back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shqipërimi i Veprave Homerike Iliada dhe Odisea prej Ilia V. Ballaurit nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Ilia V. Ballauri - Homeri - "Iliada" & "Odiseja"
Ilia V. Ballauri – Homeri – “Iliada” & “Odiseja”

Shqipërimi i Veprave Homerike

Iliada dhe Odisea prej Ilia V. Ballaurit

nga Thanas L. Gjika

Pas botimit shqip të poemave të Homerit prej përkthyesve të talentuar Gjon Shllaku (“Iliada”) dhe Pashko Gjeçi (“Odiseja”), mendohej se nuk do të guxonte kush të përkthente dhe një herë këto dy kryevepra të letërsisë botërore. Mirëpo në vitin 2013, ndodhi e papritura: studiuesi i botës së lashtë greke, i heshturi, Ilia Vasil Ballauri, e befasoi botën e letrave shqipe duke publikuar përkthimin e poemës “Iliada” përmes një botimi në një numër të kufizuar kopjesh, luksoz, realizuar jashtë vendit me ISBN të nxjerrë nga Libraria KOTTI, Korçë dhe me shpenzimet e veta dhe më 2017, përkthimin e poemës “Odisea”. Të dy këto poema janë botuar në format të madh A4 të ndara seicila në dy vëllime:
.
Iliada e Homerit - Gjon Shllaku
Iliada e Homerit – Gjon Shllaku
Iliada vëll. I përfshin rapsoditë 1-12 në 411 faqe dhe vëll. II përfshin rapsoditë 13-24 në 528 faqe.
Odisea vëll. I përfshin rapsoditë 1-12 në 354 faqe dhe vëll. II përfshin rapsoditë 13-24 në 383 faqe. Faqet e hyrjeve të sejcilës poemë hartuar prej përkthyesit, si dhe shënimi i gjatë në fund, nuk bëjnë pjesë në këtë numërim.
Dr. Ballauri ia dërgoi si dhuratë me anën e mikut të tij z. Thoma Karamitro, bibliotekës së qytetit tonë Uster (Public Library of Worcester MA) të katër vëllimet, që kushtojnë gjithsej 112 Euro/11.200 lekë të rinj. Si dhuratë e ka shpërndarë ai këtë vepër ndër miq e shokë dhe në biblioteka e institucione të tjerë nëpër botë. Prej British Library, London, biblioteka më e madhe në botë me rreth 150 milion vëllime dhe me 3 milion dhurata në vit, ka mare dy here (për të dy veprat) vlerësim dhe falenderim nga drejtorët e sektorit për Evropën.
.
Perkthyesi Ilia Ballauri
Perkthyesi Ilia Ballauri

Ilia Ballauri mes tre vëllezërve është vëllai i vogël i poetit dhe përkthyesit Aleko Ballauri. Të dy këta bij të Korçës janë djemtë e muzikantit Vasil A. Ballaurit, pinjoll i një familjeve të vjetër e të pasur korçare me origjinë nga Voskopoja. Kjo familje është shquar për punë cilësore intelektuale të kryer pa bujë. I ati i tyre, Vasili, njohës i mirë i greqishtes si dhe i një sere gjuhëve të tjera por sidomos i muzikës (violinist e pjanist), la në dorëshkrim një libër me shumë të dhëna nga historia e përhapjes së muzikës qytetare korçare, libër të cilin e botoi Ilia bashkë me serinë e tij prej shumë librave, mbi jetën e veprën e filozofëve, historianëve e shkrimtarëve të antikitetit grek, etj. Kjo seri botimi parapriu botimin e dy poemave madhore të Homerit, atit të letërsisë artistike europiane.

