back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shqiptarët çdo ditë e më të huaj në tokë të tyre – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja
Shqiptarët çdo ditë e më të huaj në tokë të tyre
nga Gëzim Zilja

Sazan e Karaburunë/ Janë çifligjet e mia
Do t’i shes ku dua unë/ Në të s’ëmës Shqipëria.

Ndoshta nga këngët kushtuar “Lidhjes së Prizrenit” dhe veçanërisht Abdyl Frashërit, ato që të drithërojnë e japin një mesazh të përjetshëm janë vargjet, ku tregohet sesi ai shiti pasurinë për të siguruar të hollat për udhëtimet e tij, jo vetëm në trevat shqiptare por edhe në Europë. Kam menduar, duke vërejtur, veset e shqiptarit historikisht, që për parà e prona bën gjithçka, (jo rrallë shet edhe shpirtin) se në të ka diçka të shtuar ose të tepruar siç ndodh me figurat madhore në epikën historike. Por, duke rrëmuar në poezitë e vjetra për periudhën e “Lidhjes së Prizrenit”, u mrekullova nga ajo që gjeta: një poezi “dokument historik matematikisht i saktë”, do ta quaja, që sqaron se Abdyl Frashëri jo vetëm e ka shitur pasurinë, por jepen emrat e personave, të cilëve ua ka shitur madje edhe çmimi i shitjes.

O Avdul ç’mënde që pate,/ Që shite ç’pate, ku pate,
Me çifliqe me irate?/ Shite Kallmin Myzeqe,
Mustafa Begës ia dhe,/ Qysh e dhe o derëzi
Për një karroqe flori?
Avdul Frashër, Avdul Be/ Po Zvërnecin kujt ja dhe?
E bleu Dalan Kanina,/ Për dy karroqe stërlina.
Avdul shite pasurinë,/ Shkove në Berlin,
Për vatanin, Shqipërinë,/ Të gjeje shpëtim.

Kaq thotë kënga. Është një histori e lavdishme dhe e pavdekshme e atyre atdhetarëve, që dhanë jo vetëm pasurinë, por edhe jetën për Shqipërinë. Dhe ja ku jemi sot 150 vjet më vonë nga Lidhja e Prizrenit dhe 112 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë:
1.Qindra hektarë tokë në Maminas për muxhahidinët iranianë dhe shqiptarët po e kuptojnë se çfarë kosto ka e do ketë për Shqipërinë, “Shteti i Muxhahidinëve” në Maminas.
2.Jepet falas arabëve, Porti Strategjik i Durrësit, (“Shteti i Alabarit”) veprim, që cënon Sigurinë Kombëtare; 85 ha tokë dhe 60 ha akuarium (det) për pallate e parking skafesh. Kanë kaluar shtatë vjet, por nuk duket asnjë kullë alla Dubai.
3.Porto Romano ka dalë në ankand kush ta blejë e të ndërtojë port të ri me vlerë miliarda euro, në vend të portit të Durrësit. Nuk ka ofertë nga të huajtë dhe puna nuk ka filluar ende. Ndërkaq Porti i Durrësit vazhdon të kafshohet nga Alabari.
4.Shkatërrohet dhe kthehet në hiç porti i dytë më i madh, ai i Vlorës. Toka 5,5 ha i jepet oligarkut qeveritar falas dhe akuariumi 5 ha kthehet në parking skafesh.
5.Është falur sipërfaqe detare dhe tokësore rreth 5 ha, ku nuk lejohet të hysh, për dy gjeneratorë rrangallë lundrues nga Bangladeshi, në portin e sajur të Zvërnecit. Rreth 200 ha tokë aktualisht pyll pishash, janë planifikuar për shoqëritë amerikane, që do të ngrenë impiante për përpunimin e karburanteve dhe rezervuarë gjigandë për gazin.
6.10 ha tokë në Shëngjin (“Shteti i Melonit”) dhe një pjesë e portit në dispozicion për tepricat e refugjatëve të Italisë nga Afrika. Gjithë territori është nën juridiksionin italian. Në projekt kalimi i “Syrit të Kaltër” në Puglie dhe një central bërthamor për Italinë
7.Dhjetëra ha tokë në lëndinat e fushat e bukura të Përmetit për varrezat e ushtarëve grekë të Luftës së Dytë Botërore, (“Shteti i varrezave greke”) që shtohen çdo tre vjet, me bekimin e parlamentit, me varreza të reja që mbushen me kocka pleq, plakash e foshnjash të para njëqind a dyqind vjetësh.
8.Dhjetëra hektarë tokë e grabitur në Jug, porte e limane nga Palasa në Ksamil dhënë padrejtësisht (Shteti i Zamirëve, Gjikurive, Xhaçkave, Fushave, Kastratëve e kompani) oligarkëve të qeverisë ku 95% e shqiptarëve nuk hyn dot se të hanë qentë e zamirëve e fevzinjëve.
9.Dhënia e dhjetëra hektarë tokë buke (projekte që po zbatohen) për dy TEC-e në Korçë e Roskovec kompanive greke. Gjithë energjinë do ta prodhojnë vetëm për shtetin grek, bajgat (CO2) në Shqipëri dhe energjia në Greqi. (zgjerimi “Shtetit” grek në Roskovec e Korçë)
10.Butrinti megjithësej (rreth 800 ha) iu falet shoqërive të huaja për menaxhim ku ndalohet ndërhyrja e shtetit shqiptar.
11.Ishulli i Sazanit i falet bijës së Trampit (“Shteti Ivankës”) që Rama të rrijë në fron sa të dojë. Ka katër vargje për të kuptuar Rama dhe horrat e tij, se si vepruan shqiptarët më 1912, kur caktoheshin kufijtë

