back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

“Shqipja në kapërcyell” – pjesë nga studimi i Prof. Eqrem Çabejt

Gazeta

Eqrem Cabej - Shqipja në Kapërcyell
Eqrem Cabej – Shqipja në Kapërcyell

“Shqipja në kapërcyell” –

pjesë nga studimi i Prof. Eqrem Çabejt

nga libri me të njejtin titull

Ky studim u botua së pari në vitin 1955,
me titullin “Gjon Buzuku dhe gjuha e tij”,
“Buletin për Shkencat Shoqërore”, në katër numra, I-IV,1955.
Ky këtu është i pari botim në trajtë libri.
Titulli “Shqipja në kapërcyell” është i botuesit,
frymëzuar nga një frazë e autorit në fillim të studimit,
natyrisht për ta bërë më tërheqës për lexuesin,
me shpresën se do të tërhiqte më fort vëmendjen e tij,
mjerisht pa dhënë ndonjë rezultat!

Profesor Eqerem Çabej (1908-1980)
Profesor Eqerem Çabej (1908-1980)

“Gjendja kishtare e Shqipërisë në kohën paraturke e në kohën turke nuk do shikuar as nga ana katolike as nga ana ortodokse, po nga pikëpamja objektive e historianit, ashtu siç e ka vështruar për kohën e mesme Milan von Šufflay1].
Shqipëria, si një trevë e qytetërimit greko-romak, është një nga ato vendet e Mesdheut që u kristianizuan që në shekujt e parë të krishtërimit, përpara ardhjes së Sllavëvet2]; vetë Shën Pali thotë se ai predikoi ungjillin prej Jeruzalemi e gjer në Iliri3].
Sikurse në pikëpamje kulturore kufijtë e botës greke dhe të botës romake kalonin nëpër Shqipëri, kështu edhe nga ana e besimit dihet se për këtë vend kanë luftuar në Mesjetë me fate të ndryshme kisha e Bizantit me kishën e Romës. Në këtë mënyrë Shqipëria mesjetare si politikisht, ashtu edhe nga ana e besimit ka qenë e ndarë e e përçarë, në zona shpeshherë me një antagonizëm të ashpër në mes të tyre. Ndarja kishtare ka mbetur gjer më sot ndër ne, dhe pasojat shihen kudo dhe në zhvillimin e letërsisë; po ajo pasqyrohet më së qarti edhe në gjuhë, te fjalori kishtar i shqipes, në shqyrtimin e të cilit do të kthehemi më poshtë.
Përgjithësisht vendi ka pasur në kohë të mesme një jetë kishtare shumë të zhvilluar. Ka pasur plot kuvende e manastire, si ndër katolikë si ndër ortodoksë, jashtë edhe brenda qyteteve, dhe gërmadhat e atyre që janë shembur na dëshmojnë edhe sot për kulturën e dikurshme të vendit. Historia e manastireve ortodokse të Shqipërisë së mesme e jugore ka mbetur gjer më sot e pastudiuar, përkundrazi për kuvendet katolike të Veriut studimet kanë shkuar mjaft përpara. Më të moçmet kuvende që dimë janë të benediktinëvet. Ky urdhër përmendet në Veri që në shekullin XII, po dy shekuj më vonë shohim se ka marrë tatëpjetën. Trashëgimin e tyre e muarën ndërkaq dy urdhra të reja, domenikanët e françeskanët, që shfaqen në anët tona në shekullin XIII4].
Nga këto dy urdhra i pari mbaroi me ardhjen e Osmanëvet. Për françeskanët e Shqipërisë, në lidhje me temën tonë këtu, rëndësi ka fakti që këta kanë pasur që në ballë lidhje të ngushta me selinë e urdhrit në Raguzë të Dalmacisë. Misionet e tyre në Veriun tonë bënin pjesë në “custodia Ragusina”, dhe vetëm më 1402 këta u shkëputën e dolën më vete, duke formuar “custodia Duraciensis”. Po marrëdhëniet e ndikimet kanë qenë të ndërsjella. Shqipëria veriore ka qenë aq mirë e pajisur me priftërinj e prelatë katolikë, sa ka pasur një kohë (shek. XIV) që ajo ushqente me kler edhe trevat më në veri, gjer në qytetet e Dalmacisë. Këto rrethana duan pasur parasysh, kur shtrohet çështja e shkrimit të gjuhës popullore ndër ne në kohë të mesme: Sepse letërsia nuk është veçse një refleks i historisë së popullit, ajo do shikuar brenda kësaj pamje më të përgjithshme, në lidhje pra me jetën sociale e mendore të vendit. Duke qëndruar puna kështu, duke qenë Shqipëria e Mesjetës së vonë një vend kulture, vetvetiu paraqitet jo mundësia, po edhe gjasa e ekzistencës së shkrimeve fetare.
