Shpirti Kritik –
nga Profesor Arshi Pipa
me rastin e 20 vjetorit të Vdekjes (1997-2017)
“Komunizmi nuk ka të ardhme.
Ai do të përsëritet në involucjone gjithnjë ma të dobëta
derisa të shterret vetvetiu” arshi pipa
***
Arshi Pipa,
ishte njeri i prerë, i pakompromis,
“madhërisht i pamëshirshëm”
me diktaturën”. visar zhiti
.
N’art e ndër letra, në shkencë e në filosofi, e deri në fé, kritika asht baza e çdo ndërtimi të sigurtë.
Kritika asht shêji i mendjes së pjekun.
Derisa mendja nuk kthehet me rishikue atë çka ka bâ, tue e vlerësue, ajo asht ende fëminore. Ajo mund të prodhojë vepra madhështore, kur intuita e përpjek me burimin e jetës. Kështu lindë poezija. E sigurisht poezija e madhe flet vetë, tue u kumtue imtaz ndër zemrat e atyne qi e ndijnë; spjegon arsyen e qenjes së vet me vetë qenjen e vet.
Po atherë çka duhet kritika?
Të marrim nji njeri qi ndërton. Ky njeri mund të jetë artist i lindun e atherë vepra e tij del vetvetiu e bukur. Po të mos jetë mjeshtër i fortë, pa qenë edhe krejt pa zotsi, do të ndërtojë dikund mirë e dikund keq. Fjala vjen në përgjithsi vepra do të jetë mjaft e bukur, por ndër veçansina e pakryeme. Por mund të ndodhi qi nji njeri krejt i paaftë të ja hyjë “kutrum” nji pune. Ç’dobi pritet andej kuptohet lehtë: veç punë e bjerrun e dam.
Kritiku asht njeriu qi ndalet me shikue kët vepër. Dhe simbas rasës, aj çfaqë gjykimet e veta. Në rasën e parë, aj kundron me bindje fuqin e mjeshtrit: fjalët e tija janë lavde, por lavde t’arsyetueme në bazë të meritavet të veprës. Kritiku i përshkruen kto, i ven në pah, difton harmonin e motivavet të thurun, lidhjen e mshehtë qi rjedh ndër ta, përshtatjen e elementavet me tansin. Me nji fjalë spjegon misterin e veprës. Pse vepra shpesh herë nuk asht aq e lehtë të spjegohet. Para nji vjershe a nji kuadri gjenial të gjithë thrrasim: “sa bukur!”, por vetëm ndonji din me tregue pse asht e bukur. Nji ah! Del përnjiheri nga shpirti i ngashëryem. Por arsyeja e ktij ahu! Lypë arsyetime shpesh të thella e të gjata.
Në rasën e dytë detyra e kritikut asht me dallue të mirat e të këqijat e veprës, ose për me ja thonë popullorçe: “me dá shapin prej sheqerit”. Kjo asht gjithashtu nji punë e vështirë. Janë disa cilsina qi duhen pasë doemos për me bâ dallimin e masipërm. Kush ka pamje të dobtë, fjala vjen, ngatrron vazhdimisht të bardhën e shapit me të bardhën e sheqerit. Në rasën e parë duhej me pasë sidomos fund ,themel, për me u-mbështetë me siguri; hapësinë, horizont për me përfshi gjithë veprën, masë për me kqyrë drejtë e saktë. Tash duhet me pasë sidomos shije. Shija asht ajo qi dallon pikrisht shapin prej sheqerit. Dhe shija asht nji pajë e veçantë. Ka soje soje shijesh: ajo e holla e sakta ndeshet shum rrallë.
