back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shqipërinë nuk e bën dot demokratike as Amerika e as Evropa – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja
Shqipërinë nuk e bën dot demokratike as Amerika e as Evropa
nga Gëzim Zilja

Mbi njëqind vjet më parë mëndjendrituri Faik Konica, blasfemonte: “Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën, të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim!”
Sot populli shqiptar është në një gjendje të mjerueshme, buzë greminës e pa shpresë. Në se dyzetëepesw vjet sistemi diktatorial prodhoi me bollëk spiunë dhe sigurimsa për ta ruajtur diktaturën, këto tridhjet vjet prodhon me shumicë hajdutë, njerëz që si qëllim të vetëm kanë pasurimin në mënyrë të padrejtë e të pamerituar. Nëse orvatesh të mbrosh të vërtetën apo të sulmosh sistemin, një aradhë e tërë njerëzish të posaçëm, duke filluar që nga fb-ja, ca biçim analistësh, patronazhistësh, këllirash e qelbësirash shërbëtorë të sistemit të vërsulen si hienat e nuk të lënë kusur, duke të provokuar e bërë presion edhe për njerëzit e afërt të familjes me bukën e gojës. Qëllimi i këtj shkrimi, nisur nga thënia profetike e Konicës se shqiptarët ndërtimin e shtetit të së drejtës vazhdojnë ta presin nga jashtë, është të tregojë se pas dhjetëra dekadash shqiptarët ende shpëtimin e presin nga të huajtë, amerikanë e europianë, sepse vetë nuk janë të zotë. Por Amerika dhe Europa ka hallet e veta dhe shqiptarët e mjerë i gënjen mendja se ca nëpunës dhe ambasadorë shpesh fare të rëndomtë e të veshur me shumë pushtet jo rrallë janë lehtësisht të korruptueshëm dhe nuk u kërcet shumë për Shqipërinë. Përndryshe Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje të mjerë. Po jap tri shembuj sesi nëpunës të qeverisë amerikane janë korruptuar nga udhëheqja shqiptare ose janë vënë në shërbim të kryeministrit Rama.

Mc Gonigal & Rama
Mc Gonigal & Rama

Rasti Mcgonigal
Një nga drejtuesit më të lartë të FBI-së amerikane arrin të korruptohet nga kryeministri shqiptar e të marrë rryshfet nga langaraqët e fundërinat e ish sigurimit shqiptar si Neza e Duçka. Mcgonigall del si mik i afërt i kryeministrit shqiptar, ka ardhur disa herë në Shqipëri, ka marrë ryshfet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë me anë të kryeministrit Rama. Në dosje Rama përmendet shumë herë dhe ndaj tij drejtësia shqiptare nuk hap hetim. Si është e mundur!? Sekret shtetëror apo fijet shkojnë edhe më lart nga Mcgonigalli!?
Rasi i ambasadores Kim, një rast tjetër i korrupsionit jo të drejtpërdrejt (nuk kemi fakte) por i përkrahjes haptas të tij. Me një kontratë korruptive, me kushte skllavëruese qeveria shqiptare merr me qera dy gjeneratorë (TEC-ce) lundrues nga shoqëria amerikane Exclerate Energy (63.000 usd/dita) dhe tjetra Renco (thonë italiane) për mirëmbajtje me 31.000 usd/dita. Kanë kaluar dy vjet dhe shoqëritë e gjeneratorëve, duke shkelur të gjitha normat e kontratat ende nuk janë vënë në punë. Gjeneratorët lundrues janë të një teknologjie shumë të vjetëruar, punojnë me mazut dhe çmimi i blerjes është shumë më i lartë se ajo që blihet në tregun europian.
Ende pa u vënë në punë gjeneratorët në dhjetor 2021 në ambientet e brendshme u shfaqën zv.Kryeministria Balluku, e shoqëruar nga ambasadorja amerikane Kim. Balluku me papërgjegjshmërinë e saj proverbiale (një milion dollarë i duken njëmijë lekë) deklaroi: “…Këto TEC-ce i ka kërkuar Gjermania (Gjermania e ka të ndaluar ndërtimin e TEC-ve brenda territorit të saj. shën. im.) me çmime më të larta, por Amerika na favorizoi ne duke na i dhënë me çmim edhe më të ulët.” Kjo deklaratë foshnjarake u bë brenda TEC-it lundrues, në prani të ambasadores amerikane, që gjatë gjithë kohës shoqëronte me buzëqeshje tipike aziatike broçkullat e Ballukut.
E para: gjeneratorët nuk janë marrë me qera nga qeveria amerikane, por një shoqëri private amerikane dhe një italiane, të paktën me të dhënat që kemi nga qeveria shqiptare.
E dyta gjeneratorët janë prodhim i 100 viteve më parë, me një teknologji që po zëvendësohet me energjinë e ujit, erës, diellit dhe në shumë vende europiane është e ndaluar prodhimi i kësaj lloj energjie. Pyetja ime dhe e qindra mijërave shqiptarëve që e duan vendin e tyre dhe që do të paguajnë “qimet e kokës” për ato teneqe të ndryshkura është: “Çfarë domethënie kishte prania e ambasadores Kim atje? Populli shqiptar e adhuron Amerikën, por kjo nuk do të thotë që një nëpunëse qoftë dhe ambasadore të përkrahw me praninë e saj ministren e korruptuar shqiptare e ta lejojë madje të gënjejë ditën me diell? Cila ishte domethwnia e pranisë së ambasadores amerikane në atë promovim rrangallosh?! Shoqëronte thjesht shoqen e saj Balluku apo kishte interesa private?

