back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Shpirti të pastë dritë nëna ime, heroina ime: Qerime Bome! – nga Çiljeta Bome

Gazeta

Qerime Bome (1938-1992)
Qerime Bome (1938-1992)

Shpirti të pastë dritë nëna ime, heroina ime: Qerime Bome!

nga Çiljeta Bome

Kjo grua heroinë, që kisha fatin dhe nderin në këte jetë të ishte Nëna ime, sot ka ditëlindjen… Quhej Qerime Ramadan Bome!
Ajo lindi në 17 prill 1938, dhe kreu disa vite të shkollës së ciklit fillor në vendlindje në Starje të Kolonjës… më pas edhe pse në moshë të mitur, e internuan sëbashku me nënën dhe motrat e saj… Kryen pesë vjet internim në Krujë dhe Fushë Kamëz, e më pas me ndihmën e disa miqve të afërt të babait të saj, familja Bome u vendos në Tiranë, në një lagje të varfër dhe në një shtëpi-kasolle, të caktuar nga pushteti ku iu duhej të paguanin edhe qera për atë kasolle të ofruar.
E megjithatë, Qerime Bome, vajza më e vogël e familjes Bome, do të luftonte të arsimohej dhe të fitonte vlerat e saj, edhe në një shoqëri të ngurtë komuniste, që nuk do t’i linte kusur pa bërë, e t’i merrte frymën në të ardhmen.
Me mundime të jashtëzakonshme, Qerimeja arriti të mbaronte shkollën e mesme me korrespodencë, Liceun Artistik, dega pikturë, shkëlqyeshëm. Njëkohësisht, ajo punonte për të mbajtur veten dhe nënën me të cilën jetonte, mbasi ishte më e vogla e familjes dhe si rrjedhojë nënës i duhej të pleqëronte me vajzën e vogël. Me shumë sakrifica dhe me miqtë e babait të saj në Kolonjë, të cilët më vonë edhe ata u dënuan si “armiq të popullit”, Qerime Bome arriti të punonte deri në Komisionin e Planit të Shtetit… por kjo do të zgjaste fare pak kohë, sepse letrat anonime të pafundme që vinin nga Kolonja, “pse vajza e armikut të punonte në zyrë të kryeministrisë?!” (aty kishte qënë më përpara Komisioni i Planit të Shtetit.)
Mbas këtyre letrave, Qerimen fillojnë dhe e vëzhgojnë duke e perndjekur vazhdimisht.
.
Diplloma e Qerime Bomes 1969
Diplloma e Qerime Bomes 1969
Ajo mundohej të vazhdonte shkollën edhe më tej, të lartën, por siç e theksova letrat anonime nuk rreshtnin, nga Kolonja dhe kolonjarët komunistë të ardhur në Tiranë. Asokohe, përmes artit Qerimeja njihet me Daut Mendu Mustafanë (babanë tim) i cili ishte një student i muzikës i sapoardhur nga Gostivari, dhe me azil politik në Shqipëri.
Këtu e keqja u gërshetua mirë… U bënë dy armiq bashkë për t’u vëzhguar nga Sigurimi i shtetit, e pë mos i lënë qoftë edhe një çast të qetë çiftin që duheshin pa asnjë kusht dhe pa asnjë djallëzi.
Martohen të dy, por pa kurorë sepse Dauti, nuk kishte nënshtetësinë shqiptare… (atë e ka marrë vonë, mbas burgut). U dhanë një shtëpi në Lushnje, përballë turizmit dhe aty çifti do të jetonte rreth 3-4 vjetë derisa linda unë… dhe aty ata do të arrestohen për arsyet që tashmë dihen. Shteti i kishte dërguar në Lushnje me pretekst se aty u hap një qendër artistike dhe Qerimenë e donin të drejtonte punët artizanale të artistikes dhe aty të mësonte edhe nxënësit në prodhim. Kurse babin, Dautin e futën si mësues muzike dhe punonte në organizime artistike që bëheshin asokohe në qytetin e Lushnjes.
Jeta vazhdonte normal, derisa erdhi çasti i lindjes time… ndërkohë që edhe dosja e prindërve të mi qe kopsitur mirë gjatë atyre viteve në Lushnje, dhe erdhi edhe çasti final ku çifti jo vetëm do të më sillte mua në jetë fëmijën e tyre të parë, por edhe do t’i arrestonin bashkë për njëqind e një arsye politike që i kishte gatuar sigurimi i shtetit kriminal.
Mbasi e dënohet me 15 vjet burg Qerime Bome, dënim maksimal, Daut Mustafai 7 vjet, dhe pjestarët e tjerë të grupit, Qerimeja do të dilte nga burgu mbas 12 vjetëve, dhe rron pak vite me nënën e saj tashmë plakë dhe me mua të bijën… Ajo vdiq në moshë të re, nga pasojat turturuese në qeli, në burg dhe gjithë peripecitë e shkaktuara nga kriminelët komunistë nga një sëmundje e rëndë në 5 Dhjetor 1992.
Mbas pak vitesh do të vdiste nga një atak kardiak edhe i shoqi i saj (babai im) i cili deri në momentin e fundit që unë e mbaj mend, një njeri i rrënuar psikollogjikisht dhe moralisht. Nuk do harroj kurrë lotët e atij burri që qante si fëmijë!! E pra, unë isha frut i këtij çifti të mrekullueshëm artistësh që bisha komuniste nuk i la të qetë ta jetonin rininë dhe dashurinë e tyre…
Edhe pse unë nuk u rrita me ngrohtësinë prindërore unë e ndjeva se ata ishin njerëz të mrekullueshëm, dy artistë, dy njerëz me shpirt të madh dhe plot ndjenja… por lumturia e tyre ishte halë në sytë e sigurimit, mbasi gjithë njerëzit me vlera duhet t’i rrëzonin, t’i mposhtnin, t’ua sakatonin jetën, familjen, dinjitetin, femijët… Kjo ishte formula komuniste!
Ndaj sot dua ta kujtoj ditën e lindjes së mamit tim… 17 prill 1938!
.
Çiljeta  Bome
Çiljeta Bome
Nuk dua t’ia kujtoj vdekjen sepse ajo për mua është në çdo çast pranë meje, si engjëll mbrojtës. Për mua Mam je drita që më ndriçon në çdo cep të jetës sime… Të ndjej çdo çast pranë…
Dritë pastë shpirti yt Mam… ndriçoni të dy me babin aty ku jeni…
Më ndriçoni që lart si yje, sepse këtu në kët tokë është bërë shumë pis nga shpirtzinjtë e kriminelëe e së djeshmes që tashmë kanë marrë trajta dhe forma të ndryshme. Lufta kundra nesh ende vazhdon!
Vërtet unë kam shpëtuar nga gracka e gjarprinjve të kuq, sepse ika, dhe jam larg… Ndaj them le të hanë kokën me njëri tjetrin, se fundin prej njeri tjetrit do ta gjejnë!
Shpirti të pastë dritë mbretëresha ime, Nëna ime, heroina ime: Qerime Bome!
17 prill 2021.
.


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.