Sazan e Karaburunë/ Janë vatanet e mia
Do t’i marrë / Se s’është punë/ Është e jona Shqipëria

Klasa Politike...
Klasa Politike…

A nuk është tradhëti, që kjo Shqipërizë e vogël të bëhet çika-çika nga Edi Rama me këlyshët e gangsterët e vet që këndojnë:

Sazan e Karaburunë/ Janë çifligjet e mia
Do t’i shes ku dua unë/ Në të s’ëmës Shqipëria.

Kur sot nuk hynë dot në çifligjet e Gjikurisë, Zamirit, Kastratit e horrave, që deri dje laheshin me sapllake e ndërronin brekët një herë në javë, merreni me mend se kush do të hyjë në Sazan (tashmë pronë e Ivanka Trampit) ku çmimi më i ulët do të jetë 1600 dollarë nata, për një apartament ?! Kur krerët shesin apo nxjerrin në ankand Atdheun, bijtë e vërtetë nuk ia mbathin nga sytë këmbët deri në Alaskë, për një copë bukë më shumë. Ata rezistojnë, protestojnë, nuk lejojnë t’u grabitet toka, madje e mbrojnë atdheun me armë nga tradhëtarët, sojsëzët e gangsterët. Këtë ka treguar e tregon historia e vjetër dhe moderne.
Ps. Ka një dokument të Shtetit, që quhet Strategjia e Sigurimit Kombëtar, që parashikon perspektivat dhe drejtimet zhvillimin e vendit në çdo fushë, që rishikohet çdo katër vjet. Këtë dokument piktori-pinok-kryeministër, me siguri as që e di se ekziston. Porti i Durrësit, Gjiri i Vlorës, Ishulli i Sazanit, Gadishulli i Karaburunit, disa baza detare nuk mund të jepen me qera apo të shiten, se janë objekte me rëndësi strategjike. Kur mendohet të jepen si zona turistike apo industriale ato duhen miratuar në Këshillin i Sigurimit Kombëtar, pas diskutimeve në institucione që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në rastet e mësipërme KM-ja nuk ka marrë mendimin e asnjë institucioni që merret me Strategjinë e Sigurimit Kombëtar, duke e shndërrur në leckë Kushtetutën e Shqipërisë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.