back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shqiponja dhe Shqipja… nga Selman Riza

Gazeta

Profesor Selman Riza
Profesor Selman Riza

Një shpjegim i domosdoshëm rreth artikullit të Selman Rizës

“Shqiponja dhe Shqipja”

nga Agim Morina

Ky artikull i S. Rizës, i botuem me 1936 në revistën “Përpjekja”, pavarësisht që në atë kohë gjuhë standarde shqipe ishte një gegnishte jugore, pra, elbasanishtja, asht i shkruem në tosknishte me një qëllim të qartë: m’iu kundërvu disa qarqeve gege që kishin nisë me e ndi veten superiorë me gjuhën standarde egzistuese të bazueme në gegnishte dhe kishin nisë me e pa lejimin e përdorimit të tosknishtes letrare si element “përçamës” të kombit. Cila ishte zgjidhja, simbas këtyne qarqeve? Me e ndalu në një mënyrë apo tjetër përdorimin e tosknishtes letrare. Një shteti dhe një kombi nuk i duhesh dy gjuhë të shkrueme po vetëm një, thoshin ata! Egzistimi i dy gjuhëve letrare ishte kundër bashkimit të kombit dhe paraqiste “rrezik kombëtar”. Riza tallet me qëndrimet e këtyne “superpatriotëve” tue thanë:

“Vetëm në imagjinatën e alarmuar të disa superpatriotve, dualizma ynë dijalektale ka qenë ngritur në lartësinë e një rreziku kombëtar, ka marrë thuajse surratin kërcënonjës të një gogoli separatist. Kurse mendja e shëndoshë t’a thotë, edhe m’i përcipti shqyrtim t’a provon, albanologët e huaj, për të cilët njësija politike e atdheut t’onë ka më se të ngjarë të jetë m’e vogla e gajleravet, t’a vërtetojnë se ka një të vetme gjuhë shqipe në botë me toskërishten dhe gegërishten si kryedijalekte.”

Këtyne qarqeve ‘superpatriotike’ Selman Riza iu kundërvu ashpër pa e dijtë se si ka me u përmbysë gjithë situata vetëm mbrenda një dhjetëvjeçari, kur qarqe kriminale staliniste kanë me ardhë në fuqi dhe kanë me vu në jetë bash këtë politikë të çoroditun gjuhësore, por tash kundër gegnishtes letrare. Ata, ‘superpatriotët toskë’, nuk kanë me përmbysë vetëm standardin gegë, nuk kanë me vu vetëm si gjuhë zyrtare standardin toskë por kanë me e ndalu krejtësisht gegnishten letrare. Pikërisht ashtu qysh pohonin para Luftës së Dytë Botnore “superpatriotët” gegë.
Edhe ma keq se kaq ka me ndodhë me vetë Selman Rizën. Gjuhëtari dhe komisari gjuhësor stalinist, Androkli Kostallari, në artikullin e tij “Mbi disa veçori strukturore e funsionale të gjuhës letrare shqipe të kohës sonë” (në “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe” , 1972, fq. 13), tue citu këtë artikull të Rizës, thotë:

“Në thellimin e tij të mëtejshëm ky koncept mohues arriti në fund të fundit deri në përfundimin fatalist se “sikundër shkabën e flamurit e kemi me dy krerë, ashtu edhe gjuhën e kombit do ta kemi me dy kryedialekte”, duke hequr dorë kështu edhe nga përpjekjet për të kërkuar si pikëmbështetje argumente shkencore.”

Bash këtë shpifje, keqinterpretim dhe deformim të lig të qëndrimeve të Rizës nga ana e Kostallarit e citon, fatkeqësisht, edhe Idriz Ajeti në kumtesën e tij të lexueme në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) me titull “Rruga e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe në Kosovë”:

“Ngritja e këtij pretendimi, përkundër tendencave dhe prirjes konverguese të varianteve letrare shqipe, njehej shfaqje e një ndërmarrjeje që nuk i jepte krah bashkëveprimit ndërdialektor dhe nuk i favorizonte përpjekjet, procesin e stabilizimit dhe vendosjen përfundimtare të gjuhë së njësore shqipe, meqë kërkonte veçimin dhe konstitucionalizimin e prerë të pangegërishtes letrare, duke arritur në përfundimin fatalist se “sikundër shkabën e flamurit e kemi me dy krerë, ashtu edhe gjuhën e kombit do ta kemi me dy kryedialekte”.

