back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shoku Enver, s’kam qenë asnjëherë kundër vijës së partisë, as revizionist, Shqipëria po lulëzon – Letra e Trebeshinës – drejtuar K.Q – nga Dashnor Kaloçi*

Gazeta

Kasem Trebeshina (1926)
Kasem Trebeshina (1926)

Kasem Trebeshina u përket atyre figurave komplekse, të cilat në një formë a në një tjetër janë sulmuar me ashpërsi prej të gjitha palëve si të politikës edhe të letrave shqipe, duke e lënë kështu si një prej vetmitarëve të mëdhenj, ku gjithkush e ka në mos një gur, një dorë baltë per ta heshur mbi të… edhe pse, për të mbrritur te një përcaktim paksa me i plotë dhe më i të qartë rreth tij më është dashur të lexoj e të ndjek me vëmendje të gjitha trajektoret shigjetave që bëhen nyje te figura e tij. Bile, nëse do të nisemi prej një lloj gjykimi mbi figurën e tij antikonformiste deri në çmenduri, ajo gjithmonë u ka sjellë trishtim o si të thuash një inat të pajustifikuar, për të pamundurën që këta gurëhedhës dhe baltëhedhës nuk mund të realizonin, mbasi rrjedha e tyre tashmë kishte zbritur si ata lumenjtë fushorë, pa fuqi për për ta ndrruar frymën e tyre, ndaj e shihnin figurën e tij si një lloj kërcënimi për vullnetin e hekurt e shpirtin e paepur për ta realizuar atë pak vetvete në kushtet e privimeve dhe dramave që ai jetoi! 
Pikërisht ky element, e ka bërë më të errët dhe i ka shtuar sasinë dhe cilësinë e hijeve dhe hijenave në rrafshin e gjykimit vlerave të tij. Sa i përket trajtimit të tij në rrafshin si shkrimtar, si intelektual dhe si njeri, më së shumti është luftuar për të gjetur pikat e dobta të tij, duke qenë se ai e konfiguroj me kokfortësi të qenit shkrimtar i rëndësishëm, po në të njëjtën kohë u përpoq deri në kufijtë e vetmohimit si njeri, ndërsa si intelektual I përket stoikëve që nuk pranoi asnjë kompromis me të keqen dhe me guxim e tha të vërtetën pa i marrë në konsideratë pasojat! E gjitha kjo e ka bërë figurën e tij të urrejshme deri në kufijtë e përjashtimit, pikërisht prej atyre rivalëve jo veç të letrave, që kompromisin me pushtetin dhe për pushtetin e kishin bërë mënyrë të jetesës dhe mbijetesës së tyre. Pikërisht në këtë rrafsh e gjejmë edhe agresivitetin më të madh të tyre të drejtpërdrejtë e të tërthortë ndaj tij. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që ndaj tij nëse nuk bëhen bashkë në heshtjen humnerore shfaqen si lukuni intrigantësh.
Ky proces cënimi i figurës së tij s’mund të shfaqet thjesht si përballje dinjitoze, por si një mënyrë selektive në përzgjedhjen e një pjesë të materialeve të mbledhura me durim ndër arkiva kur bëhet fjalë për të hedhur dritë, ata gjurmojnë diçka të errët, për ta dobësuar atë raportit e mosnënshtrimit të tij përmes letërkëmbimeve që ai ka pasur honxhobonxhot e pushtetin e kohës. Pikërisht në rrafshin e këtyre letërkëmbimeve unë u ndala te disa shkrime të njeriut të arkivave Dashnor Kaloçit ka sjellë ndaj Trebeshinës, kur arkivat kanë edhe shumë e shumë të tjera që mund të jenë pjesë e monumentit të munguar të Trebeshinës… Por duke qenë se Kaloçi ka dëshmuar dashuri të hapët ndaj një kategorie tjetër shkrimtarësh, të cilët simbas tij, meritonin vëmendje më të mdhe për t’i afruar te disidenca, i ka kthyer këto kolazhe të përzgjedhura me piskatore këto shkresa arkivash si një mënyrë jo fort korrekte, e ta përdorë këtë lloj këndvështrimi si një mënyrë denigruese si të kërkon të na theksojë se edhe figura e Kasem Trebeshinës nuk ndryshon shumë prej atyre që bënë kompromise të hapura me diktaturën…
Si studjues po edhe thjesht si lexues, disponoj dokumente të shumta me të cilat mund ta ndihmoja zotin Kaloçi, po edhe të tjerë, për të pasur një pamje 360 gradëshe rreth figurës së Trebeshinës dhe madhështisë së Shkrimtarit, Intelektualit dhe Njeriut që Ai na e ka lënë si pasuri kolektive e një populli, që madhështinë e tij e ka shkruan thjesht në qëndresë dhe mbijetesë!
jozef radi, dhjetor 2021- shkurt 2022

