back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Shpirt i një nëne… rrëfim nga Adriana Dine

Gazeta

Adriana Dine
Adriana Dine

Shpirt i një nëne…

rrëfim nga Adriana Dine

Për Sulltana Dine (Kaziu)

Kur nisa t’i hedh në letër disa kujtime të jetës sime, mendova që shkrimin e parë t’ia kushtoja vjehrrës sime, Sulltana Dines, (Kaziu) që pa dyshim u bë si një nënë për mua gjatë gjithë asaj kohe që jetova me të, por meqë nuk kisha fort besim se mund t’ia dilja në krye ashtu si ajo e meritonte ngurrova… Edhe tani, nuk jam e sigurt se ajo çka kam shkruar është në lartësinë e vlerave të asaj gruaje…
E ndërsa shkruaja… shpesh e kisha të pamundur, sepse lotët s’më linin sa herë ndaloja nëpër episode të jetës së asaj gruaje që s’pa kurrë një ditë të bardhë në jetën e vet. Ajo kaloi një jetë plot vuajtje dhe trishtime… një jetë ku ajo u sakrifikua për të gjithë ata që ishin rrotull saj. Me një majë gjilpëre, dhe me at fjalën e dashur e të ëmbël, ajo bënte aq shumë sakrifica dhe ndere, duke ua lehtësuar me aq sa mundte mjerimin dhe varfërinë të gjithë atyre që kishin nevojën e saj.

Sulltana Dine (Kaziu)
Sulltana Dine (Kaziu)

Në kohën e pushtimit italian, krejt familja Dine interrnohet në Manastir, e ndër to ishte edhe Sulltana, e bija e Taf Kaziut, e shoqja e Esat Dines, vëlla i Fiqiri Dines… pastaj do t’i vazhdonte krejt jeta ne interrnim komunist… Në 1949, gjatë arratisjes së nji grupi të interrnuarish nga kampi i Valiasit, asaj i vritet i shoqi Esati duke i lënë dy fëmijët jetimë vajzën njimbëdhjetë vjeçe dhe djalin 6 vjeç… kështu jeta e saj u vesh përgjithnji në të zeza…
Gjithçka kisha dëgjuar të flitej për këtë grua në Savër, ku ajo kishte jetuar shumë vitenë këtë kamp, e provova vetë kur u bëra nusja e djalit të saj Dines, në kampin e Gjazës.
Për Sulltanën, për tragjedinë e saj, për shpirtin e saj të sakrificës, për përkushtimin e saj, mund të shkruhet pafundësisht, gjë që unë s’mundem ta bëj kurrsesi. Në këto pak rreshta do të përpiqem, vetëm të bëj nji portret të saj… ashtu si ajo jeton sot e kësaj dite brenda meje.
E theksoj, e mbetur e ve në moshë fare të re, ajo u vesh në të zeza, dhe tërë jetën ia kushtoi dy fëmijëve të saj, Fatmirës dhe Dines.
Kur Fatmira u rrit, Dinia, si më i vogli i fisit të Dinejve u bë për të dyja nënë e bijë drita e syve. Aq shumë duheshin ata nënë e bir sa, nga njëherë më dukej se po të ikte njëri tjetri s’do mundte të jetonte dot më… Aq shumë dashuri dhe respekt tregonin ata nën e bir ndaj njeri tjetrin sa frikesha se po t’i ndodhte ndonjë fatkeqsi, jeta mbaronte për të dy njëherësh. Kjo ishte edhe aryseja që mbas arrestimit të Dines, mungesa e tij do t’i sillte goditjen fatale jetës asaj gruaje të pashoqe…
Kur kujtoj sot, se sa herë u qepte ajo grua fshatareve përreth fustane e këmisha, pa ju marrë një lek, veç nga keqardhja për varfërinë e tyre të skajshme, mendoj si ishte e mundur…
Në këtë shkrim unë do të ndalem pak gjatë vetëm te episodi se si u mbyll në pak kohë jeta e saj e trishtë, e mundimshme dhe plot vuajtje e sakrifica.
E kujtoj si sot atë ditë…

