back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shkodra e Shqipërisë – nga Antonio Baldacci – Përkthimi në shqip Gino Luka

Gazeta

Panoramë, Shkodra
Panoramë, Shkodra

Shkodra e Shqipërisë

nga Antonio Baldacci

Përkthimi në shqip Gino Luka

Antonio Baldacci (Bologna, 1867-1950), autori i artikullit në vijim “Shkodra e Shqipërisë”,
ka qenë një botanist italian dhe gjeograf, specialist i studimeve etnografike,
politike dhe socio-ekonomike. Që nga viti 1925,
Baldacci u interesua kryesisht për Shqipërinë,
jo vetëm duke u marrë me studime dhe botime të pavarura por,që nga viti 1928,
bashkëpunoi me institucionet lokale në fushën shkencore dhe politike.
Nga viti 1931, deri në vitin 1939, ka qenë konsull i përgjithshëm nderi i Shqipërisë në Bologna;
në vitin 1942, mori pjesë në Këshillin administrativ të drejtorëve të
Qendrës Studimore të Shqipërisë pranë Akademisë Italiane. Deri në vitin 1943,
ka qenë anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë
dhe Këshilltar kulturor i Luogotenencës së Përgjithshme në Shqipëri.
Ka lënë rreth 250 botime, përfshirë artikujt e botuar në revista dhe në vepra të ndryshme:
ndër më kryesoret janë Itinerari albanesi (Itineraret shqiptare), Romë,
Shoqëria Gjeografike Italiane, 1917; L’Albania (Shqipëria), Roma,
Instituti për Evropën Lindore, 1929; Scritti Adriatici I (Shkrimet Adriatike I), Bologna,
Kompozitorët, 1943, bocat e veprës së papublikuar
“Leonardo da Vinci e il mondo delle piante” (Leonardo da Vinçi dhe bota e bimëve).
Nga Baldacci kemi trashëguar gjithashtu një arkiv shumë të pasur
dhe bibliotekën e tij personale, që ruhet në Bibliotekën publike në Archiginnasio di Bologna,
dhe natyrisht koleksionet e bimëve që gjenden në muzetë e Italisë dhe të huaj.
.
Antonio Baldacci (1867-1950)
Antonio Baldacci (1867-1950)

