back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Shqipëria dhe ëndrra politike e Kaizerit në Ballkan – nga Monika Shoshori Stafa

Gazeta

Cabej - Haxhiademi - Studentë në Austri
Cabej – Haxhiademi – Studentë në Austri

Shqipëria dhe ëndrra politike e Kaizerit në Ballkan

nga Monika Shoshori Stafa

Që prej krijimit të shtetit shqiptar, nga njohja e pavarësisë dhe tërësisë tokësore që Shqipëria gëzon sot e kësaj dite janë shkruar me dhjetëra monografi, kujtime personalitetesh, vëzhgime politike, përshtypje udhëtimesh nga autorë europianë në të cilat trajtohen problemet e Shqipërisë dhe kombit tonë. Historiografia shqiptare e Pasluftës II Botërore e ka trajtuar tërësisht në planin ideologjik politikën që ka ndjekur perandoria austro-hungareze ndaj problemeve shqiptare, duke e parë vetëm si një veprimtari në zbatim të një politike konsekuente imperialiste-ekspansioniste. Fakt është që sot e kësaj dite, shqiptarët ende s’e dinë të vërtetën e pastër se çfarë roli ka pasur Perandoria Austriake e më vonë austro-hungareze në jetën politike, shoqërore, kulturore, arsimore, shëndetësore të viseve shqiptare për të gjykuar në mënyrë objektive e subjektive, ndikimet pozitive dhe negative të saj. Pasi kjo të ishte studiuar mirëfilli dhe disiplina historike të konfiguronte mbi baza të shëndosha metodologjike politikën e perandorisë danubiane ndaj popullsisë shqiptare, atëherë do të kuptohej fare qartë përse shqiptarët në përgjithësi kërkonin vazhdimisht mbështetjen e Austrisë; përse shqiptarët bënin përpjekje që fëmijët e tyre, djem e vajza, të arsimoheshin dhe të edukoheshin nga shkollat fillore e deri në universitete, e madje edhe nëpër shkollat profesionale.
.
Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci studentë në Vjenë
Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci studentë në Vjenë

