
Shpirti, si metaforë ekzistenciale, në poezinë e Ajne Ibërhysaj-t
nga Emrije Krosi
“Shpirt, Shpirti im, shpirti nuk hesht,
për ku vrapon me aq vrull?”
Ajne Ibërhysaj
Poezia femërore ka tejkaluar pritshmëritë e saj, në dekadat e fundit. Ajo nuk është një lirikë e përshpirtshme, por një dimension shkrues, ku vetë femrat janë “protagoniste” të përditshmërisë.
Nëse poezia lidhet dhe me karakterin e shkruesit/es, apo dhe lidhet me biografinë e tij/saj, vetë poetët i qasen poezisë sidomos, sipas shëmbëlltyrës së tyre krijuese individualiste. Një poezi e tillë është dhe libri “Gravurë me ngjyrat e kohës” (Ibërhysaj: 2024). Njohja e krijimtarisë femërore, brenda letërsisë së tyre, me traditën shkrimore letrare femërore (në Shqipëri akoma nuk ekziston), supozohet se femrat me zërat e tyre, janë vetme një tërbim (anti)patriarkal, kur ky zemërim feminist, shpesherë çon në “konfuzion” për/mbi feminizmin dhe të shkruarit femëror (Coward: 1980) duke cënuar dhe dallimin mes femërores dhe feminizmit që duhet të qartësohet, se “femërorja”, lidhet me edukimin dhe “femra” me natyrën. Por, tashmë këto dy terma janë rrafshuar në shkrimin shqiptaro- femëror.
Një poezi që dekodon, jetën, dashurinë, mungesë, shpresën, por mbi gjitha, tërë ngjyrat dhe “sekretet” e shpirtit të një poeteje me një lirikë të thellë metaforike.
1.Dekodimi i shpresëkohës dhe anasjelltas, (determinimi i kohës artistike dhe letrare) që në titull, ku koha është një gravurë ngjyrash e varur diku. Aty ecën koha. Çelin ngjyrat. Ndërrohen stinët. Parakalojnë njerëzit/ mendimet/ fjalët/ vitet. Aty, madhohet shpresa. Aty, është atdheu, ëndërra, madje është “gozhduar dhe shpirti”, përmes vargjeve: çdo alarm ma bën akull gjakun/ e shpirti im kuvendon me veten…/ Jam bërë një me lutjen dhe shpresën, nga poezia: “Syri pret një rreze shprese”, sepse koha në poezi, ka si funksion një “purple patch-i”, një lojë, mes emocionit ndjenjësor të koshiencës dhe subkoshiencës të ndërvetësorisë, për udhën e (pas)kthimit nga/ drejt vetes në kërkim të “lumturinë së fundme”, që në tekstet poetike, vazhdon me zgjatjen e figurave ekspansive (Wellek, Waren: 2007: 208), ku gjallojnë kryesisht, figurat e pasionit të fortë me figura që ndërveprojnë dhe depërtojnë gjatë gjithë teksteve moderne dhe postmoderne.
2.Dekodimi i atdheut si vetëdije kombëtare (atdheu është arsyeja e ekzistencës dhe (vetë)mohimit, kur vetë atdheu përtej ndërgjegjes poetike është gjithçka ose asgjë. Por kjo asgjëja jonë, është dhe konsumin i absurdit të shoqërisë tonë shqiptare, për të ndërtuar të ardhmen përtej të shkuarës: “emrin tënd e mbaj në zemër./ Në dejtë e gjakut, Kosovë!/ Aty ku del Buna, sytë e etur pyesin për ty,/ aty ku rrjedh Lumbardhi, rrahjet e zemrës i gjen,/ aty ku bashkohet Drini i Bardhë e Drini i Zi,/ shpirti merr zjarr./ Asht ashti i Trojës që ra,/ thellë në shpirtin tim Dardan, nga poezia “Kosovës”, ku ngërthimi i somboleve , përmes një përqëndrimi ngulmues i të shprehurit simbolik dhe metaforik (Gojani: 2024), poezia herë merr vrull “epik” herë qetohen në lirikën e shpirtit të qetësisë /mallit/mungesës dhe qëndresës.
