back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shkolla e Kurbinit (1632) nga Kastriot Marku

Gazeta

Rrënoja në Kurbin
Rrënoja në Kurbin

Shkolla e Kurbinit (1632)

nga Kastriot Marku

Themelet e arsimit shqip në trojet etnike shqiptare duhet t’i kërkojmë në Kurbin, në fshatin Gallatë, në gjysmën e parë të shekullit XVII. Gallata si toponim del që në vitin 1467, në trajtën Galata, ndërsa emri Kurbin del në vitin 1457, nën emërtimin e kishës San Veneranda di Curbino.
Këtu në Kurbin (Gallatë) në vitin 1632, ekzistonte një seminar, në të cilin përgatiteshin priftërinjtë e ardhshëm dhe meqë seminaret funksiononin pranë ipeshkvive dhe katedraleve edhe këtu në kishën e Shën Prenës ishte vendosur selia e ipeshkvnore, atëherë këtu u hap edhe shkolla e parë shqipe e njohur si shkolla e Kurbinit.
Vetëm 3 vjet mbas themelimit të Kongregatës së Propagandës Fide, më 1625, ipeshkëvi i Durrësit Gjon Kolesi, “njeri i kuptueshëm dhe me dije” që kishte qenë Ministër Provincial i françeskanëve, kërkon të hapë një shkollë. Ja çfarë shkruan tekstualisht ai “Do të duhet të ngrehej një shkollë, ose dy, me nga dhetë ose dymbëdhjetë çuna secila. Këtu do të mësonin këndim e shkrim dhe themele të mira të besimit, dhe pastaj do të mund të dërgoheshin me u përsosë në kolegjën e Shtëpisë së Shenjtë të Loretos, sepse kështu do të nxirrej fryt i mrekullueshëm n’ato vende, ku s’ka shkolla as mësues që të mësojnë farë gjaje. Dhe këto shkolla mund të baheshin: njena po në shtëpinë e ipeshkvit të sipërthanun dhe tjetra ku ma i mirë të gjendej vendi ma i përshtatshëm.”.
Këtë shkollë sipas të dhënave që kemi deri më sot, ai arriti ta hapte më 1632. Merret vesh se kjo ka qenë një shkollë për qëllime fetare për përgatitjen e seminaristëve. Giovanni Collesio (Gjon Kolesi) ishte ipeshkvi, i cili kishte selinë në Kurbin dhe pas vdekjes së tij më 1635, emërohet Mark Skura, edhe ky françeskan.
Nga një relacion dërguar Kongregatës së Propagandës Fide, mbas një vizite baritore, që mban datën 20 dhjetor 1641, dhe që është lëshuar nga Kurbini, pra në kishën e Shën Prenës, mes të tjerash shkruan se në Kurbin; “Ha una scuola di 12 chierici, che l’Arcivescovo alimenta del suo, per alevar sogetti per ordinar poi a suo tempo sacerdoti…” (Ka një shkollë me 12 gjakoj, që arqipeshkvi i ushqen me mjetet veta për të rritë subjekte, që të shugurohen meshtarë pastaj, kur të jetë koha), ndërsa në një relacion tjetër 3 vjet më pas rithekson sërish: “Ha una scuola di 10 chierici, che l’Arcivescovo alimenta del suo, e li veste per aleuarli sogetti per ordinar poi a suo tempo sacerdoti…” (Ka një shkollë me 10 gjakoj, që arqipeshkvi i ushqen për xhep të vet dhe i veshë për të rritë subjekte, që pastaj, kur të vijë koha, me u shugurue meshtarë).

