back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shoqata shqiptare “Miqtë e Kroacisë” – Dossier nga Qerim Lita – Me rastin e 78 vjetorit të themelimit

Gazeta

Flamurët Shqiptarë dhe Kroatë
Flamurët Shqiptarë dhe Kroatë

Shoqata shqiptare “Miqtë e Kroacisë”

Dossier nga Qerim Lita

Me rastin e 78 vjetorit të themelimit

Veprimtaria e Shoqatës “Miqtë e Kroacisë” pushoi së funksionuari
me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore,
ku siç dihet botërisht, Kosova dhe trevat lindore shqiptare
u ripushtuan nga ushtria pushtuese komuniste jugosllave,
ndërsa në shtetin e cunguar të Shqipërisë u vendos regjimi totalitar
komunist në krye me Enver Hoxhën.
Menjëherë pas kësaj, shumë nga anëtarët e shoqatës ose u pushkatuan
nga të dy regjimet komuniste, ose qenë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre
për të emigruar në vendet demokratike perëndimore…

Grupi Themelues "Miqtë e Kroacisë"
Grupi Themelues “Miqtë e Kroacisë”

Me nismën e një grupi të intelektualëve kroat, më 17 shkurt të vitit 1944, në Zagreb u formua Shoqata Kroato-Shqiptare. Qëllimi i themelimit të shoqatës, siç u theksua në debatin e zhvilluar në mbledhjen themeluese, ishte afrimi i dy popujve në fushën e kulturës, arsimit, politikës, ekonomisë dhe marrëdhënieve sociale. Kryetar i shoqatës u zgjodh intelektuali i shquar kroat, Dr. Shime Cvitanoviq. Themelimit të kësaj shoqate rëndësi të veçantë i kushtuan mediat kroate, në radhë të parë Radio Zagrebi, i cili po atë ditë njoftoi për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore. Në mbledhje u miratua Statuti i Shoqatës, i cili ishte i ndarë në njëmbëdhjetë krerë dhe 34 nene. Në nenin 2 të Statutit, definohej qëllimi i themelimit të shoqatës ku thuhej shprehimisht: “Qëllimi i Shoqërisë është zhvillimi i marrëdhënieve arsimore, shkencore, ekonomike dhe shoqërore me kombin shqiptar. Këtij qëllimi Shoqata do ia arrij:
a)përmes kontakteve me entet arsimore, shkencore, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë;
b)përmes organizimit të konferencave mbi ngjarjet për jetën e popullit shqiptar;
c)përmes hapjes së kurseve për mësimin e gjuhës shqipe;
ç)përmes hapjes së një biblioteke kushtuar letërsisë shqiptare e kroate;
d)përmes organizimit të ndryshëm (shfaqjeve kulturore-artistike, ekspozitave, udhëtimeve, shëtitjeve etj.); përmes botimit të një reviste periodike e të botimeve tjera; përmes shkëmbimit të vizitave nga ana e anëtarëve të Shoqërisë me qëllim të afrimit shqiptar-kroat”.
Ndërsa, sipas nenit 6, anëtar i Shoqatës mund të bëhej çdo nënshtetas shqiptar apo kroat, me kusht që i njëjti të mos ishte i kombësisë serbe dhe t’i përkiste Lëvizjes Kombëtare Kroate apo Shqiptare.
Selia qendrore e Shoqatës ishte në Zagreb, ndërsa në qendrat më të mëdha të Kroacisë funksiononin degë dhe nëndegë (besimtari) të shoqatës. Përveç kësaj, në Zagreb dhe në disa qytete funksiononin edhe seksionet rinore të cilat njiheshin si “Seksione Djaloshare”. Kryesia e shoqatës përbëhej prej kryetarit, dy nënkryetarëve, sekretarit, arkëtarit dhe dy këshilltarëve. Përveç Kryesisë, Shoqata pati edhe Këshillin Drejtues, i cili përbëhej prej 15 këshilltarëve të zgjedhur dhe prej anëtarëve të Kryesisë. Trupi më i lartë i shoqatës ishte Mbledhja e Përgjithshme, e cila mbahej së paku një herë në vjet.
Edhe pse kohëzgjatja e veprimtarisë së kësaj shoqate ishte tepër e shkurtër (shkurt-nëntor 1944), udhëheqja qendrore e saj dha një kontribut të çmueshëm si në qëndrimin dhe mbrojtjen e drejtë të problemit shqiptar në përgjithësi, po ashtu edhe në afirmimin e miqësisë kroato-shqiptare në veçanti. Në qershor të vitit 1944, kryetarit të Shoqatës i arriti një letër nga lideri i VMRO-së, Vanço (Ivan) Mihajllov, në të cilën kërkohej që Dr. Cvitanoviq, të ndërmjetësonte tek udhëheqja e atëhershme politike e shtetërore shqiptare, që ta pranonte të ashtuquajturën “Marrëveshje” e arritur në vitin 1921, ndërmjet Komitetit të Kosovës dhe VMRO-së, sipas së cilës “…kufijtë e ardhshëm shqiptaro-bullgar” duhej të ishin “identik me kufijtë e mëparshëm shqiptaro-jugosllavë”, në përjashtim të Dibrës së Madhe “ku përmes plebishitit popullsia e atij rrethi do të deklarohej se a dëshiron t’i bashkangjitet Shqipërisë apo Bullgarisë”. Duke iu përgjigjur letrës së Mihajllovit, Dr. Cvitanoviq, vë në dukje se “nuk është në interesin kroat që shqiptarët dhe bullgarët të kenë ngatërresa ndërmjet veti, sepse ata janë aleatë të Kroacisë dhe kundërshtarë të Serbisë” dhe se kjo ngatërresë, për të, nënkuptonte “vetëm se dobësim të fuqive të tyre vetanake”. Sipas tij, qëllimi i politikës kroate ishte “…për një kufi të përbashkët kroato-shqiptaro-bullgar në Lindje me Sanxhakun si korridor ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi..”. Dr. Cvitanoviq, posedonte një hartë, sipas së cilës kufijtë e Shtetit Shqiptar, duhej të shtriheshin në veri deri në Sjenicë, Podgoricë, Kollashin, Tivar, në lindje, deri në Shkup, Veles dhe Prilep dhe një dalje në detin Egje. “…Këto territore, shprehet Cvitanoviq, udhëheqja shqiptare i konsideron si të vetat…”.

