back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shkon në amshim Profesori i nderuar Kolec Topalli (4 dhjetor 1938 – 24 maj 2018) – Pak nga dhimbja e atyre që e njohën…

Gazeta

Prof. Dr. Kolec Topalli
Prof. Dr. Kolec Topalli (1938-2018)

Shkon në amshim Profesori i nderuar Kolec Topalli

(4 dhjetor 1938 – 24 maj 2018)

Pak nga dhimbja e atyre që e njohën…

Akademia e Shkencave – Kryesia

Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë
Njoftim për mediat
Sot, më 24 maj 2018, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare prof. dr. Kolec Topalli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Mësues i Popullit”, studiues i gjuhës në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë ASA-s, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare.
Homazhet në nderim të personalitetit të akademikut Kolec Topalli do të mbahen në Akademinë e Shkencave më datë 25 maj 2018, nga ora 10:00-11:00.
Ceremonia e përcjelljes do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës në orën 14:00.
Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella familjes, komunitetit akademik, miqve dhe kolegëve brenda dhe jashtë vendit.
Tiranë më, 24 maj 2018
.

Rexhep Ismajli

…Megjithë përndjekjet dhe vuajtjet që e kanë shoqëruar në një pjesë të jetës së tij, akademik Kolec Topalli është shquar për angazhimet e tij me tërë energjinë pozitive për të ndihmuar rikthimin e besimit në jetën shoqërore. Pos përgjegjësive shtetërore, ai është marrë dhe me zbardhjen e fateve të të përndjekurve në botën intelektuale e tjetër shqiptare në periudhën e diktaturës, çka në mënyrë të shtuar flet për fisnikërinë e tij, për sensin për drejtësi, të shoqëruar me maturinë, durimin, bashkëndjesinë me vuajtjet e të tjerëve, moralin e lartë dhe qëndrueshmërinë.
Akademik Kolec Topallin kam pasur fatin ta njihja personalisht mjaft vonë. Dhe gjithnjë jam mrekulluar me qetësinë, dashamirësinë dhe çiltërinë e tij në raportet me të tjerët. Prej atëherë kishim ndërtuar një miqësi që shkonte përtej preokupimeve tona në fushën e gjuhësisë.
Humbja për të gjithë ne është e jashtëzakonshme, por të gjithë ne, sidomos familja dhe mjedisi ku ai punoi, jemi krenar që e patëm dhe që jetuam në një kohë me Kolecin e dashur.
Familjes Topalli, miqve, Akademisë u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje të madhe.
Prishtinë, 24 maj 2018
.
Profesor Kolec Topalli
Profesor Kolec Topalli

Matteo Mandalà

Lajmi i trishtuar i humbjes së prof. Kolec Topalli la një boshllëk ndër miqtë e tij të shumtë dhe kolegët arbëreshë, të cilët kanë pasur mundësi dhe kohë për ta vlerësuar pasurinë e tij njerëzore, cilësitë e rralla prej shkencëtari dhe intelektuali. Me të ikën edhe një pjesë të rëndësishme e hulumtimeve gjuhësore të tre dekadave të fundit. Autor studimesh të shumta dhe të vlerësuara të gjuhësisë krahasuese të shqipes, prof. Topalli kishte dorëzuar kohët e fundit në shtyp veprën e tij monumentale: Fjalorin Etimologjik të gjuhës shqipe, së bashku me Gramatikën Historike, të cilat përbënin një objektiv i rëndësishëm të veprimtarisë së tij shkencore dhe një nga kontributet më të ndritura të albanologjisë bashkëkohore.
Prof. Topalli ka qenë një mysafir i herpashershëm i Katedrës Albanologjike të Palermos dhe disa nga esetë e tij u paraqitën në serinë “Albanica” të themeluar nga prof. Antonio Guzzetta, admirues i tij i kahershëm dhe i sinqertë. Gjatë takimeve të shumta dhe të përzemërta, shpesh kemi diskutuar mbi tema specifike që bashkonin hulumtimet tona; dhe nuk kanë munguar as reflektime mbi fatin e albanologjisë, mundësitë e saj të pafundme dhe pozitive, mbi zhvillimet që brezat e rinj mund t’u japin shkencës sonë të përbashkët.
I madh mbetet borxhi që çdo studiues serioz do të duhet të dëshmojë ndaj mikut dhe kolegut tonë të ndjerë. Gjithnjë e më e madhe do të jetë tash e tutje për çdo intelektual të ndershëm që e ka për zemër të ardhmen e albanologjisë, që të angazhohet – edhe në emër të Kolec Topalli – në një betejë tashmë të domosdoshme, e cila s’ka pse të vonohet kundër përhapjes së shkeleshkosë dhe përtacisë
.

