Shqiptari, që e përcolli letërsinë italiane
të Shekullit të Njizetë midis të Ballkanit:
nga Pierfranco Bruni
Ernest Koliqi – 40 vjet mbas vdekjes
Me 15 janar, të dyzet viteve ma parë, vdiq Ernest Koliqi. Lidhja midis kulturës italiane dhe kulturën shqiptare ka pasë gjithmonë nji protagonist, i cili ka sanksionue nji marrëdhënie të nji randësie të jashtëzakonshme midis Perëndimit, Ballkanin dhe Lindjes: Ky asht Ernest Koliqin. Ai vdiq në Romë më 15 janar 1975, ndërsa u lind në Shkodër më 20 maj 1903. Ai qe nji dijetar, nji shkrimtar, nji eseist, i cili ia ka kushtue rrugën e tij kërkimit të botës shqiptare dhe asaj italo-shqiptare. Përkushtimi i tij me përhapë kulturën dhe letërsinë në veçanti, ka pasë nji konstante që asht e dallueshme në pothuej krejt shkrimet e tij. Meditimi i thellë mbi vlerat shpirtnore e ka udhëheqë atë në përballjen me shkrimtarë dhe me letërsinë përmes standardeve në qendër të së cilës kurrë s’ka mungue ndjenja.
Vetë letërsia asht për Koliqin, rezultat i nji njohjeje të ndjenjave, nji tension kulturor i së cilës s’mund të jetë asgja tjetër veçse vizioni i qartë i jetës shpirtnore. Motivet e lidhuna me ndjenjën e përkatsisë vijnë prej nji përmase e cila si pikë kryesore ka marrëdhëniet midis historisë njerzore dhe historisë së kulturës së nji populli. Letërsia asht rruga e kësaj trashëgimie. Koliqi s’ka rreshtun kurrë së përballuni me shkrimtarët dhe poetët e Shqipërisë po edhe me ata arbëreshë. Ai ka dëshmue gjithmonë se ata janë interpretuesit që kanë shenjue rrugën e shpirtnores.
Raportet e tij me veprën e Jeronim de Radës, ma së shumti, janë nji dëshmi simbol. Ai ka shkrue mbi kët poet, dhe duke shkrue për punën dhe jetën e tij s’ka ba tjetwr, veçse e ka drejtue ndërgjegjegjen e vet drejt nji dëshmitari dhe nji trashigimie ku asht e kombinueme trashigimia shpirtnore shqiptare me jetën shpirtnore arbëreshe. Nji çelës ky që na ka lejue me depërtue në realitetet komplekse dhe në atë histori të njerzve dhe territoreve në të cilin filli midis komunitetit të italoshqiptarëve dhe kulturës shqiptare asht mjaft i konsoliduem. Në nji vizion paksa poetik historia kështu asht kapë fort dhe ka sigurue lidhje të randsishme.
Në nji konferencë të tij që daton 20 shtator 1964, në Kozencë duke iu referue shqiptarëve të Kalabrisë ai ka vu në dukje: “Edhe udhëtarve ma ekspertë ndër rajone ma të ndryshme të botës, rrallëherë mund t’u ketë ndodhw të jenë ndeshë si në Krahinën e Kalabrisë, kjo tokë e mbushun me mrekulli të panjoftuna, me kostume kaq sugjestionuese dhe me kombinime kaq harmonike ngjyrash. Ndër ato ngjyra pasqyrohen herë të gjalla e herë shprishuna trajtat prej detit dhe Mesdheut, magjia e pranverave buluese, rrafshina dhe malsina që mbulojnë mbetjet e qytetnimeve të lashta, në të cilat rezonaca muzikale e emnit ruen me kryeneçsi shijet klasike. Horizontet solemne që na japin ndjenjën e pafundësisë të tretuna ndër pamjet madhështore të maleve, që duken si të zhytuna në nji atmosferë primitive të vetmisë, e ku hapsina dhe koha marrin pjesë të shtanguna duke iu përshtatë kushteve njerzore, të cilat mbeten pothuaj të paprekuna në mbrendsinë e tyne, ku nji urtësi e largët rri e derdhun në eksperiencat mijavjeçare. Tokë murgjish; filozofësh dhe poetësh; barinjsh dhe heronjsh të paemën, që pranonim ma mirë nw liri pyjeve se sa nji jetë me dinjitet të gjymtë e plot detyrime tiranike; tokë fisnike e banueme prej njerëzish të vrazhdë e të heshtun, që fshehnin thellsive të shpirtit cilësi të veçanta njerzore, të cilat vetëtijnë papritmas me nji bukuri të rrallë ndaj atyne që afroheshin me zemër miqsore, aq të ngjajshme me skutat e fshehta të mbushuna me krenari të dukshme dhe ujna të freskëta e të vrullshme, qe derdhen mes skenash ta ashpra shkëmbore ta atyne maleve…”(“Ese të letërsisë shqipe” Olschki Publisher, 1972, f. 76).
