back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi nga Ajet Nuro

Gazeta

Ajet Nuro
Ajet Nuro

Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi

nga Ajet Nuro

Këtë vit, në dhjetor, mbushen plotë 25 vjet nga dita kur filloi lëvizja studentore që u pasua me ndryshimet që të gjithë i dimë dhe që i kemi vënë emrin demokratizimi i vendit. Fakti është se në këtë çerek shekulli, Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë në tranzicion, dhe destinacioni ka qenë demokracia si një formë e të qeverisurit, si një formë organizimi shoqëror e ekonomik, si një formë qeverisje etj.
Në 25 vjetë, shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri. Po të kthesh kokën mbrapa, do ta kuptosh se Shqipëria vërtet ka ndryshuar. Problemi është se ndryshimet duket se janë më tepër frut i inercisë, i shtytjes përpara prej kohës, sesa ecje përpara falë punës sonë intelektuale, konsolidimit të demokracisë. Ecja drejt demokracisë nuk është e lehtë por, ajo nuk duhet të zgjasë pa fund. Më keq akoma, demokracia që kanë njohur shqiptarët, nuk është demokracia për të cilën ëndërruam para 25 vjetësh. Kjo është aq e vërtetë sa, nuk ka asnjë argument për t’u thënë nostalgjikëve të kohës së qoftëlargut që demokracia është ku e ku me regjimin stalinist të kohës së komunizmit.

Ku çalojmë ne shqiptarët?

Kush e kujton periudhën e fillimit të demokratizimit të vendit, e mban mend fjalën “ekonomi e tregut” që duhet të zvendësonte “ekonominë e centralizuar”. Në bazë të një ekonomie tregu (le të mos përdorim fjalën ekonomi kapitaliste…) është prona. Prona dhe pronarët (jo të rinjtë) janë të persekutuarit e kësaj periudhe të demokratizmit. Prona, u keqtrajtua nga të gjitha partitë politike, që nga momenti i ligjit 7501 që sanksionoi ndarjen e tokës sipas parimit komunist “Toka i takon atij që e punon”. Mungesa e seriozitetit me pronën, u duk me pronat në qytet, me kthimin e pronave të konfiskuara nga regjimi komunist, etj etj. E njëjta gjë mund të thuhet edhe me lojën e lejeve (palejeve) të ndërtimit që u përdorën si mjet i marrjes së pushtetit në disa zgjedhje legjislative apo lokale.
Partitë politike shqiptare, janë pengesa kryesore e demokratizimit të shoqërisë shqiptare. E kam analizuar fenomenin e partive politike shqiptare në një shkrim të para disa viteve dhe po e theksoj përsëri që pothuajse të gjitha partitë politike shqiptare i ngjajnë njëra-tjetrës si dy pika uji. Mungesa e një demokracie të brendëshme, bënë që shumë prej shefave të tyre t’i shikosh qysh prej themelimit në krye të tyre. Kjo mungesë demokracie transmetohet pastaj në gjithë politikën shqiptare.
Flitet se në Shqipëri zgjedhjet nuk janë të ndershme, ato vidhen, votat blihen. Si mund të kesh një shoqëri të zhvilluar kur të gjithë gënjejmë, cili nga faktorët politikë mund të ndalojë një fenomen të tillë?! Ai që nuk ka mëkate le të hedhi gurin i pari… do të thoshte Krishti nëse do t’ia tregonin këtë histori shqiptare.
Diletantizmi i politikës shqiptare duket në politikën e jashtme. Shtetet moderne, kanë politika të jashtme stabël që nuk ndryshojnë pavarësisht nga ndryshimet në krye të shtetit. Te shqiptarët e ke vështirë të dallosh nëse ata janë me Lindjen apo me Perëndimin. Ne duhet të kemi aleatët tanë historikë. Të tjerat duhet të jenë garnitura.

Shqiptarët dhe ligji

Nuk mund të ketë demokraci pa një shtet ligjor. Kur themi shtet ligjor kemi parasysh një shtet që ka ligje serioze dhe mbi të gjitha të zbatueshme për të gjithë. Të gjithë të barabartë para ligjit. Por, a ka më poshtë se një shtet ku kreu i tij u kërkon qytetarëvë të mos shesin votën. Pra, puna ka arritur tek “Luteni të mos u bindeni hajdutëve!”

Po pastaj?

Shqiptarët kanë një diasporë nga më të fuqishmet. Shqiptarët në këto 25 vjetë i janë larguar Shqipërisë si asnjë herë tjetër në historinë e tyre. E megjithatë, ata ia kanë dalë që të integrohen në vendet ku janë vendosur dhe kanë bërë emër, por edhe pasuri. Por, kujdesi i shtetit shqiptar për ata lë për të dëshiruar. Historikisht, diaspora ka marr pjesë aktive në të gjitha ngjarjet kryesore të zhvillimeve në Shqipëri. Nuk besoj se është e nevojshme të kujtojmë shpalljen e pavarësisë, njohjen ndërkombëtare të shtetit (gjysmë-shtetit) të sapoformuar dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale e mandej edhe ndihmesën sado modeste në rënien e komunizmit. Por, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për diasporën sot. Ndonëse diaspora jonë është e suksesshme, jo rrallë ajo paraqet po ato sëmundje si ato të shoqërisë në atdheun tonë, përçarje, izolim, dhe secili për vehte e Zoti për të gjithë. Le të kuptohemi, sot ndoshta është e pamundur të krijohet Vatra e viteve ’10, ’20 e ’30 të shekullit të kaluar, por krijimi i një lobi dhe ndikimi në ndryshimet për mirë në atdhe mund të realizohet kurdo herë. Edhe pse diaspora shqiptare në këtë moment nuk është në gjendje të bëj ndryshimin e madh, besojeni ose jo, vetëm ajo mund ta ndryshojë Shqipërinë. Nëse themi diaspora, për shkaqe historike dhe për peshën e shtetit ku ata jetojnë, shqiptarët e Amerikës kanë një vend të privilegjuar në këtë mes. Ndoshta Shqipëria (por dhe Kosova) kanë drejtues politikë që e mbajnë peng procesin e integrimit dhe demokratizimit të shteteve shqiptare, por Shqipëria është e jona, e shqiptarëve e qytetarëve të saj. Na takon ne të gjithëve të reagojmë dhe mundësisht të ndikojmë për mirë. 50 vjet komunizëm dhe 25 vjet tranzicion mjaftojnë. Nëse Shqipëria nuk “goditet” nga një valë e dytë demokratizimi edhe pas 25 vjetësh do të dëgjojmë të flitet për reforma, dhënie e marrje pronash dhe udhëtim… drejt së panjohurës.
Shqipëria duhet të bëhet sot. Nesër është vonë!
Montral, Kanada
http://tribunashqiptare.net

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.