Ardian Vehbiu

Me shumë hidhërim mësova, sot në mëngjes, se kish vdekur prof. Kolec Topalli, nga më të shquarit albanologë dhe studiues të shqipes të shekullit tonë. Veprën e tij e njoh, e kam lexuar me kujdes, kam mësuar shumë prej zbulimeve të tij dhe metodës që përdorte; e kam admiruar për frymëmarrjen e gjerë, njohjen e shkëlqyer të shqipes dhe rigorozitetin shkencor. Gjithnjë më kujtonte një tjetër albanolog të shquar dhe profesor timin në universitet, prof. Shaban Demirajn.
Kam pasur fatin ta njoh personalisht: isha rishtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kur më qëllonte të shihja këtë zotëri, të veshur me shumë sqimë, që vinte për të studiuar në bibliotekën tonë të pasur, ose priste në korridorin e katit të dytë, për t’u takuar me drejtorin, Androkli Kostallarin. Më patën thënë që ishte mësues në një fshat të thellë të Tiranës, me biografi të keqe, dhe që herë pas here “i jepej leja” për të botuar punimet e veta në revistën “Studime Filologjike.” Aso kohe më bënte përshtypje si arrinte të ishte aq kompetent, pa qenë pjesë e qarqeve institucionale dhe akademike; sikurse më linte mbresë kortezia e tij dhe delikatesa.
Për prof. Topallin shpresoj se do të shkruhet shumë; nga njerëz që e njohin më mirë se unë. Këtu veç dua të shënoj se ai, si dijetar, ishte provë e suksesit të shkollës albanologjike shqiptare dhe vijues i denjë, në më shumë se një drejtim, i arritjeve të brezit të prof. Çabejt dhe prof. Demirajt në studimet për historinë e gjuhës shqipe. Është pasuri e paçmuar e akademisë shqiptare ky realitet i disa brezave me studiues, që kanë mësuar prej njëri-tjetrit dhe kanë ndërtuar mbi arritjet e para-ardhësve; si dhe dëshmi dhe model si mund të krijohet një traditë e pasur edhe në rrethanat e prekariatit intelektual dhe të katundarisë së mendjes…
.

Eda dhe Visar Zhiti

Nderim për Akademikun e njohur Kolec Topalli. Gjuhëtar – shkencëtar, studiues i zellshëm e skrupuloz, mësues dhe profesor, lektor universitetesh, autor i botimeve gjuhësore akademike dhe i Fjalorit Etimologjik të Shqipes, etj. Njeri dinjitoz, fisnik i përzemërt, vinte nga vuajtja dhe heshtja dhe, pas viteve ’90, arriti të bëhet personalitet i njohur i kulturës dhe shkencës shqiptare, me një vepër të çmuar. Kryetar yni në Këshillin e Botimeve në ISKK, i urtë dhe vendimtar. Sot, që mori rrugën e amëshimit, pedagogut tim dhe mikut tonë, z. Kolec Topalli, si një kurorë me lule, këto fjalë zemre nga larg…
.
Virion Graçi, Prof. Topalli dhe Thanas Dino
Virion Graçi, Prof. Topalli dhe Thanas Dino

Virion Graçi

Me Akademik Prof. Dr. Kolec Topalli dhe gazetarin Th. Dino ne Gjirokastër, 2003. E hedh këtë foto në respekt të Profesorit që mori rrugën e amëshimit pasi la pas vetes, në rradhë të parë, një mal me studime gjuhësore…
Sa shkon të them në këto rreshta përshpirtjeje mund të pohoja se politika shtetërore në Shqipërinë e pas L. II. B i mori Profesorit dhe familjes së tij lumturinë, pasurinë, lirinë, jetën normale, çdo mundësi për t’u bashkërenduar si koleg me gjuhëtarë të njohur të kohës që punonin me kohë të plotë ne Universitet e në Akademinë e Shkencave. Ndonëse në kushte të vështira gjatë periudhës totalitariste, Ai kurrë nuk reshti së punuari duke e fituar garën me kohën…
E kam njohur së largu para vitit 2010, ndonëse ky ishte viti që më afroi me Profesorin në një institucion; madje Ai ka qenë pjesë e komisionit të pranimit tim në punë. Si e kam njohur? Punëtor i shquar i dijeve gjuhësore-historike, me vullnet titanik; bashkëbisedues i hijshëm, i qetë, i këndshëm; për të nuk kishte njerëz të parëndësishëm a tema të parëndësishme, përkundrazi; gjithçkaje i kushtonte vëmendje, përqëndrim, brenda caqeve të rrepta të mos shpërdorimit të kohës me sipërfaqësira e kotësi rutinore…
I paharruar, Prof. Dr. Kolec Topalli.
.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politike

Me hidhërim të thellë morëm lajmin e ikjes nga kjo jetë të Akademik Dr. Kolec Topalli i mbijetuar i kampit të shafarosjes së Tepelenës, Porto Palermos, Kuçit, etje. Intelektual dhe atdhetar i spikatur. Përfaqësues i denjë i shtresës sonë. Në këto momente të vështira i qëndrojmë pranë famijes dhe miqve duke i shprehur ngushëllimet tona të thella e të sinqerta.
Qofsh i parajsës mik i dashur!
.

