“Shqyptari” Gjergj Fishta
nga Tonin Çobani
Me rastin e 145-vjetorit të lindjes
(23 tetor 1871 – 23 tetor 2016)
Fishtologjia
e mbajtur peng
prej më se një gjysmë shekulli.
Shqiptarizmi është thelbi përmbajtësor i veprës së Gjergj Fishtës dhe i gjithë veprimtarisë së tij shoqërore e politike, që kulmohet në tri fjalë ose togfjalësha: “për Gjuhën Shqype”, “për Shqyptarët” dhe “për Shqypninë”. Fishta edhe kur ironizon krerët e kohës (“Le ta dijë gjithë bota mbarë/ Se Gjergj Fishta s’është më shqiptar”), edhe kur akuzon Europën që mashtrohet prej tradhtive (“Ah Europë, ti kurva e motit!…”), edhe kur i mallkon krerët tradhtarë para Krijuesit (“Perendi a ndjeve?/ Trathtarët na lanë pa atdhe,/ E ti rrin e gjuan me rrfe/ Lisat ndër male kot”), nuk bën gjë tjetër veçse përforcon muret e kështjellës së shqiptarizmit të vet. Një shkrim i Nasho Jorgaqit në prag të 145-vjetorit të lindjes (23 tetor 1871-2016) me titull “A ka flirtuar Fishta me fashizmin?”, ta shpërbën krejtësisht mesazhin fishtjan. Dhe unë, tek po përgatisja një kumtesë përkujtimore, u shtrëngova të kërkoj argumente të tjerë, donjërin edhe duke e përsëritur.
Më kishin kërkuar të formuloja disa mendime për fishtologjinë, pra, për tërësinë e studimeve të derisotme mbi poetin dhe shkrimtarin Gjergj Fishta. Si ndodh në raste të tilla, teksa po përballesha me dy vështirësi serioze: (1-ra) për një seleksionim sa më objektiv të studimeve të derisotme mbi Fishtën dhe veprën e tij; dhe (2-ta), për të ruajtur një receptim gjithnjë e më bashkëkohor të opusit fishtjan, artikulli i Jorgaqit më kujtoi një çështje që e ka mbajtur peng fishtologjinë prej më tepër se një gjysmë shekulli.
Pengu institucional
Përse shkrimi i Nasho Jorgaqit?
Sepse ai shkrim është si të thuash institucional. Nasho Jorgaqi është më i fundmi titullar i lëndës së Historisë së Letërsisë Shqiptare të periudhës së Pavarësisë në Univesitetin publik të Tiranës që mban të përjashtuar nga ajo histori autorin e “Lahutës së Malcis”. Për kaq gjë ai duket se dikur ka marrë titullin “Profesor”. Tani e përdor atë titull për të pasur kredibilitet me “prova e fakte” që nuk dihet se prej cilës dorë të butë i ofrohen.
Shkrimi në fjalë mbështetet në një letër që Fishta i paska dërguar nga Shkodra një oficeri italian (Jorgaqi e cilëson “oficer fashist”) më 10 gusht 1939. Madje ajo letër na shërbehet si “dokument prove dhe si dëshmi e së vërtetës” me aq ngut sa autorit nuk i ka dalë koha as për t’u distancuar sado pak prej saj. Së pari, sa për të thënë se ku është marrë ai lloj “dukumenti” dhe ku mund ta gjejnë studiuesit e interesuar. Së dyti, sa për t’i bërë përshkrimin fizik, duke treguar për kriteret e transliterimit (nëse vinte nga një shkrim dore), si dhe sa për të përgjegjësuar autorin e përkthimit, nëse ishte në gjuhë të huaj (italisht), siç pohohet se ka qenë shkruar ajo letër.
Pas këtyre detyrimeve apo akribive shkencore – si i quante një profesori imi – profesori ynë, Jorgaqi, mund të bënte komentet e veta e jo të spekulonte me metafora të një konotacioni pornografik siç është folja “flirtoj” me dikë a shumëkënd, pra, me fashizmin apo oficerët e tij. Përveç metaforës “flirtoj”, Jorgaqi përdor edhe fjalë a shprehje të tjera spekulative, si në rastin kur shkruan se “gjuha e dokumentit”, gjuha e letrës , pra, që ka shkruar Fishta, bën që “t’u pritet rruga ripolitizimeve, subjektivizmave, tendenciozitetit të çfarëdo natyre qoftë”(siç!). Duket, kështu, se po e merr në brojtje Fishtën. Por në fishtologji, kjo do të ishte më tepër se një spekulim prej profesionistësh. Është, në të vërtetë, një tendencë e shpallur prej kohësh për të demontuar thelbin e shqiptarizmit të Poetit të vetëm Kombëtar, siҁ e ka cilësar Eqrem Çabej (dhe shumë të tjerë) autorin e “Lahutës së Malcis”.
