back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

“Shqyerja e perdes… prej një piktori të madh” nga Shpend Sollaku Noé e Jozef Radi

Gazeta

Piktori Besim Golemi
Piktori Besim Golemi

“Shqyerja e perdes… prej një piktori të madh”*

nga Shpend Sollaku Noé e Jozef Radi

me ndërhyrje të te afermve dhe miqve të artistit

Nuk është thjesht nje dorë njeriu ajo.
Ato kuadro janë vizatuar prej Tymi, prej Avulli, prej Vese.
Janë fjolla e grimca delikate,
që duket sikur qëndrojnë pezull mbi fletë
dhe mund të prishen edhe me një të kollitur.
(Pjesë nga shënimet e Sh. S. Noé-së).

Këto rreshta lindën krejt spontanisht, mbas një postimit tim në FB.
Ishte një kompozim i piktorit të madh Besim Golemi.
Mendoja se të gjithë miqtë e mi duhej ta dinin
se çfarë kish bërë ky gjeni i pikturës shqiptare.
Kuadri në fjalë është një vepër e çmuar e koleksionit tim privat.
Ai e kish lënë pa titull. Unë e kam quajtur “Tuneli”!!

Besim Golemi - Tuneli (Pronësi e Sh.Sollakut)
Besim Golemi – Tuneli (Pronësi e Sh.Sollakut)

Është një kryevepër e rinisë së piktorit tonë, me një histori të vetën, sesi u krijua, sesi nuk ia ekspozonin, sesi iu luta për muaj të tërë të ma dhuronte, sesi iu mbush mendja me shumë vështirësi për të ma falur. Dikur, në studion e tij të vjetër, tek ish-Tregu fshatar i Lushnjes, në vend të të cilit u ngrit kinoteatri.
“Like” i parë per ekspozimin e këtij kuadri arriti menjëherë.
Ishte poeti e publicisti Jozef Radi. I mahnitur prej kuadrit, më shkruan: “Si është e mundur, Shpend, që sʼe kam njohur Besimin! E pra unë kam njohur mjaft prej artistëve në Lushnje!?”
Ndoshta miku im i mënçur nuk deshi të përmendte fjalën “Savër”, ku kaloi pjesën më të çmuar të jetës; ndoshta nuk deshi të rikujtonte internimin dhjetravjeçar të familjes së tij, ndoshta nuk deshi të kujtonte që, në kohrat kur Besim Golemi ekspozonte ato pak vepra në Lushnje, atij i duhej të vinte çdo ditë në këmbë për të vazhduar gjimnazin, më vonë të rropatej fushave të Myzeqesë për as edhe një copë bukë…
Kemi qenë shokë klase me Jozefin, dhe e dija që dalja në Lushnje për të birin e Lazër Radit ishte mollë e ndalueme, përfshi edhe një xhiro të thjeshtë me shokët e moshës. Dhe as që bëhej fjalë për të frekuentuar ekspozitat.
Pak minuta pas mesazhit të parë të Jozefit, më arrin po prej tij një tjetër: “Kërkova në Web, por sʼgjeta absolutisht asgjë rreth Besim Golemit! Mund të dërgosh ndonjë foto të veprave të tjera të tij?”
Rropatem pak dhe i nis disa prej atyre që kam mundur të kopjoj prej faqeve FB të nipave të tij, sidomos të Reiçallsit dhe Sigerios.
Mesazhi tretë i Jozefit është akoma më befasues: “Mbeta i mahnitur prej këtyre pikturave! Kjo heshtje në internet për këtë kollos, nuk duhet të vazhdojë më. Kam mendimin të bëjmë një seri ekpozimesh e komentesh për Golemin, një javë rresht!”
“Pse jo – i them – Bëj siç ke vendosur. Prej meje kërko çʼtë duash, si mik, si shok, por edhe si koleg, për shpluhurizimin e vlerave të Besimit!”.
“Dua të bëj diçka që të kalojë normalen Shpend, ky ështe mendimi im, po unë kam fuqi të reduktuar në kët rast…”.
“Atë që arrin të bësh, nga pena jote nuk dalin gjëra të shëmtuara!”.
“Nuk kam asnjë pikë referimi… Imagjino: veç kuadrin që ke vënë ti në FB, nuk kisha parë tjetër deri sot!”.
“Kurse unë rrija me orë të tëra në studion e tij, më kish bërë edhe ca portrete të shpejtë, por sʼu gjet dot kanavaca!”.
“Hahhaa… është për të qeshur, dhe shumë për të qarë… Një piktor që nuk gjen dot kanavacë!!!”.
“Ki parasysh se, edhe tim biri, i bëri disa skica para se ne të iknim në Itali, por mbetën bocete, po për mungesë kanavaci! Nuk e di ku kanë përfunduar edhe ato bocete. Fute në shënimet, nëse të vlen kjo “mungesa e kanavacit!”.
“Pooo, kjo u fut… Shpend, i shkrova edhe inxhinjierit nga Lushnja, Flamur Hoxhës, pasi kishte qenë katër vjet në tetëvjeçare me Besimin”.
“E pashë komentin. Ah, bëmat me kanavacin kanë ndodhur kur Besimi sapo qe kthyer nga Gjermania. Ai nuk donte të pikturonte mbi kompensatë apo fibër, siç bënin të tjerët. Nuk mund ta prishte dorën. Ai ose e bënte të përkryer e të veçantë diçka ose hiç…! E di çke, Nini (ky është një diminiutiv i Jozef Radit ndër miqtë e ngushtë), bëjmë një intervistë të ndërsjelltë për Besimin, mbase është shumë më mirë se disa përshtypje “al volo”.
“Kur do që ta nisim, tani? Unë jam gati Shpend, apo ke ndonji angazhim?”.
(Ime shoqe më tërheq prej mënge. Nuk e di se çfarë jam duke shkruar në PC. Tek Rai Uno është duke u zhvilluar Ndeshja e Paqes me yjet e futbollit botëror të besimeve të ndryshme fetare, ndër të cilët Maradona e Baggio. Roberto sapo ka shënuar me asist të Diegos. Unë as që e dija që kish hyrë në fushë. Pas golit, ia la vendin një tjetri. “Kishte vënë shumë bark?” – pyeta time shoqe. Ajo tund kokën në shenjë aprovimi.)
Me shaka i shkruaj Jozefit: “Ik, se më humbi pa parë barku i Baxhos!”… po ai ndërkaq ma ka nisur pyetjen e parë…

