back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Shqipëria në optikën e Dom Simon Jubanit… dhe Frymë pas Fryme… nga Menita Ljarja

Gazeta

Menita Ljarja
Menita Ljarja

Frymë pas Fryme…

nga Menita Ljarja

Poeti i famshëm italian Giacomo Leopardi në njërën nga veprat e tij rrëfen se një herë në Firence kishte parë dikë që ndërsa tërhiqte pas vetes një qerre mbushur me sende dhe bërtiste me të madhe duke urdhëruar të tjerët t’i hapnin vendin. “Shkonte me krenari fort të madhe, duke bërtitur dhe duke urdhëruar njerëzit”,- shkruan Leopardi. “Ky shembull, – vijon më tej autori, m’u duk shembulli i shumë “të tjerëve” që shkojnë plot madhështi, duke sharë po të tjerët, për arsye jo fort të ndryshme prej asaj që i jepte aq krenari atij që tërhiqte qerren sipas zakonit porsi kalë e mushkë”.
Kjo “panoramë” e vogël është sjellë në vëmendjen e shtypit shqiptar në vitin 1944, nga organi kulturor “Fryma”. Që prej kohës kur kjo esencë filozofike është botuar e deri më sot kanë kaluar thuajse 80 vjet. Tragjedi të shumta shpirtërore dhe jetësore e kanë vendosur shqiptarin në një cep të rrugës ku prej aty ai të mund të vëzhgonte me frikë “fjalën që vret”. Bëhet fjalë për qindra e mijra burgosjet dhe internimet e ndodhura nën diktaturë, ku “tradhtarët e atdheut” apo “armiqtë e popullit” poshtëroheshin dhe fyheshin nga ata “të tjerët” që shkonin plot madhështi.
Një ditë Shqipëria u gdhi pa “armiq të popullit” dhe “tradhtarë të atdheut”.
Pyetja që shtroj është se ç’frymë kishte mbetur në Shqipëri, e cila në një erë të re historike do të duhej t’i kthente nderin, ndërgjegjes së martirizuar të një populli i cili dhe pse i kërcënuar deri në palcë diti të ruajë vlera qytetarie të cilat do të mbeten të gjalla përtej kohës?
Ajo frymë që dogji kulturën e “Albanisë” së Faik Konicës, “Hyllin e Dritës” të Gjergj Fishtës, “Frymën” e Myzafer Pipës, ku shkoi?
“Ishte një luftë e ashpër që i bëhej ndërgjegjes së njerëzve, ishte përpjekja për të shkatërruar në themel gjithçka pozitive kishte shpirti i shqiptarit…” – rrëfen një personalitet i nderuar i letrave shqipe.
Prandaj në udhën e këtij arsyetimi mos do të ishte mirë që të rinjtë e sotëm në vend që të drejtohen për tek aktivitetet e “vilave 31”, të edukohen, për ta lexuar historinë e djeshme në dritën e vërtetë të fakteve dhe ngjarjeve? Vetëm atëherë ecja për tek aktivitetet e “vilës 31” do të merrte trajtë!
(botuar te gazeta Tema)

Dom Simon Jubani - Nëntor 1990
Dom Simon Jubani – Nëntor 1990

In Memoriam,

Shqipëria në optikën e Dom Simon Jubanit…

nga Menita Ljarja

Në librin e tij “Burgjet e mia” lexojmë: “Në marc të vjetës 1946, kur komunistat shqiptarë, nga frika e një përmbysje të shpejtë, suprimuan, sekuestruen e shkatërruen të gjitha shkollat katolike tradicionale, prej të cilave ka mësue me shkrue e me lexue mbarë Kombi, m’u desht me ndërrue vend e bankë. U ula, pa dashtë, në bankat e Gjimnazit të Shtetit, ku ende sot mësohet se njeriu asht majmun pa qime”.
Për të ruajtur Pavarësinë e Mendimit, Dom Simoni nuk pranoi grada… Gëzoj shëndet të mirë, – thoshte ai, – mbasi ndonëse pa dhambë, “ha për ditë nga një antivlerë”: po t’i kisha dhambët në rregull, “kishe me hangër” dhetë në ditë…
A vazhdon të kujtohet sot figura e Dom Simonit?
Kanë kaluar shumë vite prej periudhës kur meshtarë të tjerë si Anton Harapi apo Lazër Shantoja, të cilët kanë dhënë jetën për Fe e Atdhe nuk kujtohen apo nderohen. Kush e ka për detyrë t’i kujtojë dhe t’i nderojë? Si mund të nderohen këto figura të larta të Kombit Shqiptar? Po rrekem t’i përgjigjem pyetjes së parë, për të ndriçuar sadopak dhe atë “njeriun e sotëm majmun” që po i fsheh heronjtë. Së pari detyra për t’i kujtuar dhe nderuar i përket Klerit. Të kujtosh do të thotë të lartësosh dhe të lartësosh do të thotë të edukosh. Edukimi është përgjigja e pyetjes së dytë. Ne i nderojmë këto personalitete dhe nxjerrim prej tyre mësime vetëm nëse e njohim Veprën e tyre. Ndërgjegja lartëson emrin dhe edukimi Veprën. Përderisa emri i tyre nuk është lartësuar, Shqipërisë i mungoka Ndërgjegja, Shpirti. “E ҫ’të të bënjë trimëria sa me qënë gjallë padia?” – thoshte Konica. A mundet që Kombi Shqiptar të edukohet vetëm me personazhe me grada “Ca fjalë mbi bagëtinë”?! Me shpresën se dikush ka për t’i kënduar së Vërtetës. Deri atëherë, në pritje…
Derisa Dom Simoni t’i ketë ngrënë të gjitha antivlerat, përralla e tranzicionit vazhdon…
“Liria që besuem se ishte fitue, – thoshte meshtari heroik, – filloi me u tallë me vetvedin. Klasa politike shënoi në analet e historisë së këtynë vjetëve, vetëm shëmtime. Prandej, ndoshta, atmosfera e Meshës së parë mbeti e paharrueshme në zemrën e popullit, që po zgjohej…”.
Menita Ljarja (botuar te Gazeta Shqiptare dhe Tema)

Dom Simon Jubani (1927-2011)
Dom Simon Jubani (1927-2011)

Skeda Dom Simon Jubani

Lindi më 8 Mars 1927, në Shkodër.
 Me 4 Maj të vitit 1958, shugurohet meshtar nga Imzot Ernest Çoba.
 Punon në Abacinë e Mirditës. Arrestohet në vitit 1963, dhe vuan plot 26 vite burgu. Lirohet me 13 prill të 1989, së bashku me klerikë të tjerë.
Universiteti i San Franciskos në Kaliforni (University of San Francisco – USF) në vitin 1991, i akordoi diplomën “Doctor Honoris Causa” në shkenca humane me motivacion: “Protagonist i një epoke të re në Shqipëri”. (Protagonist of a new era in Albania)

Dom Simon Jubani, njihet edhe si meshtari që  kremtoi për herë të parë meshë publikisht pas rënies së komunizmit fillimisht me 4 nëntor 1990, e më pas, me 11 nëntor të vitit 1990, kremtoi meshën e parë publike tek Varrezat e Rrmajit në Shkodër. 
Dom Simon Jubani mbylli sytë në orët e para të mëngjesit tw 12 korrikut 2011, në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.