Ma keq s’kishte ku me shku ma. Selman Riza ishte i ulun në sallë tue ndëgju shpifje e marrëzi të papame kundër tij dhe s’i lejohej me ua kthy përgjegjen kritikuesve krejtësisht joparimorë. Natyrisht, krejt çfarë thoshte Kostallari dhe citonte Ajeti, ishte shpifje e ndytë dhe gënjeshtër tipike staliniste sepse mosheqja dorë nga një gjuhë e vetme zyrtare në atë kohë, nga standardi i elbasanishtes, në vitin 1936, nënkuptonte vetëm një gja: vumjen e tosknishtes në plan të dytë, ramje “në radhën e një së foluri vetëm thjesht popullor”, qysh thotë Riza, dhe aj ishte kundër këtij projekti.
Fjalitë e S. Rizës nxirreshin me qëllim nga konteksti prej komisarëve gjuhësorë stalinistë. Fjalitë paraprijëse që e shpjegojnë qartë arsyetimin e Rizës pse kërkonte që shqipja të ketë dy gjuhë letrare nuk zihen në gojë:

“Për hatër të një begatije idiomatike të barabartë me folklorin e gegërishtes, për hatër të një orthografije më të plotë dhe të një fonetike më muzikale, për hatër të një syntakse më t’evolvuar drejt shprehjes analytike, dhe sado anëtar të jem – për arsyet e çfaqura më sipër të një fizionomije të njëllojshme dhe të një homogjeneiteti në cipët – nuk mund veçse të përgëzohem botërisht që në saje të prestigjit të kryeshkrimtarëvet dhe të mbrothësisë së publikut tosk, toskërishteja të mos jetë destinuar të bjerë në radhën e një së foluri vetëm dhe thjesht popullor…”

Shkurt e shqip Selman Riza thoshte: Ma mirë dy gjuhë letrare se ndalim të tosknishtes. Ndërsa gjuha zyrtare e shtetit le të bante një jetë më vete. Mbas disa dhjetëvjeçarësh një qëndrim të këtillë – kur gegnishtja ka me u vu në pozitë të tosknishtes – s’ka me dalë ndonjë toskë me e mbrojtë. Fatkeqsisht. E vërteta asht që Eqrem Çabej ka ba përpjekje – me aq sa nuk e rrezikonte veten – me i ba gjuhëtarët stalinistë me i thirrë mendjes. Por një qëndrim të premë, ashtu sikur që kishte Selman Riza për tosknishten letrare, për gegnishten letrare as nuk pati atëherë, as nuk ka sot.
A. Morina, 9 prill 2016

Profesor Selman Riza (1909-1988)
Profesor Selman Riza (1909-1988)