Shpend Sollaku - Noe
Shpend Sollaku – Noe – 2013
Jozef Radi 2012
Jozef Radi – 2012

Besimi… ky krijues dhe zotërues i lirisë së tij!

Bisedë midis Jozef Radit dhe Shpend Sollaku Noé-së

rreth figurës së piktorit Besim Golemi

Shpend, ti je ndër miqtë e afërt të Besim Golemit, piktorit dhe njeriut. Kur dhe si u njohe me të? Nuk më kujtohet koha, di që ishim fare të rinj, kur ai ndiqte liceun në Tiranë. Kishte filluar të binte në sy qysh atëherë. Që prej asaj kohe kam filluar edhe unë ta dua artin e pikturës.

Besimi mbaroi Institutin e Lartë të Arteve apo vetëm liceun artistik? Mbasi kishte mbaruar liceun artistik në vitin 1973, për arsye që vetëm tani arrij tʼi kuptoj më mirë, e ngritën ushtar. Më pas, në vitin 1977, filloi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, që e mbaroi si piktor tashmë i afirmuar. Në fakt i duhej vetëm të paraqitej në provime, se nuk kishte probleme me marrjen e notave. Në atë kohë ishte i admiruar edhe prej pjesës më moderne e progresive të profesorëve të tij.

Çfarë kujton prej atyre viteve të përbashkëta? Ja, kam kujtimin e këtij kuadri, “Tuneli”, që mezi munda “tʼia rrëmbej…” atje, te studioja e tij e vjetër. Më tërhiqte tek ajo tabllo guximi i temës, alegoria që përcillte, mënyra e të pikturuarit. E kishte dobësi këtë vepër. Më thoshte të zgjidhja çʼtë doja, vetëm atë jo. Nuk e di pse i dhimbsej aq shumë, por unë ngulja këmbë “te ajo!”. Më në fund u dorëzua: “Po nuk ta dhashë ty, do të bjerë në dorë të ndonjë idioti… Më mirë po ta dhuroj…!” – dhe me dhimbje ma la në dorë. Kjo mbetet dhurata më e çmuar që më është bërë ndonjëherë nga ndonjë mik!

Besim Golemi - Portret i nipit
Besim Golemi – Portret i nipit

Cilët ishin miqtë më të afërt të Besimit, me kë bisedonte o dilte për kafe, ndonji emër, edhe pse kam përshtypjen se ai ndjehej disi i mënjanuar? I mënjanuar?! Besim Golemi kishte mjaft miq e shokë, unë sʼisha i vetmi. Dilnim shpesh në xhiro unë, ai dhe shkrimtari Halil Jaçellari. Kishim mik të mirë edhe poetin Vladimir Çuni, apo ndonjë tjetër. Lushnjarët e donin dhe ia njihnin kapacitetin. Tjetër gjë ishin pushtetarët. Për ata ishte shumë modern, edhe reaksionar, edhe tepër perëndimor. Në fakt, si gjithë talentet e mëdhenj, edhe Besimi ndihej i parakohshëm!”.

