back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shkrimtari, letrat dhe kohët… Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti - Tirane 2005
Visar Zhiti – Tirane 2005

Shkrimtari, letrat dhe kohët…

nga Visar Zhiti

Një dekalog i beftë shqetësimesh pas “letrës së hapur” 

Nasho Jorgaqit dërguar Ismail Kadaresë

-Nëse libri është i njëjtë kudo e në çdo kohë, kështu duket, të qenit shkrimtar në diktaturë nuk është njëlloj me të qenit shkrimtar në liri, qoftë ky dhe i njëjtë që fati bën të kalojë në këto dy kohë. Madje dhe komunikimi i tij me lexuesin pëson ndryshime. Ndryshon dhe vetë leximi.
Ndjesi dhe mendime të tilla më vërtiteshin kur lexova letrën e hapur të studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, drejtuar shkrimtarit më të njohur në botë të shqiptarëve, Ismail Kadare, për më tepër përgjigjet e të tjerëve për këtë letër, opinionet e sidomos komentet anonime në fund të shkrimeve në gazetat on-line.
Letra që botohet duke u shpallur “e hapur”, në një farë mënyre, u është drejtuar të gjithëve dhe kështu, është dhe thirrje për ta biseduar. Qëllimi i saj, mund të jetë i ndryshëm për secilin lexues dhe pjesëmarrja në të, kushtëzohet nga interesi që të shpalos çështja.
Ndërkaq, mendoj se ai të cilit i drejtohet letra nuk e ka të domosdoshme përgjigjen, me gjithë kërshërinë, ky tagër bie, kur dhe heshtja vetë është përgjigje, brenda credos së shkrimtarit, të cilit i flet vepra. Dhe kjo duket se nuk e mpak, por përkundrazi shton zellin dhe dëshirën e të tjerëve për të gjykuar e dhënë opinione, edhe duke iu larguar fillesës.
Fyerjet dhe sharjet për dërguesin e letrës dhe atë që i drejtohet nga ata që përgjigjen dhe komentues të ndryshëm janë të pa tolerueshme, s’është qytetari, e padenjë për të gjithë dhe tregues se ne mbetemi lexues të këqij të një letërsie që nuk na zbuti dot.
Besoj, jam i lejuar që nga ky debat të kalojë në shqetësime të tjera, që lidhen mes tyre dhe besoj se nuk janë vetëm të miat. Po i rendis, pa ndonjë rregull, por me sinqeritet:

1.TË LAVDËROSH veprën e shkrimtarit Ismail Kadare në diktaturë dhe pas saj, në kushte lirie, e dija të lehtë, arsyet ishin, ndërsa jetën e gjithkujt, sidomos të shkrimtarit, e kam menduar vetanake, pronë të paprekshme, por bëmat, kur kalojnë pragun e derës e ndikojnë tek të tjerë, gjykohen, qofshin dhe të shkrimtarit.
Vepra, duke u bërë gjithnjë e më tepër letërsi e vendit, pronë pa kohë e lexuesit, del, si të thuash, nga duart e krijuesit të saj dhe na lind e drejta ta themi nëse ajo na ndihmoi në kohë të vështira apo na u bë pengesë, na dha liri të brendshme, kur na mungonte e jashtmja, dha emocione të bukura jete, etj, etj. Ndërkaq tani është arritur që të mos jetë e vështirë të kritikosh dhe vepra për shkaqe jo letrare paradoksalisht e po kështu të lavdërosh jetën për shkaqe letrare.