Çështja se çfarë shkrime mund të kenë qenë këto lidhet ngushtë me ndarjen kishtare të vendit në kohë të mesme. Unë këtu do të hedh me hamendje disa mendime, duke pritur që zbulimet që mund të bëhen në të ardhmen t’i vërtetojnë këto ose dhe t’i përgënjeshtrojnë. Pikësëpari do të pranojmë që, në qoftë se ka pasur në ato kohë ndër ne shkrime fetare shqip, këto kanë qenë përgjithësisht përkthime: në vendet me besim katolik përkthime nga latinishtja, në domenën e kishës ortodokse nga greqishtja. Problemi për ne në këtë mes është ky: që në shërbimet fetare në tërësi, që kryheshin nëpër kishat e qyteteve, nëpër kuvende e famulli, ç’elemente mund t’i kenë qenë rezervuar gjuhës së vendit? Në Europën perëndimore, sikurse ka pasur vetëm një kishë, ashtu ka pasur edhe një gjuhë të vetme për këtë kishë, latinishten5].
Gjendja në Lindje përkundrazi ka qenë e tillë, që këtu u lenë disa kisha nacionale; po për Shqipërinë vjen në konsiderim vetëm kisha bizantine, edhe kjo me një gjuhë kishtare, greqishten. Duke mbetur brenda caqeve të kishës katolike, me përdorimin e latinishtes si gjuhë liturgjie, librat liturgjike kanë qenë latinisht: si meshari që përmbante lutjet e meshës së gjithë ditvet të vitit, si breviari që përmbante lutjet e ceremonitë liturgjike që do të kryente prifti, si rituali që përmbante ceremonitë, uratët etj. që përdoreshin në administrimin e sakramentevet. Po në ritual, te sakramenti i pagëzimit, formula “Unë të pagëzonj!…” do të ketë qenë thënë gjithmonë në gjuhën e vendit, ndër katolikë e ndër ortodoksë; prandaj edhe nuk është një gjë e rastit që një nga më të vjetrat dokumente të shqipes përmban këtë formulë. Thomse në ritual edhe ndonjë tjetër ceremoni ka qenë përcjellë me një formulë në gjuhë të popullit, kështu p.sh. në sakramentin e martesës ceremonia e kurorës, kur prifti në çastin e ndrrimit të unazavet i drejtohet palës së fejuar; kështu që si Buzuku si Budi, që e kanë këtë pjesë6], nuk është çudi të jenë mbështetur në një traditë vendi të moçme. Në mësimin e fesë, katekizmi që përmbante fillimet e doktrinës së krishterë e që, siç dihet, i shtjellonte këto në formë dialogu midis priftit (mjeshtrit) e dishepullit (ki parasysh katekizmat e mëvona të Lekë Matrangës 1592 e të Pjetër Budit te Dottrina Christiana 1618), nuk mund të mos qe hartuar në të folët e popullit. Në këtë gjuhë ka qenë thënë që lashtë edhe ndonjë copë e ungjillit që recitohej me rastin e ndonjë feste: një shembull e kemi në ungjillin e së shtunës së pashkëvet sipas ritit bizantin, dokumenti më i vjetër i toskërishtes. Shqip ka qenë edhe Ati ynë, Falemi Mri, Besojmë e ndonjë uratë tjetër. Në gjuhë thjesht popullore është mbajtur si kudo që me kohë edhe predku7], po ky ka qenë shpeshherë një improvizim i rastit, dhe si i tillë zakonisht ka mbetur pa u shkruar. Po të zëmë ngoje edhe këngët që këndoheshin nga besimtarët në kishë gjatë ceremonive fetare dhe me rastin e festave së ndryshme, e për të cilat tradita nuk na shpie shumë larg as në Veri as te Shqiptarët e Italisë, kemi përmbledhur mund të thuash gjithë fushat kryesore, ku mund të ketë qenë në përdorim gjuha e vendit krahas me latinishten e me greqishten. Kisha i ka luftuar gjithmonë e kudo inovacionet me karakter popullor, si në lëmën thjesht fetare si dhe në punë të gjuhës. Megjithatë gjendja nuk ka qenë po një në të gjitha viset. Tradita kishtare u është përshtatur dhe rrethanavet, sa herë që kjo gjë ka qenë në dobi të kishës, sidomos për të afruar besnikët. Kjo do menduar aq më shumë për Shqipëri, një vend ku sipas peshës politike krahina të tëra kanë shkuar nga njëra kishë në tjetrën.
Ç’vend i përket mënëfund Gjon Buzukut në vijën e zhvillimit të jetës mendore në atdheun e tij? Mario Roques e quan këtë një përfaqësues të Shqipërisë mesjetare, të depërtuar nga ndikime veneciane8]. Ne e bëjmë tonin këtë mendim të dijetarit të shquar frëng. Megjithatë, duke e gjykuar këtë prift shkrimtar nga disa anë të ndryshme njëkohësisht e në lidhje me kohën para tij dhe me ngjarjet e njerëzit që erdhën pas tij, ai na duket se qëndron në kapërcyell: në kapërcyell nga Mesjeta në kohën e re, në kalim nga Arbënia paraturke kristiane në Shqipërinë turke të islamizuar. E karakteristika e tij plotësohet, kur themi se ai rrojti në kohën e Humanizmit e të Renesancës, e më anë tjetër në fillimet e luftës së Kundërreformës me Reformën.