Si jetonte Besim Golemi, a ndjehesh i lirë, si ishte një ditë e zakonshme e jetës së tij, të paktën ashtu siç e kujton ti. Kur nuk i duhej të jepte mësim, ai punonte në studio gjithë ditën, pastaj xhiroja e mbrëmjes. Si të gjithë ne. Jetë shumë të rregullt familjare, shumë korrekt dhe mjaft i edukuar në marëdhënie me të tjerët. Nëse ishte i lirë në profesion?! Po qe se me këtë kuptojmë lirinë që i jepej, përgjigjia është: aspak. Për kusurin e gjërave, ai nuk kish nevojë të merrte leje prej askujt që të ishte i lirë, ai kish lindur i tillë, kishte ide mjaft të guximshme jo vetëm për pikturën, por edhe për jetën shoqërore, edhe për politikën, edhe për filozofinë. Lexonte shumë, sidomos filozofi dhe poezi. Shpesh diskutimet tona merrnin karakterin e një dialogu të nxehtë letrar. Sa për pikturën, ai kish krijuar “një botë të vetën”, në të cilën ishte mbret i pakundërshtueshëm… Ai ishte krijues e zotërues i lirisë së tij!

Në Lushnjen e atyre viteve kishte mjaft piktorë, disa prej të cilëve edhe të njohur. A kishte afërsi Besimi me ta, a mos kishte rivalitet o cmirë ndaj vlerave të tij? Cmirë… sa të duash. Piktorët më afër pushtetit e shmangnin, ndoshta edhe e përshëndesnin rrugës, ndoshta edhe i buzëqeshnin shtirur, po vetëm kaq. Kur u jepej rasti, mezi prisnin ta groposnin! Ishte ajo cmira e përjetshme e të paaftit ndaj atij që e ka lënë prapa. Rivalitet? Ata mendonin se ishin rivalë të tij… Ai e njihte veten mirë: për të nuk kishte rivalë në Lushnje!! Qëllimi i tij ishte të matej me Botën. Me piktorët e tjerë, të Lushnjes apo Tiranës, ai kishte një raport mirsjelljeje disi të sipërfaqshëm, jo për shkak të karakterit të tij, po për “faj” të atij talenti të pamasë.

Si i priti Besimi ndryshimet që po ndodhnin gjatë viteve ʼ90? Fluturonte. Sytë e tij fituan një ndriçim të ri. I priste prej kohësh ato ndryshime. Ishte talenti tipik, të cilit i merrej fryma prej realizmit socialist në art. Këtë e kish shpallur hapur prej kohësh, si mes shokësh ashtu edhe nëpërmjet artit të tij. Ai desh menjëherë të largohej, në kërkim të një mënyre të re komunikimi. Para se të nisej për në Gjermani, më kish thënë se: “…arsyeja e emigrimit të tij ishte jo vetëm plotësimi i ëndrrës për të qenë plotësisht i lirë, por sidomos dëshira për ta njohur nga afër artin modern të Botës….” Donte të shihte galeritë figurative, të vihej në kontakt me piktorë europianë të kohës. Në fakt qoftë ai, qoftë ne të tjerët, kishim shumë pak besim se gjërat mund të ndryshonin për mirë në Shqipëri…
Përdreq, koha na dha të drejtë!!

Besim Golemi - Burrë me llullë - grafikë 1992 (koleksioni privat i Sh. Sollakut)
Besim Golemi – Burrë me llullë – grafikë 1992 (koleksioni privat i Sh. Sollakut)

Kur u largua afërsisht nga Shqipëria Besim Golemi? Kësaj pyetje mund tʼi kthej një përgjigje të gabuar. Kur unë u largova për në Itali (1992), më duket se ai kish një vit që qe kthyer nga Gjermania. Pra duhet të jetë kthyer në 1991. Deri ditën e fundit para largimit tim vinte te selia ku ishte edhe gazeta jonë “Ora e Fjalës” (tek ish Dega e vjetër Ushtarake), pasi donte tʼi bënte një portret tim biri… që mbeti projekt, pasi siç e përmenda më sipër, sʼu gjet kanavaca!

Dhe ku mbeti, e kush u kujdes për krejt veprën e krijuar prej tij? Me sa di unë, shumë prej pikturave të tij gjenden të ruajtura nga njerëz të familjes. Kësaj pyetjeje mund tʼi kthej një përgjigje të saktë pas udhëtimit tim në Lushnje, të programuar këto ditë.

Sa kohë afërsisht qëndroi në Gjermani Besim Golemi dhe si qe gjendja pas kthimit në Shqipëri? Për ikjen e tij të parë në Gjermani, sʼmund të përgjigjem saktë, nuk më kujtohet mirë nëse qëndroi një apo dy vjet. Unë vetë po jetoja një periudhë të vështirë. Në vitin 1991, kur u kthye në Lushnje, ia kishin marrë studion e re, atë në afërsi të stadiumit, gjë e cila e irritoi mjaft. Jo vetëm që sʼkishte më një ambient për të punuar i qetë, por shumë prej veprave të tij qenë plaçkitur. Ai pati dhe një ikje të dytë në Gjermani, në mos gaboj në vitet ’92-’93. Pastaj ka punuar për rreth një vit (ai shkollor 1994-1995) në liceun e Fierit, si mësues vizatimi. Më pas, sipas të dhënave që kam, ai u kthye në Lushnje, por atje nuk i dhanë punë, ose e dërgonin fshatrave të largëta, që të mos kish kohë të pikturonte! Në atë periudhë kërkon të rikthehet për herë të tretë në Gjermani, por iu pengua kthimin “për arsye burokratike”.