2.JETA E NJË SHKRIMTARI ndahet ndjeshëm nga vepra e tij, sipas disave, duke krijuar dikotominë alibuese, kurse unë mendoj ose e ndjej, më saktë, se ato janë të lidhura midis tyre dhe fort, e i japin njëra-tjetrës. Pa jetën nuk bëhet vepra, është e qartë, pra është jeta në fillim, pastaj mbetet vepra pa jetën e krijuesit të saj, e cila ndërkaq e risjell jetën e autorit dhe të të tjerëve përreth. Vepra dhe jeta në bashkëkohësinë e tyre mendoj se janë të pandara dhe përngjajnë së brendshmi, duke mbartur ose hijen e zymtë të mungesës së lirisë, nëse ajo ka munguar ose dritën e begatë të saj, kur ka patur liri. Këto zbulohen dhe te Kadareja. Ribotimet e dendura të tij pas viteve ’90, me të drejtë do të thosha, kanë futur frymë lirie në veprat ku mungonte dhe mund të jenë vënë dëshmi të tjera të diktaturës, nga që nuk ishte e mundur. Dhe këto në emër të përmirësimit artistik, besoj.
Sipas meje, ajo letërsi që nuk del edhe nga shpirtra të mëdhenj, jo vetëm nga mendje të mëdha, në thellësi të saj ka ngurtësimin, thatësirën, sado qoftë e përmbytur me lavdi të jashtme, që e kërkonin një kohë të caktuar krizash dhe rrethanash shtrënguese dhe si e tillë ajo ka bjerrje si një letërsi që nuk pati kodin e jetës, të pranishëm në çdo rrethanë, kur jeta në vetvete është e përjetshme dhe kohët janë të përkohshme.
Ngatërresat janë të mundura, ngaqë nuk janë njohur kohërat e nuk dilej dot prej tyre si pasojë e mosnjohjes së vetvetes (kolektive) dhe e thellësisë së krijuesit.

Mjegullat e Tiranës vs Dashuria e Mimozës
Mjegullat e Tiranës vs Dashuria e Mimozës

3.KOHËT ikin. Edhe njerëzit më shpejt se ato. Kohët ndryshojnë, edhe njerëzit, por më pak se ato. Dhe në fakt njerëzit ndryshojnë kohën dhe koha njerëzit, por asnjëherë në barazi për të gjithë.
Ka njerëz që i lë koha pas, të shumtët, ku mund të ketë dhe shkrimtarë mes tyre. Dhe ka që lënë kohën pas, të paktit. Dhe ka patjetër shkrimtarë mes tyre. Këtu, ishte dhe Kadare. Por gjithkush, si të thuash, është në grackën e kohës së vet.
Por ka njerëz që nuk kanë kohë të tyren, janë pa të, ua kanë marrë, si p.sh., të burgosurve në kohën e diktaturës dhe ka që e kanë me shumicë kohën, duke poseduar dhe nga pjesa e të tjerëve, p.sh., shkrimtarët profesionistë që i mbante diktatura dhe i paguante mbase me pagën e punës së papaguar të të burgosurve.
Nuk dua të keqkuptohem. Dua të akuzoj diktaturën tani. Se dhe kohët harrohen.

4.SHKRIMTARËT janë dhe për të na e treguar (edhe pa e treguar hapur, por sipas mënyrës së tyre) gjendjen, këtë lëvizje të vazhdueshme fat-fatkeqësi, ndryshimet dhe larushinë apo mungesën e ngjyrave të jetës dhe të mendimeve, kaosin apo ngërçin, ecjen para me vizionet dhe kthimet pas, thirrur nga kujtimet, përmbysjet që shpesh arrihen me gjak, me gjakun e të tjerëve apo me mashtrim, me mashtrimin e atyre që dalin në krye e drejtojnë. Lëndë të tillë gjen në veprat e Kadaresë. Shkrimtarët e vërtetë janë për të na thënë të vërtetat, që edhe kur nuk dihen, janë në kërkim të tyre.

5.TË DOMOSDOSHME edhe për letërsinë, bashkë me të vërtetën, është dhe morali. Po kush është e vërteta? Janë shumë dhe të ndryshme e shpesh të kundërta, veçori kjo e të vërtetës letrare, që edhe është tjetër gjë nga e vërteta në jetë. Kështu duket, por në thelb është njëjshëm, si uji, burim i jetës, që mbetet si i tillë, pavarësisht nga format. Do ta pranojmë, s’kemi ç’bëjmë, e vërteta gjithëpërfshirëse është ajo që ndodh dhe ajo çfarë bëjmë. Po morali i shkrimtarit cili është? Aq sa i përgjithshëm, është dhe vetanak. Ka kohëra dhe vende që kërkojnë prej shkrimtarit se sa ai ndihmoi apo dëmtoi jetën, në mos jetën, shpirtin, mendësinë, sa emocion dha e për çfarë, sa frymëzoi, përçoi besim në ato që besoi sinqerisht e sa mashtrim, me ose pa ndërgjegje, sa gaboi e sa udhërrëfyes ishte, sa braktisi, shkurt, çfarë tregove dhe për se, etj, etj.
Në diktaturë Kadarenë e lexonin dhe e vlerësonin, edhe shtetarët e komunistët, po kështu dhe kundërshtarët e tyre, të burgosurit politikë, e lexonin dhe e vlerësonin.

