“Shqipëria më do shumë
dhe unë i shpreh shumë mirënjohje asaj…”
Ernesto Sabato (1912-2011)
nga Klodi Stralla
Ishte, si tani, fundprill i vitit 1996, kur nga avioni zbriste në Rinas një burrë mbi të 80-at. Në kokë mbante një kapele të vendosur gjysmë mënjanë, me syze të errta dhe me një pardesy hedhur shkarazi mbi supet…
Ishte Ernesto Sabato, shkrimtari argjentinas, me origjinë nga arbëreshët e Italisë. Fjalët e para që tha ishin shumë kuptimplote: “Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar…”
Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar si i barazvlefshëm me Borges, Marquez e Cortazar, atë ditë me re ai nuk harroi të tregonte se në studion e tij kishte një gravurë veneciane të heroit të madh të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Nuk dua t’ju tregoj biografinë e tij, as si fizikan dhe as si artist, se ato i gjeni me shumicë në shumë site të internetit, por do t’ju përciell një fragment nga intervista që ai dha gjatë vizitës të tij disa ditore në Shqiperi, ku spikat thjeshtësia e komunikimit, çiltërsia e mendimit, dashuria për jetën, botkuptimi realist dhe individualiteti i tij karakteristik.
-Me cilët nga personazhet tuaj do të mund të identifikoheshit sot? – qe një pyetje e gazetares. Bëhej fjalë për personazhe që Atë e bënë të njohur në të gjithë botën me librat që shkroi si “Tuneli”, “Heronj dhe varre” dhe “Ëngjëlli i errësirrës” të sjella edhe në shqip nga përkthyesja Mira Meksi.
Ai vështroi pak dhe tha: “Të gjithë janë mishërime të inkoshiencës sime, e cila asnjëherë nuk gënjen. Të gjithë jemi një përzierje e mirësisë dhe së keqes, e ateizmit dhe besimit, e bujarisë dhe egoizmit, e frikës dhe e trimërisë!”
-Çfarë ju shtyn kur shkruani? -Instikti
-Asnjëherë arsyeja? – Arsyeja nuk i shërben ekzistencës. Arsyeja i shërben teoremave matematike dhe fabrikimit të sendeve. Shpirti i qënieve njerëzore në thellësinë e tij nuk është për gjëra të tilla. Përpara personazheve të mi ndjehem si përpara qenieve me mish dhe kocka, që i kam krijuar vetë, por edhe që s’më binden. Diçka e vështirë për t’u shpieguar.
Mandej gazetaria e pyet për raportet e tij me gratë:
-Matilde është gruaja e vetme e jetës suaj apo keni patur edhe dashuri të tjera? – Kam patur edhe dashuri të tjera si çdo qënie njerëzore. Disa më të forta se të tjerat. E çfarë? Kultura të mëdha në lashtësi kanë qënë poligame. Vetëm në këtë shoqëri hipokrite dhe borgjeze fshihet prirja natyrale e qenies njerëzore…”
Pasi vizitoi Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeun Arkeologjik në Durrës, dhe u njoh nga afër me historinë e stërgjyshërve të tij, për të cilën do të shprehej:
“Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri, e kujtova shumë nënën time, e cila është me prejardhje shqiptare. E gjithë Shqipëria më do shumë dhe unë i shpreh shumë mirënjohje asaj!” – ishin fjalët e tij të lamtumirës…
Ernesto Sabato u nda nga jeta 3 vjet më parë, në 30 prillin e vitit 2011, në moshën 99 vjeçare. Ne shqiptarët kemi arsye të përligjura ta kujtojmë këtë personalitet kompleks të trungut tone amëtar, sepse edhe Ai, kurrë nuk reshti së kujtuari me krenari origjinën e tij shqiptare.
PS. Ernesto Sabato ka lindur më 24 qershor 1911, në Rojas, provincë e Buenos-Ajresit. Ka marrë titullin “Doktor” në shkencat fiziko-matematike, në Universitetin e La Plata-s. Në vitin 1938, Shoqata për Progresin e Shkencave, i akordon bursën e vitit si kandidati më i mirë i vitit për të punuar në Institutin “Curie” të Parisit. Karrierën e shkencave fiziko-matematike e zhvilloi ndërkohë që shkruante dhe pikturonte. Në Paris lidhet me grupin surrealist, me të cilët takohet në kafenenë “Dome”. Më 1939, me fillimin e luftës, shkon në Cambridge, ku realizon një punim mbi relativitetin, të botuar në revistën “Physical Revieë”. Më pas kthehet në La Plata, ku jep mësime në degën e relativitetit dhe në mekanikën kuantike, në Institutin e Fizikës të Universitetit, ku kishte kryer studimet. Pas dy vjetësh e braktis përgjithmonë aktivitetin e tij shkencor, për t’iu përkushtuar i tëri letërsisë dhe pikturës…
Klodi Stralla… Marrë nga faqja e tij e fb. 29 prill 2014