Ndikimi perandorisë në ekonomi e administratën publike…

Tregtia: Gjatë kësaj periudhe Austro-Hungaria u bë vendi me të cilin bëhej import-eksporti kryesor shqiptar. Mbi 60 firma tregtare në Shkodër kishin korrespondentët tregtarë që lidheshin me Vjenën, Gracin, Budapestin e deri në Europën perëndimore e atë qendrore. Brenda viteve 1850-1900 lëvizja tregtare u rrit afërsisht 4 herë. Kështu, në fund të shek. XIX vlefta e mallrave të importuara, kryesisht nga Austro-Hungaria, arrinte në 34 milionë franga ari, kurse vlefta e mallrave të eksportuara vërtitej në 12 milionë franga.
Mjekësia: Por veprimtaria më njerëzore, më e dukshme dhe me një efekt masiv ka qenë veprimtaria e Austro-Hungarisë në fushën e shëndetësisë, mjekimit, higjienës dhe të profilaksisë së popullsisë së gjerë qytetare e fshatare. Një numër i madh mjekësh austro-hungarezë kanë shërbyer me profesionalizëm të lartë dhe me devotshmëri të madhe kudo nëpër Shqipëri, e në veçanti në Vilajetin e Shkodrës, por edhe në spitalin civil ushtarak pas viteve 1890. Aktiviteti i tyre ka qenë një ndihmesë e shkëlqyer e dobiprurëse, me pasoja shumë pozitive që vazhduan disa dhjetëra vite.
Administrata: Austro-Hungaria në zonën e okupacionit të saj, që shtrihej nga Shqipëria e Veriut e deri në lumin Vjosë, vendosi një administratë shqiptare të tipit europian me të gjitha veprimtaritë shtetërore dhe sociale. Më 24 shkurt 1917, u dha urdhër nga Komanda Ushtarake austro-hungareze që të gjithë nëpunësit të përdornin gjuhën shqipe të përcaktuar nga Komisia Letrare shqipe, përndryshe largoheshin nga puna.
Infrastruktura: Në këtë kohë u krye ndërtimi i rrugëve të reja dhe rikonstruktimi i ekzistueseve, madje u ndërtua për herë të parë në Shqipëri edhe rruga hekurudhore me dekovil nga Shkodra deri në Vorë. Ajo ishte e projektuar për të shkuar deri në Durrës, Elbasan e deri në Vlorë.
Arsimi: Austro-Hungaria filloi një politikë të hollë në shërbim të arsimimit e kulturës shqiptare, inkurajoi dhe mbështeti financiarisht shoqëri kulturore, gazeta, apo dhe revista, si në Shkodër ashtu edhe në Vjenë. Austria e realizoi këtë pjesë me patriotë, me atë pjesë të inteligjencës shqiptare që i kishin kryer studimet e mesme dhe të larta në Austro-Hungari dhe që përbënin pjesën më të emancipuar të intelektualëve shqiptarë. Prirja e shqiptarëve për t’u arsimuar në shkollat e Austrisë është e hershme, dhe kjo nuk ishte vetëm te shqiptarët katolikë të Shqipërisë veriore, por edhe te shqiptarët ortodoksë të Elbasanit, Korçës, Voskopojës, Gjirokastrës, Lunxhërisë, po ashtu edhe te shqiptarët myslimanë.
Influenca austriake në zgjimin e vetëdijes kombëtare shqiptare
Në suazën e “kultusprotektoriatit” (E drejta e mbrojtjes së kultit dhe kishës katolike në popullsitë kudo ku ishin, në Ballkan dhe Europë Juglindore në Perandorinë Turke), nga mesi i shek. XIX, Austria, veç të tjerëve, përfshiu edhe trevat e banuara me shqiptarë katolikë. Duke shpallur zyrtarisht shtetin austriak, mbrojtës të popullit shqiptar, perandoria danubiane e shtriu juridiksionin jo vetëm mbi klerin dhe popullsinë e krishterë, por edhe mbi popullsinë jo kristiane të trevave të banuara etnikisht me shqiptarë. Nisur nga kjo, Austria i kish vënë vetes “mision civilizues dhe kulturor në Ballkan dhe Shqipëri”. Me këtë ngarkesë apostolike, Vjena në kuadrin e “kultusprotektoriatit” vëmendjen dhe kujdesin kryesor ia kushtoi ndërtimit, rindërtimit si dhe mirëmbajtjes së kishave në Shqipëri, përgatitjes së klerit të lartë kishtar si dhe urdhrave të Jezuitëve dhe Françeskanëve. Perandoria austriake