back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 15 Prill, 2025

Shqiptarët – Një Popull i çbërë

Gazeta

Të mendosh do të thotë të jetosh...
Të mendosh do të thotë të jetosh…
Shqiptarët – Një Popull i çbërë*

Diku nga vitet 1980-të, në një vizitë në New York, Ibrahim Rugova, iu krijua mundësia të takohej me një gazetar të një të përditëshme prestixhoze të New York-ut, i cili kishte marrë përsipër të shkruante një artikull për Kosovën. Ishte një nga ata gazetarët “junior”, që nuk dinte shumë për Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Rugova si fillim nxorri nga çanta që gjithmonë mbarte me vete, një hartë të krahinës autonome të Jugosllavisë të atëhereshme, – Kosovës. Biseda siç zakonisht ndodh në këto lloj rastesh, nuk zgjati shumë.
Gazetari gjatë bisedës me Rugovën, nuk kishte mbetur shumë i impresionuar nga ky ish profesor e kritik letrar, përherë i mbështjellur rreth qafës me një shall mëndafshi, e me tonin e sjelljen e tij tepër të sjellshëm e të butë. Rugova, sikur ta kishte ndjerë zhgënjimin e gazetarit, me buzëqeshjen e tij të sinqertë e çarmatuese, duke i treguar edhe një herë me gisht hartën e Kosovës, ishte ndarë duke i thënë me sigurinë e një profeti: – “Do të vijë një ditë që do të dëgjosh shumë për këtë provincë të humbur të kësaj federate që nuk do ta ketë jetën edhe shumë gjatë…” Fjalët e tij, qëlluan vërtet të jenë profetike. Duke filluar në 1987, pastaj 1989, e në veçanti një dekadë më vonë në 1999, Kosova herë pas here, u bë pjesë e “top nevvs” të globit.
Opinionit publik botëror, përgjat viteve i është dashur të eksplorojë e të kthjelltësojë shumë paqartësira rreth Ballkanit e shqiptarëve. Çfarë kanë serbët kundra shqiptarëve? Përse kosovarët jetojnë në Kosovë? Çfarë lidhje kanë shqiptarët e Kosovës me ata të Shqipërisë? Çfarë është Shqipëria për Kosovën, dhe anasjelltas? Kush janë shqiptarët, e përse është gjithë kjo armiqësi midis shqiptarëve e serbëve?
Nga ana e shqiptarëve gjithmonë ka ekzistuar një lloj mangësie për të shpjeguar veten dhe historinë e tyre. Kjo ka qenë një nga arsyet, që nacionalizmi i tyre është shpjeguar keq, viktimizimi i tyre është interpretuar për nacionalizëm anakronik e të sëmurë. Përherë, shqiptarët kanë dalë përballë botës, krejt të paaftë për të shpjeguar veten me terma të tillë, që të mund të kapërcejnë llogjikën ballkanike të (pseudo)viktimizimit.