Jemi në mes të shekullit XVI. Vendi ka gati njëqind vjet që gjindet nën sundimin e Osmanëvet. Pas luftrash së përgjakshme, muret e qyteteve janë shembur, shumë katunde janë djegur. I ka ndrruar faqja gjithë vendit. Qytetet kanë marrë pamjen e kasabave të Orientit; nëpër pazare e nëpër mëhalla ngrihen minaretë e xhamive. Shumë familje janë shkulur e kanë marrë arratinë. Ata të Veriut kanë shkuar më të shumët në Veneti; ana e Toskërisë shumica në mbretërinë e Napolit. Katolicizmi ishte në tërheqje, sepse vala e islamit po shtrihej gjer në Hercegovinë e në Bosnje. Shumë po e linin fenë e të parëve në Ballkanin perëndimor, dhe kjo herezi mori dhenë në shekujt e mëpastajmë, me krahina të tëra. Misionarët e vizitatorët që dërgon Vatikani në këtë anë në shekujt XVII e XVIII përshkruajnë me ngjyra të gjalla më një anë të shkuarit tatëpjetë të fesë kristiane, më anë tjetër padijen e klerit, po edhe të lënët e këtyre provincave pas dore nga ana e kurjes romake, ndër të tjera edhe mungesën e librave të liturgjisë. Akoma edhe në vitin 1660, Himariotët në një shkresë dërguar kardinalëvet qahen që priftërinjtë nuk kanë as breviarë për të thënë oficet9].

Më anë tjetër feudalizmi kish kaluar, kishte ardhur koha e jetës qytetare. Humanizmi, përveçse përtëriti gjithë jetën mendore të Italisë, u bë edhe një kthesë për Europën gjithë, një kthesë nga kultura kishtare e Mesjetës në kulturën laike të kohës së re. Kjo rrymë që u derdh dhe në brigjet lindore të Adriatikut, nuk mund të mos jetë ndier edhe në anët tona. Ajo kontribuoi kudo në një ngjallje të letërsisë, po në mënyrë të veçantë qe me rëndësi edhe për formimin kulturor të shkrimtarëve. Një epokë të re në fushën mendore kish hapur më anë tjetër shtypi me shkronja të lëvizshme, që shpiku më 1440, Gutenbergu. Kjo shpikje i çeli shtigje të reja përhapjes së librit e të mendimit, e me këtë i dha kudo gjallëri lëvizjes letrare. Shkrimet e kohëve së para, duke qenë dorëshkrime, qenë të shkruara në pak kopje, dhe ky qe shkaku kryesor që shumë nga to kanë humbur pa lënë gjurmë.
Edhe në fushën fetare Europa u gjet në një kthesë të madhe, dhe kjo kohë është një nga më të turbulltat në këtë pikëpamje. Reforma kishte pushtuar një pjesë të madhe të Europës veriore e të mesme, dhe nëpërmes Sllovenisë e të brigjeve veriore të Adriatikut po i afrohej Gadishullit të Ballkanit. Po kundër saj nuk mungoi dhe reaksioni nga ana e kishës së Romës. Në këtë kohë papnia ndërmori kundër doktrinës së re atë luftën e egër e të gjithanshme, e cila përmblidhet me emrin e Kundërreformës.