Doja të dija diçka delikate. A jepte shenja depresioni Besimi gjatë periudhës së fundit? Këtë nuk mund të them asgjë! Të gjithë ne jemi nga pak në depresion. Po të duash, më mirë të mos flasim për këtë temë, as edhe për gjestin e tij.

Ok… Nga pak jemi të gjithë… pse dilnim nga një diktaturë e egër, puna është se Ai shkoi në ekstrem… Mua s’më pëlqen ta ekzaltoj jetën e tij private të asaj periudhe, dua që Besim Golemin ta kujtoj dhe ta kujtojmë ashtu siç ka qenë: plot dritë dhe forcë, në formën e tij më të mirë.

Njifarë shpjegimi ju duhet dhënë lexuesve… qoftë edhe me dorashka, apo kujdesshëm besoj. Tjetër gjë jemi ne, tjetër lexuesi. E di, është e vështirë të paraqesësh një njeri të madh si ai… Sipas meje, nuk ka nevojë të thuhet hapur, sepse kuptohet: trajtimi i keq sidomos pas Gjermanisë kur i kishin zënë edhe studion; mosaprovimi i rikthimit atje; varfëria… janë shumë gjëra bashkë, besoj.

Të thjeshtët sʼe kuptojnë qartë se çfarë ndodh në shpirtin e një artisti, Shpend. Duhet theksuar se shoqëria shqiptare i ka vrarë dhe i vret pa asnjë mëshirë artistët e vërtetë të saj. Mendoj se ky mesazh duhet përcjellë brezave edhe përmes figurës së Besim Golemit, sipas mendimit tim. Sipas meje lëre të nënkuptohet… Kur prezanton Besimin: fundi tragjik i një artisti të madh, në moshë të re, vetëm 44 vjeç, pré i një ambienti politiko-social armiqësor.

Homazhi në nderim të Besim Golemit merr kuptim vetëm nëse ne e ngremë fuqinë mbrojtëse dhe vlerësuese ndaj artistëve. Mendoj akoma, që idea e vetvrasjes së tij të nënkuptohet. Sepse, me sa di unë, familjarëve nuk u pëlqen të theksohet fakti i ikjes së tij si pasojë e…

Besim Golemi - Portret
Besim Golemi – Portret

Intelektuali i sotëm shqiptar e ka humbur këtë cilësi ndaj vetes, sepse ka humbur ndjesinë ndaj detyrës së tij, dhe lehtësisht bëhet një vegël e ndyrë në shërbim të pushteteve dhe ndrrimit të tyre. Ti gjyko si të duash, mua sʼmë pëlqen të përmendet vetvrasja e Piktorit!

E theksoj: qëllimi i Homazhit ndaj Besim Golemit, është nji vlerësim i veprës së tij, po njëherësh mendoj se duhet të jetë edhe nji apel që të mbrohet intelektuali dhe artisti që lufton jashtë pushtetit! Absolutisht e drejtë!

A është e mundur, që me kët rast ta ngremë pak zërin e të tregojmë se mbas Havzi Nelës e shumë të tjerëve, ka pasur edhe “vrasje të bardha”, ja ashtu, me heshtje e buzëqeshje hipokrite. Kasem Trebeshina duket sikur nuk ekzizton më për askënd. A sʼështë ky krim i njëllojtë e në mos më i zi, se varja në litar e Havzi Nelës? E di qëndrimin ndaj Trebeshinës, edhe ndaj Camajt. Edhe ne të dy bëjmë pjesë në ta. Gjithnji e gjithmonë, të mbajtur në distancë nga të gjitha pushtetet! Kjo është e vërteta!

Unë mendoj se ne nuk mund ta shpëtojmë një shoqëri që po molepset keqas, por luftojmë të bëjmë atë më të mundshmen e vogël: të mos heshtim. Nuk kam heshtur asnjëherë!

E di, Shpend, dhe gjithnjë e kam vlerësuar kët qëndrim tëndin. Edhe intervista e fundit që ke dhënë mbetet e rrallë, pse është e vërtetë, ka shpirtin e protestës intelektuale. Ne bëjmë aq sa mundim!

E theksova, se asnjë shtirje apo lavdi nuk ke dëshmuar, ke dëshmuar çka i nevojitet sot kësaj shoqërie që rrënohet me shpejtesi. Dhe e ke thënë me kurajo si pakkush! Mirë Shpend, se ti je edhe i lodhur. Nëse një ditë dëshiron që kjo intervistë të kalojë edhe nëpër sitin tim (Radi and Radi), mua më ke gati. Natën dhe gjithë të mirat.