Për me gjykue veprat e dështueme, nuk asht fort nevoja për me pasë cilsi të veçanta. Gjanavet të kalbta u ndihet era qysh larg, mjafton me pasë hundë të qirueme. Zakonisht ato rrëzohen vetiu, pa nevojë ndërhymjeje kirurgjike. Por ndodhë ndonjiherë qi ngjiten me mishin e shëndoshtë. E atherë asht nevoja me e dlirë. Edhe kjo farë kritike nuk asht e lehtë si kujtohet. Do e kush do nuk mund t’a bajë: njeni kalon e mbyllë hundë, tjetri kalon e mbyllë gojën. Kush do të gjindet edhe për kët punë të pamiradishme? Për kritikën themelore duhej pesha e mendjes, kultura. Për kritikën e shijes, prehtësija e mendjes u squetsija. Për kritikën qiruese mjafton “bonsensi”.
Kritika nuk asht pra nji punë e lehtë, e aq ma pak, nji punë e kotë. Ajo vjen në prodhimin letrar rend e dallim, masë e qartësi, kuptim e vlerë. Vrejtjet e saja janë kshilla e qortime e ndonjiherë edhe shtytje e udhzime. Ajo përcakton zonat e ndryshme të zhvillimit letrar. I ep shkrimtarit rendin qi i përket. Me krahazime e përgjamje afron shkrimtarët qi kan lidhje mes tyne. Kërkon, përsa i asht e mundun, me gjetë fillin historik qi lidhë, si ndër unaza të vijueshme, shkrimtarët ndër familje të veçanta, e kto familje në nji tabelë logjike të plotsueme. Dhe ma në fund lidhë historin letrare me historin e kulturës së përgjithshme tue i dhanë letërsis dinjitetin e vet njerzuer.
* * *
Thojshin në fillim se kritika asht fryt i mendjes së pjekun. Ma shum se të riut i ka hije pra njeriut të provuem. Por duhet të shënojmë se kritika letrare nuk asht si çdo kritikë tjetër. Kritika shkencore ose filosofike, për krahazim, asht esencialisht logjikë. Kurse kritika letrare asht logjikë e diçka tjetër. Medje Iogjika nuk ash këtu landa ndërtuese. Ajo asht ma tepër trajta e paraqitjes, vështrimi arhiktektural. Diçka tjetër përban kritikën letrare: intuita. Kjo sjell landën e gjallë, brumin e rikrijimit. Dhe intuita asht esencialisht poetike.
Kush ban kritikë letrare asht pra ma parë artist se logjik. Po të mos kishte dhuratën e shijes, kritika e tij do t’ishte shterpë, sado fuqi diskursive të kishte. Do të delte si ato ndërtesat e randa qi janë grumbullim trashaman lande, pa hir, pa art.
Qindrimi i kritikut përpara veprës artistike asht si aj i nji shtegtarit përpara nji pallati magjik. Jo i knaqun me soditë për së jashtmi, shtegtari don me hy mbrendë. Po si? Ktu qindron gjithë zotsija e tij. Mbasi dera asht zakonisht gjithmonë e mbyllun,aj mund të provojë me hŷ për dritarje, ose ,tue u-ngjitun sipër çatije, me rrëshqitë poshtë prej oxhaku. Ndonjiherë, prej mungesës së shkathtësis ose prej padurimit, aj mund ta zhguli derën ose të rrenojë ndonji copë muri. Por në se asht i squet aj din se çelsi i pallatevet magjike asht zakon të mshehet më ndonjë skutë. Aj e kërkon dhe e gjen. E atherë, pa bà dam, pa bà zhurmë, çelë derën e madhe me çelsin e madh, mandej gjen në nji tjetër skutë, tufën e çelsavet të dhomávet të mbylluna, dhe ma në fund, në njenën prej ktyne, ndrŷ me kujdes më ndonji arkë sadefi, gjen edhe çelsin e artë të dhomës së thesarit. Aj i kundron mrekullinat e mbrendshme me habi e adhurim, dalngadalë, me duresë. Në se aj ka me hapë nji dritare përqi dielli të ndriçojë ndonji anë të mbetun n’errsinë, ka me pasë kujdes qi drita mos t’ua vrasi hijen gjanavet, mos t’ua marri ngjyrën. Në nji vend tjetër aj ka me u-afrue me dritën e kaltër të nji shandani, ose ka me ruejtë natën, kur hana duket mbas gjethevet të ndonjë blini, për me soditë ndonji fëtyrë të mistershme. Herë tjera aj nuk ka me guxue as deri kaq: me u-ulë pranë saj, pa ja çue velin, tue e ndi, tue e marrë frymë jetën e saj të thellë.