6.NË LETËR, sipas meje, ka çështje që nuk u takojnë të gjithëve, por kujtesës, sinqeritetit dhe ndërgjegjes së protagonistëve dhe nuk kanë “pse” për të tjerët. Dhe kur trajtohen libra, libri është pronë e lexuesit dhe për atë mund të flasin të gjithë.
Diskutohet data, p.sh., viti se kur mund të jetë shkruar romani, që autori e sjell në fund si të parin dhe ndryshe nga modeli që prodhonte ajo kohë. Pra, si të thuash një nga shkaqet e letrës. Dikush nuk i jep rëndësi këtij fakti, se vepra ka vlera, e jo data, arsyetohet, dhe dikush tjetër i jep rëndësi datës, se, sipas tij, datat janë si gurët kilometrikë të një ecurie. Të shkrimtarit dhe kohës.
Kanë të drejtë të dy, jo përtej caqeve që kanë përvijuar. Të mos harrojmë, Shqipëria ka kaluar me ngut nga diktatura më e egër në demokracinë pa përvojë, ku në masë të gjerë me protagonistë të njëjtë.
Por të kthehemi tek letërsia. Prej debateve të tanishme unë nxjerr një shqetësim tjetër, që e mendoj me interes. Në Shqipërinë diktatoriale, kur sundonte metoda e realizmit socialist, a ishte e mundur shmangia prej saj? A mund të shkruheshin vepra jo të kësaj metode? Nëse po, a mund të botoheshin? Nëse po, si? Dhe ç’ndodhte më pas? Do të më interesonte shkoqitja e tyre.
Ismail Kadare na ka mësuar se në Shqipërinë diktatoriale nuk mund të kishte disidencë, se, po ta pranojmë, do të thotë se diktatura ka qenë e arsyeshme dhe e butë.
Po kështu nuk lejoheshin, mund të vazhdojmë arsyetimin, vepra që nuk ishin të realizmit socialist, që nuk kishin frymën e partisë. Se po u pranua e kundërta, i bëhet një nder i madh diktaturës dhe shefit të saj, diktatorit Enver Hoxha, që s’ndalej para asgjëje, nëse nuk do t’i duhej.
Por vepra të Ismail Kadaresë rezultojnë të mos jenë të socrealizmit, madje qysh në zanafillë ka bërë shmangien. Atëherë si, dhe a ishte e mundur? Lejohej i vetëm apo dhe me të tjerë? Pse? Si i dilej, ka pasur ndonjë pakt të heshtur, me leverdi të ndërsjellë, apo ia “hidhnin” diktaturës, siç shpjegon dhe Brehti rastet në një ese të tij. Mvisheshin veprat me një rrobë të çveshme të socrealizmit, me metafora dhe gjuhë të Ezopit, etj., etj. Janë dukuri tonat apo dhe të vendeve që u sunduan si ne? E lanë socrealizmin dhe utopinë komuniste apo i la, ndërruan kohët? Këto e të tjera duan debat konstruktiv dhe presin përgjigje.
Ndërkaq mbetet fakt se Ismail Kadare u bë shkrimtari më i rëndësishëm shqiptar, më i njohuri, më ndikuesi, që emancipoi lexuesin e gjerë të vendit të vet, duke i shtuar, kam thënë dikur, një tjetër vargmal, atë të veprave të tij.
Falë talentit suprem, ai u bë shkrimtari shqiptar më i përkthyer, në të pesë kontinentet, marrës dhe mëtonjës i çmimeve më të larta botërore.
Mendoj se kjo arritje e çmuar që na gëzon në tërësi, (dhe duhet), erdhi dhe falë mbështetjes së merituar që i dha shteti, duke i krijuar kushte atij, duke ia botuar dhe përhapur veprën qysh herët.
Unë, si ish-i burgosur politik, ndjej si detyrim të shtoj, që edhe ne, dikush nga ne, dha ndihmesën e vet në famën kadareane.
Do të ishte Jusuf Vrioni që do të punonte i paemër dhe si rob në diktaturë në përkthimin e veprës së tij në frëngjisht, ku pas asaj gjuhe do ta merrnin dhe gjuhë të tjera dhe Kadare do të njihej si një nga shkrimtarët më të shquar të shekullit XX në botë.
Dhe Jusuf Vrioni, ashtu si gjithë ish-të burgosurit politikë, mbetet i padëmshpërblyeri.

