back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shpend Sollaku – Noé: Kohë e mjaftueshme… Shkrimtarët dhe politika

Gazeta

Shpend Sollaku - Noe
Shpend Sollaku – Noe

Shpend Sollaku – Noé:

Kohë e mjaftueshme – Shkrimtarët dhe politika…

“Gazeta Shqiptare” 26 nëntor 2013

(Ngacmuar prej librit “Kohë e pamjaftueshme” e Elena Kadare)

"Kohë e pamjaftueshme" Helena Kadare
“Kohë e pamjaftueshme” Helena Kadare

Raporti i shkrimtarëve me politikën është po aq i vjetër sa edhe vetë letërsia. Ai ka qenë një raport i vështirë, përkrahjeje apo disidence, të shpalosur apo të kamufluar. Macenatizmi i Politikës apo i Pasurisë, në fund të fundit, i dha mundësine sa e sa shkrimtarëve dhe artistëve të mos mendonin bukën e përditshme, po të merreshin me letërsi e arte. Pa mecenatizmin bota jonë do të ishte akoma më e vogël e do të ishte privuar nga sa e sa vepra të mëdha. Për të freskuar ndopak kujtesën, sjell ndërmend që termi mecenatizëm lidhet me emrin e Gaio Cilnio Mecenate, që ka pasë lindur në një familje etruske, që ka jetuar prej vitit 68 para Krishtit deri në vitin – 8 pas Krishtit dhe që ka qenë këshilltar me shumë influencë i perandorit August. Mecenatizmi ishte një fenomen i ri për Perandorinë romake. Ai kishte të bënte me marrjen nën kujdestari, nga ana e perandorit, të artit, të letërsisë e të kulturës, të artistëve e të shkrimtarëve. Mecenate formoi rrethe të mirëfillta letrare dhe mbështeti prodhimin e tyre artistik. Pa Mecenatin kulturës botërore me siguri do t’i mungonin Horaci, Virgjili e Propeci. Më pas e bënë sovranët këtë mecenatizëm, kisha, aristokratët e të pasur të tjerë, admirues të arteve e të letërsisë. Shkrimtarët e artistët, në këmbim të përkrahjes dhe lirisë së ofruar për të art e letërsi, u ofronin mbështetje e prestigj bamirësve të tyre. Gjatë Rilindjes Evropiane tipike qe mbështetja nga zotërit e Firenzes, Cosmo e Lorenzo Medici, të shumë shkrimtarëve, humanistëve e filozofëve të kohës siç ishin Michelozzo, Pico della Mirandola, Angelo Poliziano, Antonio Pollaiolo e Sandro Botticelli. Pa mecenatismin e papëve të ndryshëm nuk do të kishim patur as Capella Sistina të Mikelanxhelos. Pikërisht me Buonarrotin filloi një raport i ri me mecenatët: artisti apo shkrimtari filloi të zgjedhë se nga cili person, institucion apo ideologji i pëlqente të përkrahej. Natyrisht, kur filloi të mos mendojë më vetëm për bukën e gojës. Pas Buonarotit arritën mjaft të tjerë që ofruan lëpirjen e këmbëve të padronit të radhës në këmbim të karrierës letraro-artistke. Gorki dhe komunizmi janë shembulli më tipik sesi letërsia e madhe i nënvihet një regjimi totalitar. Pothuajse njëkohësisht, në mënyrë pak më të ndryshme Knut Hamsun zgjodhi përkrahjen e nazizmit, dhurimin e medaljes së Nobelit, në shenjë mirënjohjeje, Gëbelist, për të arritur deri tek përcaktimi i Hitlerit – pas vdekjes të këtij të fundit pranë Bunkerit të Berlinit – si “Luftëtar të njerëzimit”. Edhe Gabriele d’Annunzio qe i lidhur me fashizmin në një raport mishtor dashurie. Po ashtu edhe Dario Fo me ekstremin tjetër – deologjinë marksiste.