Shkodra e Shqipërisë – pjesa e parë

nga Antonia Baldacci

Shkodra, ka qenë padyshim ndër shekuj, një qytet shumë i lashtë ilir, një qendër e populluar dhe e pasur qysh nga parahistoria, jo vetëm për sa i përket rrethinave afër liqenit, por edhe në të gjithë rajonin kryeqytet i të cilit ka qenë.
Pra, Shkodra ka lulëzuar më shumë se Lezha (Lissus) dhe Duklja (Doclea, Shtet mesjetar serb) gjatë një periudhe, mjaft të gjatë, që përfshin qytetërimin e lashtë. Ka qenë qyteti i parë që gjendet afër Drinit dhe qyteti i dytë romak, i njohur në krahun e kundërt të liqenit, nga ku derdhet Morava.
.
Shkodra, Kafja e Madhe
Shkodra, Kafja e Madhe
Emri i lashtë u ka mbetur shqiptarëve të sotëm që vazhdojnë ta quajnë Shkodra (Scodra) si paraardhësit e tyre të largët që Homeri i njihte si γίγαντες, gjigantët dhe që janë gegët e sotëm: Shkodra ka mbetur kryeqendra e Gegënisë shqiptare dhe e vilajetit homonim. Duke u nisur nga emri Shkodra, sllavët e quajtën Skadar dhe italianët Scutari. Turqit e vazhdojnë ta quajnë atë me emrin ilir.
Qyteti ngrihet në skajin verior të rajonit detar shqiptar dhe sot gjendet madhështor dy kilometra larg liqenit; nga ku nisen edhe rrugët e rëndësishme që çojnë drejt Danubit, Adriatikut, Jonit dhe Egjeut që njohën tregtitë me vendet më të largëta; me ilirët, fenikasit, grekët, romakët e bizantinët.
Shkodra, qyteti i parë i Lindjes që ndeshet duke shkuar nga Italia, ka ruajtur krejt një fizionomi bizantine-turke në veçorinë e saj përgjithësisht gege. Fillimisht duket si shumë e çuditshme, me kopshte të shumtë dhe të mëdhenj të rrethuar me mure të larta, me rrugë pa njerëz dhe me ndërtesat e shpërndara në mënyrë jo uniforme. Mund të thuhet se i huaji nuk e ka gjetur ende qytetin, kur ka kohë që ka hyrë brenda perimetrit të qytetit. Kur hyjmë në Shkodër gjatë ditës kemi një përshtypje krejtësisht të ndryshme në krahasim me atë kur hyjmë natën.
Në errësirën e thellë të natës pa yje, kemi një ndjenjë emocionuese dhe fantastike, ndërsa e ndriçuar nga hëna e argjendtë, Shkodra tregon nuancat e saj më të përsosura orientale. Nga rrugët dredha-dredha dhe rrugicat, të heshtura dhe të errëta, dalim në rrugë të gjera e gjallërisht të bardha nga drita e hënës, në të cilat dëgjohet jehona e hapave me ritmin e ecjes së kuajve, së bashku me hijet e çuditshme që projektohen në të gjithë atë bardhësi.
Ndonjë kafe e hapur ku luhet bilardo, përfaqëson jetën që shihet jashtë shtëpive plotësisht të mbyllura, të paarritshme nga shikimet profane. Pas mureve të larta të kopshteve dhe të oborreve zbulohen kostume të panjohura që të sjellin ndërmend butësinë orientale. Qentë hungërojnë, duke turbulluar vetëm heshtjen sovrane. Dita është diçka tjetër: i gjithë qyteti duket sikur ka dalë në rrugë. Burra dhe gra – sigurisht, edhe gratë myslimane – ushtari, prifti e frati madje edhe hoxha turk: të gjithë kanë diçka për të bërë.

.

