back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shoqja ime – tregim nga Luli Veli

Gazeta

Libri "Gjurmë" - Luli Velit
Libri “Gjurmë” – Luli Velit

Shoqja ime

tregim nga Luli Veli

Sytë e saj të kaltër si deti, si qielli, si fëmijëria.
Çdo ditë ecnim dorë për dore rrugës së kalldrëmtë për në shkollë. Në atë rrugë luanim e po aty mësonim bashkë. Shtëpitë i kishim pranë. Shtëpitë tona… E saja një karakatinë në kat të dytë kati i parë rrënojë. E imja dy ish dyqane që ndiqni njëri-tjetrin si vagonë treni.
Veç prindërve, njëlloj të trishtuar e të kujdesshëm kishim nga tri motra dhe një vëlla njëlloj të uritur edhe nga një gjyshe napëbardhë. Ishim në një klasë, uleshim në një bankë.
Fjala klasë na ngatërrohej në kokë e i turbullonte mendjet tona që ishin akoma “ujë”. “Klasë shkolle” e kuptonim si gjithë të tjerët; “Klasë e përmbysur” e provonin si varfëri, uri, të ftohtë; “Luftë klase”, ishte diçka që na lëvrinte nën lëkurë e na kallte frikë sa shumë frikë…
Bashkë në të tri klasat. Pranaj nuk ndaheshim, prandaj ecnim dorë për dorë. Tërë fëmijëria jonë qe e ndrydhur, e trazuar, e trishtë.
Sa më shumë shtyhemi në moshë, aq më pranë kujtimeve të hershme. Fëmijëria jonë lule gjëmbaçi. Duham t’i prekim lulet, por gjembat ende shpojnë ende therin. Sado i errët qielli i natës, diku feks ndonjë yll. Ç’yje kishte për ne? Dritëza që nuk e shoi rrjedha e kohës, mbase u dha më shumë shkëlqim.
Ushqimi ynë ditor? Një bukë e misërt, që nënat e ndanin mëngjeseve në tetë pjesë, nga ku secili merrte të tijën dhe më të kalohej dita. Verës mbaj mend ndonjë domate, dimrit çaj pa sheqer.
Kur, Viti i Ri vinte si kudo; festë që sillte të ftohtë pa zjarr, ndonjë portokalli e.. s’mbaj mend! Ah po, mbyllej semestri e merrnim vlerësimin: “Më të mirat e klasës”, përgëzimet e ngrohta të mësuesve, përzier me një lloj keqardhje për ne të dyja, klasëpërmbyurat.
Më kujtohet… qe prag feste, në ëndërr kisha lodra dhe ëmbëlsira. me kalimin e festës varfëroheshin dhe ëndërrat.
Viti i Ri 1952-1953, në dhjetëvjeçare. Beli, si zakonisht pasdite më takoi tek rruga jonë. Kishte një vështrim ndryshe, vështrim ku trazohej gëzimi e frika. Frika gjithnjë frika. Në duart që i mbante bashkuar e mbyllur, kishte fshehur diçka.
-Eja, do të jap diçka që s’e ke parë kurrë! – dhe ngutshëm me zë të ulur, shtoi se ishte për t’u ngrënë dhe se duhej të fshiheshin diku.
Pse duhej të fshiheshin? Se ashtu ishte puna. Ishim mësuar me të fshehtat; fjalët mikluese prindërore ishin zëvendësuar me: “Kujdes! Hesht! Ruhu!”
Gjetëm një skutë. Hapi duart e vogla e të mardhura. Diçka kishte mbledhur në një letër që e hapi ngadalë. Vështrova me kureshtje. M’u duk si bukë misri, por jo ishte e verdhë dhe trazuar me kafe, si ngjyrime bletësh.
Ende në duart e saj, u përhapë një aromë që e ndiej edhe tani; më pushtoi frymëmarrjen e shpeshtuar, më arriti në stomakun bosh, si narkozë
-Sa erë e këndshme! Mbaji duart hapur e mbylli sytë, që ta ndiejmë më mirë!
Ashtu bëmë. Ndejtëm symbyllur një copë herë duke nuhatur tek duart e saj. Merrnim erë me rradhë e qeshnim duke parë njëra-tjetrën. U ngopëm! Me erë!
E ndau më dysh. Me magjinë në duar nisëm ta hanin pa frymë, duke e përtypur ngadalë, e duke ia ngjeshur qiellzës me gjuhë që ta ndienim më mirë e ta zgjatnin kënaqësinë.
Ëmbëlsirë me shije arrash e portokalli, rrushi të thatë dhe kakaoje; shije e panjohur, si në përrallë… ekstazë, ngjyra, muzika. E hëngrëm shumë ngadalë. Sa shpejt u mbarua.
-Është bukë austriakësh, na e ka dërguar me një mik axha, që është doktor në Vjenë. Mos i thuaj njeriu se na fusin në burg! – dhe kaltërsia e syve të Belit sikur u turbullua.
-Po, po, e di!
Sa gjëra që s’duhet të dinin fëmijët, i dinim ne.
Si qenka kjo bukë. Uria shumëfishon aromat e shijet. Magjia mbaroi. Ishim të habitura e të gëzuara, si pas një zbulimi; përjetuam një mrekulli që nuk do ta harronin kurrë.
Dhe ja zbulimi im: e kishim ndarë kekun, si bukën e misrit, në tetë pjesë; të sajën e kishte mbuluar me letër, me duar, me zemrën e madhe të Belit të vogël, dhe mbase pak tinëzisht, ishte nisur tek unë.
Si kish mundur ta mbante ndër duar, pa e ngrënë përgjatë rrugës! Si e kish përballuar tundimin e asaj arome me stomakun bosh? S’e kishte vënë në gojë vetëm për ta ndarë me mua! Skamja ndonjëherë nxit bujari që kamja do t’ia kishte zili. Me çfarë tjetër, përveçse me thikëzën e dashurisë, mund të ndajë një fëmije i uritur një copë kek përgjysmë.
U morëm edhe një herë erë duarve bosh, dhe thamë të mos i lanin shpejt; dolëm dorë për dorë nga skuta ku kishim ndarë kekun e përjetuar ato çaste që koha nuk i fshin.
Beli shkëlqente nga gëzimi, i qeshnin sytë e ëmbël si karamele. Lumturi, gati faj. Ashtu dorë për dore, dy fëmijë të gëzuar, ecnin rrugës së kalldrëmtë dhe këndonin këngëlojën: “Ne jemi dy shqiponja… komtirem, komtirem…” Të lumtura se kishin provuar ëmbëlsirën e rrallë, se e kishin ndarë bashkë, se duheshim.
 