Intelektualët shqiptarë që e mbështetën shoqatën "Miqtë e Kroacisë"
Intelektualët shqiptarë që e mbështetën shoqatën “Miqtë e Kroacisë”

Menjëherë pas themelimit të Shoqatës Kroato-Shqiptare, disa intelektualë dhe atdhetarë shqiptarë, të inspiruar nga ky gjest fisnik i intelektualëve kroat, përgatitën terrenin për formimin e Shoqatës Shqiptare “Miqtë e Kroacisë”. Grupi iniciativ përbëhej nga: Prof. Rexhep Krasniqi, Qazim Bllaca, Eqrem Telhaj, Gafur Langu, Esat Berisha, Hivzi Meraku, Izet Bebeziqi, Mark Temali, Lazër Radi, Nexhmedin Bej Vrioni dhe Mentor Çoku. Pasi u kryen të gjitha parapërgatitjet, më 20 maj të vitit 1944 në Tiranë, u mbajt mbledhja themeluese e Shoqatës Shqiptare “Miqtë e Kroacisë”, në të cilën krahas grupit nismëtar, ishin të pranishëm një numër i madh i figurave të shquara politike, arsimore, kulturore, fetare e shkencore shqiptare si: ministri i Punëve të Jashtme, Bahri Omari, ministri i Punëve të Brendshme, Xhafer Deva, nënministri i Punëve të Jashtme, Vehbi Frashëri, anëtarët e lartë të Këshillit Kontrollues të Shtetit: Teufik Bekteshi, Qamil Vlora, Menduh Riveni, Lin Kamsi, Kosta Paftali, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Halil Meniku, përfaqësues të Institutit Shqiptar të Arteve: Odhise Paskali, Dr. Xhevat Korça, Eqerem Vlora, Kostaq Cipo, Karl Gurakuqi, Ndue Paluca, Aleksandër Xhuvani, Lasgush Poradeci, Dr. Kol Ashta, Prof. Filip Fishta; përfaqësuesit e komuniteteve fetare: anëtari i Komunistetit Mysliman Shqiptar, Hafiz Bedri Hamidi, anëtarët e Komunitetit Katolik Shqiptar, episkop Irine Banushi, Dr. Shtjefan Kurti dhe At Viktor Volaj; përfaqësuesit e Parlamentit shqiptar: Mihal Zallari, Et’hem Cara, Raif Maliqi, Ibrahim Biçaku, Beqir Valteri, Mustafa Mara Drita; zyrtarë të lartë shtetërorë: Dr. Xhelal Mitrovica, Abedin Hoxha, Ylvi Resuli, Dr. Kokona, Dr. Henri Lacaj, Dr. Hamdi Karazi, Hamit Kokalari, grupi i profesorërve: Selman Riza, Nonda Bulka, Dr. Aldo Çoba, Dr. Pashko Gjeçi, Aleks Buda, Mehmet Vokshi, Paparisto, Hilmi Doko, Zef Fekeqi; përfaqësues të lartë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare: Sami Koka, Ded Jakova, Spiro Zhei, Major Bumçi, përfaqësues të shtypit: Masar Sopoti, Av. Muzafer Pipa, Gjergj Bubani, Prof. Fiqiri Llagami e shumë të tjerë.
Mbledhjen e hapi dhe me të udhëhoqi, Prof. Rexhep Krasniqi, i cilli para të pranishmëve bëri një përshkrim të shkurtë për qëllimin e organizimit të mbledhjes, si dhe mbi rëndësinë që shqiptarët duhet t’i kushtojnë themelimit të Shoqatës Shqiptare “Miqtë e Kroacisë”. “…që të dy popujt, u shpreh Krasniqi, njijni për njanji tjetrin dhe pothuaj se, në të njajtat kushte luftuen me shekuj për Pamvarsin e tyne, fati i ka sjell në nji vijë të përbashkët dhe me krijimin e këtyne dy Shoqninave, shpresoj se do të realizohet nji pjesë e mirë e aspiratave Kombëtare e Shoqnore…”. Më pas, Dr. Krasniqi, propozoi themelimin e Shoqatës Shqiptare “Miqtë e Kroacisë”, i cili propozim u pranua njëzërit nga delegatët e Mbledhjes së Përgjithshme.
Pas kësaj, fjalën e mori Mark Temali, i cili para të pranishmëve e lexoi Projekt Statutin e Shoqatës, i cili përbëhej prej gjithsej dhjetë kapitujve dhe 30 neneve. Në Kapitullin e parë, neni 1 thuhej: “Krijohet në Tiranë Shoqnija Shqiptare ‘Miqtë e Kroacis’”. Qëllimet e themelimit të shoqatës përfshiheshin në Kapitullin II, neni 2 ku thuhej shprehimisht: “Shoqnija Shqiptare ‘Miqtë e Kroacis’ ka për qëllim me zhvillue marradhanje të ngushta kulturale, ekonomike e shoqnore me popullin Kroat. Këtij qëllimi i arrihet:
a)tue mbajtë relata me entet kulturale, ekonomike e shoqnore kroate;
b)tue pregaditë konferenca rreth jetës, historisë, letërsisë dhe gjendjes shoqnore e kulturore Kroate;
c)tue themelue nji bibliotekë shqiptaro-kroate;
ç)tue pregaditë manifestime fokloristike në Radio dhe Theatër;
d)tue nxitë shtypin kombëtar që herë mbas here t’i kushtojë fletë dhe botime të veçanta historisë, letërsisë dhe kulturës kroate;
dh)tue përkthye në gjuhën shqipe veprat ma me randësi të letërsisë Kroate;
e)tue ba nji botim të përvjetshëm në të cilin do të përmblidhen dhe do të përkëthehen artikujt ma të randësishëm të studjusve Kroat mbi Shqipnin si edhe do të paraqitet nji pasqyrë e veprimtaris së Shoqnis ‘Miqtë e Kroacis’;
ë) tue shkëmbye pjestar të Shoqnisë me qëllim afirmimi Shqiptaro-Kroat”.

