back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Shpërthimet letrare të viteve ’30 – Dr. As. Laura Islamaj

Gazeta

Lasgushi - Asdreni - Gjergj Fishta - Koliqi
Lasgushi – Asdreni – Gjergj Fishta – Koliqi

Shpërthimet letrare të viteve ’30

Dr. As. Laura Islamaj

Duhet thënë që në fillim, se me gjithë përpjekjet u shumë studiuesve, periudha e shkrimtarëve të viteve ’30, është studiuar pak, megjithëse ka qenë më e ndritura dhe shpërthyesja në mendimin artistik shqiptar. Në këtë periudhë shquajnë shumë emra të njohur, si: Mehdi Frashëri, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Krist Maloki, Mitrush Kuteli, Ismet Toto, P. Anton Harapi, Zef Valentini, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Ndre Mjeda, Asdreni, Fan. S. Noli, Faik Konica, Stefan Morava, Jani Lili, Stefan Shundi, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Spiro Belkov, Vasfi Samimi, Namik Resuli, Kudret Kokoshi, Nonda Bulka, Selahudin Toto, Syrja Minarolli, Nikollë Dakaj, Dhimitër Shuteriqi, e shumë autorë të tjerë të nënshkruar me pseudonime. Por për shkaqe politike të kohës, ku një pjesë e tyre ishin në opozitë të fortë me regjimin zogist dhe një pjesë tjetër më vonë i fshiu fare nga lista dhe raftet regjimi komunist si të anatemuar dhe armiq të tij, ky brez u katandis në pak emra. Megjithatë brezi i shkrimtarëve të viteve ’30, pa mohuar traditën letrare të deri atëhershme, siç ishte Rilindja Kombëtare, u mundua të çelte rrugë të reja Gjatë viteve ’20 – ’30 intelektualët shqiptarë, në kuadër të shumë temave që kishin hapur, shtruan për diskutim edhe dilemën e madhe shqiptare që lidhej me orientimin: nga Lindja, apo nga Perëndimi? Ishte kjo temë që duhej trajtuar sa më parë, sepse ishte koha që Shqipëria, pas pesë shekujsh robërie nën Perandorinë Osmane, të përcaktohej për identitetin e saj të ri, tani, në kushte dhe e në rrethana të reja. Mehdi Frashëri, Atë Gjergj Fishta, Krist Maloki, P. Anton Harapi, Branko Merxhani, Ismet Toto, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Nebil Çika e intelektualë të tjerë përpiqeshin me çdo kusht të gjenin zgjidhje për të gjitha problemet që rëndonin mbi popullin shqiptar. Ata hodhën sytë në rrymat filozofike dhe letrare të Evropës, duke sjellë jo vetëm një këndvështrim të ri, por edhe një stil të ri të të shkruarit. Dhe kishin të drejtë që të bënin revolucion në këtë drejtim, pasi në Shqipëri ende ruheshin pasojat politike, ideologjike dhe etno-kulturore të lëna trashëgim nga zgjedha shumëshekullore osmane. Ndaj shkrimtarët shqiptarë të kësaj kohe zgjodhën të orientoheshin nga Perëndimi. Por edhe këtu një pjesë e tyre si: Branko Merxhani, Vangjel Koça, Nebil Çika, Ismet Toto, duke mos dashur për të hyrë në oksident si “qorra”, zgjodhën të ishin origjinalë duke zbuluar një ideologji të re shqiptare, që e quajtën “neo-shqiptarizëm”. Por edhe në orientimin perëndimor të intelektualëve shqiptarë të viteve ’30 pati rreziqe.
.
Tirana vitet '30 - Kafe Kursal
Tirana vitet ’30 – Kafe Kursal
Pa dyshim, depërtimit të Italisë në Shqipëri i kishte prirë edhe kultura, një kulturë që kishte kaluar në periudha të ndritura siç ishte ajo e Renesancës, por kishte hyrë edhe ideologjia e re fashiste, që përbënte dhe përbëri rrezik për intelektualët shqiptarë, një pjesë e vogël të cilëve kaluan në anën e saj. Një vit pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, kur aparatura ushtarake e mbretërisë së Viktor Emanuelit dhe kryefashistit Musolini mundohej ta thyente shtyllën vertebrore të qëndresës kombëtare të popullit shqiptar; kur Musolini në fjalimet e tij deklaronte “Albania e nell mio cuore” (Shqipëria është në zemrën time) lypsej të gjendeshin vepra letrare dhe krijues, të cilët do ta forconin ndërgjegjësimin kombëtar dhe nuk është për t’u çuditur se në këtë kohë kujdes të veçantë iu kushtua dy figurave madhore të kulturës dhe letërsisë shqiptare, Naim Frashërit dhe Atë Gjergj Fishtës. Sado që të dy këta kolosë ishin thellësisht me bindje shqiptare, sado që këta dy kolosë të kombit ishin thellësisht shqiptarë, ata ishin edhe përfaqësues të dy feve më të mëdha në Shqipëri, të besimit islam-bektashian dhe atij të krishterë-katolik. Mbështetja në këto dy figura ishte zgjedhje e mirë drejt kërkimit të një rilindjeje të dytë, kur mbi besime fetare qëndronte ndjenja kombëtare. Mjeti më i mirë për të përhapur dhe propaganduar këtë letërsi ishte shtypi, i cili atë kohë e luajti një rol të jashtëzakonshëm. Në këto vite shtypi vazhdon traditën e periudhave të mëparshme, por tash në kushte dhe në rrethana të reja, gjithashtu edhe me preokupime e tema të tjera. Megjithatë, sipas shumë analizave që janë bërë, shtypi i asaj kohe pati rolin e tij, përsëri ai u përdor në shumë raste për ego personale, u mbush me thashetheme dhe mllefe. Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore në Shqipëri dhe në botën e jashtme, dolën një numër i konsiderueshëm gazetash dhe revistash, të cilat përcillnin jetën politike, shoqërore e kulturore të vendit. Numri i tyre ishte i madh, por me këtë rast do t’i përmendim vetëm më të rëndësishmet prej tyre, siç ishin: “Minerva”, “Ora”, “Illyria”, “Drita”, “Zani i Naltë”, “Demokracia”, “Hylli i dritës”, “Leka”, “Tomori”, “Bashkimi i Kombit”, “Fryma”, “Fashizmi”, “Tomori i vogël”, “Bota e re”, “Përpjekja shqiptare”, “Dielli”, “Kombi”, “Albania”, “Drita” e shumë të tjera. Këto ishin organe të specializuara, me përmbajtje politike, shoqërore, fetare e letrare. Krahas shumë të tjerëve, në yjësinë e viteve ’30 shkëlqejnë emrat e Nolit, Migjenit dhe Lasgush Poradecit, të cilët çelën rrugët e modernitetit të letërsisë. Noli solli në shqip kryevepra btërore, por nga ana tjetër edhe vetë prodhimtaria e tij është një mrekulli më vete. Poradeci nuk kishte shumë gjëra të përbashkëta me shkrimtarët e tjerë të kohës: me Asdrenin, Fan Nolin, Migjenin. Lasgushi i solli letërsisë shqiptare një diçka të rrallë: një misticizëm panteist midis tokës dhe qiellit, ndërsa Migjeni një zë krejt origjinal dhe të papërsëritshëm.
.
Marrë nga http://telegraf.al

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.