Shqiponja dhe Shqipja…

nga Selman Riza

Të huajtë çuditen kur shikojnë ndryshime karakteri dhe divergjenca së foluri midis toskëvet e gegëvet, dhe kanë të drejtë: Shqipërija është e vogël si vënd, e pakë si popullësi; dhe gjeografija e ndan Arbërinë më tepër në Lindje e Perëndim se sa në Veri e Jugë. Me gjithë këtë, që të gjejmë ndryshime karakteri dhe divergjenca së foluri midis gegëvet e toskëvet, nuk kemi nevojë të kërkojmë shumë larg: në veshje e mbathje, në qëndrim e t’ecur na bien në syt, në muzikë të fjalës dhe në tingëllim të zërit na dogëndisin në vesht. Dhe në ka shqiptarë për të mos i zënë në gojë këta varjacione, reticenca e këtyrevet rrjeth ngaqë duan të praktikojnë politikën e urtë të savet e kanë për parim të heshtin mbi çka na përçan dhe të theksojnë çka tek ne dëshmon unitet ethnik. Për të qënë një komb i vetmë, mendojnë këta zotërinj, është punë e domosdoshme të kemi një gjuhë të vetme. Që elementi gjuhësor mirret si kriterium nacionaliteti, si shënjë dallonjëse e çdo kombësije të vërtetë, dhe që njësija gjuhësore është parapandehja e njësis kombëtare, asnjeriu nuk mund t’i vejë mëndja t’a vërë këtë në dyshim. Mirëpo gjer tashi, në vëndin t’onë, mbi këtë pikë ka mbretruar mosmarrveshja m’e përvajtuarëshme: tjatër është gjuha, tjatër dijalekti; tjatër shqipja tjatër toskërishteja e gegërishteja! Lipset të jetë njeriu një pus paditurije ase një pellg paragjykimesh për të pretenduar se ka një gjuhë toskërisht dhe një gjuhë gegërisht. Vetëm në imagjinatën e alarmuar të disa superpatriotve, dualizma ynë dijalektale ka qënë ngritur në lartësinë e një rreziku kombëtar, ka marrë thuajse surratin kërcënonjës të një gogoli separatist. Kurse mëndja e shëndoshë t’a thot, edhe m’i përcipti shqyrtim t’a provon, albanologët e huaj, për të cilët njësija politike e atdheut t’onë ka më se të ngjarë të jetë m’e vogla e gajleravet, t’a vërtetojnë se ka një të vetme gjuhë shqipe në botë me toskërishten dhe gegërishten si kryedijalekte.
Por edhe në mos qoftë e rrezikëshme për njësinë t’onë kombëtare, dualisma ynë dijalektale nuk mund të mos jetë lartësisht e pavolitëshme, në daçim përveç shpirtit të njëjtë, përveç paritetit në thalbët, që, ka vetvetiu tashi më, t’i japim mëmëdheut t’onë edhe një fizionomi të njëllojëshme, edhe një homogjeneitet në cipët. Andaj çështja gjuhësore mbetet problemi ynë aktual. Çeshtje e rrahur me kohë por pa system, problem i studjuar, me vullnet të mirë por pa kriterium të saktë.
Për të mbënjanuar dualismën t’onë dijalektale, kemi vetëm tri mënyrë:
1.Të ngrehim njërin dijalekt në lartësinë e një gjuhe shkrimi të përbashktë dhe të lëmë tjatrin jashtë përdorimit zyrtar, shkollor dhe letrar, kështu që të prapset dita ditës, të zhdukët dalngadal, në saje të përhapjes s’arsimit botor dhe të letërsisë kombëtare.
2.Të gatuajmë bashk një idiomë eklektike nga brumi i dy kryedijalektevet.
3.Të privilegjojmë një nëndijalekt, për hir të një situate gjeografisht të mesme, së cilës besojmë që ay t’i detyrojë një analogji bipolare me dy kryedijalalektet fqinj.