Nji peizazh, ku gjithçka shihet mjaft qartë, i përbamë jo veç prej vendesh po që mbrenda atyne vendeve frymon shpirti. Shpirti i nji populli, po edhe shpirti i nji gjeografie në të cilin ndjenja e spiritualitetit ndjehet kudo. Ishte vetë Koliqi që përmes studimeve të De Radës dha një demonstrim se si qasja letrare duhet të vendoset nëpërmjet tekstit. Studimi i teksteve na ndërfut në nji vizion rreptësisht kritik. Ose të nji vlerësimi kritik. Nji vlerësim nuk bazohet mbi elemente historike por krijuese. Në fakt, kjo lojë fantazie, (e përmenda edhe ma sipër), e lëshueme mbi nji gjeografi të përcaktueme mirë, Koliqi ia ka dalë me e përshtatë edhe në studimin e autorëve.
Nji prozë artistike, ajo e tij, e cila ka nji forcë të përhershme të mbrendshme. Duke iu referue De Radës, ai kap disa batuta në kuptimin e vërtetë të nji përkufizimi poetik: “Aspektet poliedrike dhe personalitetetin e jashtzakonshëm të Jeronim De Radës përmblidhen në talentin e tij si poet i vërtetë, e që kanë nji efikasitetin e fuqishëm rrezatues. Frymëzim poetik asht në origjinë të krejt aktiviteteve të shumëfishta të tij si gjuhëtar, si “gramatolog”, si studiues i estetikës dhe urdhrave shtetnore, si politikan dhe propagandues i idesë së Rilindjes Shqiptare…”. Po Koliqi shkon edhe ma tej, sepse asht nji besimtar i fortë se De Rada shkon përtej kufijve të vetë kulturës arbëreshe.
E thanun me fjalë të tjera, nji poet që shkon përtej ndjenjës kombëtare s’mund të kufizohet në nji kontekst kulturor në mënyrë rigoroze. Në fakt ai shprehet kështu: “Mesazhi i tij poetik s’mbetet i kufizuem në interesat kombtare, as ato fisnike apo bujare të fisit të tij shqiptar, por i tejkalon ato duke mbrritë te sfera universale e artit të madh, në të cilën ai transformon thellsinë e tij humane duke pësue dhimbje të mbrujtuna prej nji dëshire të zjarrtë e të hapun drejt naltsimeve shpirtnore…” Nji analizë që mbrrin nji theksim ta randsishëm pikërisht në kët terren atë të hetimit shpirtnor: “De Rada i kapërceu me zjarrin e besimit dhe me dritën e poezisë krejt pengesat që dukeshin të pakapërcyeshme…” (nga nji Konference e mbajtun në Palermo 28 nëntor në 1964, tani në tekstin e cituar më lart, f. 115).
Studime të vëmendshme Koliqi ka krye edhe mbi marrdhaniet mes Islamit dhe Krishterimit në letërsinë shqipe, mbi ndikimet lindore mbi letërsinë, mbi fenomenet gjuhësore, mbi poetët dhe shkrimtarët shqiptarë dhe ata arbëreshë, mbi lidhjen midis poetëve italianë dhe poetëve shqiptarë, mbi figurën e Skënderbeut, mbi përkthimet.
