Shqiptarët nuk duhet të presin…
nga Daniel Gazulli
Gjendja
E njohin të gjithë: shteti i së drejtës asht vetëm një iluzion, ose diçka që duen ta besojnë ata që janë të lidhun me të. Shteti i së drejtës nuk asht një rrugë ma shumë, një shkollë e re, apo një zgjanim porti.
Koncepti i demokracisë tek na ka ato përmasa e atë substancë sa ban pjesë në mendësinë e atyne që e shtypen demokracinë për 45 vjet. Jashtë kësaj mendësie je i përjashtuem nga qeverisja e vendit.
Tek na askush nuk mendon për shtet, po për pushtet. Prej tij rrjedhin të mirat materiale nëpërmjet korrupsionit dhe të gjitha formave të imagjinueshme e të paimagjinueshme të krimit në nji rend pseudodemokratik.
Zgjedhjet janë të drejta vetëm po i fitova unë. Në rast të kundërt do të përmbysim gjithçka. E për të realizue këte njihet vetëm një mjet: dhuna. Por po i fitova zgjedhjet, atëherë edhe ligji jam unë. Kushtetuta, Kodet (penal, civil, administrativ) janë në tagrin e interpretimit prej meje.
Prej këtu rrrjedhin të gjitha format e dhunëshme: nga ato të gurëve, të zjarrit, të plumbave.
Pra gjendja asht ajo që jetuem me 21 janar në formë të konkretizueme: nji opozitë që kërkon gjak që të marrë pushtetin, nji pozitë që ban gjak për me mbajtë pushtetin.
Asht, në fund të fundit, shfaqje e koncentrueme e dështimit të eksperimentimit të demokracisë postkomuniste me elementë dhe mendësi bolshevike.
Shkaktarët
Asht metastaza e Bllokut që sundon Shqipninë prej 20 vjetësh, djathtas e majtas. Djathtas e majtas janë dy koncepte fiktive në vendin tonë. Ka vetëm klane politike, jo parti politike, jo rreshtimi politike e programatike. Të ricikluemit e diktaturës, protagonistë të djeshëm apo bijtë e tyne, janë metastaza kanceroze e demokracisë shqiptare në të gjithë harkun e skenës politike shqiptare.
Ata kanë në dorë shtetin, pushtetin, ekonominë, drejtësinë, mjetet e dhunës, mediat e dhunës, gjithçka që u shërben për të kënaqë babwzinë e tyne prej lubish. E për të realizue këte nuk ndalen para asgjaje.
Për fat të keq populli ynë ka ende instinktin e turmës. Disa shkojnë mbas qerres kriminale të së djathtës, disa mbas qerres kriminale të së majtës. Individi, si në kohë të diktaturës, nuk ka personalitet. Ai asht degdisë në një shërbëtor i bindun i botës së krimit.
Shkaqet
Thirrjet patetike për demokraci, për mbrojtje të ligjit, për zgjedhje të lira e të ndershme, për luftë kundër korrupsionit, për hirarki vlerash, janë vetëm pluhun që u hidhet syve njerëzve të thjeshtë, atyne, që në fund të fundit, vuejnë këte masakër institucionale. Ndamja në “të mirë” dhe në “të këqij” asht ose naivitet, ose marrja e një ane të krimit shtetnor.
Jemi në efektin shkak-pasojë.
Riciklimi i të të njejtëve njerëz, si thotë populli, “i mirë për të gjitha stinët” (çka nuk asht e mundun), ka ba që sot të sundojnë njerëz pa moral, pa ideale kombtare, pa edukatë qytetare e demokratike, pa personalitet, pa kulturë. Këto qenje të trajtueshme lehtësisht nga kasta ma e naltë e shtetit, kënaqen me disa mijra euro të vjedhuna nga tenderat, nga doganat, nga trafiqet etj., dhe bajnë, pa i vra ndërgjegja, lojën e kupolës që vjedh miliona, që nëpërmbëkambë interesat e popullit, që nëpërkambë ligjin, që nëpërkambë të drejtat elementare të individit.
Rrugëdalja
Nuk ka vend për shumë teori.
Populli shqiptar, ose ndërgjegjësohet dhe distancohet një herë e përgjithmonë nga metastaza e diktaturës, e flakë ate si subjekt dhe objekt të krimit shtetnor, ose nuk ka të ardhme. Për këte duhet:
-Një formacion i ri politik kryekëput jashtë çdo qelize të politikës së sotme;
-Njerëz të rijë, mundësisht të formuem në shkollat përendimore.
Nuk do të përjashtohej edhe një rrugë e tretë, por që aktualisht më duket e pamundun: Pastrimi i të gjitha formacioneve politike nga metastaza e Bllokut. Nuk shoh tek asnjena parti e sotme në Shqipni forca të tilla që të mund të largojnë një herë e mirë metastazen famëkeqe e kriminale që na la mbrapa Blloku, pse, si duket, ata kanë arrijtë t’i kriminalizojnë edhe ata individë që nuk vijnë nga çerdhja e diktaturës, nëpërmjet joshjes me përfitime nga bota e krimit.
Nëse do të vazhdojmë të ankohemi, ndërkohë që asht e ngutshme të veprohet për një rrugëzgjidhje përfundimtare, e ardhmja jonë do të jetë e komprementueme edhe për 20 vjet të tjera, në mos edhe ma gjatë.