Dine Dine me Ervisin 4 ditë para arrestimit
Dine Dine me Ervisin 4 ditë para arrestimit

Isha me djalin e vogël në krahë, dhe u nisa për në Ngurrëz, ku kishim doktorin. Sa dola, te qoshi i rrugës, mu përpara kazermës së burrave vura re xhipsin e Degës. Për një çast më shkoi mendja tek im shoq, por në çast e hoqa nga mendja at mendim që më dha nji rrënqethje. Shkova, mbarova vizitën e djalit dhe kur u ktheva, e shoh përsëri që xhipsi s’kish lëvizur nga vendi.
Këtë rradhë s’di pse tronditja qe edhe më e madhe, po si njerëz të lindur dhe të rritur nën kërcënimin e burgut, u përpoqa t’i jap vetes kurajo… e shpërfilla at përbindësh duke e shtyrë nga mendja, mbasi mendova se ne ishim në punën tonë dhe në hallet tona të shumta… Kur mbrrita në shtëpi, Sulltana m’u duk e tendosur, dhe me nji pamje disi të çuditshme. S’e kisha parë asnjiherë ashtu. Në çehren e saj dukej një lloj trazimi, po unë përsëri s’kuptova asgjë, bile, pa e hequr djalin nga krahët, i thashë se “Po shkoj pak tek Hana (Bajraktari), dhe se do të kthehesha shumë shpejt…”. “Shko me gjithë qejf, – më tha, – Shko dhe rri sa të duash!” Me ato fjalë, m’u duk sikur desh të më largonte nga e keqja që ajo e ndjente se po na sillej vërdallë…
Te Hana nuk ndejta as pesë minuta… Nuk po ndihesha rehat… e ndërsa po kthehesha në shtëpi, vura re se të gjithë më shihnin veç mua. Nuk di të them nëse ishin dhimbsuri apo urrejtje ato shikime të ngulura mbi mua. Pa mbrritur te shtëpia, kthej kokën dhe shoh një polic dhe tre persona të tjerë që ishin drejtuar për te shtëpia jonë. M’u prenë gjunjët dhe më kapi një lloj paniku që s’di si ta përshkruaj. Atë çast m’u kujtua ai xhips i zi, me at shikim dhe egërsi bishe. Ai xhips, që sa herë shfaqej bëhej fatkeqsi e një familje të shkretë…
Kësaj here ajo bishë po futesh në shtëpinë time…!
I dhashë kurajo vetes. Vazhdova të ec nëpër oborr dhe sapo hyra në shtëpi pashë që po më priste vjehrra, ose mama, siç i thërrisja.
O Zot! Nuk jam në gjendje ta përshkruaj fytyrën e saj. Në krejt qenien e saj, ku gjithnji fshihej vuajtja, trishtimi, dhimbsuria, at çast pashë terrorin në fytyrën dhe trupin e saj bashkë… M’u duk sikur trupi i saj i brishtë ishte mpakur dyfish brenda pak çastesh, dhe ajo fytyra e paqme i kish marrë një cehre të zbehtë në të errët, si t’i kish rënë hija e vdekjes. Ndërsa tymi i cigares shtyhesh gjithë nervozizëm prej mollave të saj të gropzuara…
I dhashë përsëri kurajo vetes dhe asaj nëne, ndërsa kontrolli qe përqëndruar vetëm te biblioteka e librave. Hetuesi, për çudi, u tregua i njerzishëm. Mbasi morën nja 3-4 libra, operativi tentoi të merrte edhe një fjalor që Dines, ja kishte dhuruar me autograf Dom Mikel Koliqi, i cili në atë kohë gjendej edhe ai në burg, por hetuesi nuk e lejoi…
Mbasi kontrolli doli, te ne të dyja pllakosi vaji…
Oh… ditët në vazhdim qenë vdekjeprurese. Përpiqesh të mbahej e t’i jepte vetes gajret ajo grua, por nuk ia dilte dot. Sa herë që s’e shihte kush mbytej në dënesa, dhe kishte raste që e shoqëronte vajtimin edhe me fjalë. Unë isha vetëm njëzet vjeçe dhe përpiqesha t’i jepja kurajo, (kur s’kisha për vete)… por ishte pothuaj e pamundur… Oh, as sot s’mundem ta përshkruaj ankthin, rrëzimin dhe rrënimin e saj shpirtëror.
Unë besoj, se njeriu fillon ta kuptojë dhe ta ndjejë vuajtjen e një nëne, vetëm kur një dhimbje të tillë i bie ta heqë vetë…
E megjithatë jeta bën të vetën…