Panoramë, Shkodra
Panoramë, Shkodra
Për të parë Shkodrën duhet të ngjitemi në Tarabosh ose në Kodrën e Rozafës, e cila çon në kështjellën e lashtë që ka njohur ata që ishin sundimtarët e qytetit dhe, bashkë me qytetin, edhe të rajonit.
Nga Rozafa shpaloset një pamje e mrekullueshme e qytetit të paanë dhe të populluar, lagjet periferike si Bahçalleku, Tabake, Pazari dhe, matanë urës, lagja e magjypëve. Kupolat e xhamive të Shkodrës me njëzet minaret e tyre, ndërtesa ushtarake, shtëpi dhe shtëpiza që përbëjnë qytetin e pafund, gjelbërimi i pasur i fushës kënetore, amfiteatri i maleve që mbivendosen dhe Alpet e mrekullueshme e të frikshme shqiptare, që prej brigjeve të Kirit e të Drinit, shtrihen në anën tjetër në çdo drejtim kah Mali i Zi. Liqeni i paanë vezullues nën rrezet e diellit dhe ujërat e argjendta të lumenjve, ofrojnë një pamje madhështore që me të vërtetë meriton të admirohet.
Sipas Hahn etimologjia e emrit Scodra e ka prejardhjen nga fjala shqipe kodve (kodër), domethënë kodra e rrëpirët që ngrihet nga mesi i fushës dhe që mban përsipër kështjellën, e cila padyshim ka qenë bërthama e parë e qytetit, kur terreni aluvional u depozitua në shumë e shumë shekuj me radhë, kur Shkodra e sotme ende nuk ekzistonte, dhe liqeni i Shkodrës nuk ishte asgjë tjetër përveçse një gji i pamasë moçalor i Adriatikut e shtrihej ndërmjet kepit të Shëngjinit dhe Kepit të Rodonit.
Në mes të këtij harku gjendej një arkipelag i vogël ishujsh gëlqerorë, të cilët sot shquhen si kodra nga formimet aluvionale ndërmjet Bunës dhe Drinit, nga të cilat qyteti i Shkodrës ishte një nga më të vegjlit, por në një pozicion më të mirë pranë Alpeve e përballë detit, për mbrojtjen e rajonit dhe zhvillimin e tregtisë.
Mendimi se Shkodra e lashtë ishte e ndërtuar në Kodrën e Rozafës është vërtetuar nga njëqind shembuj të tjerë të vendeve të rëndësishme në historinë e rajonit, ai që më vonë ishte Labeatium dhe që Roma filloi ta nënshtrojë, pas disfatës së Gentit, 168 vjet para Krishtit.
.
Shkodra - Urë mbi Bunë
Shkodra – Urë mbi Bunë
Para kësaj kohe, Shkodra ka qenë një qytet grek, i fortë dhe i pasur, që ruante pavarësinë e saj ekonomike dhe politike; edhe pse Iliria duket se brenda historisë së qytetërimit nuk kishte hyrë veçse si emër. Shkrimtarët e kohës e konsideronin Ilirinë një vend të egër dhe ilirët, të cilët konsideroheshin nga antikët si një racë krejt e ndryshme nga të tjerat në gadishull, gëzonin reputacionin e barbarëve; ata, gjithashtu, sipas zakonit të Trakëve, pikturonin trupat e tyre dhe bënin fli (thernin njerëz për nder të hyjnive).
Kështjella pati një rëndësi të konsiderueshme edhe nën mbretërinë serbe. Një legjendë serbe gjithashtu ia atribuon rindërtimin e saj Mbretit Vukashin dhe dy vëllezërve të tij. Sigurisht, kalaja ishte dëmtuar gjatë periudhës së rënies së Perandorisë Romake.
Meqë serbët u vendosën mbi rrënojat e Oppidum civium Romanorum (siç e quanin historianët romakë për antonomazi Shkodrën), e meqë ishin të bindur për pozicionin shumë të fortë dhe strategjik që ofronte kodra për të mbrojtur Zentën (Senta, Serbi, Provinca autonome e Vojvodinës) bashkë me rajonin e liqenit të Shkodrës, rindërtuan kështjellën.
Sipas legjendës puna e mbretit serb u sabotua për disa vite me radhë nga një Orë e zezë që vinte nga malet për të shkatërruar gjatë natës atë që vëllezërit kishin ndërtuar gjatë ditës. Pas një kohe të gjatë e pas shumë lutjesh, Ora më në fund e lejoi mbretin dhe vëllezërit e tij që së bashku me punëtorët ta përfundonin punën, por me kusht që të tre vëllezërit të angazhoheshin për të sakrifikuar në themele gruan e parë të njërit nga vëllezërit, atë që do të vinte për t’i sjellë atyre bukën.
Këngët sllave dhe shqiptare e përshkruajnë kështu fatin e gruas fatkeqe të Goikos, njërit nga vëllezërit e Vukashinit, të cilës i takoi fati barbar që Ora i kishte caktuar.
Në fakt legjenda dhe historia e kanë zanafillën në kohën kur u vunë themelet e shtëpive të para të qytetit të Shkodrës, në rrëzë të kalasë.