Nuk mund të mohonet që toskë e gegë e kuptojnë më lehtë Elbasanasin se sa njëri jatrin. Mirë po një lehtësi e këtillë, sado e dëshiruarshme të jetë në marrëdhënjet e përditëshme, nuk mjafton prap se prap t’a bëjë të mundur kalimin pa shkallë nga Elbasanishteja në një shqipe të përbashktë, kapërximin titanik në një gjuhë letrare nga një nëndijalekt me një domethënje kulturore të cektë, me një pasuri idiomatike të pakë, dhe sidomos me një zhvillim letrar thuajse të paqënë. Kurse mb’anë tjatër sicilido nga dy kryedijalektet është gjithazi m’i evolvuar, ka një të kaluar qytetrimi dhe një thesar letërsije dhe kurse është fjala për një atdhé të prapambetur, ku qytetrimi dhe letërsija janë sende mjaft të pak, të rrallë dhe të rinj për të mos na vajtur mendja qe t’i çvleftësojmë ase t’i vjetërojmë kapitalet mendorë dhe vlerat shpirtërore, të grumbulluara dita ditës thërrime thërrime. Një pamundësi këso fare duket t’a ketë kuptuar ase së paku ndjerë Z. Aleksandër Xhuvani. Me një inkonsekuencë për të ngashryer, por për një herë me një instinkt letrari dhe një intuitë filologu q’e nderojnë, kampioni militant i udhës së mesme na fal sot shkrime’ ku shijojmë më të hijëshmen e shkodranishtevet. Sidoqoftë, utopija e dënuarëshme e një dijalekti të mesmë e theksoi lumtërisht nevojën qe shkrimtarët gegë dhe sidomos prozatorët shkodranë të përkujdeseshin paskëtaj për të shkruar me një mënyrë më botërisht të kuptuar, duke hequr dorë nga lokusjonet lokalistë, nga konstruktet e koklavitur, duke qëruar gjuhën e tyre nga një farë snobisme të përmbysur, nga një lloj malokllëku t’eksponentuar.
Të gatuarit bashk të dy kryedijalektevet për të trajtuar një idiomë eklektike duhet luftuar a priori si një kombinim artificjal ase si një përzjerje arbitrare. Kombinimi artificjal do të qe krijesa e albanologëvet. Le që filologët, qofshin kombëtarë, qofshin të huaj, janë grindavecë prej natyre dhe nuk do të bëneshin kurr të një mëndjeje për të caktuar ç’duhet marrë dhe ç’lipset lënë nga çdo kryedijalekt, por edhe sikur të ngjiste kjo mrekulli në botën e pluhërosur të fjalëqëronjësvet, përfundimi i konvencionit do të qe një pjellë bastardhe që do të pranohej me vështirësi të madhe dhe mbase nuk do të përgjithësohej kurrën e kurrës. Për të sjellur vetëm një shëmbëll cikrrimtare mbi efektet e shëmtuar të një toskëzimi eklektik të gegërishtes dhe anasjelltas, nuk më rrihet pa kujtuar këtu përshtypjen e neveritur që më bën çdo gegë, i cili në vend të formës gegërishte përdorë trajtën toskërishte të përemërit lidhor të pandryshuarëshmë: pastërtija e fantazisë së tij më bënet sa kaq e dyshimtë.
Përzjerja arbitrare është që tashi vepra e kryer e gazetarëvet t’improvizuar dhe improvizonjës, e përkthenjësvet habersëzë dhe e mësonjësvet të paditur. E ashtuquajtura idiomë eklektike e gjithë këtyre zotërinjëve, të cilët me pëndë nakatosin siç do të spastronin me një fëshesë, s’është asgjë tjatër përveçse një mozaik pa shijë, një amalgam pa karakter, një mëmëligjë e pacilësuarshme, një monstrum linguisticum. Dhëntë Zoti që ky studim modest të jetë pikënisja e një reaksioni kundra kësaj përzjerjeje arbitrare të dy krye dijalektevet.