Me hyrjen e Reformës në krahinat veriperëndimore të Ballkanit më njerën anë, me përhapjen e sundimit osman në pjesën më të madhe të Gadishullit më anë tjetër, kisha romake këtu u gjet në këtë kohë përpara një lufte dyfishe. Ajo e përballoi këtë, me zbatimin e atyre mjeteve që kish sprovuar në anët e tjera të Europës. Në të njëjtën kohë ajo nuk la pas dore edhe luftën që kish me armikun e vjetër, ortodoksizmin. Gjithë përpjekjet e kurjes romake – kurqë trimërisë shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut në Lesh më 1468, i qe thyer hovi i organizuar – përqendroheshin në viset tona në këto objektive: ruajtja e krahinavet katolike në Shqipëri veriore e të mesme nga islamizimi, në një vështrim më të gjerë formimi i një ledhi katolik në Ballkanin perëndimor me Sllavët e Jugut e me Shqiptarë, ledh kundër valës rrëmbyese të islamit; ruajtja e katolicizmit nga skizma e kishës ortodokse, në Jugë kishë nacionale greke, në Veri e Verilindje kishë nacionale sllave. Në këtë luftë të lëftuar konsekuentisht katolicizmi kërceu dhe në ofensivë: Krahas me orvatjet për ruajtjen e vendit nga islamizimi punohej dhe në një kthim, në prehër të kishës, të atyre trevave që u kishin islamizuar; e sa për Jugë, dihen përpjekjet që u bënë nga Vatikani për të afruar Himarën ortodokse, në shekullin XVII e XVIII10].