.
Kalaja e Shkodrës 1877, Biblioteca Ambrosiana, Firenze.
Kalaja e Shkodrës 1877, Biblioteca Ambrosiana, Firenze.
Pas shuarjes së familjes Balsha, banorët e Shkodrës me dëshirën e tyre i kërkuan mbrojtje Venedikut: në vitin 1474 ata përballuan për herë të parë sulmin e ushtrisë turke që udhëhiqej nga Sulejman pasha. Mbrojtja heroike e Antonio Loredano-s u përjetësua në pikturën e Veronese-s që zbukuron dhomën e Këshillit të Madh në Venecia dhe që ka diçiturën e mëposhtme: “Scodra, bellico omni apparatu diu vehementerque a turco oppugnata, a cerrima propugnatione retinetur”. (Shkodra, e sulmuar me ngulm nga turqit me gjithfarësoj armësh, e përballon rrethimin e egër, heroikisht.)
Sulltani e rifilloi ofensivën në fillim të qershorit 1478, me një ushtri më të madhe se më parë: kalorësia kishte marrë urdhër që të bënte tym e flakë katundet, ndërsa trupat e këmbësorisë, së bashku me katër mijë jeniçerë, që iu shtuan në mesin e qershorit, kishin detyrë rrethimin e qytetit.
Thuhet se dhjetë mijë deve transportonin municionin dhe topat për trupat e ushtrisë turke. Mbrojtja e të rrethuarve ishte nën drejtimin e Antonio di Lezze. Zjarri filloi më 22 qershor, por rrethimi vazhdoi deri në janar të vitit 1479, derisa arriti shpallja e traktatit që ishte firmosur ndërmjet Portës dhe Republikës me urdhër për t’ia dorëzuar kështjellën trupave osmane.
Mbrojtësve u dha mundësia të tërhiqeshin duke ruajtur nderin e armëve. Kur Antonio di Lezze u largua, duke e lënë kështjellën që kishte mbrojtur në mënyrë heroike, nuk kishte me vete veç 450 burra dhe 150 gra që e ndoqën atë në Venecia duke marrë me vete reliket, enët e shenjta, artilerinë dhe atë që kishte mbetur nga pasuria e tyre. Historiani Hammer meriton të përmendet për historinë që përshkruan. Kjo faqe e rëndësishme, por pak e njohur e lavdisë së Venedikut duhet t’i bëjë të mendohen italianët.
.
Paolo Veronese - Siege of Shkodra
Paolo Veronese – Siege of Shkodra
Pas largimit të Antonio di Lezze, mbetën muret e kështjellës për të demonstruar aftësitë e punëtorëve dhe të ushtarëve të Republikës që përshtatën për mbrojtje njërën nga fortesat më të fuqishme, kundër së cilës pa shpresë u përplasën furia dhe forca e gjysmëhënës. Por Luani i Shën Markut që rrinte duke ruajtur mbi derën kryesore u zhduk nën goditjet e kazmës së turqve dhe asnjë kujtim, megjithëse shumë e kam kërkuar, nuk ka mbetur nga emblema e fundit e Serenissima-s. Degrand, i cili vizitoi kështjellën pesëmbëdhjetë vjet më parë, shkruan:
“Kisha që ka mbetur është transformuar në xhami; rrufeja, kohë pas kohe e ka goditur dhe rrëzuar minaren; turqit superstiozë e kanë braktisur dhe e kanë transformuar në një magazinë, hekurat e bukur të punuar me teknikën e ferobatutit venecian zbukurojnë akoma njërën nga dritaret e saj. A i ishte kushtuar Shën Lazrit apo Shën Shtjefnit, patronit të Shkodrës? Askush nuk e di; nuk ka mbetur më asgjë tjetër për të parë në këtë vend ku ditë ankthi janë jetuar: ndoshta, ndonjëherë, nën atë tokë të mbuluar me bar të dendur me siguri mund të gjejmë kujtime interesante…”
“Guvernatorët, duke mos i besuar shqiptarëve në përgjithësi, kanë jetuar për shumë vite në kështjellë ku edhe kanë kryer shërbimet e tyre administrative; të rrethuar nga trupat ushtarake dhe me topat e drejtuar nga qyteti. Nuk ka mbetur asgjë tjetër në fortesë përveç të dënuarve në pritje të momentit kur ata do të dërgohen në internim, dhe të ushtarëve që unë i pashë duke shërbyer pa entuziazëm e që zbatonin rregulloret e ligjet e kohës…”.
Edhe sot, pas mureve të larta të kopshteve, mund të kuptohet mirëqenia e popullsisë, megjithëse e zvogëluar. Në të kaluarën Shkodra ka qenë gjithashtu e pasur dhe e begatë dhe sidomos trafiqet me Venedikun e kishin ngritur atë në një nivel të lartë ekonomik. Nga kjo madhështi e kaluar, kemi sot një provë të dukshme në pazar, për të cilin specialistët na sigurojnë se është shumë interesant.
.
Antonio Baldacci - Albania
Antonio Baldacci – Albania