Vepra e botuar e Kasem Trebeshines
Vepra e botuar e Kasem Trebeshines

“Shoku Enver, s’kam qenë asnjëherë kundër vijës së partisë,

as revizionist, Shqipëria po lulëzon”

Letra te Trebeshinës drejtuar K.Q – nga Dashnor Kaloçi*

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin periudhës së viteve 1963-1965, ku ndodhen disa letra të shkrimtarit të njohur Kasem Trebeshina, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, ku ai, pasi u kërkonte që të kthehej nga Gramshi në Tiranë, i bënte me dije udhëheqësit kryesor të Partisë, se ai asnjëherë nuk kishte dalë kundër vijës së partisë e ligjeve të shtetit dhe, jo vetëm që nuk ishte revizionist, siç e kishin akuzuar me pa të drejtë, por në vitin 1956, kur kishte ndodhur Konferenca e Partisë e Tiranës, ai i kishte dërguar një letër Mehmet Shehut, duke i kërkuar dënimin e tyre. Ankesat e tjera të Trebeshinës dhe përgjigjja e Enver Hoxhës, ku shkruante “Le të vazhdohet të ndihmohet…”.
Ashtu siç pamë edhe në kapituj të tjerë paraardhës, ku shkrimtari Kasem Trebeshina, në vitin 1963, u ka dërguar një sërë letrash Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike (letra që tashmë janë të njohura prej vitesh, ngaqë janë bërë publike prej shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, Prof. Dr. Sadik Bejko në librin e tij “Disidentët e rremë”), Trebeshina e përsërit të njëjtën gjë dy vjet më vonë, duke dërguar përsëri një sërë letrash dhe ankesash në adresë të Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike. Po ashtu, si në letrat e vitit 1963, ku ai i bën me dije udhëheqjes së lartë të PPSH-së se, nuk ka qenë dhe nuk ka dalë asnjëherë kundër vijës së partisë dhe ligjeve të shtetit, edhe në letrat e vitit 1965, ai përsërit të njëjtën gjë. Kështu, në vitin 1963, ai u bënte me dije të dërguarve të udhëheqjes që shkuan për ta takuar në Gramsh, se: “Nuk kam qenë asnjëherë kundra vijës së partisë, përkundrazi, në vitin 1956, kur u zhvillua Konferenca e Tiranës e më vonë kur u bë kundërrevolucioni në Hungari, kam mbajtur një qëndrim të mirë dhe në këtë kohë i kam dërguar një letër shokut Mehmet Shehu, me të cilën si qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë, solidarizohesha me qëndrimin që mbante partia”. Pak a shumë të njëjtën gjë Trebeshina përsërit edhe në letrat e vitit 1965, ku në mes të tjerash, shkruan pasazhe të tilla si: “Nuk kam qenë asnjëherë kundërshtar dhe gjithë pakënaqësia ime, do të zhdukej me një botim në kohën e duhur”. “Gjithë gabimet e mija janë shkaktuar nga nxitimi dhe në inat e sipër”. “Më mbyllën në Ishullin e Zvërnecit duke më akuzuar si revizionist, pa qenë i tillë”. “Unë jam i kënaqur që e pashë vendin tim të lulëzuar dhe sidomos me një pavarësi të plotë”. Pra, letrat pothuaj kanë të njëjtën përmbajtje, por ndryshon vetëm koha kur ato janë shkruar. Kështu p.sh., në vitin 1963, ai bënte kërkesë që të mos qëndronte më në Gramsh si mësues, por ta lejonin të kthehej pranë familjes në Tiranë, apo edhe në Shijak, ku kishte dhe shokun e mikun e tij të afërt Mehmet Myftiu (kërkesë që iu plotësua); nga Shijaku, tashmë ai u