Do të dilnim jashtë caqeve të temës sonë po ta ndiqnim më tej e si objekt më vete këtë luftë të gjatë, e cila, sikundër dihet, mbaroi me islamizimin e pjesës më së madhe të vendit. Historia fetare e Shqipërisë gjatë tre shekujve të parë të sundimit turk mbetet për të shkruar, një histori me përpunimin e materialit dokumentar, që pjesërisht është zbuluar e pjesërisht gjindet në arkivat e Italisë e të Stambollit. Ne këtu, kjo periodë e historisë na intereson kryesisht nga ana e lëvizjes mendore. Luftrat fetare u luftuan dhe me anë të librit, dhe prandaj Kundërreforma, sikurse në vendet e tjera, posaçërisht edhe te Sllavët e jugut11], pruri dhe ndër ne indirekt një lulëzim të ri të letërsisë.
Për të plotësuar nevojat që kishin provincat sidomos të Europës lindore për një kler me shkollë, u themeluan disa kolegje: në Romë, Kolegji grek S. Atanasio (1571), kolegji Urbanum i Propaganda Fides (1627), kolegji në S. Pietro in Montorio, në Loreto (provinca e Ankonës) kolegji ilir (Collegium Illyricum), themeluar më 1580, çelur përsëri më 1627, në Fermo (Askoli-Piceno) kolegji ilir i Sh. Pjetrit e Palit (Collegium Illyricum di S. Pietro e Paolo), themeluar më 1663,12]; nuk po përmendim këtu kolegjet që u themeluan në Kalabri e Siqeli për kolonitë arbëreshe të atjeshme. Në këto kolegje studiuan një shumicë Shqiptarësh që u bënë priftër, prelatë e shkrimtarë: kështu ndër të tjerë në S. Atanasio Lekë Matranga, në Loreto Budi, Bardhi, Andrea Bogdani, i ungji i shkrimtarit, ky vetë, në Fermo 60 studentë prej Veriu e prej Kosove, ndër të tjerë për pak kohë edhe Kazazi.
Krahas me krijimin e me formimin e klerit shtrohej problemi i pajisjes së tij me libra liturgjie e të mësimit fetar, në të cilat ishte mungesë e madhe; e për misionarët shtrohej puna e librave me karakter praktik, për të mësuar gjuhët e vendeve ku shkonin për të punuar: gramatika e fjalorë. Rrethanat historike dhe horizonti i gjerë i veprimit e prunë punën që bash nga kjo ndërmarrje e kishës lindi në shumë vende një letërsi e re, letërsi kishtare shkruar në gjuhën popullore.
Dihet se Reforma zëvendësoi që në ballë latinishten me gjuhën e vendit, si në shërbimet fetare si në lexim të biblës. Kjo qe një lëvizje popullore e madhe edhe në punë të gjuhës, dhe Luteri me përkthimin e biblës në gjuhën e thjeshtë të popullit u bë themeluesi i gjermanishtes letrare. Kjo qe një ngjarje me rëndësi edhe në punë të fesë, sepse përdorimi i gjuhës popullore që kuptohej nga të gjithë tërhoqi shtresat e gjera të popujve ndaj besimit të ri. Kisha romake mori qëndrim dhe në këtë pikë, kur u pa se përdorimi i gjuhës popullore ndihmonte në propagandën fetare. Prandaj gjatë Kundërreformës vihet re një kthesë, me një drejtim të theksuar nga gjuhët e vendit, për aq sa qe e mundur të bëhej kjo pa cenuar kanonet e disiplinës fetare. Efektet e kësaj veprimtarie të hapët shihen edhe në letërsinë shqiptare, si në kolonitë e Italisë si te katolikët e Veriut13]: Lekë Matranga prej Siqelie përktheu në dialektin e vet Katekizmin e spanjollit Ledesma dhe e botoi më 1592, me titullin Embsuame e krështerë. Një vepër analoge me këtë, po më e madhe, është Dottrina Christiana e Pjetër Budit (1566-1623) e vitit 1618, përkthim i Katekizmit të Kardinalit Belarmino, vepër, sikurse edhe ajo e Ledesmas, e përkthyer më atë kohë në shumë gjuhë të Europës. I Budit është dhe Rituale Romanum (1621), me si shtesë shpjegimin e meshës, dhe, e të njëjtit vit, edhe Pasëqyra Etrëfyemit (Speculum Confessionis), përkthimi i veprës me të njëjtin titull të Emerio de Bonis. Frano Bardhi (Franciscus Blanchus, 1606-1643) botoi më 1635 të parin fjalor të shqipes, Dictionarium latino-epiroticum, dhe shtypi (në Venetik) edhe një vepër mbi Skënderbeun.14]. Pjetër Bogdani (1630-1688) botoi më 1685 Cuneus prophetarum, me përkthim italisht. Të gjitha këto libra janë shtypur në Romë, sigurisht me shpenzimet e Propagandës, me përjashtim të veprës së Bogdanit, e cila u botua në Padovë e u rishtyp dy herë në Venetik. Nga prelatët e vendit do përmendur dhe Pjetër Mazreku prej Prizreni, arqipeshkv i Tivarit, autor i një fjalorthi etimologjik në dorëshkrim (1632), ribotuar në ditët tona15]: pastaj ai Gjon Nikollë Kazazi prej Gjakove, që u zu ngoje në krye të këtij artikulli, autor i një Doktrine të vogël (Breve compendio della Dottrina Cristiana), shtypur në Romë më 1743.16]