Pazari i Shkodrës gjendet rreth tre kilometra larg qytetit në drejtim të Vardarit të Bunës dhe Liqenit, në këmbët e kodrës, ku gjendet kështjella: ka një rrugë kryesore dhe disa anësore me një labirint rrugësh të ngushta dhe një rrjet rrugicash që në kohën e fryrjes së ujërave të liqenit mbeten të përmbytura.
Në pazar, zhvillohet jeta tregtare e qytetit dhe e zonës malore të Shkodrës, të cilën shqiptarët e quajnë Malësi. Vëzhguesi ka material të pashtershëm për studimet e tij sepse Shkodra bën pjesë me të vërtetë me Lindjen për sa u përket kostumeve shumë të larmishme të fiseve të saj, dhe tregtari e gjen të gjithë jetën tregtare të Lindjes të përqendruar në këtë pazar.
I huaji që viziton pazarin të mërkurën, ditën e tregut, kupton se interesi është i dukshëm, por këtë ditë shumë të mbushur me njerëz dhe plot gjallëri këshillohet të bëjmë vetëm vëzhgime, ndërsa ditët e tjera, më të qeta, mund të shërbejnë për blerjet e produkteve origjinale të vendit. Disa prej këtyre produkteve janë të veçanta e interesante, si punimet e arit dhe të argjendit, ato janë shumë antike dhe meritojnë një konsideratë artistike të lartë.
Dyqanxhitë e kalojnë gjithë ditën në pazar, nga mëngjesi deri në darkë, derisa të kthehen në qytet, ku banojnë me familjet e tyre. Natën, pazari lihet në dorë të ushtarëve që e kanë vendrojën e tyre te porti, afër doganës dhe urës. Për më tepër, edhe nëse dikush ka dëshirë të qëndrojë, asnjë ngrehinë nuk mund të banohet në pazar sepse, duke qenë pothuajse të gjitha ndërtesat prej druri, shkëndija më e vogël mund të zhvillojë një zjarr që do të shkaktonte dëme të pallogaritshme. Në ato ndërtesa nuk ka asnjë rehati as nga ata edhe më të thjeshtat për shijet lokale.
Të zotët e vërtetë të pazarit janë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë; ato pak tregtarë të huaj, italianë, austriakë, malazezë dhe grekë i kanë dyqanet e tyre në qytet. Në përgjithësi, shkodranët janë pasardhës të familjeve që kanë ardhur në kohët e shkuara nga çdo pjesë e malësisë gege ose të Zadrimës në kërkim të fatit ose për t’i shpëtuar hakmarrjes ose janë rezultat i emigrimit mysliman nga Mali i Zi, veçanërisht nga provincat që turqit u detyruan të braktisnin e t’ua linin gradualisht Petroviçëve pas luftërave kundër atij vendi: jo pak prej tyre e kanë prejardhjen nga familjet e zyrtarëve dhe të ushtarakëve osmanë.
Një numër i vogël i familjeve janë hebrenj, ka edhe pak arabë; numrat që bien në sy më shumë janë italianët, austriakët dhe grekët: megjithëse pas shumë kohësh familjet malazeze, nënshtetas ose jo të qeverisë së Cetinës, mbajnë vendin e parë, menjëherë pas popullsisë shqiptare.
Studiuesit që do të mund të jenë në gjendje të bëjnë kërkime nëpërmjet traditave, pa dyshim do të gjejnë edhe në Shkodër dhe në rrethina, ashtu si në pjesën tjetër të Malësisë, shumë pasardhës të atyre familjeve që Roma pati dërguar dikur si kolonë në Ilirinë e pushtuar dhe që ende mbijetojnë sot në numër të madh në Shqipërinë qendrore dhe në Epir.
Shkodra e Shqipnisë
Shkodra e Shqipnisë