Sulltana, e bija Fatmira dhe nipi - Saver 1966
Sulltana, e bija Fatmira dhe nipi – Saver 1965

Në hetuesi na lejonin vetëm një herë në dy javë, dhe na pranonin veç ca gjëra të vogla ushqimore dhe ndërresat. Asnjëherë ajo nuk erdhi vetë! Sa herë nisesha më thoshte: “Ishalla ka me t’qëllu ndonji polic i mirë, dhe i tregon lofkës së nanës, se teshat ja ka pru nusja… pse ashtu edhe qetësohet, kur e din se nusen e ka te shpia, se proekupohet për ty…”
Një tjetër dhimbje ishte kur ia sillja rrobat e Dines në shtëpi. Ajo, i merrte dhe nuk i fuste për t’u larë, por u merrte erë, i puthte dhe i fuste poshtë jastekut, dhe sa e ktheja pak kokën unë, ajo i qante me lot e me fjalë… Jetoja një tmerr të vërtetë, sepse s’duhej të gjeja kurajo ta përballoja jetën, por më duhej t’i jepja kurajo zemrës së vrarë të asaj nëne, për të cilën jeta tashmë kish humbur çdo kuptim…
Ditën e gjyqit, ndërsa jepesh vendimi i gjyqit (Dines i dhanë racionin e plotë – 10 vjet burg), as unë s’e vura re mamën, mbasi të gjithë ne: baba, Tomorri, Hana, Veronika (kushërinjtë tanë) ishim të përqëndruar te Dinia, ndërkohë që dy policë po e prangosnin. Duke e fshehur dhimbjen në shpirt, po përpiqesha t’i buzqeshja që ai të ndjehej pak më mirë, djali një vjeç e gjysëm i kish  dalë përpara dhe përpëlitej te këmbët e tij…
Ndërsa policët e shtynë drejt derës, papritmas pashë Sulltanën që kishte zënë vend aty te dera, dhe kur e pa të birin ashtu të zbehtë me duart lidhur mbas shpine zëri i saj mek: lof… lof.. lof… lofka e nanës! Ai s’foli asnji fjalë, veç sytë iu mbushën me lot dhe nëpër at korridorin e ngushtë të gjykatës gjithë ne pjestarët e familjes e përcollën me lot ndër sy, ndërsa xhipsi i zi i Degës, ajo bishë e frikshme u nis me furi drejt birucave të Degës së Punëve të Brendshme që nuk ishte as njëqind metra larg prej Gjykatës…
U përpoqëm ta mbledhim veten dhe ta pranojmë fatin tonë dhe u nisëm drejt Gjazës. Iu afrova mamës që dridhej e tëra. Çuditesha si qëndronte në këmbë nga dridhjet…
Mbasi askush s’po fliste, unë, për ta ngushëlluar sado pak i thashë: “Po mos u mërzit o mamë, se Dinen nuk e ka dënuar Zoti. Ja, ke për të parë që shumë shpejt do të vijë në shtëpi edhe atëhere do gëzohesh dyfish… Ja do ta shohësh!”
Befas asaj iu çel fytyra, si e një fëmije, më hodhi dorën në qafë, më puthi dhe më tha: “Eh shyqyr që të kam ty, moj vajzë dhe djalin e vogël!”
Gjatë atyre nëntë muajve që mundi të mbijetonte, mbas burgimit dhe transferimit të Dines në Spaç, ajo grua u transformua aq shumë sa çuditesha, ku gjente energji e vullnet të përkujdesej aq shumë për mua dhe për djalin e vogël. Merakosej shumë kur kthehesha ndonjëherë vonë nga puna, po ashtu edhe kur lodhesha shumë. S’kishte ditë që mos dilte të më priste…
Më kujtohet një ditë, mbasi s’na merrnin punën në dorëzim, ajo kish ardhur deri afër parcelës ku punonim, dhe kur më pa aty mes turmës të grave, o Zot sa u gëzua, si fëmijë. Dhe të them të drejtën edhe unë lumturohesha kur e shihja se merakosej aq shumë për mua dhe më priste çdo mbrëmje me të gjitha gati.