Djali i madh i Vasilit, mësuesi i matematikës Aleko Ballauri, i cili kaloi jetën në fshatra të Gramshit, pas vitit 1992, iu kushtua letërsisë, sidomos poezisë. Ai shkroi e botoi disa vëllime me poezi origjinale dhe shumë vëllime me përkthime poezish nga letërsia ruse.
.
Homeri - British Museum
Homeri – British Museum
Me jetën dhe veprën e tyre, Vasil Ballauri dhe djemtë e tij Aleko dhe Ilia treguan se familjet e vjetra e të pasura korçare, që u luftuan aq ashpër prej regjimit komunist, kishin në vetvete potenciale të mëdha mendore, të cilat ai regjim nuk ia shfrytëzoi e as ia vlerësoi sa e si duhej. Bijtë e kësaj borgjezie po ia dhurojnë arritjet e veta kulturës, artit dhe shkencës sonë kombëtare pas shkërmoqjes së diktaturës, me dinjitet e pa bujë duke punuar me pasion mbas punës për të mbijetuar, ose në vite penisoni, pra jo duke qenë rrogëtarë institucionesh shkencore a kulturore si shumica e kuadrove të përkëdhelur të ish diktaturës ose të qeverive pasdiktatoriale.
Fatkeqësisht qeveritë pasdiktatoriale, ku mbizotërojnë ish komunistë e ish sigurimsa, po humbin kohë dhe energji për të mbuluar dhe jo për të dënuar krimet e komunizmit, si dhe jo për t’u kthyer gjithë pronat pronarëve të shpronësuar dhe as për të vlerësuar arritjet e ish të përndjekurve të regjimit komunist, që punojnë për të mëkëmbur dinjitetin e kombit tonë të abuzuar në shekuj.
Ilia është nga ata djem që e kryen gjimnazin shkëlqyshëm, por për shkak të “biografisë së keqe”, në vend që të dërgoheshin për studime në Tiranë në degët që donin, u dërguan të kryenin shërbimin ushtarak në brigadat e punës me lopatë në dorë, si Eugjen Merlika me shokë. Ai arriti të fitonte të drejtën e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor, Korçë, ku nuk mori asnjë notë më poshtë se maksimalja. Punoi fillimisht si agronom në malësitë e Librazhdit dhe më pas në Korçë, u muarr me punë shkencore në fushën e gjenetikës së bimëve. Ai kreu eksperimente dhe studime në këtë fushë, dha leksione për rreth 20 vjet në Universitetin “Fan Noli”, Korçë dhe gjithë aktiviteti i tij shkencor pasqyrohen në rreth 3.500 faqe botim librash, tekstesh, artikujsh e kumtesash.
Për shkak se qeveritë pasdiktatoriale nuk e morën seriozisht krijimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e kushteve të jetës së mësuesve dhe pedagogëve, studiuesëve e krijuesëve, Ilia si dhe shumë të tjerë të cilët për fat të keq vazhdojnë edhe sot të emigrojnë, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit në shtetin fqinj, në Selanik të Greqisë. Këtu, njohja e gjuhës dhe përgatitja profesionale e ndihmuan të punësohej si studiues në fushën e virusologjisë për shumë vite.
Pasioni për mësimin e gjuhëve të huaja dhe shfrytëzimin e tyre i lindi Ilias që në fëmijëri, kur në familjen e tij babai, xhaxhallarët e miq të tyre recitonin në greqishten e vjetër pjesë nga poemat e Homerit. Dashuria për atë kulturë dhe pasioni për të mësuar gjuhët e huaja e mbajti Ilian të mbërthyer gjithë jetën që fëmijë, gjatë viteve të gjimnazit, të shërbimit ushtarak e gjatë punës si pedagog e studiues. Për të arritur tek përkthimi enciklopedik i poemave “Iliada” dhe “Odisea” ai ka shfrytëzuar përkthime të këtyre veprave dhe enciklopedi e libra të ndryshëm në tetë gjuhë të ndryshme.
Ky botim është i mbushur me sqarime, komente, analiza, etj, si dhe ilustrime, nga veprat më të mira të piktorëve dhe gravurat e krijuara gjatë shekujve për ilustrimin e kryeveprave homerike. Përfitimi gjatë leximit të kësaj vepre madhore është i shumanshëm: artistik, letrar, filologjik, historik, filozofik, thjesht përfitim enciklopedik shumëdimensional.
Pyetja e parë që i bën lexuesi vetes gjatë leximit është: si ka pasur mundësi Ilia Ballauri të arrijë një përkthim shkencor enciklopedik pajisur me kaq shume shënime sqaruese dhe ilustrime, punë për të cilën do t’i duheshin dy jetë njerëzore, pa u marrë me gjë tjetër. Kurse ai këtë punë që përfshin përkthimin e 28.000 vargjeve (3000 faqeve) homerike në nivel të paarritshëm në përkthimet e mëparshme, e ka kryer krahas punës pedagogjike e hulumtues dhe përkthimeve të ndryshme, duke u ndihmuar vetëm prej bashkëshortes së tij.

Si askush, Ilia Ballauri me librat e tij ka krijuar një bibliotekë të tërë: ai ka botuar artikuj e kumtesa, ka përkthyer e botuar 31 libra mbi jetën e veprën e njerëzve të shquar të Antikitetit Grek, mbi 600 faqeve me studime e dokumente për vendin e origjinës, Voskopojën e magjishme dhe 700 faqe me dokumente e studime për vendlindjen, Korçën frymëzuese dhe të paharrueshme.

Kur e pyesin se cili është për ty vlerësimi më i madh sot, përgjigjet i përmalluar: fletëlavdërimi i klasës së parë prej mësueses Julia dhe puthjet e saj sa herë që më shikonte fletoren e bukurshkrimit, të cilën ia tregonte pastaj gjithë klasës si shëmbull.
Për kryeveprën e tij të re, duke dashur të nënkuptohet se nuk do lavdërime, thotë fjalët e Lazgushit: Vepra flet vetë. Kënaqësi e madhe që midis ne shqiptarëve ka të tillë punëtorë të mëdhenj pa mburrma, të cilëve u jemi shumë borxhllinj për pasurimin e kulturës, artit, shkencës dhe botës sonë shpirtërore…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.