Shkodra e Shqipërisë – pjesa e dytë

Cila është popullsia e Shkodrës nuk dihet mirë. Statistikat në Turqi gjithmonë kanë një vlerë shumë të vagëlluar. Dhjetë vjet më parë kam sinjalizuar, sipas dokumenteve zyrtare, 40 mijë banorë, shifër kjo e rrumbullakuar, përveç 17 mijë banorëve në rrethina (i). Sipas llogaritjeve të tjera qyteti i Shkodrës do të numëronte një popullsi prej 80 mijë banorësh, nga të cilët 62 mijë shqiptarë myslimanë, 16 mijë katolikë shqiptarë dhe 2 mijë të tjerë me kombësi të ndryshme (2). Barbarich (3), që kishte në dispozicion shumë materiale krahasuese, ka dhënë këto shifra 25.800 myslimanë, 14 mijë katolikë dhe 4 mijë ortodoksë. Ai po ashtu jep 12 mëhalla myslimane dhe 2 katolike, 4700 shtëpi, 40 xhami, 12 kisha, 1500 dyqane, këto shifra janë pothuajse të barabarta me ato të miat, të dhjetë viteve më parë.
Pesëdhjetë vjet më parë, Boué, studiuesi i madh i vendeve të Turqisë së Evropës, ka shkruar për Shkodrën ashtu siç mund të shkruhet sot (4). Oborri i shtëpive ka një derë të vendosur më së shumti në sfond, dhe në mure shpesh gjenden frëngji për të gjuajtur në rast rrethimi. Çdo qytet shqiptar, ashtu si shtëpitë e çdo fshati gjithmonë presin se mund të sulmohen dhe, për rrjedhojë, duhet të jenë të gatshëm për mbrojtje. Dikur dyert ishin edhe prej hekuri; sot ato janë kryesisht prej druri, të rënda dhe shumë të fuqishme.
Të gjitha rrugët që gjenden përbri kopshteve të lagjes lindore janë të gjera dhe ndër skaje kanë diga për të parandaluar përmbytjet e Kirit. Shkodra ka fatkeqësinë e përmbytjeve. Kur shiu bie me rrëshekë – gjë që nga vjeshta deri në pranverë në pellgun e Liqenit të Shkodrës ndodh shpesh – Kiri ose liqeni, ose të dy së bashku të fryrë, kërcënojnë përmbytjen e qytetit; qarkullimi, atëherë, duhet të bëhet me barka.
Kopshtet e Shkodrës janë me nam. Toka është e shkëlqyer për rritjen e pemëve frutore dhe të perimeve; edhe portokallet dhe limonët rriten mirë direkt në tokë. Një veçori e prodhimit të frutave paraqitet nga shega, që në Shkodër ashtu si në Bari dhe gjetkë, prodhon fruta jashtëzakonisht të mëdha dhe të ëmbla.
Qytetet myslimane janë karakteristike për varrezat turke: në Shkodër ekzistojnë rreth pesëmbëdhjetë dhe secila prej tyre mbrohet nga një xhami dhe nga pemë të mëdha, çinarë. Të gjithë kopshtet, oborret, varrezat me tufat e pemëve aty e këtu, gjelbërimi midis bardhësisë së shtëpive dhe mureve, i jep Shkodrës pamjen e një fshati gjigant, më shumë se sa të një qyteti, ashtu siç e përfytyrojmë ne qytetin në kuptimin perëndimor.
.
Shkodra - Peshkatarët e Bunës
Shkodra – Peshkatarët e Bunës

.