kërkon Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike që të kthehet në Tiranë. Dhe pas plotësimit të kësaj kërkese, nga Tirana ku banonte, Trebeshina u kërkon përsëri Enverit dhe Byrosë që, nuk është dakord që të punojë si llogaritar ku e kanë caktuar, por iu lutet atyre që të punojë si “përkthenjës”. Sa më sipër cituam, ndryshe nga letrat e vitit 1963, ku në mosplotësim të kërkesave të tij Trebeshina kërcënonte me grevë urie, në letrat e vitit 1965, ai “ka avancuar” më tej në “kërcënimet” e tij, duke i bërë me dije Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike se: “Në pamundësi që t’i shtyj më gjatë ditët dhe vuajtjet e mija dhe duke qenë shumë i sëmurë, në pamundësi shërimi, kam vendosur që ta mbyll sa më parë jetën time, duke ngritur vetë dorën kundër saj”. Pra, kësaj radhe Trebeshina kërcënon me vetëflijim, gjë të cilën e specifikon se e bën për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme që ka. Nga letrat dhe dokumentet arkivore që disponojmë, si ato të vitit 1963, edhe ato të 1965-ës, edhe përgjigjet që i kthehen Trebeshinës nga udhëheqja e lartë, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj., kanë pothuaj të njëjtën frymë në përmbajtjen e tyre. Madje, Enver Hoxha ka shkruar me dorën e tij: “Të bëjmë përpjekje ta ndihmojmë, që ai të heqë dorë nga marrëzitë e tij”.
Po kështu, në një shënim tjetër thuhet se, Mehmet Shehu ka urdhëruar që Kasem Trebeshinën ta sjellin në Tiranë, siç dhe e sollën në të vërtetë pas letrave të shumta që ai niste në adresë të udhëheqjes. Të gjitha këto ndoshta kanë ardhur nga fakti se Trebeshina, kishte lidhje farefisnie e krushqie me disa nga udhëheqja e lartë, si p.sh., Fiqret Shehu, Bilbil Klosi, Ramiz Alia etj., deri tek i vëllai, Myzafer Trebeshina, Sekretari i Parë në disa rrethe, apo nipi i tij, hetues në “Grupin e Hetuesisë Speciale” që gjykonte Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun, Llambi Ziçishtin, Llambi Peçinin etj., në vitin 1982. Edhe vetë Kasemi vinte nga Lufta, madje me mjaft merita. Por, edhe pse Trebeshina pati një jetë plot vuajtje dhe sakrifica, duke kaluar vite të tëra larg familjes, si në ishullin e Zvërnecit, Spitalin e Burgut në Tiranë (Spitali Psikiatrik), Gramsh e Shijak, duhet thënë se në letrat e tij nuk rezulton aspak ndonjë frymë disidence, sikur është paraqitur pas viteve ‘90 nga disa dashamirës apo adhurues të tij. Përkundrazi, ai shprehet solidar me pushtetin komunist dhe udhëheqjen e lartë, gjë e cila siç duket është bërë shkas që gradualisht atij i janë plotësuar pothuaj të gjitha kërkesat, me përjashtim të asaj që kërkonte të punonte si përkthyes. Dhe, po ta krahasojmë këtë gjë me shkrimtarë dhe poetë të tjerë, si p.sh. Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Hafzi Nela etj., ajo që ka bërë udhëheqja me Trebeshinën, pa e tepruar aspak mund të quhet një “llastim”. Gjithsesi, duhet pranuar aksioma e vjetër se: “Çdokujt i mjaftojnë vuajtjet e veta”. Dokumentet në fjalë i publikojmë të plota dhe pa asnjë shkurtim.

Kasem Trebeshina - Dosja formulare (Sigurimi i Shtetit) Nr. 1338 -
Kasem Trebeshina – Dosja formulare (Sigurimi i Shtetit) Nr. 1338