Figura e Anthony Blinken në fasadën e Universitetit
Figura e Anthony Blinken në fasadën e Universitetit

Rasti Blinken
Më 15 shkurt 2024, Sekretari i Shtetit i SHBA-ve Blinken, bëri një vizitë blic ku takoi kryeminstrin Rama dhe një grup të rinjsh në Piramidën e rinovuar nga fondi shqiptaro-amerikan. Ai e çoi në qiell këtë rinovim megjithëse deri tani aty me kapacitet të plotë funksionojnë vetëm kafenetë. Në fjalën e tij ai iu shpreh Edi Ramës: “… Jam shumë i lumtur që jam sot me ju në një qytet që ju si ish-kryetar bashkie i keni dhënë ngjyra të bukura, jam mirënjohës për partneritetin e jashtëzakonshëm që ne të dy kemi. Kryeministri është jo vetëm udhëheqës i shquar, por edhe Kryeministër shumë i mirë…” Personalisht fjalët e Blinkenit për kryeministrin shqiptar më duken të pavërteta. Në të gjitha raportet vjetore të DASH-it (Departamenti Amerikan i Shtetit) qeveria shqiptare del më e korruptuara në Evropë me korrupsionin gjithmonë në rritje. Aty përmendet që zgjedhjet në Shqipëri bëhen pjesërisht demokratike dhe vota vazhdon të shitet e blihet. Gjendja e ekonomisë shqiptare shkon përditë drejt keqësimit dhe treguesit ulen çdo vit. Shqipëria vazhdon të mbetet një vend tranzit i drograve nga gjithë kontinentet, vendi ku kanabisi kultivohet me shumicë dhe policia bashkëpunon në shumë raste me trafikantët. Kryeministri Rama e ka gjysmën e ministrave dhe dhjetëra nëpunës e drejtues të lartë në burg ose nën hetim dhe çdo ditë plasin skandale të reja. Atëherë më pyesin miqtë e mi që nuk shiten dhe nuk i blen dot me para kryeministri: Asgjë nuk dinte Sekretari i Shtetit, Blinken për bëmat e qeverisë shqiptare dhe të vetë kryeministrit!? Vërtet ai beson se Rama është udhëheqës i shquar dhe Kryeministër shumë i mirë!?
Sa i përket fjalisë: “….jam mirënjohës për partneritetin e jashtëzakonshëm që ne të dy kemi” kjo është konsideratë private midis dy shokësh e miqsh dhe nuk japim dot mendim. Përfundimisht shqiptarët nuk e bëjnë dot Shqipërinë, duke iu servilosur ose korruptuar të huajtë. Bashkëpunimi me shtetet demokratike dhe organizatat ndërkombëtare është kusht i nevojshëm për vendosjen e demokracisë në Shqipëri, por jo i mjaftueshëm. Shqipërinë do e bëjnë vetëm shqiptarët. Burra të tillë ka, por duhet guxim, dituri, dinjitet, dëshirë, dashuri dhe shumë sakrifica për atdheun e marrë peng tash tridhjetë vjet nga pjesa më e zezë dhe më tradhëtare e shoqërisë shqiptare.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.