Pjesa lindore e Shkodrës është më e shëndetshme, ndërsa afërsia e liqenit, kënetave të Bunës dhe tregu i peshkut e bëjnë lagjen e pazarit të rrezikshme për shkak të etheve. Në pjesën lindore edhe uji është më i mirë dhe më i pastër e më i freskët se sa ai i vendeve afër liqenit dhe lumit.
Shkodra ishte dhe është një nyjë me rëndësi të madhe rrugore, veçanërisht për komunikimet ndërmjet vendeve të Adriatikut dhe Turqisë në drejtim të luginës së sipërme të Vardarit, pra drejt Kosovës dhe Maqedonisë. Në shumë projekte për hekurudhën danubiano-adriatike, mendohet se kjo arterie e rendit të parë duhet të kalojë kryesisht nëpërmjet Shkodrës, duke e çuar atë deri në Shëngjin, i cili do të bëhej stacioni qendror i hekurudhës, duke ndërtuar pastaj një degë ndërlidhjeje me Barin (Tivarin) për të kënaqur nevojat e Malit të Zi. Në antikitetin romak duket se Shkodra ishte e bashkuar me Italinë me të njëjtat komunikime që i shërbenin Apollonisë (Fierit) dhe Durrësit, të cilat, duke u nisur nga Puglia, vazhdonin pak a shumë si sot të njëjtën rrugë komunikacionesh të shoqërisë “Puglia” të Barit.
Nga Shkodra niseshin rrugët dytësore, prej të cilave edhe sot ka gjurmë, në drejtim të luginës së lartë të Drinit nga njëra anë dhe për në Moravia nga tjetra: siç dihet, arteria kryesore transversale përfaqësohej nga Via Egnatia në të cilën kryqëzoheshin rrugët që vinin nga Labeatium, d.m.th. nga Doclea (Duklja, Mali i Zi) dhe Shkodra (Scutari). Në Mesjetë rrugët e komunikacionit ilire u ruajtën dhe u përmirësuan nga serbët dhe më vonë nga Venedikasit. Nën turqit ata erdhën duke humbur shumë, si për sa i përket shpejtësisë ashtu edhe cilësisë, ndërkohë që mbetën të përshtatshme për tregtinë me karvanë, që është tregtia me anën e kafshëve: turqit nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë të njohur për ndërtimin e për mbajtjen e rrugëve funksionale.
.
Vapori Neptun - në Liqenin e Shkodrës
Vapori Neptun – në Liqenin e Shkodrës
Rruga e vjetër romake nga Shkodra në veri-perëndim deri në luginën e Zetës (Zeta, Principatë në kufi me Shkodrën), që është bërë e pa praktikueshme në kohën kur Mali i Zi mbajti kufijtë e vet të mbyllur drejt Turqisë, tani është një arterie e mrekullueshme e shërbyer së pari me rrugë ujore, me anijet italo-malazeze të liqenit të Shkodrës dhe më pas me rrugë tokësore, me makinat postare të Malit të Zi.
Kjo rrugë, siç ishte në kohë të Romës, së shpejti do të vazhdojë – sipas projekteve malazeze të rrugëve – për Tara (Serbi) dhe Hercegovinë në një drejtim dhe për Risanon (Risan, Mali i Zi) sipas drejtimit tjetër. Një arterie shumë popullore është ajo bregdetare që nga Shkodra kthehet mbi Durrës dhe pastaj shkon drejt Maqedonisë, por kjo rrugë nuk është veçse vazhdimi i asaj të mëparshmes, sepse në kohët romake, ajo vinte nga Dalmacia dhe shkonte duke i rënë rreth e qark Grykës së Kotorrit, ngjitej nga Risano në Mal të Zi, nga ku zbriste në Liqenin e Shkodërs për t’u bashkuar me rrugën e famshme Egnatia.
Komunikimet detare të sotme me Shkodrën mbahen në sajë të flamurit austro-hungarez, flamurit italian dhe flamurit malazez. Mund të thuhet se edhe tregtia bregdetare shqiptare deri në Liqenin e Shkodrës është e privilegjuar e në duart e Austrisë, për sa i përket shërbimit të shkëlqyer që Lloyd bën nga Trieste në drejtim të të gjitha porteve të bregdetit dalmato-shqiptar. Asnjë shoqëri kombëtare ose e huaj nuk mund të konkurrojë me Lloyd-in sepse qeveria austriake subvencionon me forcë linjat e transportit ujor dhe i shpërblen prodhuesit me qëllimin kryesor që ka për të siguruar gjithnjë e më shumë tregtinë e saj madje edhe duke u sakrifikuar mbi bazën e veprimit të saj politik.
.