Shqiptarët nuk lanë pas dore as gramatikën e gjuhës së tyre, dhe më e vjetra do të kish qenë ajo që hartoi Andrea Bogdani (1600-1683), një nga personalitetet më të forta ndër prelatët shqiptarë të shekullit XVII; po kjo, siç na thotë i nipi Pjetri, në parathënien e veprës së tij, “ntretti si krypa nd’ujët”. Kështu që më e para gramatikë e shqipes mbetet ajo e F. M. da Lecces e vitit 1716. Po të përmendim dhe Doktrinën e Belarminos shqipëruar nga Bernardo da Verona e shtypur rreth 1675-s, fjalorin shqip-italisht e italisht-shqip të Nilo Katalanos, dorëshkrim i vitit 1694, fjalorin dorëshkrim të humbur të da Lecces (1702) dhe fjalorin anonim italisht-shqip të vitit 1710, që gjindet në dorëshkrim në Grottaferrata afër Romës, kemi përmbledhur gjithë shkrimet letrare e gjuhësore, të njohura gjer më sot, që janë fryti i propagandës katolike në Shqipëri gjatë shekujve XVII e XVIII. Janë reflekset e një veprimtarie të gjerë, që me të njëjtat drejtime u zhvillua në ato kohë edhe në pjesë të tjera të Europës juglindore e lindore. Katekizmi i Ledesmas dhe ai i Belarminos u përkthyen dhe në serbokroatishte17], ky i fundit prej Bartolomé Kashiçit, një bashkëkohas i Budit e i Bardhit. Ky humanist i njohur përktheu ndër të tjera edhe një pasqyrë të vogël të rrëfimit si dhe Ritualin roman. Kjo vepër e fundit e shkrimtarit raguzan pat një përdorim të gjerë dhe pa shumë botime, poashtu si ndër ne Dottrina Christiana e Budit. Kjo vepër u rishtyp më 1636, më 1664 e më 1868 dhe ka qenë libri doracak për këtë lëndë ndër katolikët e Shqipërisë: aq sa, kur misionari N. Rodinò në Himarë pat ngarkuar një nxënësin e tij shqiptar me emrin Dhimitër, i cili zotëronte shumë mirë gjuhën e vendit, të shqipëronte Doktrinën, dhe ky me ndihmën e atij punoi në këtë shqipërim, nuk erdhi puna për botim: sepse mbi letrën e misionarit drejtuar Romës më 1637, i erdhi përgjegja andej që “Doktrina kristiane është përkthyer dhe shtypur në gjuhë shqipe”18]: sigurisht një dëm për gjuhësinë shqiptare, se kështu u zbuar një dokument i vjetër i një dialekti të Toskërisë.
Shumica e këtyre veprave janë, siç pamë, përkthime, më të shumtat nga italishtja, po ndonjë edhe nga latinishtja; janë përkthime pak a shumë të lira. Nuk mungon dhe koloriti i vendit, siç janë p.sh. të dhënat interesante që gjejmë te Budi në Ritualin Roman rreth disa zakoneve shqiptare të asaj kohe. Nuk mungojnë edhe shkrimet origjinale, siç është vepra e Bogdanit. Në këto shkrime gjejmë, ashtu si te Sllavët e jugut, dhe te Shqiptarët përveç kësaj edhe fillimet e një poezie. Kështu Matranga në krye të Katekizmit të tij ka vendosur një stancë, e cila, si e vitit 1592, që është, na paraqet më të parën vjershë shqip që dimë. Dihet se edhe Budi, siç ka vënë re së pari Z. Skiròi19], nga faqja 175 e gjer në fund të Doktrinës së tij ka 19 vjersha fetare, duke nisur me një Dies irae e duke mbaruar me një lavd të Zotit: gjithsejt 2884 vargje tetërrokshe; e në të gjashtë faqet e fundit të Pasëqyrës ka tri vjersha, gjithqish 166 vargje, edhe këto tetërrokshe: poezi që në përgjithësi mbeten një pomendore në letërsinë tonë.
Duke përmbledhur ç’shtjelluam në këtë kapitull, do të themi se, si shumica e letërsive të Europës, edhe letërsia shqiptare fillimet e saj i ka me përmbajtje fetare. Një lulëzim të ri pati nga Kundërreforma, e cila në Gadishull të Ballkanit mori më shumë karakterin e një lufte kundër islamit. Në shkrime, në përshtatje me kushtet e reja historike, iu hap një fushë e re dhe e pandier më parë përdorimit të gjuhës popullore. Te Rituali Roman i Budit kemi një shembull, ku mund të shihet pjesa që ka gjuha e vendit brenda tërësisë së gjuhës latine: në mënyrë që uratët e formulat janë latinisht, po rubrikat e komentarët janë shqip, e disa nga këto zhvilluar shumë gjatë.20] Kjo është një vijë veprimi e përgjithshme: edhe te Sllavët e jugut Roma u bëri katolikëvet koncesione të mëdha në punë të gjuhës popullore, edhe në fushën rituale.21]