Të falënderoj shumë, Nini. Po mbaroj edhe këtë cigaren e 20-të në distancë me ty. Arrin tymi gjer në Ancona? Nejse, më duhet të pushoj pak. Sot kam ecur në mal për nja 10 kilometra dhe ndjehem shumë i lodhur. Natën Nini… dhe mirushkrofshim!

Besim Golemi
Besim Golemi

“Kuadrot ia vjedhin, e megjithatë as sot nuk e duan…!”

Mesazhe në FB midis Jozef Radit Agim Cunajt dhe Shpend Sollakut.
Në inbox të Shpend Sollaku Noè-së ka një mesazh të ri.
Eshtë Radi, sipas serisë “këta dialogë mes miqsh nuk mbarojne kurrë”.

J. Radi: Sapo i shkrova Agimit, Shpend. Po pres përgjigje.
Sh. S. Noé: Hidhu te Lushnje Undergruond, Nini, se po të nis disa foto vëllai i Besimit, Klementi.
J. Radi: Tri fotot që nisi i mora, janë afërsisht ato të tuat.
Sh. S. Noé: Njerën nuk e ke. Atë të parën më duket. Në studio edhe ajo.
J. Radi: Ishte në qoshe të kuadrit. I mora, por shpresoja diçka të re… Zbulova që nji vepër e Besimit (Rezervati i fazanëve) ka qenë pronë e Galerisë së Arteve, por ka kaluar në Institucionet shteterore dhe më pas është zhdukur pa gjurmë!!!
Sh. S. Noé: E kam parë atë kompozim në studion e piktorit tonë: Ishte i mrekullueshëm. Kush e di kush e ka vjedhur. Të shohim se çdo të gjej në Lushnje.
J. Radi: Kush veç halabakërisë shtetërore… që ma merr mendja se ia di vlerën veprës së mikut tonë. Ishin 15 kuadro të zhdukur të Galerise së Arteve. Njeri ishte ai i Besimit.
Sh. S. Noé: Kuadrot ia vjedhin, por, as sot, nuk e duan në Tiranë. Me filanin… për shembull, Besimi ka pasur një raport të sipërfaqshëm. Ndërkohë qe Besimi e injoronte, ai tjetri u thoshte të gjithëve: “Epo nxënësi im ka qenë Besimi!”. Në fakt, Ai vetëm me mua dhe me Halilin.
J. Radi: E di këtë gjë, Shpend.

Bisedë tek faqja FB-së “Lushnje Underground”

Besim Golemi - Helga
Besim Golemi – Helga

Flamur Shabani:

Kur e përshkruani Besimin, me duket sikur e kam përpara…

Sh. S. Noé: Një dokument i rrallë për një njeri e artist të jashtëzakonshëm.
Agim Çunaj: Ishte vërtetë një talent i rrallë.
Altin Haxhiu: Djemtë e familjes Golemi akoma nuk e ndajnë penelin nga dora. Kam në shtëpi tre kuadro nga Klementi, vëllai i vogël i Besimit.
Flamur Shabani: Si tani më kujtohet miku ynë, piktori i talentuar Besim Golemi, i cili në rastet e hapjes së ekspozitave në Galerinë e Lushnjes, në krah të Kinoteatrit, qëndronte para teje, paksa i gjatë e jo i mbushur në trup, me sy të picërruar e vështrimin të hedhur diku.
Ilir Sako: Djalë i mëhallës sime. I heshtur, i qeshur dhe i nervozuar kur na lutej neve, që ishim më të vegjël, për të na bërë portrete me laps.
Dalip Greca: Për këtë intervistë ka dhënë një kontribut të veçantë edhe doktor Prenjo Ymeraj, i cili solli vlerësimet e shtypit gjerman.
Sigeros Golemi: Ju faleminderit për postimin tuaj dhe fjalët e bukura për xhaxhanë tim, Besim Golemin.
Ilir Prifti: Tʼfaleminderit Shpend që e risolle. Na ke kujtuar një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nuk mjaftojnë superlativat për të.
Valter Merolli: Besimin e njihja edhe si vëllanë e shokut tim të pikturës, Klementit. Besimi ishte talent i madh!
Flamur Hoxha: Besim Golemin e kam pasë shok klase deri në klasën e katërt. Kam ruajtur shoqërinë me të deri sa na ndanë drejtimet që morëm në jetë, ishte me të vërtetë special!
Jozef Radi: Flamur, po përgatis një material per Besimin, nëse ke diçka interesante nga njohja me të, do të kthehesh në vlerë të madhe!
Agim Çunaj: Nga fundi i viteve 80-të, Besimi punoi në shkollën e Divjakës, (nja 2 vjet) dhe pastaj u kthye në Lushnje, ku rihapi studion e tij personale. Nuk e harroj se sa i kënaqur ndjehej. Më ftonte shpesh në atë studio me piktura të mahnitëshme. Zor se dilje pa kaluar 2-3 orë. Më pas iku në Gjermani.
Besimi ishte njeri korrekt ndaj shoqërisë (më tepër se duhej). Më bënte përshtypje se, po ta qerasje një herë, “të zinte pritë”, derisa ta shlyente ”borxhin”! Në pamje dukej si njeri i mbyllur në vetvete, (si shumë artistë) por, po të shihte çiltërsi dhe miqësi të pastër, ai hapej dhe i jepte kënaqësi shoqërisë me humor të mprehtë. Një talent si Besimi, kudo që punoi dhe jetoi, përcolli respekt dhe kulturë tek nxënësit e tij… Ah, tani mʼu kujtua: Besimi ishte edhe një futbollist i talentuar amator në lagje. Kur konkuronim se kush do ta mbante më shumë topin, Besimi mbante rekord. I gjatë, me këmbë të madhe, të hollë, zbathur… Kam shumë kujtime të bukura që më emocionojnë, bëhet fjalë për një shok të fëmijërisë, një koleg pune, liceist me vëllanë tim dhe më pasë shoku im në moshën e rinisë deri në çastet kur u largua në Gjermani… Ia vlen të theksoj me forcë një të vërtetë: Besim Golemi u largua nga Shqipëria sepse ishte i etur për Art dhe për Pikturë, për Kulturë gjigande. Përfitimin ekonomik, të jeni të sigurtë, e urrente. Dhe vërtetë, kur u kthye në Lushnje, me punën dhe sjelljen e tij, ai u bë një gjigand në fushën e artit dhe, besoj, më fukara ekonomikisht… Këtë vetmohim vetëm një Artist i vërtetë mund ta bëjë.

