back to top
0.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shkrimtari dhe frymëzimi (1944) nga Pashko Gjeçi

Gazeta

Pashko Gjeçi, Ravena 2006
Pashko Gjeçi, Ravena 2006

Shkrimtari dhe frymëzimi (1944)

nga Pashko Gjeçi

Tani që jam duke shkrue këto rradhë më bëhet se po shoh me sytë e mendjes, se sa shkrimtarë tanë që rrinë me hundë përpjetë duke pritur frymëzimin nga qielli. Por mbase frymëzimi zbret si ëngjëll me flatra të bardha vetëm mbi supet e disa të zgjedhurve, nënkuptohet se vuajtjet e ngashërimet do të ndijnë gjithë ata shkrimtarë që kanë marrë penën për sport e ekzibicionizëm. Nuk dua të them me këtë për të shkruar një rresht në gazetë a revistë duhet medoemos frymëzim, sikurse nuk lipset erudicion i tepëruar për të përpiluar një studim vulgar shkencor. Por sido kudo, kur të shkrush duhet të ndjesh një emocion në thellësi të shpirtit. Nuk duhet kurrë të ulesh në tryezën e punës, kur ta keshë kryet bosh, zemrën shpuzë, por duhet të ulesh vetëm në atë rast kur të vlon diçka brenda teje. E në raste të tilla, shkrimtari nuk ka nevojë as për tryezë pune. Çdo vend, çdo ambjent për të është i përshtatshëm për të krijuar.
Dy veçori të një shkrimtari gjysmak janë këto: Pamundësia të gjejë kohë e pamundësia të gjejë lëndë për punë letrare.
Do të keni dëgjuar sa e sa herë, disa të vetquajtur shkrimtarë duke qarë hallin: nuk kemi kohë e nuk gjejmë lëndë në Shqipëri për të shfaqur atë çfarë ndryjmë në të shkretën zemër.
Se Shqipëria është ë varfër jo vetëm ekonomikisht, por edhe shpirtërisht e di edhe më i keqi ndër ne. Por prapë sikur gjetën lëndë pune e krijimi Frashëri, Fishta, Çajupi, Noli, Asdreni, Mjeda. Është për t’u çuditur si nuk po gjenkemi ne, picirrukët e letërsisë shqipe. Por duke kaluar nga ironia në tonin serioz, duhet dhënë rëndësi edhe ankimeve të treguara. Nuk e di a na bëhet ne të rinjve apo në të vërtetë është kështu, d.m.th. se në Shqipëri mungon atmosfera poetike. Ka pasë ironizuar Noli mbi pakënaqësinë megalomane të të rinjve e gjer diku më aryse. Por jo gjithkund. Sepse për të shkruar duhet të kesh rast e shtytje nga jashtë, nga ambjenti. Çfarë i paraqet në vija të përgjithëshme ambienti shqiptar një djali të ri, si panoramë qytetin, (çdo shkrimtar mund të shkojë në fshat të frymëzohet), rrugë të shtrembra, tërë pluhur e baltë, sipas stinës, shtëpi të ngërdheshura, mura të lartë gunga-gunga, pastaj fytyra njerzish të irnuara nga urija, mërija, shpirti i batakçillëkut e i spekulacionit (fenomene thjesht shqiptare, dëshirë morboze për të rrjepur njëri-tjetrin). Mungesa e ndjenjës delikate ndër këto breznitë e reja, mizantropia (shprehja e denigrimit që kënaqet duke sharë e përbuzur njerëz e sende… edhe që qofshin këto për t’u admiruar. Si vegim shpirtëror, injorancë, fanatizëm, mediokritet mendor, megalomani. Në rastet më ekstreme paksizëm, akrobaci ideologjike. Ky do të ishte bilanci pasiv i gjendjes mendore shqiptare. Natyrisht nga elemente të tilla nuk ka si del shkëndija e frymëzimit.
Me gjithë këtë nuk duhet marrë çështja edhe aq tragjikisht. Mund të gjejë letrari i mirë burimin shpirtëror në popullin që fladis jetën. Por edhe sikur të mos mundet ta gjejë materialin krejt gati, sikurse e gjen deri diku shkrimtari i huaj, i përket shkrimtarit ta fisnikërojë lëndën tonë amorfe e ta pasurojë talentin e vet. Prandaj kërkohet prej shkrimtarit, frymëzim i sinqertë në trajtimin e një substance letrare. Duhet ta ndjejmë thellësisht atë çfarë shkruajmë, përndryshe mos t’i hyjmë një punë që nuk na sjell tjetër të mirë, veç të çara koke. Edhe nëse bota shqiptare nuk i përgjigjet pikë për pikë aspiratave tona, djalëria letrare nuk ka pse të demoralizohet e për më pak të dëshpërohet. Letërsia shqiptare duhet të jetë të paktën aq ideale sa Don Kishoti i Servantesit. Duhet të ketë aq potencial dashuror, sa me u dashurue edhe më një të shëmtuar. Duhet të dashurohet nëse do gjejë në gjirin e kësaj toke lëndë shkreptimtare për frymëzim. Edhe nëse Dulqinja e tij mund ta ketë fytyrën jo aq vezake, e këmbët jo aq të drejta e elegante (pse vashat arbërore janë ashtu si janë) nuk duhet t’i zbresi aspak flaka e frymëzimit. Pra, e asnjëherë si në këto raste demoralizuese nuk mund të vërehet fuqija e shpirtit mbi materien. Të bësh të shëmtuarën, të bukur – ja kjo mrekullia e artit. 
Shkrimtarë shqiptarë, pra frymëzohuni!
.
Bashkimi i Kombit, 1944, 15 Korrik , fq. 3. 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.