4.Faik Konica, “Martesa e Skënderbeut”, “Albania”, nr. 10, 30 të tetorit 1899.
5.Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut – Mbretit të Shqipërisë 1412-1468, Boston 1921. Shiko te Noli, Vepra IV, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë 1989, f. 147-148.
6.Selim Islami-Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, Universiteti Shtetëror i Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1959.
7.Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar, I, Akademia e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Historisë, Toena, Tiranë 2002, f. 415-416.
8.Abas Ermenji, Vendi që që Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë, Çabej, Tiranë 1996, f. 52.
9.Edwin Jacques, Shqiptarët, Kartë e Pendë, Tiranë 1998, f. 210.
10.Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut-Mbretit të Shqipërisë 1412-1468, Boston 1921. Shiko te Noli, Vepra IV, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë 1989, f. 134.
11.Po aty, f. 134.
12.Po aty, f. 134.
13.Kronika e Gjon Muzakës, shih te Pëllumb Xhufi, “Nga Paleologët te Muzakajt’’, SH. B. 55,. Tiranë 2009, f. 447.
14.Marin Barleti, Histori e jetës dhe e veprave të Skëndërbeut, përkthyer nga Stefan I. Prifti, Universiteti Shtetëror i Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1967, f. 294.
15.Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut – Mbretit të Shqipërisë 1412-1468, Boston 1921. Shiko te Noli, Vepra IV, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Historisë, Tiranë 1989, f. 146.
16.Marin Barleti, Histori e jetës dhe e veprave të Skëndërbeut, përkthyer nga Stefan I. Prifti, Universiteti Shtetëror i Tiranës – Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1967, f. 293.
17.Po aty, f. 293-294.
18.Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë, vëll II, Tiranë 1962, f. 308-310.
19.Epika Historike, 1, Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë-Instituti i Kulturës Popullore, TIranë 1983, f. 133-134.
20.Po aty, f. 138.
21.Ilirjan Gjika, A është martuar Skënderbeu në Ardenicë, Gazeta DITA, dt 23 shkurt 2018.
22.Marin Barleti, Histori e jetës dhe e veprave të Skëndërbeut, përkthyer nga Stefan I. Prifti, Universiteti Shtetëror i Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1967, f. 293.
23.Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut – Mbretit të Shqipërisë 1412-1468, Boston 1921. Shiko te Noli, Vepra IV, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë 1989, f. 134.
24.Po aty, f. 264.
25.Gianmaria Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto Scander-Begh, Giambattista Bosino, Brescia, 1742, f. 352.
Ilirjan GJIKA
Adresa: Lagja: “8 Shkurti”, Rruga: “Mujo Ulqinaku”, Pallati: 64, H:2, Ap:6
Fier/Shqiperi – Tel: 069 88 840 35
.