Letra e Kasem Trebeshinës nga Shijaku për Enver Hoxhën
Sekretarit të parë të K. Qëndror të P.P.Sh.
Shokut Enver Hoxha – Tiranë
Me anë të kësaj letre u vë në dijeni për sa më poshtë vijon: Në pamundësi që t’i shtyj më gjatë ditët dhe vuajtjet të mija dhe duke qenë shumë i sëmurë, në pamundësi shërimi e kam vendosur që t’a mbyll sa më parë jetën time duke ngritur vetë dorën kundër saj. Por përpara se të mbyll sytë dua të provoj për herë të fundit në kam mbetur me të vërtetë i tepërt në Shqipërinë tonë dhe si tillë të ç’dukem.
Përveç kësaj, përpara se të mbyll sytë përgjithmonë dua të them dhe këtë: Nuk kam qenë asnjëherë kundërshtar dhe gjithë pakënaqësia ime do të ç’dukej në një botim në kohën e duhur. Nuk kam pasur asnjë përgatitje ideollogjike dhe gjithë gabimet e mija janë shkaktuar nga nxitimi dhe në inat e sipër. Unë jam i kënaqur që e pashë vendin tim të lulëzuar dhe sidomos me një pamvarësi të plotë dhe të siguruar mirë.
Nuk kam çfarë të them më tepër dhe në gjëndjen time nuk mund të thuhet më tepër.
Duke e mbyllur dua t’u kujtoj edhe njëherë kërkesat e mija të vazhdueshme për lirim, kërkesa që gjermë tashti kanë mbetur pa përgjigje. Në mes të tjerave dua t’iu kujtoj edhe faktin se tashti mbushen tre vjet dhe kjo kohë përbën dënimin që më është dhënë në fillim kur u mbylla në Ishullin e Zvërnecit si revizionist, pa qenë i tillë.
Po qe akoma ndonjë derë për lirimin tim, i lutem të mos ngurroni të m’a hapni për të kthyer edhe njëherë në gjirin e familjes sime, në gjirin e shoqërisë, që me një punë të vogël të ndihmoj vehten time, familjen time dhe shoqërinë.
Duke u kapur pas kësaj shprese të fundit dhe duke pritur vdekjen nga çasti në çast.
Mbetem me respekt (Kasem Trebeshina)
Shijak, 20 mars 1965

Kartela e letrës së Kasem Trebeshinës drejtuar Enverit dhe Byrosë Politike
Komiteti Qendror i P.P.Sh Alf. K
Dega e Përgjithëshme Nr. 158
Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.25.03.’65

Kartelë e regjistrimit dhe evidencës së letrave
Emri: Kasem Trebeshina
Adresa: Hotel Shijak, Rrethi Durrës
Kujt i drejtohet letra… Shokut Enver dhe Byrosë Politike
U lexua nga V. Ç.
Çështja që parashtron: Thotë se para se t’i jap fund jetës, po bën këtë letër për të parë se mos ka mbetur ndonjë fije shprese për ta liruar pranë familjes së tij. Para se t’i mbyllë sytë është i gëzuar se pa Shqipërinë të Lirë dhe të lulëzuar. Asnjë shenjë pakënaqësie nuk do të ishte krijuar tek ai në qoftë se do t’i botoheshin veprat në kohën e duhur. Pret nga çasti në çast që t’i jap fund jetës.
Kërkon që të bashkohet me familjen. Të njëjtën letër i bën dhe Byrosë Politike
Porosia e dhënë nga sekretari i K.Q, ose drejtori:

Shënimi i Enver Hoxhës me shkrimin e tij:
Ne nuk jemi shtypshkronjë të cilat kanë rregullat e tyre. Duhet të bëni përpjekje nga shokët nga të afërmit që të heqë dorë nga marrëzitë që thotë… (Me kurajo thonë se… dhe të tjera është dhe mendon)
Është mistik, ky është ndihmuar. Le të vazhdojnë ta ndihmojnë si e thashë më lart.
Enver

***

Kartela e letrës së Kasëm Trebeshinës për Enver Hoxhën
Komiteti Qendror i P.P.SH Alf. K
Dega e Përgjithëshme Nr. 158
Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.27.7.’65

Kartelë e regjistrimit dhe evidencës së letrave
Emri: Kasem Trebeshina
Adresa: Rr. N. Tupe, Pall. Nr. 6. Shk. 2 Ap. 9 Rrethi Tiranë
Kujt i drejtohet letra… Shokut Enver u lexua nga J. K.