Mbasi morëm vesh se Dinen e kishin çuar në Tiranë, mama përditë dilte dhe takonte postierin, mos kishte ndonjë telegram, që të shkonim e ta shifte Dinen qoftë edhe për 10 minuta, sepse kështu qe rregulli. Të tjerët para nesh i kishin takuar njerzit e tyre para se të transferoheshin nëpër kampet e punës, po me Dinen nuk ndodhi kështu!!
Një ditë mama, e lagur qull, mbasi binte një shi i rrëmbyer, erdhi në shtëpi duke qarë. U trondita aq shumë, sepse mendja më shkonte vetëm për të keq, dhe e shtangur siç isha e pyeta gjithë ankth se mos i kish ndodhur gjë Dines?!?
Kur më tha se e kishin dërguar në Spaç, m’u duk diçka normale… sepse atje i kishin çuar të gjithë shokët e tij, megjithatë, s’po dija si ta ngushëlloja atë nënë të gjorë, kur e dija se krejt jeta e saj vërtitej rreth të birit…
Ato ditë po shihja se ajo e kish humbur.
Ulej në makinën qepse që ishte jeta e saj, për të bërë ndonjë punë dhe ngrihej e përhumbur pa bërë asgjë. Çdo çast i dukej sikur harronte diçka, mbasi mendja i punonte në një pikë të vetme: i biri… Në praninë time, bënte të pamundurën të mos e jepte veten, ndoshta prania ime dhe e djalit të vogël sikur e ngushëllonin, por në fakt çdo gjë ishte e përkohshme. Nuk vonoi as një javë, dhe mbasi përgatitëm ushqimet, me ndihmën edhe të kushërinjve, së bashku me të dhe me vëllanë tim të madh u nisëm drejt Spaçit.
Sapo u kthyhem me lot ndër sy më tha: “U çmalla, nuk ngopesha duke e pa në sy lofkën e nanës!”
Mbas ca kohe erdhi Fatmira, e bija, e cila kish bërë edhe ajo gati trastat me ushqime për të vëllanë. Po që mos të na  prisheshin disa nga ushqimet, vendosëm të shkonim sa më shpejt të qe e mundur. Kësaj rradhe vendosëm të shkonim unë mama dhe djali. Që të mos e zvarrisja, shkova në postë dhe i bëra Dines telegram. “Vijmë në takim me 11 Maj… Mama!”
S’më kujtohet sa shishe vaj ulliri u bënë, por mbaj mend që trastat ishin mjaft të rënda. I them mamës: “Meqë kemi edhe djalin vogël, dhe jemi vetëm ne të dyja, a nuk i lemë ca shishe për herën tjetër, sepse s’do të mundemi t’i mbajmë të gjitha!” Ajo u kthye vrik, më pa me një lloj habie sikur donte të thoshte: “A je ne terezi të kokës!” -Mos ki gajle hiç! – më tha – Trastat do t’i ngarkoj unë në shpinë, edhe djalin do ta mbaj në krahë. Veç ti mos u mërzit!
Gjithçka qe gati. Pritesh veç dita të niseshim.
Por si duket fati i njeriut është në dorë të tjetërkujt…
Ishte një natë pranvere… natë me shi… 5 maji i 1981. Bubullonte qielli dhe çanin rrufetë me nji dritë të frikshme që ta ngjethnin shpirtin. Të them të drejtën, edhe pse kohët e fundit ankonte se i dhimbte koka dhe i merreshin mendtë, s’më shkonte mendja për keq. Atë natë shkoi të flinte, por mbas pak u çua. Pashë që po i merreshin këmbët dhe papritmas filloi të villte gjak. U tremba. E alarmuar sa s’bëhet, lajmërova nipin e saj Tomorrin. Ai posa e pa n’atë gjendje, pa thënë asnjë fjalë u nis ashtu siç ishte, nëpër shi dhe furtunë në Ngurrëz. Brenda pak kohe erdhi bashkë me doktoreshë Margaritën. Por tashmë ishte vonë, tepër vonë… Ajo pothuaj qe shuar fare. Mbasi volli për pak kohë gjak, i hapi sytë…  me pa me dhimbje dhe me at zërin e mekur mundi të shqiptojë ngadalë: “Eh, si do të lë vetëm… moj bijë!” dhe mbylli sytë… sikur desh të flinte dhe ta braktiste njiherë e mirë atë jetë që i kish dhuruar vetëm vuajtje…