Kush adhuron në kët mënyrë veporat e artit, nuk ka dyshim, asht aj vetë shpirt artisti. Vetëm atij i asht dhanë me i u-avitë misterevet t’artit Shpirti logjik nuk asht i zoti për këtë. Aj kufizohet me vëzhgue, me matë, me bâ prova. Por mbetë gjithnji përjashta. A e njef ndoshta pallatin magjik aj qi e matë sa asht i gjatë e i gjanë, sa dyer e dritare ka? Edhe po të hyj mbrenda – me nji nga mënyrat violente të masipërme – aj ka me vazhdue gjithnji me njehë dhomat e sallat, mandej gjanat e ndryshme mbrenda dhomavet, mandej cilsinat (gjeometrike) të ktyne gjanavet. E tue i matë, tue i peshue kështu, veç do t’i gandojë do t’i prishi: do t’i profanojë.
.
* * *
Mund të thomi se nuk ka ende nji kritikë shqipe. Nuk asht për t’u çuditë. Si me kritikue kur mungon materiali për t’u kritikue? Gjithë letërsija shqipe përmblidhet në nji grusht , dhe jo fort të shtrënguem. Asht e natyrshme qi kritika të lindi, në një mënyrë sistematike, mbas nji prodhimi letrar të mjaftë. Duket si nji farë luksi kritika. Bisedon kush asht i ngêshëm. Kush ka ngut, kush ka nevojë, vepron,krijon. Dhe na, në gjysë-shekullin e fundit, kemi pasë nevojë të ngutshme me prodhue pse nuk kishim kurgja.
Kuptohet lehtaz pra pse nuk kemi pasë kritikë deri sot, edhe kur kemi pasë mendje kritike të ndritshme. Po të kishte pasë poezi shqipe të dêjë para vehtes(poezija arbreshe asht nji përjashtim qi mbetë ende sot nji ishull gati i panjohun), Noli nuk do të kishte komentue vetëm vepra të hueja. Dhe mendojmë me keqardhje at potencialitet kritik të dorës së parë qi shkoi pa fryt te Konica.
Duket luks kritika: por asht nji nevojë.Sot, mbas ma se nji gjysëmshekulli prodhimi të vazhdueshëm, asht nevoja për nji gjykim të velravet. Kjo nevojë mund t’ishte edhe ma parë (ajo asht nji nevojë e përhershme e shpirtit njerzuer), mund të shtyhet edhe ma vonë, për mungesë përgatitjeje. Por mbetë gjithnji nji nevojë qi, heret a vonë, duhet përmbushë. Gjallnija letrare mvaret, në pjesë të madhe, nga kritika letrare.
Sa më tepër shtohet vala e prodhimevet letrare aq ma fort ndihet kërkesa e gjykimevet kritike. Na nuk kemi ende kritikë “specialista”. Ndonjë studim i mirë – fort i rrallë – asht gjithnji punë sporadike e ndonjë poeti. Poeti i vetëdishëm për artin e vet, mund të bajë, thomi na,, kritikë me dinjitet. Por edhe njerëz të përgatitun, të pajisun me kulturë të zgjedhun dhe me sens arti të prehtë, nuk mungojnë ma krejt ndër né.
Dy detyra i bijnë kritikës shqipe: me vlerësue traditën dhe me ndjekë hap për hap prodhimin e kohës. Caktimi i fushës së parë asht ana themelore, ana e ngutshme e punës. Horizontet e letërsis sonë do të hapen ma mirë kur të dallohen pikat e saja kardinale. Jemi endë deri tash nepër nji kaos mendimesh të pakontrollueshme. Asht e domosdoshme me dijtë ma parë me u orientue.
