back to top
3.5 C
Tirana
E martë, 18 Shkurt, 2025

Shkodra, ma shumë se dashni… – nga Merita Smaja

Gazeta

Merita Smaja
Merita Smaja
Shkodra, ma shumë se dashni…
nga Merita Smaja

Shkodra ma shumë se dashni, një vend ku njeriu prej ngado që të vijë ndihet mirë.
Më thanë të them diçka për këtë qytet… po a mundet njeriu me thanë diçka për nji dashni që të lidh fort e të ban me u ndie mirë.
Ky qytet në të cilin unë tashma kam vjet që jetoj, asht dashni e gjallë, e kjo buron nga shpirtnat e qytetit e të njerëzve.
Dashni që të mbështjell e nuk të len me ikë, nëse ke ba vetëm njëherë të vetme dashni me të… E unë kam dëshirë me diftu si u njofta me shpirtin e këtij qyteti, pa qenë në kët qytet:
Isha gjimnaziste në Peshkopi, e për fatin tim të mire, n’atë qytet vijnë dy persona që lanë gjurmë tek unë: i madhi Zef Çoba dhe Mentor Jahja… I dyti ndoshta ngaqë s’asht artist nuk njihet nga shumë vetë, po asht artist edhe pse inxhinier mekanik. E unë pata fatin ta kem mësues kujdestar e që më jepte vizatim teknik e dituri makinash.
Zef Çoba si mjeshtër i koreve dhe i organizimeve të mëdha artistike, na përfshiu në ansamblin e rrethit, ansambël që jo vetëm bani bujë për profesionalizmin, po edhe pse ishin të tanë amatorë, fitoi edhe çmime. Mentori, vllai i klarinetistit në zà Namik Jahja, i binte kitarrës e na jepte mësim… unë recitoja, këndoja e merresha me sport. Pra, baja nji jetë të gjallë dhe isha shumë e angazhueme… në nji moment profesori im më thotë: “Ti ke me u martue me shkodran, sepse me natyrën që ke vetëm me ne shkon…!”
Unë qesha, e i thashë që “Më kanë thanë se shkodranët janë vagabonda!” E në fakt kështu më patën thanë, ai dhe Zefi më thanë sërish se isha artiste e në Shkodër do të gjeja shpirtin e duhun për me ba artin tim.
Kaq ishte kjo bisedë.
Ma vonë, unë shkova në Akademi të Arteve dhe u njoha me nji shkodran artist në shumë anë, muzikant, aktor, regjisor, skenograf… U dashunova me të e tek ai gjeta Shkodrën e u dashunova edhe me Shkodrën. Te ai djalë unë gjeta shpirtin e thellë e të bukur që nuk humbet kurrë. At bukuri që vazhdoj me e shijue edhe sot, e të zhytem ma thellë, pa pasë frikë se mund të mbytem, sepse asht nji thellësi që të mbështjell me blunë e saj të thellësisë, e të lejon me marrë frymë si në sipërfaqe. Kushdo që mund të ketë një kontakt sado të vogël me këtë qytet e me njerëzit e tij mbetet përgjithmonë rob i tij, sepse ky qytet asht si sirenat që të magjepsin me zanin e tyne e ti s’ke forcë me u thanë jo.
Jo vetëm u magjepsa, por tashma besoj se jam ba një robinjë e bindun, me dashje e kësaj magjie që quhet Shkodër dhe e këtyne njerëzve të jashtëzakonshëm, që quhen shkodranë!

Marrë nga Muri i Fb, Merita Smaja, 28 janar 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Buy Me A Coffee
Dhuro per mirembajtjen