Kadare & Jorgaqi
Kadare & Jorgaqi

7.DISIDENCA, besoj, por dhe e gjej, dhe e shoh se në Shqipërinë diktatoriale ka ekzistuar, para së gjithash ka patur kundërshtarë dhe martirë. Që i mënjanonin, i internonin, i burgosnin apo dhe i vrisnin. Ata dhe veprat e tyre. Mund të themi se ka patur dhe një letërsi tjetër, sado e pakët dhe e pabujshme, që nuk lejohej të përballej, por mbytej dhe zhbëhej, por ajo ishte, klandestine, e fshehtë, e nëndheshme. Dhe një pjesë e saj pati fat, doli. Është dëshmi artistike dhe jo vetëm aq, që i bën nder kulturës së vendit, jo vetëm asaj morale. Meriton mirëpritjen, përkujdesin dhe dashurinë, jo sprapsjen, nëpërkëmbjen apo indiferencën. Duhet çmuar ai akt i lartë, i të shkruarit në skëterrë, kur ishte e ndaluar rreptësisht që mund ta paguaje me gjakun tënd, me plumbin ballit. Ata pak të çmendur të shenjtë, pa asnjë kusht, sollën vlera, sado të pakta, megjithëse në letërsi nuk ka rëndësi të parë sasia, që do t’i vlenin çdo letërsie, sidomos tonës, ka dëmtime e mangësi.
Me Kadarenë e të tjerë shkrimtarë të njohur, duke pranuar sinqerisht veprat e arrira të ardhura nga burgjet, letërsia jonë qetëson ndërgjegjen e saj artistike, megjithëse dramatizohet marramendshëm, heq nga mëkatet dhe normalizohet si letërsi.