Do të mund t’ecim kështu me siguri. Do ta vijojmë traditën e do ta rikrijojmë, simbas rasës. Do të marrim andej parimet, kriteret, me të cilat do të gjykojmë prodhimin e kohës. Kështu letërsija shqipe do të zhvillohet në vijë të drejtë, pa mungesa, pa coptime, pa shmangëje. Punë jo ma pak e randishme kjo e gjurmimit të botimevet të soçme, kur marrim para syshë hovin e madh të fletës shqipe, ku bashkë me miell shkon edhe shumë krunde. Punë paralele e dy kritikavet, medje harmonike: njena në ton maior dhe tjetra në ton minor.
Dhe na qi ja hyjmë kësaj pune, me zell e dashuni, mendojmë me sjellë vetëm nji ndihmë në fushën e kritikës shqipe, të sigurtë se tjerë ma të përgatitun do të na ndjekin e do të na plotsojnë. Të lumtun në se do të bijmë pak rend e ndriçim në pyllin e gjykimevet tona. Edhe ma të lumtun në se kto do t’i bijmë pa prishë hatre… Pse na jemi fort të rreptë kur na piskojnë (le t’i rrëfejmë pa të keq të metat tona) dhe durojmë shum zor gjykimin e drejtë kur na vjen mbarë…
Do t’ishte nji mënyrë për me bâ nji kritikë pa prishë hatër: mos me gjykue fare. Me gjykue: fjalë e madhe, fjalë e randë! Asht shkrue: Mos gjykoni se keni me qenë të gjykuem! Po si atëherë?
Me falë pa gjykue: me çmue!
Edhe na do t’i rrijmë afër ksaj këshille s’ urtë, përsa të jetë e mundun. Do t’a mbyllim njenin sy për të metat e vogla. Tekembramja çka ka pa të meta? Nji filosof thonte se edhe veprës së Zotit mund t’i gjinden të meta, tue e kqyrë më nji farë manyre! Por a do t’i mbyllim të dy sytë? Thoni se jo: do të na hyjshin, nëpër shtigjet e ngatrrueme të pyllit ku ecim, ferra ndër sytë e mbyllun: e atëherë tamam do t’u-qorrojshim!
Edhe iluzionet nuk janë të mira. Me gjykue duhet ku asht nevoja. Ka soje soje gjykimesh: për ne lypen ato njiherit të buta e të forta – si çelik në farkë i përkulshëm – e ato të ngadalshmet: “pse i urti kurr nuk ngutet…” A keni pa ndonjiherë tue bâ kuvend malsorët tanë? Sa mirë gjykojnë pa bâ zhurmë, pa u-nxe! Gjykojnë tue kuvendue.
Objektiviteti asht kushti i parë i çdo kritike. Por kritika letrare – trill i poezis! – ka edhe nji kusht tjetër; ajo bahet edhe me simpati. Si me i pajtue kto dy anë të kundërta? Kjo asht mjeshtrija e kritikut t’aftë. Né na duket se kritiku i aftë, kritiku i vërtetë, nuk shkatrron pa pasë ndërtue ma parë. Ajo “simpati” qi shënuem ma sipër, asht malli i tij i pashlyeshëm për kolibat e vorfna ku ka banue gjatë sa brezavet, për trojet e buta o t’ashpra qi ka thye kau i tij besnik e plani i tij i vjetër. Ajo nuk ngutet me djegë kolibat e me lanë qetë para se t’a ketë gati shpin e ré me traktorat e rij. E, edhe n’i djegtë, përmbi të njajtat troje do t’a godisi shpin e ré – ndërsa nji lot malli do t’i rrjedhi gjithmonë për kujtimin e së vjetrës.
Botue ne Lexo.al