Pllaka e Shkollës së Parë Shqipe
Pllaka e Shkollës së Parë Shqipe

Siç edhe merret me mend gjuha latine kishte qënë jo vetëm gjuha e liturgjike e Shkrimeve të Shenjta, por edhe gjuha në të cilën ligjërohej kultura. Në këtë kuptim një rol të parë do të merrte shkrimi i gjuhës dhe sidomos hapja e shkollave shqipe. Nevoja për një gjuhë të shkruar dhe një shkollë shqipe, ishte bërë e domosdoshme për ripërtëritjen e institucioneve kishtare dhe formimin e klerit vendas. Më 14 dhe 15 janar të vitit 1703 me ndihmën e Papa Klementit XI (1700-1721) me origjinë shqiptare, si dhe me organizimin e kryeipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviqit, i cili pasi bëri një vizitë baritore 3 mujore nëpër kryepishkëvitë, ipeshkëvitë dhe dioqezat e kishave të Arbërisë me anën e një letre të lëshuar në Kurbin me dhjetë dhjetor 1702, lajmëron mbledhjen në Mërqinë të Lezhës Konçilin, apo të quajtur ndryshe Kuvendin e Arbënit, në të cilin morën pjesë kryeipeshkvinj, ipeshkvinj, meshtarë, misionarë dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të botës shqiptare për të analizuar gjendjen e besimit të krishterë, i cili dashje pa dashje po merrte kuptim politik e kulturor si pasojë pushtimit turk. Nga dokumentet e këtij Kuvendi të botuar më 1706, me ndihmën e Propagandës Fide nga Françesko Maria Da Leçe në dy gjuhë, shqip dhe italisht, bie në sy përkujdesja për shkollat e Kurbinit dhe të Velës. Da Leçe ishte dërguar në atë kohë në Shqipëri nga Propaganda Fide si prefekt apostolik i misioneve që në vitin 1692, ku pasi mësoi shqipen, botoi të parën gramatikë të shqipes që njihet deri më sot, si dhe një fjalor italisht-shqip, fati i të cilit nuk dihet, megjithëse thuhet se një kopje gjendet në Arkivin e Propagandës Fide. Me përkujdesjen sërish të veçantë të Papës Klementit XI, vetëm 8 vjet më vonë, më 12 prill 1710, në kuvendin e Shën Pjetrit në Montorinos në Romë, nën drejtimin e misionarëve françeskanë, hapet Katedra e parë e Gjuhës Shqipe, një fakt disi i çuditshëm ky që tregon se shkolla fillore shqipe e Korçës me emrin “Mësonjëtorja”, e cila hapet më 7 mars 1887, çelet afro dy shekuj më pas, gjë që shënon fillimin e shkollimit laik, dhe si të tillë shkollën e parë laike në gjuhën shqipe. Kaq do të mjaftonte t’u kujtonim studiuesve të historisë dhe në veçanti studiuesve të arsimit shqip, se akoma nuk janë shkëputur interpretimi ideologjik i historisë sonë kombëtare, të cilët i njohin shkollës shqipe vetëm 121 vjet jetë. Vargu i ipeshkvinjve në Shën Prenë pas Gjon Kolesit, Mark Skurës, vijon me Nikolla Karpinon e pas tij me Gerard Gallatën, (Gerardo Galatea), i cili më 1662, do të kryejë edhe ai punën e mësuesit të kësaj shkolle. Në vitin 1675, ky ipeshkëv kërkon “…ndihmat për gjashtë klerikë… për mbajtjen e një mësuesi të Kishës së Kurbinit dhe kjo shkollë mbështetet me 50 skude, meqë mësuesi përveç mësimit e leximit do të mësojë edhe lëndën e besimit, ndërsa më 1710, D. Gj. Salura zëvendës në misionin e Kurbinit në vend të D. Martin Bushiala si mësues në shkollë”, kjo shkollë mbështetet me 50 skude, meqë mësuesi përveç mësimit e leximit do të mësojë edhe lëndën e besimit. Në vitin 1702, Vinçens Zmajeviç gjatë vizitës së tij baritore na njofton se Imzot Pjetër Zymi, mban me vështirësi 4 studentë kishtarë, për të cilët paguhej mësuesi nga dhembshuria e Kongregacionit të Shenjtë.
Më vonë, kjo shkollë, në të cilën banonin së bashku mësuesit dhe nxënësit, ngrihet në nivelin e një kolegji, (shkollë e mesme), por për shkaqe politike ajo mbetet pa mbështetje financiare dhe mbahet vetëm me ndihmën e arqipeshkvit deri në vitin 1802, kur edhe përmendet për të fundit herë. Në këtë periudhë, ky kolegj transferohet së bashku me Selinë Ipeshkvore në fshatin Delbnisht (sërish në Kurbin) për t’u ndërprerë përfundimisht në vitin 1859, kur seminaristët e të gjitha dioqezave të Shqipërisë kalojnë në Seminarin Papnor të Shkodrës.

Kastriot Marku
Kastriot Marku

MARKU Kastriot, “Shkolla e Kurbinit”, gazeta Mësuesi, Botim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Viti 46 i Botimit, nr. 40 (2453). E mërkurë, 7 Nëntor 2007, f. 12-13.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.