8.VITI 1958, kur Kadareja student botonte me sukses librin e dytë me poezi “Ëndërrimet”, titull naimian, që duket sikur na lajmëron se kjo dukuri do ta ndjekë shkrimtarin vazhdimisht, deri tek “Pallati i ëndrrave”, ndërkaq ai qysh atëherë përvijonte dhe romanin e tij të parë, që nuk do t’ia tregonte kujt, që Nasho Jorgaqi në letrën e tij vë në dyshim vitin, jo se prish thjesht kronologjinë, por credon e shkrimtarit dhe hap çështje të tjera letrare dhe jashtëletrare. Do të më pëlqente të shtoja këtu, sado pak, se ç’ndodhte në Shqipëri në vitin 1958, mbase ndihmon për të kuptuar më mirë çështjen.
Natyrisht vazhdonte të acarohej lufta e klasave, ritual social dënimesh, por edhe rritej entuziazmi masiv në fitoret e kampit socialist, forcimi i sistemit dhe i vendit në mënyrë gjenerale, rritja ekonomike, kur shumëkush ndjehej më i dobët, me zhgënjime dhe i humbur.
Shteti në atë vit kishte arritur një marrëveshje me Greqinë për heqjen e minave në Kanalin e Korfuzit, të vëna kur po mbaronte lufta, por nën këmbë toka dukej e pasigurtë, si e minuar.
Shkrimtari Petro Marko boton romanin “Hasta la vista” të nisur qysh në burg, kurse Dritëro Agolli përmbledhjen e parë me poezi “Në udhë dolla”. Sulejman Pitarka dhe Ndrek Luca botojnë dramat e tyre dhe Skënder Luarasi përkthente Uollt Uitmanin, “Fije bari”.
Në Prishtinë Adem Demaçi nxjerr “Garprinjtë e gjakut”. Në Romë shkrimtari i arratisur Martin Camaj boton romanin “Djella”, një aludim estetik i internimeve të malësorëve ndanë kënetave. Pak muaj më parë (1957) ishte hapur Universiteti i Tiranës dhe ishte mbajtur kongresi i shkrimtarëve shqiptarë (1957), kurse në Romë shkrimtari i ikur dhe i dënuar me vdekje, Ernest Koliqi, themeltar në letrat shqipe, nis botimin e revistës “Shejzat”.
Dhe një vit më pas (1959), Shqipërinë do ta vizitonte Nikita Hrushovi, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, ndërsa një muaj para vizitës qenë dënuar në Shkodër kleri katolik (prill 1959) dhe në Romë shkrimtari i dalë nga burgjet, më pas i arratisur, Arshi Pipa, boton “Librin e burgut”, ku janë dhe sonetet e kanalit, ferri i poezisë shqipe.
E ç’mund të arrinin të dëgjonin shqiptarët se ç’ndodhte në Europë e Amerikë po në vitin 1958? Cilat mund të ishin ndodhitë më spikatura, një pjesë e të cilave, po t’i përflisje, futeshe dhe në burg?
Më 1 janar themelohet Komuniteti Ekonomik Europian, paraprirës i Europës së Bashkuar. (Pusho, mos folë, s’ka ç’të duhet!)
Tre ditë më vonë anija kozmike sovjetike “Sputnik” bie mbi tokë nga orbita e saj dhe digjet, (rri urtë, s’është vetëm punë shkencëtarësh), ndërkaq amerikanët nisin me sukses Satelitin “Explorer 1”. (Mos ia thuaj njeriu si sukses, se e ha, agjitacion dhe propagandë për sistemin kapitalist…)
Ushtria Amerikane rekruton me ceremoni Elvis Presley-n, mbretin e Rock & Roll. Nis Radio BBC dhe Fidel Kastro sulmon Havanën, nisin protestat për çarmatimin nuklear në Londër, niset “Sputniku 2”, Brazili fiton kupën e botës në futboll duke mundur Suedinë 5 me 2, (kujdes, mos lavdëro sportin borgjez!), Vladimir Nabokov boton romanin disident “Lolita” në SHBA, (tradhtari!), Bashkimi Sovjetik kryen provat bërthamore, (…sa të fortë jemi, urra!…), Charles de Gaulle zgjidhet President i Francës, (shiko karikaturën e tij…), një pjesë baleti e Çajkovskit jepet për herë të parë në televizion me ngjyra, (sovjetikët kanë art), botohet pas vdekjes romani “Gattopardi” i shkrimtarit sicilian Giuseppe Lampedusa, (e ç’na duhet ne?!), vdesin shkrimtarët nobelistë, spanjolli Juan Ramon Jimenez e francezi Roger Martin du Gard (…s’i kemi dëgjuar, s’janë për proletariatin…), Boris Pasternaku merr çmimin Nobel për letërsi, (në burg të futet, është çmim për borgjezët… është shkrimtar i madh, mbylle gojën, ç’të duhet ty…), ndërsa për paqen Nobelin e mori Georges Pire (…e ku ka paqe, ata kapitalistët…), etj., etj.