Nëse një i huaj do t’i kërkojë një shqiptari të shpjegojë veten, në shumicën e rasteve do të marrë një përgjigje të tillë: “Ne gjithmonë kemi qenë një popull i shtypur nga fqinjët grabitqarë.” Apo nëse do të pyetej se cilat janë pikat e forta të shqiptarit, përgjigja do të jetë përafërsisht: “Ne jemi të fortë të luftojmë armiqtë tanë.” Po pikat e dobëta? “Ne jemi dobësuar nga përçarja që na kanë shkaktuar të huajt.” Përgjigje të tilla nuk ngjajnë të na nxjerrin në ndonjë breg, apo për më tepër, nga rrethi vicioz i paaftësisë për të vështruar nga vetja, për ta njohur dhe për t’a shpjeguar atë.
Syri i fotografit të National Geographic ka fiksuar e ka sjell për lexuesin, paradokset e jetës shqiptare. Policia që kërkon të rivendosë autoritetin, rregullin e qetësinë, në hyrje të një qyteti jugor; krimit të organizuar i tutet edhe shteti dhe përfaqësuesi i ligjit, polici, eshte i detyruar te mos shfaqë fytyrën për t’i shpëtuar ndonjë reprezaljeje të pritëshme. Në veri, Kanuni i Lekës është akoma i gjallë e i respektuar; në mungesë të mashkullit në familje, një “virgjëreshë e përbetuar”, është transformuar në burrin mbrojtës e kujdesës të emrit e trashëgimisë së familjes. Jashtë Shqipërisë, një çift emigrantësh të rinj shqiptarë, kanë gjetur vendin e ëndrrave në një qytet të Greqise; para kameras ata shprehin hapur afeksionin për njëri-tjetrin e lumturinë e tyre. Në një tjetër fotografi, një fshatar në fushën e Korçës, përpiqet të mbijetojë në tokën e sapo privatizuar, prej një lloj reforme të re agrare të dekretuar me nxitim nga qeveria demokratike në vitin 1992. Në periferi të kryeqytetit, një “sipermarrës” i vogël i iniciativës private, përpiqet të krijojë “begatinë” e tij, me disa kokë bagëtishë të imta, që “livadhisin” mes hedhjeve të pakontrolluara në periferi të Tiranës; një lloj metropoli i ri, i cili nuk e ka zgjidhur akoma menaxhimin e mbeturinave të kapitalizmit të ri me fytyrë shqiptare.
Një i huaj, nëse do ta angazhonte veten të gërmonte më thellë, për të zbuluar “të panjohurën”, “misterin” që rrethon shqiptarët dhe ekzistencën e tyre, deri në kohën kur bota po jeton dehjen e postmodernes, nuk do ta ketë aspak të lehtë. Si fillim, do të mësojë që shqiptarët janë një popull kokëfortë, jo rrallë me një zemërgjerësi të pashpjegueshme thuajse primitive. Nëse do të bëheshin përpjekje të shpjegohej spiritualiteti i këtij populli, feja si institucion shpirtëror, nuk do të jetë faktor influencues e për më tepër, dominues, sepse çdo përqasje e nisur nga premisat relixhoze, do të jetë e rastësishme dhe pragmatike. Spiritualizmi i shqiptarëve, më shumë është i lidhur me një shpirt të mbajtur pezull, nga një dualizëm midis bestytnive që vijnë të ruajtura prej thellësisë së shekujve pagane, e të nevojave elementare jetike për t’i mbijetuar varfërisë, për të mposhtur ashpërsinë dhe terrenin armiqësor të Ballkanit.