Besim Golemi -
Besim Golemi – Breza

Jozef Radi: Të falenderoj, zoti Çunaj. Së bashku me Shpendin jemi në kërkim të një Homazhi nderues dhe vlerësues ndaj Njeriut dhe Artistit Besim Golemi. Në qarkullim ka fare pak informacion.
Agim Çunaj: Kam dhe nja 2-3 fotografi (Besimi midis shokëve, mësues të Divjakës). Por më duhet tʼi gjej.
Jozef Radi: Ideja, Agim, është tʼi bëjmë nji javë homazh: çdo ditë një shkrim për të. Analiza të veprës e të jetës, intervista, kujtime dhe foto veprash të tij. Kushdo që ka nji vepër të Besim Golemit është i mirëpritur ta nisë o te Shpendi, o te Lushnja Underground!
Flamur Hoxha: Jozef, për fat të keq, i kam kujtimet e trubullta për Besimin, nuk kam ndonjë detaj të qartë, do dëshiroja me gjithë qejf ta ndihmoja.
Jozef Radi: Flamur, ti fole për një periudhë të hershme. Disa gjëra, qoftë edhe të vakta, por të nxjerra me dashuri, vlejnë shumë.
Flamur Hoxha: Jozef, në një gjë bie dakord me Gimon: Besimi vërtet ishte fjalëpakët, ai fliste me laps në dorë e pikturë e jo me shumë fjalë; ai ishte i vemendshëm të kapte gjithçka, por pavarësisht se ishte i zhytur në pasionin e tij, nuk harronte se kishte shokë, nuk harronte se ishte në moshë të luante futboll apo edhe… cingël… ja mʼu kujtua diçka tani.
Flamur Shabani: Agim, kur e përshkruani kështu Besimin, me duket sikur e kam përpara. Aq të gjallë e keni sjellë!
Agim Çunaj: Klement! Siç e shikon Shpendi dhe Jozefi po përpiqen tʼi japin jetë, freski figurës së vëllait tënd dhe shokut tim të dashur. Po pate mundësi përcill ca materiale, si piktura, fotografi…
Sigeros Golemi: Ju faleminderit të gjithëve jam duke i bërë gati disa foto dhe piktura.
Klement Golemi: Shpend e Jozef, shumë faleminderit për këtë që po bëni për vëllanë tim.
Jozef Radi: I nderuar Agim, siç edhe lajmërova, po punoj për ta afruar figurën e Besim Golemit tek brezat që sot duken me pak interes. E vërtetë është që mund të ketë pak interes, mbasi është botë çoroditjesh dhe vogëlsirash, por ndoshta nji ditë do të kujtohen… duhet të kujtohen, dhe mirë është që një pjesë e këtyre gjurmëve që shuhen ne t’i mbledhim. Nëse nuk u nevojiten sot, jam i sigurt se nesër do tʼi kërkojnë. Ti ke një pjesë të jetës me Besimin dhe, simbas gjykimit tim, edhe pas atyre copzave që ti ke lënë, fillon edhe shfaqet portreti i tij, me atë të zakonshmen. Ka shumë rëndësi. Unë e pezullovava botimin, mbasi Shpendi është në Lushnje dhe jam i sigurt se do të sjellë gjëra interesante, por edhe ti mund të ndihmosh shumë në atë thjeshtësinë e atij raporti që keni pasur bashkë. Unë do të dëshiroja të nisja ca pyetje dhe do të ishte kënaqësi që ju të jepnit sa më shumë nga e vërteta, mbasi grumbullimi i materialit nuk është i lehtë, sepse kanë kaluar mjaft vite.