Atë natë pranë ishin të gjithë pjestarët e familjes Dine. Doktoreshë Margarita që e vizitoi në çastet e fundit shqiptoi një fjalë të vetme: “Hemoragji”. Po askush s’e mori vesh saktësisht se çfarë lloj hemoragjie ishte, si i erdhi, kush ia shkaktoi!
Varrimi i Sulltana Dines (Kaziu) u bë ashtu siç ajo e meritonte. Qindra njerëz erdhën në varrim, në veçanti nga Savra, ku ajo kish jetuar mjaft vite po edhe nga Gradishta.
Për at grua, dhe për shumë gra si ajo, mund të shkruhet gjatë e me detaje. Për bindjen time, dhe me aq sa di unë, për atë grua dhe shumë si ajo, nëse do t’i ngrihej nji monument nga banorët e dikurshëm të këtyre kampeve do të ishte mëse i denjë. Sepse merita më e madhe e asaj gruaje qëndron në faktin se ajo kurrë s’bëri përjashtim në njerëz, nëse ishin të lirë apo të interrnuar, ajo u vinte në ndihmë të gjithëve…
Dy tre javë mbas vdekjes së Asaj Gruaje, rastësisht takohem në rrugë me doktoreshë Margaritën. Mbasi më shprehu edhe njëherë keqardhjen e saj per humbjën e mamës më tha: “Adriana, unë kurrë s’e kam ndjerë vetën në një pozitë më të vështirë se atë natë. Nuk dija për kë më vinte më shumë keq, për atë nënë të mirë që mbylli sytë në trishtim të thellë, apo për ty që më dukeshe e vetmuar edhe krejtësisht e pambrojtur!!”
Kjo ishte drama e vjehrrës sime,  drama ime edhe e gjithë atyre grave, nënave dhe familjeve të persekutuara që i kishin burrat në burg, dhe duhej ta përballonin egërsinë e asaj jete me kurajo dhe dinjitet. Kjo çka kam shkruar, edhe pse mund të jetë shprehur me mangësi, më duket sikur sado pak ndjehem e çliruar nga një e vërtetë që shumë njerëz e kanë ndrydhur brenda vetes ose e kanë marrë me vete… Çka shkrova, më duket sikur ma largon atë pjesë të së keqes që na torturoi për aq shumë vite. E përsëris, e shkrova edhe për fëmijët tanë, edhe për brezat e tjerë që do të vijnë… le ta dinë sa dhe si vuajtëm ne, me shpresë që ajo e keqe e mbetur nëpër shpirtrat e krejt një populli të mos përsëritet kurrë më…

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Të lumtë e dashur Adriana,
    Na e ngjalle dhe një herë mamën e mirë, Sulltanë, si shembull i gjallë, të persekutimit të pashpirt te asaj kohe, përballë së cilës, ferri i Dantes qe një lodër fjalësh!
    Mos u kthefshin më kurrë të tilla kohëra, ku njerzit qenë figura, me të cilët luante padrejtësia e mbështetur nga gjithë aparati shtetëror. Eshtë për të ardhur keq, që një hetues i viteve 80, me mbiemrin Xhafa, bëhet tani Ministër i Brendeshëm dhe deklaron se nuk ka pasur gisht në krimet e diktaturës!!
    Në Shqipëri regon çmenduria… po të besosh të tilla absurditete… Shkrimi yt i çjerr maskën deklaratës së tij.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.