***
Si dy shqiponja, çamë rrugën e jetës me erën kundër. Ia dolën të kryejnë studimet e të punojmë mësuese matematike në shkolla të mesme. Tani gjyshe flokëbardha jetojmë në qytete të ndryshme, por ruajmë të pakëputur çka ishte lidhur me ato fijet, sa të njoma aq edhe të forta të fëmijërisë. Shoqja e lojrave dhe e mjerimit mbeti mikja ime e mirë për tërë jetën. Sa herë takohemi nuk shmangim dot të përmendim ato përjetime tani të tejlargëta, të ëmbëlhidhurës fëmijërisë sonë. Qeshim, përlotemi, marrin frymë thellë dhe sërish, si dikur, pa kuptuar kapemi dorë për dorë.
Shoqja ime i ka sytë e kaltër si deti, si qielli, si mirësia.
 
***
Ç’janë këto fije të padukshme, të pakëputshme, që lidhin njerëzit që duhen; mesazhe që zemra dhe truri dërgon e merr, përkime që çojnë në kufijtë fantashkencës!
Teksa shkruaj, një tringëllimë telefoni:
-Jam Beli! Çfarë po bën?
Më dridhet paksa dora dhe zëri. I them:
-Jam bërë fëmijë dhe po luaja me ty…
 


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.