ndërmori një numër masash që morën emrin “Programi i Veprimit”. Ky program parashikonte masa që synonin të përmirësonin aparatin kishtar përmes përgatitjeve shkollore klerikale të plota me anën e një kualifikimi të mëtejshëm. U themelua në Shkodër seminari pontefikal më 1858, ku përgatiteshin Jezuitë e prelatët e ardhshëm të kishës katolike shqiptare, nga të cilët përmendim: Pjetër Gjura, Lazër Mjeda, Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Engjëll Radoja, Jak Serreqi, Zef Gjonali, Agostin Barbullushi, Gjergj Koleci e Pashko Caliku. Nga seminari françeskan përmendim, Vinçens Prennushi, Anton Harapi, Justin Rrota, Mathe Prendushi, Nikoll Deda, Marin Sirdani, Tomë Volaj etj. Disa vite më vonë në Shkodër u hap Kolegji Saverian dhe Seminari Femëror françeskan i motrave stigmatine. Vjena po krijonte fonde e mundësi materiale që pothuaj të gjithë klerikët më pas të dërgoheshin për studime të larta në teologji e filozofi në Austri (Villach, Innsbruk, Graz e Linz etj). Në sajë të këtij programi politik e klerikal të Perandorisë së Habsburgësve gjatë kësaj periudhe u përgatitën personalitete klerikale por dhe politike, shoqërore, arsimore, të cilët do të luanin një rol të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar. Përveç këtyre prelatëve, në Austri u dërguan një numër i konsiderueshëm klerikësh të tjerë, të cilët përveç teologjisë e filozofisë u diplomuan në linguistikën indoevropiane e në albanologji, në histori e arkeologji, por dhe në shkencat ekzakte si matematikë, fizikë e kimi, në mjekësi e farmaci, madje edhe në muzikë, si Sebastian Hilaj, Martin Gjoka, Bernardin Shllaku, Gaspër Thaçi, Bon Nika, Ciprian Nika, Nikoll Deda, Rrok Gurashi, Aleksandër Gurashi, Aleksandër Sirdani, Ndue Suma, Nikoll Gazulli, Kolec Prendushi etj. Kjo ishte një politikë e butë, e përhershme e dinastisë së Habsburgësve për të realizuar synimin shekullor të depërtimin paqësor në Ballkan e Shqipëri, për të frenuar e penguar kishën sllave dhe qëllimin e shtrirjes territoriale në trevat tona.
Në kushtet e reja politike-sociale të krijuara pas Kongresit të Berlinit u diktua nevoja e përpunimit të një taktike të re të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Rilindësit e kishin tashmë të qartë se kishte marrë fund përkohësisht periudha e goditjes së drejtpërdrejtë të Perandorisë Osmane, prandaj ata u kufizuan me kërkesa të karakterit kulturoro-administrativ që nuk atakonin status-quonë politiko-shtetërore të gadishullit ballkanik dhe që ishin në përputhje me nenin 23 të Traktatit të Berlinit. Theksi kryesor gjatë kësaj periudhe u vu në zgjerimin e lëvizjes kulturore kombëtare për përhapjen e gjuhës dhe shkrimit shqip, të shkollës dhe shkollimit, të letërsisë kombëtare, me qëllim që të ngrihej më tej ndërgjegja politike e popullit shqiptar, të njihej kombësia shqiptare, historia e luftërave të popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare e sidomos në Europën konservatore. Për këto qëllime të rëndësishme lufta për shkollën dhe letërsinë shqipe mbeti në periudhën e stabilitetit ashtu sikurse edhe gjatë Lidhjes së Prizrenit, objektiv kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në periudhën e luftërave ballkanike 1912-1913 dhe të kryengritjeve të mëdha shqiptare, pozicionimi i Austro-Hungarisë bëhet politikisht më aktiv në drejtim të krijimit të një shteti shqiptar autonom e më vonë të pavarësisë së plotë të territoreve shqiptare.
.
Universiteti 650 vjeçar i Vjenes - ku studoi Kujtim Beqiri
Universiteti 650 vjeçar i Vjenes – ku studiuan mjaft studente shqiptare