Pjesë nga nga komentet në FB për këtë intervistë:
(orë të ndryshme, ditë të ndryshme)

Besim-Golemi - Autoportet (Punimet ne Gjermani
Besim-Golemi – Autoportet (Punimet ne Gjermani

Pas publikimit në të, nga siti i Jozef Radit, i një interviste të Besim Golemit per gazetën “Ora e fjalës”, në vitin 1991. Intervista ishte marrë nga Dalip Greca. Radi e kish rimarrë nën një fokus të ri, me titullin “Jeta ime ka qenë si një ëndërr, diku fluturuese… diku torturuese!”. Në riparaqitjen e tij Jozef Radi ka shkruar:

Jemi ende në vitin 1991!
Piktori magjik lushnjar, Besim Golemi,
prej kohësh i ka kapërcyer klonet e realizmit socialist.
Prej kohësh shpirti i tij delikat dhe rrebel prej artisti,
nji amalgamë e epërme e poetit, piktorit dhe filozofit,
është në shpërthim të plotë të ideve, ngjyrave e figurave…
E pra, ai është atje në Lushnjen e Dënimeve,
në Lushnjen e poshtërimit të artistëve…
e megjithatë jeton në nji botë ku sʼe mbrrin askush,
në botën e lirisë së shpirtit dhe magjisë së artit.
Kjo intervistë ka tashmë një çerek shekulli,
por mbetet prej atyre intervistave
që mund të quhen Testament Shpirtëror i nji artisti,
i cili vërtet do të ikte shpejt,
por do të mbetej gjithkah drita e tij:
shpirti i guximit dhe lirisë për ditët që duhej të vinin,
për ditët që ende duhet të vijnë.
E të mos harrojmë asnjiherë…
Ishte ende viti 1991!

Jozef Radi

Besim Golemi - Marsel
Besim Golemi – Marsel

Shpend Sollaku Noé – me vëllezërit e Besim Golemit

Pas një kafeje të shpejtë në Luna Park-un e Lushnjes, nisemi tek shtëpia e Eduard Golemit, vëllait të Besimit, ku ruhen edhe veprat e artistit të madh. Me mua janë Klement Golemi, vëllai më i ri i Besimit, edhe ai piktor. Po ashtu shoqërohem edhe nga djali i Eduardit, Reiçalls, me të cilin kam mbajtur kontakte të vazhdueshme këto ditë. Me ne është edhe këngëtari Luan Manahasa me njerin nga djemtë e tij. Ka ardhur të më takojë si mik i hershëm dhe vazhdon të më shoqërojë si fan i çmendur i Besim Golemit. Eduardi është në punë. Ka një lokal të vetin ku punon si coiffeur. Është pasion i tij të risjellë në pah fytyrat e burrave, nëpërmjet rregullimit të mjekrës apo të flokëve. Në profesionin e tij edhe atë e konsiderojnë artist.
Pas derës së shtëpisë së tij qëndron befasia. Korridor, dhomë gjumi dhe kuzhinë janë trasformuar në një galeri të veçantë të pikturës. Kuadro gjithandej: mbi mure, mbi komo, mbi divanë, sipër dollapëve… Ky ambient më krijoi një sensacion dhimbjeje, por edhe mirënjohjeje për vëllain e artistit të madh. Mbetem pa fjalë.
Si dashamirës i pikturës së tij gjeniale. Si fan numër një i autorit, i befasuar nga kujdesi deri në manì për tʼi ruajtur ato punime nga spekullimet e atyre që vërtiten si hienat rreth kryeveprave të tilla. Me lejen e Golemëve të pranishëm, nis tʼi fotografoj. Pas çdo fotoje, kontrolloj aparatin, për të parë sesi vijnë. Dhe mbetem i zhgënjyer: nuk ka fotografi që mund tʼi riprodhojë ashtu siç janë. Shaj me vete prodhuesin e aparatit, edhe pse sapo e kam blerë, posaçërisht për ato foto, edhe pse është lider botëror në riprodhimin e imazheve. Pastaj dorëzohem. Nuk është faji i tij, por i kryeveprave.
Shumë nga ato kuadro nuk i kam parë, përgjithësisht vaj mbi kanavacë. Këtë teknikë ia kisha njohur mirë që më parë autorit. Por ajo që më shtangu edhe më tepër ishte një grafikë e realizuar prej piktorit të dashur në periudhën e Gjermanisë. Besimi e kish lënë pa titull. Klementi dhe Reiçallsi e quanin “autoportret”. Në fakt është shumë më tepër: një kompozim i fuqishëm, do të thoja i tmerrshëm për nga bukuria dhe realizimi i magjishëm. Në cep, majtas është vërtetë fytyra zhbiruese e artistit në fjalë, por ajo është përfshirë në një kuadër do të thoja sipas mënyrës Francisco Goya, por në fakt tipik Golemian. Është e mbuluar me xham dhe kjo vështirëson së tepërmi fotografimin – dhënien sadopak të vlerave të vërteta të këtij kompozimi.
Klementi më shpjegon se puna e Besimit me grafikat ka qenë tipike e periudhës së Gjermanisë. Unë, i etur, kërkoj të shoh më shumë. Golemët më njohin, dinë shumë rreth miqësisë time të ngushtë me piktorin. Dhe vendosin ta kënaqin kureshtjen time të pafrè. Janë dy valixhe të mëdha me piktura të paekspozuara! Ata nisin të mi paraqesin. Unë trullosem para atij arti mahnitës. Nuk është dorë njeriu ajo që ka pikturuar. Gjurmët e një dore njerëzore nuk përceptohen dot. Ato kuadro janë vizatuar prej Tymit, prej Avullit, prej Vesës. Janë fjolla e grimca delikate që duket sikur qëndrojnë pezull mbi fletë dhe mund të prishen edhe me një të kollitur. Dikush prej të pranishmëve më ofron nje cigare. Unë refuzoj ta ndez. Nuk mund të tymos para këtyre krijesave kaq delikate, – i them. Luan Manahasa – edhe ai si unë i sheh për herë të parë – i thotë të birit: E dëgjove çʼtha për Besimin? Shënoje! Por unë nuk kam kohë të merrem me thëniet e mia spontane.