Revista letraro-kulturore "Perpjekja Shqiptare"
Revista letraro-kulturore “Perpjekja Shqiptare”

Politikë ase letrarë janë shkaqet për të cilët një dijalekt ja merr anën, i hipën përsipër një dijalekti tjatër. As Toskërija as Gegërija nuk ka nxjerrë në çastin e volitshëm një shkrimtar ase vjershëtar mjaft famë-math dhe vrragë-thellë sa që t’i jipte toskërishtes ase gegërishtes epërsinë nevojëshme për t’u-ngritur në lartësinë e një gjuhe letrare të përbashktë. Momenti oportun është në këtë mes një faktor kaq kryesor sa që edhe sikur Arbërija të kishte fatin e bardhë të sillte një vigan letrar, më duket punë të pabesuarshme që ky individ të mposhte patjetër situatat e kristallizuara; gjendjet e bëra të ngurta nga kalimi i kohës dhe nga përpjekjet kollektive. Është e vërtetë mb’anë tjatër se letërsija e Veriut ka tradicione më antikë, është gjith’ ashtu m’e bollëshme nga ajo e Jugut. Mirë po kur të jetë fjala për esthetikë dhe për art, vjetërsija dhe sasija lozin vetëm një rol të dorës së dytë.
Midis politikës dhe letërsisë lipset të zërë vend në këtë skicë kritike të çështjes gjuhësore, albanologjija. Dihet që shumica e të huajvet që janë marrë me gjuhën t’onë kanë studjuar sidomos gegërishten për shkak të një lashtësije më të largtë ase alteracionesh më të thella. Në janë mb’anë tjatër toskët më mëndje-shpejtë, me shijë-hollë, me styl-lehtë nga gegët, shqipëtarët e veriut janë filologë më të saktë, didaskaj më të duruar, systematizonjës më konsekuentë. Dhe në ka arrirë gegërishtja – nën rrogozin e një dijalekti të mesmë – të bëhet me kohë gjuhë zyrtare stricto sensu, dua të them, gjuha e letërkëmbimit qeveritar, kjo i detyrohet jo aq faktit se qëndra shtetrore gjëndet në Tiranë, sa punës se organet teknikë, përkatësitë gjuhësore të Ministris s’Arsimit kanë qënë thuajse gjithëmonë gegë qind për qind ase toskë të gegëzuar për parim kombëtar ase shijë vetiake.
Disa shkrimtarë toskë me dell satyrik të njohur kanë vënë me kohë në lojë nisjativën e moçme të Ministrisë s’Arsimit për të trajtuar një gjuhë zyrtare. Mirëpo kritikat nuk muntnë t’a shpien dekasterin e mësimit të heqi dorë nga udha e nisur. Dhe duhet t’a themi që projekti i tij, i cilësuar qesharak, qe e kundërta e një nisjative të dështuar. Do të bindemi më lehtë nga vërtetësita e kësaj vërejtjeje, kur të kemi shtuar që në saje të përpjekjevet të vijuarshme të Ministris s’Arsimit, gjuha zyrtare që tashi përfshin jo vetëm korespondencën administrative, por edhe tekstet juridikë bashk me librat shkollore për rendet e lartë të fillorevet dhe institutet e mesmë. Andaj mund të thuhet që Shteti Shqiptar ka që tashi një gjuhë zyrtare dhe lato sensu.
Sikur analfabetisma dhe indiferentisma intelektuale të kishin qënë të përhapura në mënyrë përpjesësisht të barabartë në Veri dhe Jugë, një përparim i këtillë i kryedijalektit gegërisht do të kishte patur domethënjën e gjërë të një fitoreje të plotë. Mirëpo shkrimtari tosk ka shkruar, shkruan dhe do të shkruajë toskërisht, jo u vetëm pse e njeh më idiomatikisht dhe e përdor më natyrisht, por edhe pse kësisoji siguron veprës së tij një rreth të gjërë lëçitësish dhe lëçitësesh.
Për hatër të një begatije idiomatike të barabartë me folklorin e gegërishtes, për hatër të një orthografije më të plotë dhe të një fonetike më muzikale, për hatër të një syntakse më t’evolvuar drejt shprehjes analytike, dhe sado anëtar të jem – për arsyet e çfaqura më sipër të një fizionomije të njëllojshme dhe të një homogjeneiteti në cipët – nuk mund veçse të përgëzohem botërisht që në saje të prestigjit të kryeshkrimtarëvet dhe të mbrothësisë së publikut tosk, toskërishteja të mos jetë destinuar të bjerë në radhën e një së foluri vetëm dhe thjesht popullor. Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë. Gjuhën e kombit do t’a kemi me dy kryedijalekte.
(Revista “Përpjekja shqiptare”, nr. 1, Tiranë, tetor 1936)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.