back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Shqyptarët janë njimend burra…” – Çerçiz Topulli (1880-1915)

Gazeta

Çerçiz Topulli (1880-1915)
Çerçiz Topulli (1880-1915)

“Shqyptarët janë njimend burra…”

Çerçiz Topulli (1880-1915)

Atdhetar e veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, “Hero i Popullit”.
Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër në vitin 1880, ku rol të madh në formimin e tij luajti vëllai i tij më i madh Bajo Topulli.
Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër.
Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë” drejtuar bashkatdhetarëve të tij, botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë”, Çerçiz Topulli kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e pavarur.
Në prill 1907, komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të marsit 1908, në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë.
Çerçiz Topulli drejtoi Luftën e Mashkullorës, më 18 mars 1908, si dhe punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit, si dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut në disa kryengritje të armatosura.
U vra më 15 korrik 1915, në Fushën e Shtoit, në Shkodër, nga forcat e pushtuesve malazeze.
Eshtrat e Çerçiz Topullit u morën në vitin 1936 dhe u rivarrosën në Gjirokastër sëbashku me vëllain e tij Bajo Topullin në një kodër paksa jashtë qytetit, vend i cili u kthye në një vend peligranazhi për çdo shqiptar që vizitonte Gjirokastrën dhe e ndjente veten të lidhur me idenë kombëtare.
Madhështore ishte përcjellja e eshtrave të heronjve në Shkodër. Prekëse janë fjalët e mbajtura nga patër Anton Harapi e Ernest Koliqi, të pabotuara më parë në kohën e diktaturës:
.
Çerçiz Topulli & Mihal Grameno
Çerçiz Topulli & Mihal Grameno

Pater Anton Harapit, fjala e lamtumirës

“Ndaluni! Ku veni burra?!
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra Kreshnike, ktu në log të kuvendit para se të daheni. Do ta leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së parit pat t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shndoshtë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqypnija u qiti dhe u ndriti!
…Veç, o burra, qi, dekun, flitni, të metun, njalleni, të hupun, sod ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqypnis, deh, lshonie nji za, at zanin tuej kumbues si të luajve, diftoni djelmnis shqiptare shka u ushqeu idealin, shka u mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
…T’i diftojm, po botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë.
Zoti i vërtetë e atdheu le të na bashkojn’, Zoti e atdheu të na mbajn, me Zot e me Atdhe të lumnojm!”
.
Ceremonia në Berat për Çerçiz Topullin & Muço Qullin. Eshtrat e Çerçizit i mbajne Ernest Koliqi dhe Hasan Dosti
Ceremonia në Berat për Çerçiz Topullin & Muço Qullin.
Eshtrat e Çerçizit i mbajne Ernest Koliqi dhe Hasan Dosti

Ernest Koliqit fjalimi i lamtumirës

E ju, o ju Hije madhore të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit, nisnju kah vendet jueja tue ngjallun nëpër të gjitha buzët nji kangë shprese. Zgjoni në kalim zemrat e fjetuna; fuqizoni shpirtrat e ligshtuem. Shka kërkon djalëria prej Shqypnis? Drejtësi të plotë shoqnore.
O ti, Çerçiz, o ti Mustafa Qulli, që ma t’kuq e batë flamurin tonë me gjakun e pastër tuej, shpallnja djalëris se përparimi më i drejtë se drejtësia ma e plotë shoqnore mund t’arrihen n’emën të Shqypnisë.
 
 


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.