Çështja që parashtron: I është dhënë punë si llogaritar. Nuk është dakord dhe kërkon që të punojë si përkthenjës: ndryshe, shkruan ai, të lihet në heshtje dhe të mos i bëhet presion.
Mendojmë të mos bëjmë ndërhyrje. Porosia e dhënë nga sekretari i K.Q., ose drejtori.
Shënim: Pse e mbani këtë në Tiranë
Firma (Hysni Kapo)

Iu dha për zbatim: Shoku Kadri (Hazbiu) thotë se e ka porositur shoku kryeministër që ta sjellin këtu.
16.8.1965

Shoku Rita (Marko) porosit që: Të mblidhet tërë praktika e Kasem Trebeshinës, mbasi do të bisedojë me shokun Enver kur të kthehet nga pushimi.
Porosit gjithashtu t’i komunikohet nga organet e pushtetit, jo të partisë, që të vejë në punë atje ku e caktojnë dhe të mos vijë rrotull. Njoftoni shokun Jovan (Bardhi) ose i thoni shokut Sabri ose shokut Sevo Tarifa të ngarkojë njeri ta thërrasin e ta njoftojnë për kërkesën që bën.

Shënim: Vura në dijeni shokun Enver (firma)
U njoftua Sh. Sabri, pastaj sipas porosive, pasi sh. Sevo Tarifa është me leje. Ai do ta thërrasë dhe do ta sqaroj.
23.8.1965

Kasem Trebeshina (1926)
Kasem Trebeshina (1926-2017)

***

Letra e Kasem Trebeshinës për Enver Hoxhën
Shokut Enver Hoxha
Sekretar i Parë i K.Q. të P.P.SH. – Tiranë
Marr leje t’u drejtohem për sa më poshtë:
Duke qenë se pasi kërkova punë dhe më caktuan si llogaritar, për mua do të ishte mirë që të dija nëse mund të kërkojë një punë si përkthenjës. Po qe se nuk e kam këtë të drejtë dhe po qe se më takon vetëm llogaria si një vendim i prerë, u lutem të më lejoni që të tërhiqem në heshtje dhe të mos më bëhet asnjë presion për t’u bërë llogaritar.
Në pritje të përgjigjes suaj
Mbetem me respekt (Kasem Trebeshina)
Tiranë, 26.07.’65

***

Letra e Trebeshinës për Byronë Politike
Byrosë Politike të K.Q. të P.P. SH. – Tiranë
Kam 8 muaj që jam liruar nga internimi dhe në mbarim të të 1965, jam akoma pa punë dhe në gjëndje izolimi. Që të të mos formohet një mendim jo i drejtë i gjendjes sime, e quaj të nevojshme që të sqaroj sa më poshtë:
Si të gjithë qytetarët e Republikës edhe unë kam nevojë (si familjar) për punë, gjë të cilën e kam edhe detyrë. Këtë gjë e kam kërkuar disa herë, por meqënse e vetmja punë që më është dhënë (si llogaritar) ka pasur karakterin e një ndëshkimi, parimisht nuk mund të bëj një punë ndëshkimore në një vend të lirë dhe, rrjedhimisht, detyrohem që të hiqem mënjanë duke vënë në dijeni atë Byro Politike se ky veprim i imi nuk është një qëndrim opozitar dhe pasiv siç mund të interpretohet, po një qëndrim i imponuar nga rrethanat e krijuara, në kushte izolimi.
Duke shpresuar se ky qëndrim jo dashamirës karshi meje nuk do të vazhdojë.
Mbetem me respekt (Kasem Trebeshina)
Tiranë, 01.12.1965

Letra e Trebeshinës dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së
Komiteti Qendror I P.P.SH Alf. K
Dega e Përgjithëshme Nr. 158
Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.27.7.’65

Kartelë regjistrimit dhe evidencës së letrave
Emri: Kasëm Trebeshina
Adresa: Rr. N. Tupe, Pall. Nr. 6. Shk. 2 Ap. 9 Qyteti Tiranë
Kujt i drejtohet letra: Byrosë Politike. U lexua nga Th. Ç.
Çështja që parashtron: Shkruan se ka 8 muaj që është liruar nga internimi dhe akoma s’po e vendosin në punë të përshtatëshme.
E vetmja punë që i është ofruar ka qenë ajo e llogaritarit, por duke qenë se caktimi në një punë të tillë ka karakterin e një ndëshkimi, nuk e ka pranuar.
Shënim: Mendoj që letra të arshivohet pa përgjigjie.
Sadik Myftiu
16.12.1965

*Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, i gazetarit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti./ “Memorie.al”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.