Besim Golemi
Besim Golemi – Dilema

Fotografoj me sytë e mendjes gjithçka që kam privilegjin të kem përpara, i ndërgjergjshëm që është një rast që nuk përsëritet.
Ky aspekt i panjohur i veprave të Besim Golemit më ka tronditur deri në palcë. Me fuqitë e mbetura, arrij tʼi them Klementit: Po punët e tjera, ku janë? Më kujtohet kjo apo ajo. Ai hesht në fillim. Mendohet ca. I kam premtuar mikut tim Jozef Radi hedhjen dritë rreth fatit të veprave të tjera të Besimit, ngul këmbë unë. Klementi nis të më numërojë adresat e asaj që di, por nuk është në gjendje të argumentojë sesi kanë përfunduar ato vepra në duart e miqve të Besimit, në ato të pseudomiqve, në ato të atyre që kanë dashur tʼi hapin varrin që së gjalli, në ato që vetë autori nuk i ka njohur kurrë. Janë një galaktikë më vete ato vepra, përfunduar në sallone shkrimtarësh të mëdhenj, në studio piktorësh ziliqarë në pushtet apo sahanlëpirës, në zyra profanësh me biografi të mirë politike. Shumë pak janë ato që janë blerë, si në rastin e Muzeut të Gjirokastrës, të koleksionit tim privat apo të ndonjë tjetri. Të tjerat? Janë dhuruar prej autorit? (Golemët nuk e besojnë shumë këtë tezë). Janë grabitur në vitin 1991, kur studioja e Besimit pranë stadiumit u zu nga të tjerë? Janë bërë mall këmbimi për privilegje i grabitësve, duke ia dhuruar pushtetarëve të radhës? Po libri në gjermanisht me kritikat e artistëve gjermanë për veprën e Besim Golemit, botuar në Gjermani gjatë qëndrimit të piktorit tonë atje? E ka marrë filan poet, thotë Klementi. Të tjerat vepra? Kaq copë filan piktor, kaq fisteku… Nuk e dimë sesi u kanë rënë dorë.
Unë humbas në dilemat e mia. Sidoqoftë, u them Golemëve: Fatmirësisht këtu ka mbetur material i bollshëm për të hapur edhe disa salla ekspozitash. Edhe vetëm njëra prej tyre mund të bëjë një ekspozitë më vete.
Dhe kam në mendje edhe botuesin e këtij shkrimi.
Ia them këtë Golemëve. Ata tundin kokën. Janë zhgënjyer shpesh nga premtime spekullatorësh. Këtë herë jam unë në mes dhe miku im botues. Edhe ai e ka njohur Besimin personalisht. Dhe ia di vlerat. Dhe vihet në dispozicon pa rezerva.
Argumenti Besim Golemi do të bëhej mbizotërues në bisedat tona telefonike dhe e-mailet e shkëmbyer mes nesh të dyve për disa ditë me radhë. Si një detyrim ndaj një gjeniu të pikturës, si një borxh ndaj kulturës kombëtare dhe asaj europiane.
Botuar në gazetën Shqiptarja.com, në dy pjesë, në datat 3 dhe 4 mars 2015
*Shkrimi paraqitet me disa ndryshime grafike dhe në titujt nga Radiandradi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.