Ismail Kadare (1936)
Ismail Kadare (1936)

Në letërsinë shqiptare shembujt e nënshtrimit ndaj shtetit totalitar janë të panumërt, por këtu duhet bërë një pyetje thelbësore lidhur me ta dhe me shkrimtarët e artistët që kam përmendur më sipër. Nëse shqiptarët këtë e bënë me dashje si Hamsun, Gorki e Fo, apo qenë të detyruar të nënviheshin. Kush ka përjetuar jetën në diktaturë, përtej konveniencave e hipokrizive të momentit, e di shumë mirë se të ngrije krye e paguaje me kokë. Shembujt e martirizimit të intelektualëve shqiptarë këtu janë të shumtë. Po ashtu edhe me tepricë janë ata shkrimtarë që i shërbyen regjimit me dashje, duke besuar vërtet në Liberté, Égalité, Fraternité, më pas të zhgënjyer.
Qenë dhe janë gjithashtu edhe ata më të paktët, kurrë të penduar. Ku do ta fusnit Ismail Kadarenë? Në të parët? Apo në të dytët. Mendoj se vendi i tij është ndër ata ta djeshmit e grupit të parë. Duke thënë këtë mendoj se i bëj një kompliment: bën pjesë në të zhgënjyerit. Pasi nuk mund të mohohen përkrahja e dhënë atij nga diktatori dhe shteti shqiptar. Dhe për ta përgënjeshtruar këtë, nuk mund të mjaftojnë kujtimet e zonjës Kadaré për fillimet e viteve ’80. Të paktën deri në atë periudhe Is, siç e quan H.K, kish vuajtur vërtetë, por vuajtjet e tij i ngjanin atyre të fëmijës më të llastuar të familjes. Raporti i tij me diktatorin ka qenë gjithmonë një raport dashurie e urrejtjeje, të shumë kulaçëve dhe të bastunëve në të rrallë; të xhelozisë për okupim të hapësirës jetësore të popullaritetit të njeri-tjetrit në Shqipëri dhe jashtë, të alternuar me nxitjen e shkrimtarit për t’u njohur edhe jashtë shtetit (Jusuf Vrioni nuk filloi ta përkthente “Gjeneralin” me iniciativën e tij). Në fund të fundit, nëse Hoxha do të kishte dashur ta burgoste vërtet Ismailin, nuk i merrte leje ndokujt. Askush nuk ka harruar që edhe Nexhmija e kishte zgjedhur si zëvendës në Frontin Demokratik!! A mund të mbahej kaq pranë nëse kishin plan ta burgosnin? Ismail Kadaré e ka shpërblyer dashurinë morboze të Hoxhës me sa e sa libra me poezi e prozë që kishin në qendër Partinë dhe diktatorin. Qe një haraç që i duhej paguar mecenatit të tij, kjo ishte më se e natyrshme për atë kohë. Para Ismailit e kishin paguar edhe të tjerë atë haraç, nuk ka rëndësi nëse quheshim Virgjil, Michelanxhelo, Molier, Majakovski… Mëkati origjinal i Helena Kadaresë në librin “Kohë e…” është po ai që Ismaili përsërit vazhdimisht: Këmbëngulja me të cilën do të përgënjeshtrojë privilegjet e gëzuara dhe të zmadhojë sado pak rreziqet e kaluara.

Ismail & Helena Kadare
Ismail & Helena Kadare

Zonja Helena, po pse nuk heshtni më mirë, si ti dhe yt shoq. Hiqni dorë nga vetëmbrojtja. Ismail Kadarésë tashmë dhe nesër nuk i këcënohet më harrimi… Ai bën pjesë në enciklopeditë kryesore të botës. Vepra e tij është përkthyer gjithandej… Nga pena e tij ka dalë art i pavdekshëm. Ka shkruar shumë, dhe nuk do te ishte aspak mëkat sikur ta mohonte publikisht gjithçka ka zhgarravitur për të elozhuar diktatorin dhe Partinë e tij. Sikur edhe vetëm “Viti i Mbrapshtë” të shpëtonte prej librave të Ismailit, do të mjaftonte për ta rikujtuar gjithmonë si shkrimtar të madh. Prandaj, nëse ke ndërmend t’i hedhësh një sy “Kohë e…”, herë tjetër shkruana më shumë rreth mënyrës sesi punon Kadareja, anekdota rreth jetës dhe punës së tij, edhe të kohës nën diktaturë. Mund të ndikonin shumë për ta njohur brezat e rinj, sidomos ata antiismailianë. Pasi ne… Këto rreshta janë shkruar nga një ish i ri që dikur ka bërë, së bashku me përkthyesin e shquar shqiptaro-amerikan Shkëlzen Meçaj, vajtje-ardhje, rrugën kodrinore plot baltë nga Lushnja në Hysgjokaj, në këmbë, për të blerë kopjet e fundit të librit të porsandaluar “Dimri i vetmisë së madhe”.
Shpend Sollaku Noé. Botuar ne “Gazeta Shqiptare”.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.