Shkodër - Kishë e lashtë, sot është xhami. Në gjuhën shqipe quhet Xhamia e plumbit, sepse të gjitha kupolat janë të mbuluara me plumb
Shkodër – Kishë e lashtë, sot është xhami. Në gjuhën shqipe quhet Xhamia e plumbit, sepse të gjitha kupolat janë të mbuluara me plumb
Austria eksporton në Shkodër: sheqer, kafe, oriz, dru, alkool, mobilie, pëlhura të leshta, birrë, letër, lëkurë, shkrepëse, xhama, hekur të smaltuar, hekurishte, tjegulla dhe tulla, produkte mjekësore etj. Italia dërgon në sasi me të vogla: miell, vaj, produkte ushqimore, venë, pëlhura pambuku, lëkurë, pije, enë prej argjile, dhe vetëm herë pas here oriz dhe kafe nga Gjenova. Anglia importon pambuk të bardhë dhe me ngjyrë, hekurishte, produkte xhami. Franca: sapun, miell, artikuj mode dhe tjegulla marsejeze. Greqia: sapun, venë, konjak, tjegulla, tulla dhe disa sasi të vogla produktesh pambuku.
Turqia dërgon në Shkodër: drithëra, manifakturë pambuku dhe leshi, kinkaleri, mallra të përziera gjermane, franceze dhe italiane, të blera në Kostandinopojë dhe Selanik, që tregtarët e atyre qyteteve i porosisin me shumicë në fabrikat e huaja, pastaj i rishesin me parti të vogla malli e me kredi. Shkodra eksporton në Austri: vaj, lëkurë, lesh, qymyr, shqeme, skotan (variant i shqemes), etj.
Shkodra eksporton në Itali: vaj, dru zjarri, traversa e kuaj. Porti i Shkodrës është Shëngjini, i cili është larg nga kryeqendra tetë ose dhjetë orë me kalë sipas rrugës dhe sezonit dhe rreth po aq kohë duhet edhe me avullore nëpërmjet Bunës. Lloyd-i austriak bën rrugën e Shëngjinit nga dhe për në Trieste dy herë në javë dhe të njëjtën gjë e bën duke shkuar për në Lindje nëpërmjet Bunës deri në Obot. Shërbimi i Bunës bëhet me avullore e cila i merr mallrat e i transporton për në Shkodër.
Me anë të Liqenit nga Oboti në Kotor dhe anasjelltas: me këtë linjë avullorja përgjatë Bunës gjithashtu merr mallra e i transporton për në Shkodër e në të gjitha vendet përgjatë liqenit. Nga Oboti deri në Shkodër transporti bëhet me anijet e liqenit (lundra, sule); shërbimi për në liqen bëhet me take (anije me vela) ose me avullore dhe rimorkiator të ndërtuar qëllimisht nga Lloyd-i për përfaqësuesin e tij. Italia arrin në Shëngjin dhe pastaj në Shkodër me avulloret e Puglia-s, me linjën B dhe me linjën Shëngjin-Shkodër.
Deri në Shëngjin arrijnë nga Lindja disa avullore të shoqërive të lundrimit greke dhe otomane; nga Kotorri hyjnë në Bunë deri në Obot avulloret hungareze-kroate. Nga rruga e Barit (Tivarit), Shkodra shërbehet nga linjat e komunikacioneve italiane që mbërrijnë nga Bari (Itali) në Bar (Tivari) dy herë në javë me avulloret e Puglia-s dhe vazhdojnë kështu me karrocat e Malit të Zi deri në Virpazar në liqen: atje ata gjejnë shërbimin e rregullt të përditshëm të avulloreve të Shoqërisë së Barit (Tivari) në drejtim të porteve të liqenit.
Sot në Shkodër, mbetet nga emri ynë tradita e tregtisë, në gjuhën e biznesit, e cila është italishtja dhe diçka edhe në betejën për aspiratat kombëtare. Gjuha jonë mbahet atje deri më sot edhe në shkollat fetare të provincave të tjera. Shkodra ka qenë e bashkuar me Venedikun për sa i përket tregtisë; sot ajo është me Triesten. Ky është gjithmonë një bashkim i bukur për italianizmin. Ne shpresojmë që shqiptarët do të jenë në gjendje të fitojnë pavarësinë, e të kenë dëshirë ta mbajnë këtë lidhje!
 .
Antonio Baldacci - Itinerari albanesi (1892-1902)
Antonio Baldacci – Itinerari albanesi (1892-1902)

Bibliografia

 1)A. Baldacci, Note statistiche sul vilayet di Scutari e la legge della montagna albanese, in “Rivista geografica italiana”, VII, 1901.
2)E. Barbarich, Albania. – Roma, 1905, pag. 279.
3)Veggasi Laimtari e Schypenies; I marzo 1905.
4) Ami Boué, Récueil d’Itinéraires dans la Turquie d’Europe, II, pag. 168. – Vienna, 1854.
5) A. Degrand, Souvenirs de la Haute-Albanie, – Paris, 1901. pag. 78.
Marrë nga Revista Italia! Scutari d’Albania, A. Baldacci
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.