Arnauti -1885 - Paja Jovanoviç (1859-1957)
Arnauti -1885 – Paja Jovanoviç (1859-1957)

Okultja e paganizmit të dikurshëm, e përzjerë me relixhiozitetin, i cili asnjëherë nuk u ngjiz siç duhet në shpirtin e kësaj etnije, na ofrohet nëpërmjet një imazhi fotografik tjetër, ku një motër feston ditën e Shën Gjergjit, në mënyrën karakteristike shqiptare. E shohim të lajë vëllanë me ujë lumi mbuluar me lule të egra; duke i fërkuar lëkurën me një kokërr vezë për t’i ndjellë fatmbarësi…
Megjithese nuk është një fakt për ta përdorur si bajrak, çdo gjeneratë shqiptarësh është injektuar me mundësinë e një konflikti, ndeshje jetë a vdekje me armiqtë e tij të pritshëm. Kjo është një nga arsyet, që pavarsisht varfërisë, shqiptarët gjithmonë krijonin familje të medha, sepse ishte krejt e natyrëshme që një pjesë e djemve do të vriteshin nga gjakmarrja, apo në betejat e pritëshme me të huajt. Përballë kësaj mundësie, që kohë mbas kohe kthehej në realitet, shqiptarët kanë ngritur një mburojë emocionale, – stoicizmin – si të ishte një gjerdan krenarie e zbukurimi i çapitjeve të tyre ekzistenciale. Një baba i mëson fëmijës së tij, se një ditë, pashmangerisht, fati do ta sjellë, që fëmija do të ngrejë e mbajë lart bajrakun e betejës së vet, e për këtë, kur të vijë momenti, duhet të jetë i përgatitur.
Si mesdhetarë, që lagen prej dy detrave, – Adriatikut e Jonit – shqiptarët e kanë të ngulitur në gen, idenë se i përkasin një race tepër të veçantë e të lashtë, që bota i njeh si ilirë. Primitivizmi i tyre, ndërkohë, mund të interpretohet edhe si jehonë e lashtësisë të tyre; për fotografen franceze, ky fakt mund të shfaqet kudo, edhe në një shpat mali, ku njerëzit akoma i përshkojne ato lartësi shkrepash nën ritmin e hapit mesjetar.
Ndërsa për studiuesit e huaj, origjina ilire e shqiptarëve është një përafrim shumë afër së vërtetës, për shqiptarët është thembra e Akilit, është një e vërtetë aksiomatike. Misteri që rrethon këtë popullsi të herëshme të Ballkanit, është vetë Formula e Pagëzimit të të qenurit pasardhës të atyre fiseve që qëndruan në kufijtë e qytetërimeve helene e romake.
Në ndryshim nga fqinjet e tyre veriorë, serbët, nuk janë humbjet mitet e tyre; mitet që ngjizin e përcaktojnë thelbin e shqiptarëve, janë fitoret e heronjve e fiseve të tyre, kontributi i tyre kulturor e njerëzor në lulëzimin e perandorive në periferitë e të cilave ata mbijetuan e i rezistuan. Kjo është një mënyrë për të fshehur dobësinë e tyre kolektive; duke vënë përballë, cilësitë e jashtëzakonëshme dhe emrin që krijuan individë, pinjollët e tyre, përballë superfuqive të kohërave. Shqipëria e pas 1913, ishte pjesa e mbetur, pjesa që i shpëtoi grabitjes e oreksit të fqinjëve; ndërkohe kur etnia, popullsia shqipfolëse, rrezatohej, projektohej në një “continuum” që rrallohej gradualisht drejt thellësive të Ballkanit. Dashur pa dashur, kjo pjesë mbi të cilën u shtri shteti shqiptar, mori përsipër të quhej mëmëdheu i të gjithë shqiptarëve, që ndodheshin jashtë apo brenda këtij territori. Fati i shqiptarëve e shtetit të tyre shqiptar ishte mizor, në më të paktën, tragjik e komik njëherësh, aspak për t’u lakmuar, e siç thote autori i reportazhit “… sot Shqipëria, nuk përfaqson më qendrën e aspiratave të mbarëshqiptarëve. Shqipëria i ngjan atij xhaxhait që lëngon e që të gjithë e duan, por asnjeri hë për hë, nuk ka dëshirë t’i afrohet krevatit të të sëmurit, të paktën deri sa të mbarojë terapinë.
Nevoja për t’u mbajtur mbas një identiteti të ri, të krijuar në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, identitet i mbërthyer pas mitesh e heronjsh të krijuar në kohën moderne, i miklon shqiptarët të luajnë me kartën e antifashizmit, e cila për ta, akoma nuk është konsumuar, sikur të jetë një lloj pasaportë e sigurtë për të kapërcyer tranzicionin e vështirë post-komunist. Por heronjtë tokësorë e të prekshëm ndër shqiptarë, kanë munguar e vazhdojnë të mos i nevojiten shumë mentalitetit gjysëm pagan, tolerancës relixhoze të saturuar në një det bestytnish. Është më e lehtë për ta, të hedhin gjithë peshën e besimit të tyre në objekte kulti e venerimi se sa një heroi të dalë prej të gjallëve. Fotografitë e National Geographic na e sjellin këtë kontrast, ku vihen përballë të dy llojet e venerimit: për heronjtë e rënë në luftën antifashiste dhe për kultet që përzjejnë shpirtin pagan me relixhionin e cekët të shqiptarëve, Lapidarët e heronjve, blloqet e gurëve, muret e rrënuar të objekteve të kultit e kishave të vjetra, kthehen në qendra pelegrinazhi në ditët e festave kombëtare, të kulteve pagane, apo kalendarëve relixhioze.
