Shqiptari i Pasur, Shqiptar i Degraduar!
refleksion nga Engjëll Gishti
Nuk do e harroj kurrë një takim rastësor për pak sekonda me një malësor të Alpeve tona. Një mëngjes të bukur vjeshtor, kur zbrisja nga Alpet, dhe buzë rruge, një burrë i hijshëm më ngriti dorën. Ndalova dhe në dritare më pyeti nëse mund ta çoja deri në Shkodër. “T’paguj sa t’m’kërkojsh!” – më tha! “Nuk du pare more zotëri, po eja!” – i thashë dhe spostova çantat tona mbrapa duke i hapur vend për një person… Por unë nuk e kisha kuptuar se malësori nuk kishte veç veten: në fakt po përpiqej të fuste në makinën time edhe një thes gjigand me arra. “Jo, jo, jo – i them – unë të thashë të vije ti, por jo gjithë këtë thes që me ndot makinën!” (Binte një shi i lehtë). Ky do ishte një komunikim normal në zonën time të Myzeqesë ku pasi të largohesha, pronari i arrave do më fuste një të sharë që unë nuk do e dëgjoja, ndërsa unë do e përgojoja për ca kohë përgjat rrugës! Por nuk ndodhi kështu me malësorin fisnik! Malësori u pre në fytyrë dhe u shtrëngua aq shumë për të më thënë fjalët më të ëmbla që unë mund t’i kisha dëgjuar në jetën time duke justifikuar vendimin tim disi të vrazhdë dhe egoist! M’u pre zemra: doja ta riktheja fjalën dhe t’i thoshja se s’ka gjë se do ndotet makina, ti fisnik veç për këto fjale burrnore meriton gjithçka. Por shoqëruesi im më tha: “mos fol më se do e ofendosh më shumë!”
Ika i pezmatuar.
Po atë natë, kur mbrrita në Tiranë, pashë një emision ku një grua mirditore kishte vendosur t’i tregonte në publik vajzës së saj sekretin e jetës: faktin se ajo nuk ishte biologjikisht vajza e saj. Por para se të thoshte fjalët e rënda ajo i tha së bijës: “Para se të flas due me të pyet: A do t’ma kthesh shpinën?” E bija që pak a shumë po e ndjente atmosferën iu përgjigj: Oj nanë! Derisa të kem frymë ke me m’pa veç fytyrën!”
E ëma i tregoi sekretin dhe zonjat qanë të dyja të përqafuara: bashkë me to qamë edhe ne nga ana tjetër e tv.
Në mendjen time ngelën fjalët legjendare “a do t’ma kthesh shpinën?”: Dy fjalë që shprehnin një roman, një kuptim të jetës! Mallkova veten që i tronditur dhe turpëruar nga sjellja ime, nuk i ruajta në kujtesë fjalët e malësorit të Alpeve, por në esence ato ishin të njëjta me fjalët lakonike të mirditores fisnike: “A do t’ma kthesh shpinën?”
Çfarë pasurie! Çfarë epike! Ç’botë e pasur sa s’ka gjuhë në botë t’i afrohet! Provova t’i përsëris ato dy fjalë në dialekte të ndryshme të gjuhës sonë dhe kuptova vetëm se si e sa e kemi humbur këtë pasuri legjendare!
A do ketë vallë vendi ynë ndonjëherë studiues të aftë që ta studjojnë këtë pasuri? Po më pas, a do kemi kurrë studjues e mësues të aftë që ta rimbjellin në shkollat tona këtë pasuri të jashtëzakonshme të njerëzimit?
Seriozisht dyshoj!
Dua të theksoj se ne si shqiptarë, në Jug apo Veri, kemi kohë që e kemi vrarë këtë mënyrë sintetike të të shprehurit. Të shprehesh një botë të tërë me dy fjalë është një pasuri e jashtëzakonshme, e cila vjen nga mijëvjeçarët, dhe flet për një popull social jashtëzakonisht të zhvilluar. Është ky popull që mbi 3.000 vite më parë zbriti drejt Greqisë së sotme deri në Peloponez dhe që me të folmen e tij sintetike çuditi edhe atëhere dynjanë! Aq u mrekulluan popujt përreth, sa kësaj lloj të shprehure i vunë edhe një emër: e folur lakonike! (Fjala “lakonike”, në fakt etimologjikisht s’ka lidhje me këtë mënyrë të shprehuri, por kjo është një temë tjetër). Popullsia quhej “dorike “ dhe dorët ishin një nga popujt që i dhanë një profil europian popullsive të Greqisë së vjetër! Në artin e ndërtimit ata çuan edhe kollonën e famshme dorike, që ende na mungon neve sot në Qendër të Tiranës!
Marrë nga Muri i FB Engjëll Gishti, 4 janar 2025