Kastriot Marku

Mbase më shumë se me një fotografi, gjuhetarin dijetar dhe njeriun fisnik, Prof. Dr. Kolec Topalli, që prej sot nuk do jetë midis nesh fizikisht, do e kujtojmë prej veprës së tij studimore kushtuar gjuhës shqipe. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmeve, miqve e dashamirëve të familjes si dhe miqve e dashamirëve të dijës e të shkencës albanologjike!
Iku dhe një nga njerëzit më të përkushtuar të studimit të shqipes, një burrë i qetë, i shtruar, fjalëpak dhe i mençura, por mbi të gjitha një profesionist i zoti dhe punëshumë me një artikulim gjuhësor për t’u pasur zili, jo vetëm si saktësi të foluri, por edhe si diksion zëri.
Dikush, një askushës së bashku me turmën, u munduan ta vrasim me mllefin e tyre me gjasë “patriotik”, një studiues si Topalli, i cili ka punuar gjithë jetën për gjuhën shqipe, duke e kërcënuar me vendosjen e librit të tij në “index”. Personi në fjalë që organizoi një protestë të paprecedentë para Akademisë së Shkencave me megafon në dorë, një copë mishi me dy sy sulmoi një vepër jete si “Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe” i Kolec Topallit. Përfytyroni se burrit të botës që po protestonte në një rast të paprecedent, për të mos thënë unik dhe qesharak njëherësh, po i binin brekët nga pesha e “Fjalorit” që mezi e mbante në krahë, imagjino çfarë individi kanë trashëguar pellazgët e tij, pa llogaritur kur ky pretendon të merret me gjuhësi historike duke folkloriziuar disiplinën sipas metodologjisë së “akademisë popullore”.

Prof. Dr. Kolec Topalli (1938-2018)
Prof. Dr. Kolec Topalli (1938-2018)

Jozef Radi

Prof. Dr. Kolec Topalli (4 dhjetor 1938 – 24 maj 2018)
Lajmi i trishtë i humbjes së nji miku të rrallë s’mund të jetë asgja kur mendon se asht gjuhësia, albanologjia dhe kultura shqiptare që ka humbë nji nga njerëzit ma të përkushtuem, ma punëtorë, nji vazhdues të denjë paraardhësish të denjë…
Para dy ditësh ishte nji “Falemnderit” prej Jush… ashtu e thatë, e vuejtun, si lamtumirë… sot më erdhi nji “Lamtumirë e Jueja e dhimbshme Profesor Koleci, që më pikoi në shpirt!
Ngushëlloj krejt të afërmit e profesor Kolecit, në mënyrë të veçantë Anën dhe Xhoanën, dy njerëz të mrekullueshëm që edhe në ditët e mbrame ia kanë lehtësue më gjithçka mundën…
I lehtë dheu, i dashtun Profesor Koleci, e madhe mungesa juej!
Pushofshi në paqen e amshueme!
Me dhimbje të thellë, Jozef Radi
.

Luftar Pepmarku

Me keqardhje mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të gjuhëtarit e shkencëtarit të aposionuar, kryetarit të bordit të botimeve që bën Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Shkenca Albanologjike ka humbur sot një dijetar të përmasave të mëdha njërin nga vazhduesit dinjitoz të veprës së të madhit Eqerem Çabej! Nderim për jetën dhe veprën e tij! Respekt për qëndrimin dashamirës ndaj gjithë shtrsës së të përndjekurve politik!
Ngushëllime familjarëve, shokëve dhe miqve të tij!
Zoti ja bëftë të lehtë dheun e tokës amtare, për visaret e së cilës punoj me përkushtim, gjatë gjithë jetës së tij!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
.

Vepra e botuar e Kolec Topallit
Vepra e botuar e Kolec Topallit

Kleida M. Peçulaj

Profesor, ju jeni i dritës sepse jo vetëm që e vazhduat rrugën e Prof. Çabejt në mënyrë dinjitoze, por bëtë detyrën në këtë vend që jo për faj të tij nuk ju jep dot sa duhet e sa do të donte, e kjo është lufta e madhe që i hyjmë e duhet ta fitojmë pa pritur shpërblim, pa pritur përgëzime, të vetëdijshëm që s’kemi bërë asgjë veç detyrës.
Faleminderit Profesor për sakrificën dhe punën! Rroke parajsën pa derte!
.

Tahir Tanushi

Profesori ishte një studiues dhe kërkues i madh shkencore në fushën e gjuhësisë. Kam patur rastin ta njoh nga afër para disa vitesh ku kemi udhëtuar bashkarisht në të njejtin avion për në Itali, ku vinte për takime shkencore që bëheshin në Trieste, për gjuhësinë. Një njeri i thjeshtë deri në madhështi.
Ngushëllime familjes dhe kombit shqiptar, për këtë humbje kaq të madhe!

 

 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.