Gëzim Qendro - Gratë pas qitjes
Gëzim Qendro – Gratë pas qitjes

9.DY DASHURI apo një e vetme e realisht asnjëra, sipas meje, duket sikur janë bazament në dy romanet “Dashuria e Mimozës dhe “Mjegullat e Tiranës” që në letrën e hapur të Nasho Jorgaqit dërguar Ismail Kadaresë bëhen shkak i debatit, ku dhe del se protagonistet përkatëse të tyre, Mimoza dhe Ema, studente të bukura të dyja, kanë qenë i njëjti person, por, natyrisht, çështja s’është fare këtu dhe nuk ka rëndësi fare për letërsinë.
Por unë do të doja të këmbëngulja që të dilja nga çështja në fjalë, duke u lutur të mos keqkuptohem. I nisur nga e sotmja dhe prirja që më dha fati, them metaforikisht se Shqipëria atëherë duhej të kishte dhe dy dashuri të fshehta, të mëdha e të pamundura, tragjike ndërkohë, të cilat i harron padrejtësisht, dy gra emblematike që kujtesa dhe ndërgjegjja kolektive, por dhe letërsia shqipe, u ka borxh.
Njëra është, e pse të mos ishte, gruaja e bukur Sabiha Kasimati, e lauruar në Europë, për biologji në Torino, e para shkencëtare ihtologe shqiptare, që u pushkatua nga Enver Hoxha, drejtpërsëdrejti me interesimin e tij, në vitin 1951, ai, ai shtoi me dorën e vet në listën mortore emrin e shoqes së klasës. Dhe nuk dihet a ka patur a humbur ndokund ndonjë roman i fshehtë për të, grua e bukur që e vranë barbarisht mes 21 burrave, intelektualë të gjithë, akt kriminal i shtetit nga shkaku i një bombe artizanale të dyshimtë që u hodh në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë, pa dëmtuar kurrkënd. Historiani dhe shkrimtari Uran Butka na e ka rrëfyer rrëqethshëm tani në një studim të vetin.
Dhe tjetër dashuri e Shqipërisë, po aq njëlloj do të thosha, duhet të ishte dhe mbase është, gruaja tjetër e bukur, Musine Kokalari, e laureuar në Romë, gruaja e parë shkrimtare shqiptare, e para disidente në të gjithë perandorinë komuniste, që Enver Hoxha, pasi i pushkatoi dy vëllezërit, e futi në burg dhe internim për jetë, i ndaloi të shkruarit dhe veprën ia nxori nga letërsia, se ai printe dhe në letërsi.

Musine Kokalari - Laurea e Sapienza-s
Musine Kokalari – Laurea e Sapienza-s

S’mund të rri pa thënë se diktatura e Enver Hoxhës burgosi 7367 gra, ku 308 u çmendën nga torturat, 45 vdiqën qelive, ndërsa 450 janë pushkatuar. Tmerr i llahtarshëm!
Duhet të kthehemi tek kjo dashuri patjetër për të shpëtuar ndërgjegjen kolektive, por dhe atë krijuese, që të jemi të aftë të nxjerrim nga dhimbja virtyte e të krijojmë “kulturën e vuajtjes”, që popujt e zhvilluar e kanë…

10.SOCREALIZMI tashmë, besoj unë, doli nga letërsia shqipe bashkë me diktaturën që e ngriti, por me pasojat, dëm dhe gjurmë të frikshme.
Mendoj dhe shoh se kushtet e lirisë bënë që të zbulojmë një letërsi tjetër, që duke u përbashkuar, përbën tërësinë e duhur të letërsisë tonë, më të begatë, gjithëpërfshirëse, aspak përjashtuese, më jetësore, që i ra fati të bëjë kalimin nga letërsi e masave në të njeriut, nga monumentale në rastin më të mirë, në letërsi e së madhërishmes së brendshmi, nga e planeve 5-vjeçare, e të përditshmes, jo e maskës së bukur, por e fytyrës së përvuajtur, e dashuruar, me këtë gëzim, do të thosha, letërsi e mundimeve, me të vërtetat e dhimbshme shqiptare, e ecjes, e kërkimit, e ëndrrës, jo e utopisë, që po tejkalon pengesat letrare e jashtëletrare dhe, nëse do të duhej t’i vihej një emër metodës së saj, mund të quhet, e përsëris, Realizëm i Dënuar, origjinale shqiptare, ku nuk nënkuptoj thjesht letërsinë që doli nga burgjet dhe internimet, por më gjerë, letërsinë tonë të re, e krijuar me mund mes rrethanave dënuese…

Shkrimtar i madh do të thotë edhe një shtet tjetër. Dhe shteti duhet ta pranojë këtë. Jo të ndërhyjë si diktatura që letërsinë ta verë në shërbim të politikave të saj të mbrapshta, por ta mbështesë institucionin e shkrimtarit, guxoj ta them, ashtu si diktatura, por pa e përçarë siç bënte ajo në shkrimtarë të saj me plot privilegje dhe në shkrimtarë kundër saj, brenda në burgje.
Në klimën demokratike shteti të sigurojë mbarëvajtjen e letërsisë si e tillë, natyrisht dhe të krijuesve të saj, si kulturë e pasuri shpirtërore, gjuhë e identitet etj., se vërtet në demokraci kemi një letërsi tjetër, është e saj siç është e vetvetes, të mbrohet siç mbrohet populli.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.