Grupi Themelues "Miqtë e Kroacisë"
Grupi Themelues “Miqtë e Kroacisë”

Në debatin e zhvilluar folën një numër i madh i të pranishmëve, si Vehbi Frashëri, Prof.Selman Riza, Dr.Hamdi Karazi, Hamit Kokolari, Bahri Omari, Dr.Koço Tasi etj. Më pas u shkua në zgjedhjen e Kryesisë së Shoqatës, në përbërje: Dr.Anton Kozmaqi, kryetar Ingj.Asim Abdyrrahmani dhe Akile Tasi për nënkryetarë,Mark Temali, sekretar,Et’hem Cara, arkatar dheIzet Bebeziqi dheLazër Radi këshilltarë kulturor. Përveç Kryesisë u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i cili përbëhej prej 15 këshilltarëve, edhe atë: Dr.Rexhep Krasniqi, Vehbi bej Frashëri, Qazim Bllaca, Dr. Xhevat Korça, Odhise Paskali, Xhelal Mitrovica, Eqerem Telhaj, Filip Fishta, Hamdi Karazi, Nexhmedin bej Vrioni, Jup Kazazi, Hivzi Meraku, Gafur Langu, Ismail Sefa dheMentor Çoku.
Krejt në përmbyllje të mbledhjes, me propozim të Jup Kazazit, u vendos që nga ai tubim t’i dërgohet një letër përshëndetëse Shoqatës “Kroato-Shqiptare”, e cila letër u dërgua përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në të ndër të tjerave thuhej: “…Tue theksue simpathin e popullit Kroat me popullin shqiptar e cila simpathi u konkretizue me formimin e Shoqnis “Kroato-Shqiptare” në të cilën marrin pjesë intelektualët e shquar të Botës Kroate të cilët kanë dhënë kurdoherë me veprat e shkrimet e tyne nji kontribut çështjes dhe Historis Shqiptare”.
Veprimtaria e Shoqatës “Miqtë e Kroacisë” pushoi së funksionuari me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ku siç dihet botërisht, Kosova dhe trevat lindore shqiptare u ripushtuan nga ushtria pushtuese komuniste jugosllave, ndërsa në shtetin e cunguar të Shqipërisë u vendos regjimi totalitar komunist në krye me Enver Hoxhën. Menjëherë pas kësaj, shumë nga anëtarët e shoqatës ose u pushkatuan nga të dy regjimet komuniste, ose qenë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre për të emigruar në vendet demokratike perëndimore.
Marrë nga koha.mk. 20 Maj 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.