Pse kjo konsideratë e shqiptarve për institucionet austriake?

Para së gjithash, prej mbresave të jashtëzakonshme që u kishin lënë tregtarëve shqiptarë të Shkodrës, Voskopojës, Beratit, Elbasanit, institucionet shtetërore austriake, ndërtimi dhe organizimi i përkryer i shtetit, disiplina, rregulli qytetar, marrëdhëniet tregtare e komunale shumë serioze, shkollat, nxënësit, studentët, mjekët e mjekësia në Austri. Për këtë pjesë të shqiptarëve që kishin parë dhe jetuar në bashkësinë ballkanike të administruar nga burokracia osmane, shteti austriak e më vonë austro-hungarez ishte shteti ideal europian, sipas të cilit donin të kishin edhe atdheun e tyre. Pjesa tjetër e inteligjencës shqiptare që jetonte në Shqipëri, ishin të mrekulluar nga veprimtaria e misionarëve diplomatikë austriakë, të cilët ishin njëkohësisht albanologët më të shquar, ishin gjeologët, etnografët, arkeologët, historianët, botanistët të cilët për herë të parë në historinë e kombit tonë, themeluan dhe i dhanë jetë albanologjisë e gjeologjisë shqiptare, kontribuan dhe kryen studime shumë të vyera në historinë dhe etnografinë kombëtare shqiptare; kryen zbulimet e para arkeologjike dhe bënë inventarizimet e para botanike të florës shqiptare.
Në një diskutim në parlamentin shqiptar të vitit 1924, rezulton se asokohe, studionin në Austri 69 të rinj shqiptarë, nga të cilët vetëm në Freystadt, 22 studentë. Pas 24 dhjetorit e deri në 7 prill 1939, në Shqipëri qeverisi A. Zogu. Fillimisht si President i Republikës së Shqipërisë (1 shkurt 1925-shtator 1928) e më pas si Mbret i Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve, por edhe më parë, ishin hapur plot shkolla të mesme të arsimit të përgjithshëm dhe profesional. Si të tilla, studentët që mbaronin këto shkolla mund të vazhdonin cilindo universitet apo shkollë të lartë europiane. Për këtë shkak shteti shqiptar gjatë kësaj periudhe nuk akordoi bursa për shkollat e mesme jashtë vendit. Arsimi i të rinjve me bursën e shtetit u bë vetëm për studime universitare dhe për kualifikime e specializime pasuniversitare. Por ndërsa deri në vitet 1925-1926, studentët dërgoheshin kryesisht në Austri, pas këtyre viteve studentët e liceve franceze dërgoheshin në Francë, apo të tjerë në SHBA, Gjermani, Itali, Angli etj. Megjithatë, një numër i madh studentësh shqiptarë vazhdonin të studionin e të diplomoheshin në shkollat e larta të Republikës austriake. Në mënyrë të veçantë në degët e mjekësisë, inxhinierisë civile e topografi, bujqësi dhe pedagogji. Studentë të cilët kishin kryer gjimnazet në Austri ishin Eqrem Çabej, Shyqyri Demiri, Krist Maloki, Gaqo Tashko, Aleks Buda, Pasko Milo, Veniamin Dashi, Gaspër Shoshi, Fejzo Miraku, Hajdar Kërçiku, Kujtim Beqiri, Qazim Xhepa, Hamdi Mehmeti, Agustin Bonati, Ferid Beshiri (maturantë të shkollës teknike amerikane) dhe Alajdin Frashëri, Hiqmet Tela, Liri Buda e të tjerë ishin maturantë të gjimnazeve shqiptare. Për të plotësuar nevojat për kuadro të ushtrisë shqiptare, Komanda e Përgjithshme e saj, në vitet 1928-1929, akordoi bursa për studime universitare në mjekësi, veterinari e topografi. Madje studentëve u dhanë edhe gradën e togerit. Të tillë ishin Abdyl Skenduli, Zef Pali, Naim Vreto, Selim Zyma, Masar Dervishi, Emin Orizaj e të tjerë. Në historinë e viteve 1930-1940 specialistët shqiptarë i kryenin në Austri specializimet pasuniversitare, kualifikimet shkencore, si: Vasil Laboviti, Frederik Shiroka, Gaspër Shoshi, Tahsim Karagjozi, Zef Pali, Shefqet Fani, Shaqir Kolonja, Shyqyri Demiri, Krist Maloki, Gaqo Tashko, Alajdin Frashëri etj.
.
Krist Maloki, mes studentësh në Grac
Krist Maloki, mes studentësh në Grac