Nji kapitull mbresëlanës mbetet shkrimi “Gabriele D’Annunzio dhe letërsia e shqiptarëve”. Në qendër të kërkimeve të tij ai ka gjithnji temat themelore të kulturës popullore dhe shpirtit fetar.
Këto janë temat, që kanë karakterizue gjithë rrugën e tij si shkrimtar, si dijetar dhe si njeri. Ai shpirt popullor që asht shpirti i vërtetë i nji spiritualiteti përplot me referenca fetare. Në përfundim të nji eseje kushtue “Rrymave të reja të letërsisë shqipe” ai thekson: “Shpirti popullor ushqehet ende me poezitë e mbajtuna gjallë në kujtesën kolektive prej Fishtës dhe Naim Frashërit, prej asaj poezie që trajton tema të përjetshme: Zoti, shenjtnia e vatrës, jeta në zgrip të zakoneve tipike shqiptare, ritmi i të cilave asht bukur me jetue edhe për të cilat ia vlen edhe me vdekë…”(op. cit., fq 230). Thirrja e origjinës, e identitetit, përkatsia si rrjedhim i modeleve kulturore të dukshme, e që siç e kam theksue tashma, shpirtnorja mbetet ajo themelorja. Nji thirrje që tashma asht e pandryshkshme. Si njeri Koliqi, ishte njeri i traditës, njeri i konservimit, nji njeri besnik ndaj parimeve të besimit. Shpirti shqiptar, kurrë s’ka jetue veç nji përmasë kulturore, apo letrare, apo historike… por mbrenda vlerës së mbrojtjes së nji tradite, shenjat e fesë ishin vetëm udhërrfyese. Njeri që ka vepruar, ndër të tjera, edhe në zyrat ma prestigjioze të politikës dhe institucioneve. Por formimi i tij në humanistikë e ka shpëtue gjithnji prej burokracisë dhe zyrtarizmit.
Ai ka botue mjaft libra mbi letërsinë shqipe, ka themelue revista (sigurisht edhe “Shkëndija” e 1940), ka shkrue poezi, tregime të shkurta (“Hija e maleve” në 1928 dhe “Tregtar flamujsh” në 1935), ka përkthye si Danten, Petrarkën, Arioston, Tasson, Parinin, Foscolon, Montin, Manzonin. Shpirti i popullit ka qenë gjithmonë nji pikë referimi e studimeve të tij, po edhe e teksteve të tija krijuese e në këtë drejtim (mendoj “Gjurmat e stinëve” në 1933), ai asht nji autor, i cili i ka mbrritë të imponohet me nji vitalitet të jashtëzakontë, dhe i ka rinovue kërkimet mbi letërsinë shqiptare dhe atë arbëreshe. E për kët s’ka as dyshimin ma të vogël.
Zef Schiroi i Ri në vitin 1959, ka shkrue: “Te Ernest Koliqi mund të vërehet linja ma e fuqishme e nji fazë të re në letërsinë shqipe(…) Në poezinë e tij, ashtu si në prozën e tij, ndjehet fryma e Alpeve Shqiptare dhe nji modernitet perëndimor, jehona e thellë e lahutarve dhe malet e saj, dhe melodi formash të përzgjedhuna. Janë këto arsyet pse pozita shpirtnore dhe artistike e Koliqi asht e destinueme të ushtrojë ndikim të ndjeshëm si me risitë dëshirueme rranjsore ashtu edhe me format e reja të nji poezie të re” (“Historia e letërsisë shqipe”, Akademia e Re, Milano, 1959, f. 244).
Schiroi i Ri e kishte kuptue fort mirë. Pra, Koliqi ishte nji novator. Po ai kurrë s’e kish lanë mbasdore leximin e letërsisë shqiptare dhe atw dhe italoshqiptare në nji kontekst ku dimensioni kulturor asht i lidhun me spiritualitetin e nji populli. Nji spiritualitet ky që mbahet gjallë përmes mbrojtjes së traditës. Ai ishte novator te traditën. Nji traditë në ndërthurje, e cila të çon gjithnji te dialogu midis qytetnimeve.
Marrë nga http://www.orizzontescuola.it/news
Përktheu nga italishtja Jozef Radi