Busti i Eqerem Çabej
Busti i Eqerem Çabej

1]Në studimin e cituar. Khs. dhe G. Petrotta, Il cattolicesimo nei Balcani – L’Albania, në La Tradizione I (1928) 165vv.
2]Jokl, Linguistich-kulturhistorische Untersuchungen (1923) 132.
3]Romakëvet XV 19: Ita ut ab Hierusalem, per circuitum usque ad Illyricum repleverim evangelium Christi.
4]Khs. përveç Šufflayt, Jireek, Staat und Gesellschaft im mittelalterlichen Serbien (1912) 55v.; F. Cordignano, La Civiltà Cattolica 1929/2 399vv., 1929/3 13vv., 1929/4 226vv., 401vv., 504; P. Coco, Studi Francescani S. 3, viti V (XXX), 1933, Nr. 3.
5]Khs. dhe Meillet, Esquisse d’une histoire de la langue latine2 (1931) 280vv.
6] Buzuku XXVI, Budi në Rituale Romanum 189.
7] Khs. dhe G. Devoto, Storia della lingua di Roma (1940) 349.
8] “Il est encore un représentant de l’Albanie médiévale, pénétrée d’influences vénitiennes”. Recherches sur les anciens textes albanais 17v.
9] N. Borgia, Studi albanesi III-IV (1933-34) 202: “e che i sacerdoti non han breviarii da dir l’officio”.
10] Khs. Për këtë N. Borgia, I monaci basiliani d’Italia in Albania – secoli XVI-XVIII, në Studi albanesi II (1932) 147vv., III-IV (1933-34) 164vv., V (1935) 61vv., e si libër më vete, 1934.
11] Khs. M. Murko, Die Bedeutung der Reformation und Gegenreformation für das geistige Leben der Südslawen, 1927.
12] V. Bartoccetti, II Collegio Illirico di S. Pietro e Paolo di Fermo (1663-1674), Studia Picena (Fano) XI (1935) 133vv.
13] Për këta shkrimtarë dhe veprat e tyre sh. M. Roques, Recherches sur les anciens textes albanais 19vv.; G. Petrotta, Popolo, lingua e letteratura albanese 17vv.
14] Georgius Castriottus Epirensis vulgo Scanderbegh, Epirotarum princeps fortissimus, oc inuictissimus, Suis, et Patriae restitutus.
15] Prej M. Roques, Le dictionnaire albanais de 1635 (1932) 51.
16] Khs. J. Rrota, Për historin e Alfabetit Shqyp (1936) 35vv.
17] Murko 38, 107, 82.
18] Borgia, Studi albanesi III-IV 180: “tra li scolari mei che tengo; é un Sacerdote detto Demetrio, il quale possede elegantissimamente la lingua albanese per esser della ination et é catolico vero”; – “che la dottrina christiana è già stata tradotta e stampata in lingua albanese.”
19] Annuario del R. Istituto Orientale di Napoli 1917-18, f. 63 = Studi albanesi I (1931) 101vv.
20] M. Roques, Recherches 26.
21] Khs. Marko, Die osteuropäischen Literaturen und die slawischen Sprachen (1908) 219.
Marre nga Muri i Fb Eqrem Çabej, 26 mars 2016

*Ndryshe nga sa besohet dhe nga sa është shkruar disa herë, ky studim nuk është parathënia e botimit kritik të “Mesharit” të Gjon Buzukut. Në vitin 1955, kur shkruante këtë studim, Çabej ende nuk kishte mbaruar punë me studimin kritik të Buzukut. Ndërsa Parathënien e “Mesharit e shkruan në përmbyllje të punës, nja dy vjet më vonë. Ndaj dhe ky studim ka një karakter më të përgjithshëm e jo aq teknik sa parathënia e “Mesharit” e si rrjedhojë është mbase edhe më interesant për lexuesin jospecialist…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.