Veprimtaria e studentëve shqiptarë në Austri

Studentët e parë shqiptarë në Austri u dërguan pikërisht në atë kohë kur në territoret shqiptare gjendeshin strukturat e Perandorisë Osmane që kishin vendosur dhunë dhe terror menjëherë pas lëvizjeve të mëdha kryengritëse shqiptare. Veprimtaria e tyre ishte fillimisht individuale, si ajo brenda, edhe jashtë atdheut. Më vonë ajo u organizua përmes shoqatave që ata krijuan dhe organeve të shtypit që ata nxorën. Po cilat ishin ato shoqata, grupime, shoqëritë dhe organet periodike të studentëve shqiptarë në Austri?
Shoqëria kulturore “Dija” fillimisht aktivizohej si gjysmë e ligjshme derisa mori formën e duhur juridike. Aty morën pjesë shqiptarë të cilët më vonë u bënë personalitetet më të spikatur të jetës politike, arsimore, kulturore shqiptare, si Dr. Gjergj Pekmezi, kryetar Kristo Dako, Dervish Hima, Kolë Kodheli, Lec Çurçia, Ndue Paluca, Kolë Rrota, Gaspër Beltoja, Simon Kadarja, Gaspër Mikeli, Kolë Margjini etj. Aktiviteti i saj është mjaft i pasur dhe me një dinamizëm kundrejt zhvillimeve kulturore–arsimore shqiptare.
Shoqëria “Albania” është themeluar si rezultat i një grupi studentësh mbledhur në Vjenë që prej vitit 1918. Këta studentë shkuan në Austri si rezultat i marrëveshjes së Luigj Gurakuqit me shtetin austriak. Këta janë studentë kryesisht nga Shkodra dhe rrethinat e saj. Ata u vendosën në Vjenë, por edhe në shumë qytete të tjera si Graz, Linz, Insbruk dhe Klagenfurt. Në këtë shoqëri bënin pjesë Jovan Basho, Fuad Asllani, Xhevat Korça, Vasil Laboviti dhe të tjerë prej jugut të Shqipërisë si Irakli Buda, Sokrat Dodbiba dhe Jakov Deliana nga Elbasani, dhe shkodranët Nush Bushati, Ndoc Naraçi, Ndoc Krajni, Gjovalin Gjadri, Kolë Mirëdita, Rrok Gera, Rrok Stani, Rrok Kolaj, Rrok Maloku, Tefik Bekteshi, Gjon Temali, Krist Maloki etj. Në atë kohë në Vjenë ndodheshin me qëndrim të detyruar një numër i madh personalitetesh, bajraktarësh shqiptarë, si Bajram e Hysni Curri, Nexhip Draga, Ahmet Zogu, Xhelal Preveza, Rexhep Mitrovica, Ismail Deva, Muharrem Bajraktari etj. Studentët shqiptarë ishin miqtë e tyre të rinj. Ata mblidheshin çdo ditë në kafenenë vjeneze “Grailinger”, që asokohe njihej si kafeneja e shqiptarëve, ku diskutoheshin problemet e Shqipërisë. Këta studentë ruanin lidhje të ngushta me albanologët austriakë dhe ekonomistë gjithashtu.
Ata donin të dinin çdo gjë mbi realitetin shqiptar, luftërat ballkanike dhe prapaskenat që bëheshin në kurriz të trojeve shqiptare. Pikën kulminante të veprimtarisë këta studentë e arritën kur në emër të tyre i drejtuan një notë Konferencës së Paqes në Paris.
Revista “Minerva” në Graz, u themelua nga një grup studentësh nën vazhdën e asaj eksperience që vinte nga shqiptarët në Vjenë. Revista lindi në vitin 1922.
Gazeta “Ora e Shqipnisë” e filloi jetën në vitin 1928. Redaktor përgjegjës i saj ishte një nga ish-studentët e Vjenës, Dom Lazër Shantoja, dhe Dr. Frederik Shantoja. Kjo ishte një gazetë antizogiste dhe kryesisht hiqej si e pavarur. Ajo për të cilën shqetësohej kryesisht stafi drejtues i saj ishte politika e jashtme e Zogut. Personalitetet shqiptare dhe austriake që u rreshtuan në krah të suksesit të paemër nga ajo çfarë u quajt “invadimi austriak në Shqipëri” rreshtojmë; Aleksandër Moisiu, Karl Gega dhe hekurudha e Semeringut, Norbert Jokli dhe biblioteka e Rathaus (bashkisë) së Vjenës, Rezidenca ku Austro-Hungaria dorëzoi Princin Wied delegacionit shqiptar; Muzeu i Artit dhe i Armëve ku gjenden armët e Skënderbeut; Albanologët e Vjenës, si Max Demeter Peyfuss, Olivier Jens-Shmidt, Joachim Matzinger, Thede Kahl, mes tyre edhe ambasadori Florian Raunig; Kishat e pikturuara nga Theodor Grunde (Grundovich) Voskopojari (Moskopoliti); Misionarët austriakë në Shqipëri: Theodor Ippen, Ferenz Nopcsa; Partiturat e Franz Liszt-it në Shqipëri; Dom Nikollë Kaçorri në Vjenë; Akademik Aleks Buda; Prof. Eqerem Çabej; Dr. Nush Bushati, personalitet shtetëror, politik; Jakov Deliana; Dom Gjon Gazulli; Dr. Sokrat Dodbiba; Et’hem Haxhiademi; Dr. Rrok Kolaj; Hilë Mosi; prof. dr. Gjergj Pekmezi; Eqerem Vlora; Gjen. Zef Serreqi etj.
.
http://gazetashqiptare.al/2017/08/20/shqiperia-dhe-endrra-politike-e-kaizerit-ne-ballkan/
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.