back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Shqipëria që (s’)duam – nga Eduart Kaca

Gazeta

Eduart Kaca
Eduart Kaca

Shqipëria që (s’)duam

nga Eduart Kaca

Po të nisesh nga studimet e bëra lidhur me zhvillimet demokratike në vendet e lindjes, Shqipëria mund të konsiderohet si një demokraci me defekte, hibride, sipërfaqësore etj. Në të vërtetë, i ashtuquajturi sistem demokratik në Shqipëri, nuk funksionon sot në asnjë prej këtyre mënyrave, por si një ndërmarrje privato-mafioze, e cila mbështetet në tregun e lirë alla shqiptarçe, ku shitblerja nuk njeh kufi, ku aplikohen e nënshkruhen marrëveshje tenderash, projektesh për pastrim parashë të pista e të tjera si këto, ku mund të shitet e blihet gjithçka, identiteti, pasaporta, gjyqtari, provat dhe dëshmitë, prokurori, deputeti, grupi parlamentar, partia, banka, zyra e tatimeve, kadastra, ministria apo drejtoria njësoj si galeria. Korrupsioni është kthyer në një sistem brenda sistemit, në një veprim mëse të zakonshëm, mëse të natyrshëm, duke u shtrirë kështu në çdo qelizë të shoqërisë, aq sa tanimë shoqëria nuk ka kuptim pa korrupsionin. Nga ana tjetër kemi edhe atë që ndoshta para turizmit dhe emigracionit, mund të konsiderohet si aorta e ekonomisë shqiptare, “kopështi i saj me lule”(!), tregtia e barit, miellit dhe e të gjitha pisllëqeve të tjera narkotike, sepse, siç u theksua edhe më lart, të gjitha janë të tregtueshme. Tragjike për vendin është se strukturat e shtetit dhe të rendit janë në shërbim të plotë të “tregtisë së lirë të pisllëqeve”, ndërsa Shqipëria – për turpin tonë – është kthyer në furnizuesin kryesor të tregut evropian.
 
Shumë vite më parë, lideri socialist Fatos Nano hodhi idenë që Shqipëria të ishte protektorat. Zërat kundër vinin pothuajse nga të gjitha anët, duke e cilësuar atë deri si tradhtar. Aktualisht Shqipëria mund të konsiderohet protektorat, i Perëndimit, i Lindjes, i këtyre dhe i atyre soj e sorollopëve. Nga njëra anë ky vend drejtohet nga çorba e prishur që gatoi komunizmi, për pjesën tjetë “kujdesen” ambasadorët, misionet dhe organizatat, të cilët njëri i bie gozhdës, dhe tjetri patkoit, në varësi të interesave të atyre që i dërgojnë. Dhe në këtë mënyrë ata i janë përshtatur mjaft mirë rrumpallës së këtushme, tregtisë së lirë pa kufinj, hanit pa porta e pa zot shtëpie.
.
Eduard Kaca - Aspekte sociokulturore të zhvillimit të demokracisë shqiptare
Eduard Kaca – Aspekte sociokulturore
të zhvillimit të demokracisë shqiptare
Në vitin 90-të, shqiptarët u shkëputën artificialisht nga sistemi diktatorial, skllavopronar, primitiv e vetëizolues i çorbës, me shpresën e madhe për “ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”. Për fat të keq, në naivitetin e tyre, ata nuk e kuptonin se, në luftën për mbijetesë, ata i kishin humbur të gjitha, në mënyrë të veçantë identitetin e tyre personal dhe atë kolektiv. Sot, pas 28 vitesh, vendi ndodhet në kaos, në një udhëkryq më të madh se ai në fillim të viteve 90-të. Populli është i zhgënjyer, i tradhëtuar, ka humbur shpresën, besimin, ka humbur traditat, orientimin. Çdo gjë, në dukje e organizuar, është në të vërtetë një kaos. Organizim i ç’organizuar dhe ç’organizim i organizuar. E bukur nga jashtë, m..t brenda. Njësoj si në fejsbuk. Një shoqëri ku nuk njihet përgjegjësia morale dhe të gjithë janë të pafajshëm, ku më tepër se kurrë arsyeja ka heshtur së funksionuari. Ndërgjegjja shoqërore dhe morali kanë humbur për të mos u gjetur më kurrë. Shqipëria është marrë peng dhe është transformuar në një skllave, aktore kryesore e të gjithë skenarëve të zinj, shesh veprimi për të gjitha intrigat dhe prapaskenat e pista të një klani që mban pushtetin i mbështetur tek droga dhe korrupsioni. Shqipëria ka hyrë me kohë në një rreth vicioz, në një marrëveshje të djallit midis padronit (deputetit) dhe klientit, midis aktorit politik dhe “biznesmenit”, i cili qarkullon dhe vë në dispozicion të politikës paratë e pista, mbështet politikanin që të bëhet deputet, pastaj ky i fundit i kthen borxhin, bakshishin me tendera apo forma të tjera. Paratë e pista pastrohen, legalizohen; klientët rrugaçë fisnikërohen, dhe ne na mbetet sërish ajo çorba e prishur e baballarëve të bijve.
 
Pluralizmi partiak në fundin e viteve 90-të, sot me të drejtë mund të quhet fillimi i pluralizmit të klaneve dhe grupeve, por kurrsesi i partive. Deri tani kemi (patur) vetëm parti-fise me në krye persona të padiskutueshëm. Tri parti-klanet e mëdha, së bashku me satelitët e tyre fluidë, janë korruptuar, janë konsumuar dhe përzierë me pazare të paligjshme, sa nuk e justifikojnë për të qenë përfaqësues të popullit. Pas 28 vitesh, mund të thuhet me plot gojë se tranzicioni i Shqipërisë ka dështuar, ashtu sikurse ka dështuar e gjithë klasa politike shqiptare. Por vulën më të madhe të dështimit në këto 28 vite, e mban kryeministri aktual, rilindasi donkishotesk, mendjemadh dhe i vetëdashuruar, që do të mbahet mend për rrumpallën dhe çorbën e helmuar që nxirrte nga goja.
 
Nëse duam t’i japim fund ping-pongut që luhet me kokat tona, nëpërkëmbjes së përditshme, bythëtalljes permanente me jetën tonë dhe të fëmijëve tanë, duhet të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga politika e nivelit të mejhaneve që bëhet në këtë vend dhe t’i themi jo çorbës së bijve të baballarëve. Për këtë duhet të kthjellohen idealistët, nostalgjikët duhet të çmpihen, militantët duhet të ç’dehen, mitizuesit të zgjohen nga ëndrrat. Shoqëria duhet të hedhë sytë nga shoqëria civile dhe nga ato lëvizje të reja, që nuk kanë të bëjnë me politikën e deritanishme. Vetëm me një fillim të ri dhe me një përmbysje të politikës së vjetër, shqiptarët do t’i shërbejnë me të vërtetë Shqipërisë që do populli.
(Dyseldorf, 2018)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.