back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“…Shoh me optimizëm përtej dhimbjeve fizike!” – nga Ina Kasimati

Gazeta

Ina Kasimati - Në mbrojtje të Teatrit
Ina Kasimati – Në mbrojtje të Teatrit
“…Shoh me optimizëm përtej dhimbjeve fizike!”*
nga Ina Kasimati

Çfarë gruaje! Çfarë karakteri!
Për t’u admiruar forca e saj!
Ina Kosturin e kam takuar veç një herë, në sheshin e Teatrit, një mbasdite ku qëlloi të isha edhe unë. Ndofta ka qenë viti 2019.
Na u afrua me një filiz bredhi në krah. U përshëndetëm dhe pasi u prezantua na falenderoi që ishim aty për mbrojtjen e Teatrit. Tha se donte të mbillte bredhin dhe u ul me ne të bisedonte. Më bëri përshtypje që kishte një leukoplast të ngjitur në qafë dhe e pyeta. Më tha që paradite kishte bërë një biopsi të gjendrës, se mesa dukej, sëmundja po i kthehej. M’u lidh fjala në grykë. Megjithëse spitali ka qenë shtëpia ime e dytë, nuk kisha hasur më parë një njeri që paradite të kishte bërë biopsinë dhe mbasdite të vinte në sheshin e Teatrit për të mbjellë bredhin. Nuk donte të humbte kohë!
Ja çfarë shkruan sot Ina Kasimati!
Shqipe Saraçi, 27 shkurt 2024

Ina Kasimati
Ina Kasimati

Të dashur miq, mikesha, kushërinj, shqiptarë të mirë që nuk ju njoh nga afër, por që u bashkuat sërisht me solidaritet kozmik, humanizëm për të më mbështetur!
Ju jam thellësisht mirënjohëse, falenderuese nga zemra!

Në këtë rrugëtim që kam bërë me sëmundjen kam kuptuar çfarë do të thotë të kesh Kurajo, Dinjitet për jetën, për veten, familjen, shoqërinë!
Në rastin tim, sëmundjes i është “dukur vetja” se do mundte të më mposhte me arsenalin e qelizave shkatërrimtare. M’i ka thyer kockat nga përhapja e metastazave, m’i ka bllokuar organet të funksionojnë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, ka prodhuar likide mbi normalen, duke më vështirësuar frymëmarrjen, kalimin e ushqimit…
Këto kohë po mbahem në shërbimin paliativ spitalor dhe në çdo lutje që bëj është:
“Zot, më jep çdo ditë jetë!”
Unë dua të jetoj!
Dhe këtë jetë unë mund ta jetoj e rrethuar nga dashuria e familjes sime, dhe e juaja pa limite, hapësirë, kohë, që si një mrekulli dhe bekim m’u derdh mbrëmë në mënyrë të rrufeshme, e vazhdon sot, e kështu do jetë me siguri nesër.
Ndaj në këtë moment shumë delikat për shëndetin tim, zgjodha të fluturoj e të jem me diellin, ajrin, shpirtin e dashurisë tuaj, vendit tim duke qenë besimplotë në Zot që armata e zezë do të thyhet shpejt!
Në këtë histori njerëzore, heroina nuk jam unë, por im bir, i vogli, heroi i madh Amantin!
Jam e bekuar për familjen time!
Jam e lumturuar që jam gjallë dhe marr kaq shumë vlerësim, mirësi, mbajtje në lutje nga të gjithë që më njohin, më duan dhe i dua!
Unë nuk i kam ditët e numëruara, sepse shoh me optimizëm përtej dhimbjeve fizike, tubave që më ushqejnë e marr frymë….
Faleminderit që më mirëkuptoni, më lejoni ta rrëfej këtë betejë tani që është duke u zhvilluar, më frymëzoni e më jepni dritë për shpirtin!
Ju dua!
Ina Kasimati

Marrë nga Muri i FB, Ina Kasimati, 26 shkurt 2024 (*titulli redaksional)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.