back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Shqipëria, vendi klasik i heronjve Dedë Gjon Ujka – Heroi fundit i personazheve të “Lahutës së Malcis” të At Gjergj Fishtës nga Frank Shkreli

Gazeta

Dedë Gjon Ujka - Personazh i "Lahutës së Malcis"
Dedë Gjon Ujka – Personazh i “Lahutës së Malcis”

Shqipëria, vendi klasik i heronjve

Dedë Gjon Ujka Heroi fundit i personazheve

Lahutës së Malcis At Gjergj Fishtës

nga Frank Shkreli

Disa ditë më parë, më fort për arsye nostalgjike, isha duke shfletuar një numër të vjetër të revistës së Ernest Koliqit, “Shêjzat” (1974 -1-10), kur më ra në sy shkrimi me titullin “Shqipnija Vendi Klasik i Herojve” – një artikull ky që përkujtonte karakteristikat e burrave të dikurshëm të Malësisë së Madhe – duke veçuar malësorin Dedë Gjon Ujka – që në moshën 103-vjeçare kishte ndërruar jetë në vitin 1972, në Malësinë e Madhe.
Veçohej burri i maleve tona, Dedë Gjon Ujka si përfaqësues i heronjve klasikë të Shqipërisë – i fundit i tillë nga ata për të cilët shkruante At Gjergj Fishta në epopenë kombëtare, “Lahuta e Malcis” – të asaj Shqipërie, që sipas Felix Julie: “Në të gjitha kohërat ka qenë djepi klasik i heronjve”. Artikulli veçon gjithashtu karakteristikat e Dedë Gjon Ujkës, që ndërroi jetë jetë në fillim të viteve ’70 – i fundit i heronjve malësorë të “Lahutës së Macis” të At Gjergj Fishtës – edhe si përfaqësues i vlerave dhe trimërisë së “Shqiptarit”, që sipas F. Pouqueville, ish-diplomatit dhe historianit francez, “me shtatin e tij vigan, me zërin e tij sokëllim si të shqipes, paraqet luftarin e maleve… I gatshëm dhe i papërtueshëm në betejë, i paepur dhe i patundur në fatkeqsi, i palodhur dhe i pakursyer në mundime, ai i del përpara çdo rreziku”, shënohet në artikullin e revistës “Shêjzat”.
Siç e dinë lexuesit e “Lahutës së Malcis”, kryevepra e Poetit Kombëtar At Gjergj Fishtës është e mbushur me emra të heronjve të tillë, të cilët, siç vjershëtonte Lordi Byron (Bajron), “Kur besa dhe nderi i thrret të derdhin gjakun, ata si trima turren ku t’i çojë i pari i tyre.” Në Lahutën e Malcis, Fishta kujtoi luftërat e harruara, historinë e pashkruar, shënoi emrat e tyre në altarin e Kombit – ashtu siç e meritonin! Marash Ucin, Oso Kukën e Abdyl Frashërin, “I la nam ai Toskënisë, Faqe të bardhë i la Shqypënisë”, ndër të tjerë heronj që përmend Fishat në Lahutën e Malcis.
Një prej këtyre luftëtarve trima të maleve tona – që siç cilësohet në revistën “Shëjzat” si “Heroi i fundit i Lahutës së Macis”, Dedë Gjon Ujka, “Duke mundur turkun e sllavin me trimëri, ai mundi me vjetërsi edhe shekullin”. Ndërroi jetë në vendlindjen e tij në Malcinë e Madhe në vitin 1972, në moshën 102-vjeçare, por jo pa parë dhe provuar rreziqe dhe shumë vështërsi të tjera nën komunizëm, siç ka vuajtur mbarë Malësia e Madhe nga diktatura sllavo-komuniste, envero-titiste.
“Një besim popullor thotë se për ironi të fatit, disa heronj jetojnë gjatë për me pa e provue më shumë rreziqe dhe vështirsi të ndryshme. Dedë Gjon Ujka, njëmend pau mjaft fatkeqsi, pësoi shumë mundime dhe përjetoi tragjedi familjare e kombëtare. Në familjen e tij, pau komunistët kah ia djegin shtëpinë, i marrin pasurinë dhe i vrasin, nji prej bijve të tij, Pashkun. Në kombin mbarë ai pau çka nuk kishte parë as në kohën e turkut. N’ato male të Malcisë, të zbardhuna prej bore dhe të skuquna prej gjakut, Dedë Gjon Ujka, pau burrat e dheut kah i hjedhnin prej shkambit dhe kah i mbulojnë me gur e rroxga. Në ato fusha të Arbnisë, të njomura me djersën e ballit dhe të lagura me lotët e zemrës, pau njerëz që pushkatoheshin në rreshta dhe të varroseshin në grumbuj nëpër kanale e gropa, që ata vet kishin hapur. Pau bashkë me bijtë e vet, qinda e mijëra shqiptarë kah rrahen e mundohen nëpër kampe e burgje…”
Trimi i Lahutës së Malcisë, sipas artikullit në Shêjzat, “Pau kah fiken konaqe, kah digjen katunde e bajraqe, kah rrënohen kisha e xhamija, kah mbyllen kuvende e teqe, kah prishen fé e zakone pa të cilat nuk jeton nji popull; pau kah thehen lahuta e qytelija me të cilat përjetohen dhe unjisohen në fushën e luftës për liri, të gjallë e të vdekun: heronj të largët e t’afërt, në kohë e brezni”.
Po e sjell këtë shkrim modest bazuar në artikullin e botuar në vitin 1974 në revistën “Shêjzat” të Ernest Koliqit, kushtuar Dedë Gjon Ujkës, njërit prej heronjve të Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës, duke besuar me autorin se të jetuarit gjatë të këtyre stërgjyshërve të Kombit, dëshmitarë trima dhe bujarë, të jetë thenë nga “Ora e bardhë e Shqiptarisë”, që jeta e vështirë plot vuajtje e sakrifica si dhe verpimtaria e tyre kombëtare e denjë të përmendet në “Lahutën e Malcis” – të përcjelli ndër shekuj e brez pas brezi, “verbin kombëtar, trimërinë e së kaluarës heroike dhe fisnike të popullit tonë” dhe të trimave të tij, si Dedë Gjon Ujka e Marash Daka, luftëtarë të maleve kreshnike, sipas Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës:

Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malcis
Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malcis

“Dedë Gjon Ujka e Marash Daka
Burra lé për çark t’martinës,
Fjalën fjalë, besën çelikut,
Ballë për ballë e jo mbas shpinës,
Msue me i rà në luftë anmikut…”

“Lahuta e Malcis” dhe vlerat e karakteristikat e heronjve të saj, mbeten edhe sot një gurrë vlerash kombëtare që dalin nga toka dhe nga zemra shqiptare, një burim që nuk shteret kurrë. Në “Lahutën e Malcis” dhe në autorin e saj, At Gjergj Fishtën, Kombi shqiptar ka dhe duhet të ketë sot dhe gjithmonë një burim të pashtershëm vlerash që mbeten për t’u zbuluar nga brezat, me gjithë përpjekjet mizore për ta minimizuar duke e anashkaluar – për të mos thënë për ta zhdukur veprën dhe influencën e tij në Atdhe.
Duhet thënë edhe njëherë, se indiferenca zyrtare politike, akademike dhe historike ndaj At Gjergj Fishtës në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, si trashëgimi e pashpjegueshme ndaj trajtimit të Fishtës gjysëm shekullor nga komunizmi sllavo-aziatik i regjimit të Enver Hoxhës – pothuaj 35-vjet “postkomunizëm”, është një dhunim ndaj historisë së kombit dhe shkelje brutale e kujtimit të heronjve të saj si – ndër të tjerë – protagonistit të këtij artikulli modest, Dedë Gjon Ujkës, por edhe trimërisë së Oso Kukës dhe urtësisë së Marash Ucit, të vlerave të Ali Pashës, Dedë Gjon Lulit, Abdyl Frashërit dhe Bashkimit të Lidhjes së Prizrenit – simbole të heroizmit, urtësisë dhe bashkimit, vlera këto që, për fat të keq, sot nuk shihen askund në horizontin politik e kombëtar ndër shqiptarët!
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.