3.Dekodimi i lirikës shpirtërore si motiv qëndrese dhe ekzistence, (është thelbi ideja, apo fabula e gjithë librit të ndërtuar mbi bazën e thënies epikuriane; mbi pavdeksinë e shpirtit ). Ky libër ndërtuar mbi [fjalën kryesemë {shpirt/ del 128 herë}]. Madje trope metaforike me fjalën shpirt, janë shumë të përdorshme: (asgjë në këtë shpirt/ një psherëtimë shpirti/ britmë shpirti/ psherëtin zëri i shpirtit/ shpirti thyhet/ rrudhat e shpirtit/ shpirtzhuritur/ shpirtin / ngjyrat e shpirtit/ shpupurit shpirtin/ timbrin e shpirtit/ gozhduar në shpirt/ shpirtin e ngrirë/ muret e shpirtit/ gurgullimë shpirti/ erë shpirtit/ shpirtin e vjeshtës/ thelb shpirti/ në rrudhat e shpirtit/ trokitje shpirti/ afshit të shpirtit/ shpirtin ma gërryen/ shpirtit i vë gur/ shpirti nuk hesht/ shpirtit të rrënuar etj). Nuk kemi të bëjmë, me një shpirtëzim apo një marrëdhënie ikadeshente me shpirtit/ njeriut në formë transhedence, për të mbërritur te forma jonë ekzistenciale nga Dekarti tek Niçe, si thelbi i filozofisë së Qenies, më përtej vetëvetes, se shpirti lirik i një poeteshe (Vinca: 2024) nuk shkërmoqet, por jeton në formën:
a)të shpirtit si eksitencë filozofike e lidhjes mes Qenies dhe Njeriut, në formës e trinisë [Arti + shpirti + vepra],
b)të shpirtit si transhedencë mes jetës/ vdekjes dhe dashurisë/ frymës,
c)të shpirtit si nyje lidhëse me Qenien Sipërore të Krijimit njerëzor,
d)të shpirtit dhe trupit si esenca e qenësisë fizike të njeriut.
Shumë poezi janë sendërtuar me fjalën: shpirt! Herë-herë del si titull, herë-herë, del dhe ti trop metaforik, përmes vargjeve: shpirti nuk bëzan!/ Ç’rëndësi ka bregu i pikëllimit!/ Ç’ngjyrë kanë sytë e ylberit të humbur, pas shiut në kodër të diellit?!/ Shpirtin e djegin shikimet memece,/ të ngrira në dritaren e pritjes, sipas Platonit, dashuria fizike dhe shpirtërore varen nga njëra-tjetra, se dashuria është nga shpirti dhe trupi dhe veprimet e shpirtit varen nga trupi (Smith: 1985: 14), se shpirti i pasqyruar në poezitë: “Shpirt”, “Shpirti im”, “Shpirti nuk hesht” etj., pasi ato përcjellin perceptime të ndryshme, për atë që do të thotë të ndiesh dashurinë. Këto ide të ndryshme se çfarë është dashuria, lidhen me rolin fizik dhe shpirtëror. Madje përmes emrave të mitologjisë greke: Troja, Itaka, Afërdita, Poseidoni, Apoloni, Zeusi, Prometeu, Hera, Sizifi, Had, Eva, Maria Madalena, Etna etj., në vargjet: shpirt!/ Ti rrokullisesh me gjithë frymën tënde mbi një pikë loti,/ vlon e digjesh në këtë botë frymënxirë/… / Penelopë e pamposhtur,/e harlisur,/ shigjeton/ bebëzën e syrit vret, nga poezia: “Do t’i lutesha Zeusit”, dy shpirtrat që “ndërjetojnë”, do të thotë se lëvizin së bashku horizontalisht kryeisht, si rezultat, se dashuria seksuale trupore, bëhet mënyra për të prekur shpirtin në “ecstasy” (Guibory: 2006 :35). Sentencat e sendërtimit të simbolit të shpirtit saora përrokin fiziken, por nënkuptojnë dhe metafiziken. Lënda dhe materia, trupi dhe shpirti.