Nëpërmjet imazheve fotografike të Alexandra Boulat, përcillet e na shfaqet stoikja; në imazhet e një fshati, Kudhësit, me kokëfortësi i ngulitur në lartësi, diku në një shpat mali. Poshtë tij, shtrihet gjelbërimi, rrjedha e një lumi, që derdhet tutje në luginë drejt hapsirës blu të detit Jon.
Rituali i detyruar i “shprishjes së gjakut” ishte dhe vazhdon të jetë një lloj “rite de passage” të prodhimit të genit të etnisë shqiptare, e më vonë, të shpërndarjes e tretjes së tij në hapsirat jo shqiptare. Fillimet e “gjakut të shprishur” duhet të jenë të herëshme, por evidentimet e para, nisin në shekullin e XV-të, kur refugjatët e Arbërisë të zaptuar nga osmnallinjtë themeluan mbi 50 fshatrat arbëreshe në Siçili, Calabri, Campania dhe Puglia. Per disa prej tyre, këto vendbanime ne Itali, nuk ishin stacionet e fundit. Prej andej tufa-tufa u shpërndanë në të gjithë botën, deri në Amerikë.
Në vitet 1913, 1944, 1990, shqiptarët pësuan shprishje të tjera gjaku, herë-herë prej plagëve të shkaktuara prej vetvetes, e herë prej faktorëve të jashtëm. Grekët e shqiptarët, serbët e shqiptarët, gjithmonë janë grindur e vrarë me njeri-tjetrin, nuk kanë qenë fqinjë aspak të dëshiruar për shoqi-shoqin. Asnjehere, nuk kane pasur ndonje simpati reciproke për njëri-tjetrin. Pas 1944, faktori Hoxha e shprishi gjakun e shqiptarit, duke zbatuar principin diabolik të derdhjes se gjakut shqiptar, një lloj principi primitiv në medicinën e popullarizuar prej alkimistëve të rinj komunistë, sipas të cilit, për të shpëtuar pjesën e sëmurë të një trupi, duhet të derdhet e hidhet tej një pjesë e gjakut. Gjatë regjimit të këtij diktatori të vogël, por jo më pak mizor se idhulli i tij, Stalini, u burgosen 17.900 njerëz, u vrane 5.157 njerëz, u internuan 30.383 njerëz. Sistemi që ai ngriti, shpërfytyroi dhe eutanazoi shpirtin e shqiptarit, e zhveshi nga çdo gjë të shenjtë e vlerat e mirëfillta të solidifikuara në shekuj, duke krijuar një vakum, një djerrinë morale e shpirtërore.
Pas revolucionit të kadiftë të 1990, për njerëzit pa rrënjë, shumica të ardhur nga periferitë provinciale, Shqipëria e viteve 90-të për këtë shtresë, ishte vendi ideal i pasurimit të shpejtë e të paskrupullt, krimit të organizuar, të futjes me dhunë në jetën politike e zaptimit të saj. Ndërkohë, qindra-mijra shqiptare të tjerë emigronin ku të mundnin; shumica në vendin fqinj, Greqi, pavarsisht antipatisë reciproke midis dy vendeve, e një pjesë morën të njëjtën rrugë që paraardhësit e tyre arbëreshë për motive krejt të ndryshme, kishin kapërxyer duke u hedhur në krahun tjetër të Adriatikut, në Itali pesë shekuj më parë.
Kosova, kriza e lufta e 1999, ishte një fatkeqësi me përmasa biblike, një gjëmë historike e paimagjinueshme, e që preku njëherësh të gjithë shqiptarët kudo që ishin. Njëkohësisht, Kosova shërbeu si një zgjim mbarëkombëtar, frenues i prirjes vetshkatërruese të shprishjes së gjakut; në një mënyrë ndaloi hemoragjinë njerëzore dhe të vlerave kombëtare. Kosova ishte një tronditje, një shok mbarkombëtar, që i dha shqiptarëve atë sensin e katastrofës biblike që kishte prekur një komb të tërë.
Kosova në historinë e kombit shqiptar do të trajtohet si katastrofa më e madhe, ndoshta e fundit, por çka është më e rëndësishme, ishte pikërisht kjo katastrofë e ndërprerë në mes, që u shndrrua në momentin e ringjalljes së kombit. Shqiptarët si komb, iu zbuluan botës në momentin më delikat të historisë së tyre moderne. Ata kishin nevojë për ndihmë e mirëkuptim, ishin para sprovës së madhe të peshës që kishin në Ballkan. Diçka duhet te kryhej medoemos. Bota ne solidaritet njerezor me tragjedine njerezore te Kosovës i shtriu dorën, e shqiptarët panë se mbrami dritën në fund të tunelit të makthit shekullor. Ky moment kthesë, shënoi edhe fillimin e rimëkëmbjes së tyre kombëtare.

*Shkrimi është paraqitur pa autor, po kushdo që mund të paraqitet si autor do të vendoset me kënaqesi në shkrimin në fjalë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Buy Me A Coffee
Dhuro per mirembajtjen