Ndarja midis trupit dhe shpirti, përqaset si lëndë (jetiko-natyrale, përpos ajo letrare), kërkon një trup për shprehjen e tij: “natyralja e përsosur” gjendja e shpirtit të bashkohet me trupin, dhe kur shpirti është i papërsosur, sipas neoplatonistëve, që besonin se dashuria përfshinte shkëmbimin e zemrave ose shpirtrave (Targoff: 2008: 61) në poezi, nuk ka lidhje me atë lloj transhendence, jomateriale ose shpirtërore. Vargjet: më rrëmben me aromë karakaftesh,/ trazon shpirtin e ngrirë,/ shpupurit flokët era e detit,/ zgjon valën e heshtur,/ aromën e fjetur,/ në mendjen time të etur,/ me fajin gozhduar në shpirt, na rrëfen se ritmi i ciklikës trup-shpirt lidh fizikisht dashurinë e njeriut. Vetë rrugëtimin gjenerativ i fjalëve sema, të nxjerrë nga tema, si konfiguracion diskursiv, emërtohen si figura – skema në rrugëtime figurative (Courtes: 1979), bazuar vetëm në një fjalë të vetme, që është fjala më përmbajtësore në krejt këtë vepër.
Konfigurcioni diskursiv “Shpirti” (përkufizuar si forma përmbajtësore e jetës)
Rrugëtime figurative materia trupi ndjenja fryma interne (lënda, fryma) (brendësia fizike) (dashuria, sëmundja, urrejtja) (që nuk vdes, Përjetësia)

4.Sentencat simboliko-metaforike, (gjuha poetike dhe shprehshmëria stilistikore) përmes metaforave si nënvetëdije filozofike (Dibrani: 2014), vjen si vlerë autentike dhe individualiste në vargjet: me ngjyrat e arta të hënës,/ shpirtin do ta lë gravurë në gur./ Sytë e qeshur/do t’i pikturoj në qiellin e pafund./ Mbështes kokën te jastëku,/ kujtimet vallëzojnë si djajtë me kohën./ Le të mbetet trishtimi, pelegrinazh/ me ftohtësinë e krahëve të harrimit, nga poezia “Gravurë me ngjyrat e kohës”, nga ka marrë emrin i gjithë vëllimi poetik. Poetja ka një varg me ngarkesë metaforiko/metonimik si: shpirti thyhet në sythin e pafajshëm/ qiellin do ta bëjmë mozaik gjethesh/ Ti mbete një hije mjegulle në rrudhat e shpirtit/ të pikturoje ngjyrat e ëndrrës/ Në gërmadhat e syve të mi/ I ngjizur në humnerën e zemrës/ përqafojnë muret e shpirtit/ brumos plagët me lot gjethesh/ me ngjyrën e puthjeve. përtej, përtej më vjen e më djeg një varg = asonanca prap më duhet me i dasht’, prapë duhet me i përqafu fort, përsëritje + prapë duhet me u qëndru afër, anafora prapë duhet me kafshu buzët, prapë duhet me shtrëngu dhëmbët…
Bibliografia:
1.Courtes, Joseph. (1979): Introduzion á l’analyse narraive et discursive, PUF, Paris.,
2.Coward, Rosalind. (1980): This novel Changes Women’s Lives: Are Women’sNovesl Feminist?, “Feminist Review”, 5, XX-XX.
3.Dibrani, Shefqet. (2024): Shpirti thyhet në sythin e pafajshëm, “Albania Post”, Londër:
https://www.fjalaelire.com/ post/shefqet-dibrani-ajne-iberhysaj-gravu-me-ngjyrat-e-kohs, në:
https://gazetalevizja.com/ shefqet-dibrani-shpirti-thyhet-ne-sythin-e-pafajshem, në:
https://www.radiokosovaelire.com/ shefqet-dibrani-shpirti-thyhet-ne-sythin-e-pafajshem, në: https://alb-spirit.com/ 2024/12/20/shefqet-dibrani-shpirti-thyhet-ne-sythin-e-pafajshem, në:
https://www.bulevardnews.com/ 2024/12/18/shpirti-thyhet-ne-sythin-e-pafajshem, në:
https://www.botasot. info/kultura/2274737/kritike-letrare-shpirti-thyhet-ne-sythin-e-pafajshem
4.Gojani, Mikel. (2024): Poezi të brumosur me natyrshmëri poetike dhe thellësi kuptimore “Fjala.info”:
https://fjala.info/ poezi-te-brumosura-me-natyrshmeri-poetike-dhe-thellesi-kuptimore
5.Guibbory, Achsah. (2006): “Erotic Poetry”, in Achsah, Guibbory, The Cambridge Companion to John Donne, Cambridge University Press.