Me gjithë atë, në shkrimin e Nasho Jorgaqit i bëhet edhe një shërbim i dobishëm fishtologjisë kur pohohet (krejt pa dashjen e autorit) një e vërtetë e madhe (e vetmja e vërtetë në atë shkrim) se “vargjet e Fishtës i dinte përmendësh jo vetëm rinia shkollore, por i dinin edhe malësorët analfabetë (shqiptarët – T.Ç), të cilët “Lahutën e Malcis” e kishin kthyer në abetare të identitetit kombëtar.”
Është pikërisht ky komunikim i përmasave homerike i veprës fishtjane që, si duket, xhelozon pa kuptuar disa autorë të sotëm, të cilët fryhen si gjela deti vetëm për faktin se kanë botuar një apo më shumë libra (pavarësisht se janë lexuar dhe rilexuar kryesisht prej vetë atyre) dhe kanë projekte ambicioze për botime të tjera voluminoze. Performanca e kësaj race krijuesish (dhe studiuesish) bëhet e dukshme zakonisht prej batutave spekulative tashmë të bëra bajate, si: “A ka qenë Fishta fashist?”, “A ka flirtuar me fashizmin?”, “A është vënë në shërbim të fashistëve apo është përdorur prej tyre?”, “A ka qenë kolaboracionist?”, “Patriot i gënjyer nga propaganda fashiste apo nacionalist i shitur për një grusht liretash?” etj. Dikush ka përdorur edhe dyfjalëshin “Tradhti Patriotike” pa ia vënë fare shenjën e pikëpyetjes.
Retrospektiva
Më vjen nëpër mend, në këtë rast, edhe një tjetër profesor dhe akademik i kahershëm, Arben Puto, i cili pak vite më parë gërmoi për të quajtur Gjergj Fishtën (edhe Faik Konicën) kuisling në një libër të shkruar prej tij që bënte fjalë për Luftën italo-greke (“Lufta italo-greke, diktatorë e kuislingë, Toena, 2011”). Ajo luftë ka nisur më 1940, në të njëjtin vit që Fishta është ndarë kësaj jete (në dhjetor mbushën plot 76 vjet). Përse duhet përbaltur kësisoj një personalitet i letrave shqipe si Fishta?
Edhe te Puto, si në rastin e Jorgaqit, kjo pyetje mbetet pa përgjigje. Por Putos nuk i është vënë në dispozicion thjesht një letër që nuk dihet ku është marrë dhe pse e qysh është ruajtur. Atij i është vënë në dispozicion një vepër e tërë e Roberto Morozzo della Rocca-s, që, më parë se të botohej në gjuhën origjinale, duket se është përkthyer e botuar në shqip. E themi këtë megjithëse e dimë se në origjinal ajo vepër është botuar më 1990 (“Nazione e religione in Albania: (1920-1944)” ) dhe në shqip më 1994 (“Kombësia dhe feja në Shqipëri: 1920-1944”), përkthyer prej Luan Omarit.
Puto, duke cituar Morozzo della Rocca-n, e bën Gjergj Fishtën kuisling dhe e përbalt, madje, edhe si spiun të fashizmit kundër kolegëve të vet françeskanë. Për “prova dhe fakte”, si duket nuk ka pasur nevojë fare asnjëri prej titullarëve, d.m.th., as autori (Puto) si historian shqiptar, as profesori italian Della Rocca. Të dy këtyre historishkruesve, pa kurrfarë reference, që sot e tutje mund t’u vinte në ndihmë vetëm dokumenti i zbuluar pas 77 vitesh, siç është për këtë rast, letra e Fishtës, e cila i ra në dorë Jorgaqit si prej qiellit. Por, pavarësisht çfarëdolloj komenti që mund t’i bëjnë të tjerët tekstit të shkruar prej Fishtës (si pretendohet) në këtë letër, unë mendoj se, gjithsesi, kemi të bëjmë thjesht me një letër falënderimi, dërguar një të huaji që ka shprehur konsideratat e veta njerëzore për popullin shqiptar në një artikull të publikuar aso kohe në shtypin italian.
Para Jorgaqit dhe Putos, pra edhe më herët, ka qenë ndër të tjerët edhe një studiues, Ragip Beqja, i cili, në veprën e vet “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar, Tiranë, 1969”, kishte arritur asokohe në përfundimin se Fishta ka qenë në shërbim të fashistëve apo të pushtuesve fashistë, si shprehet ai, “shërbëtor besnik i Italisë fashiste”. Siç e kam vënë në dukje edhe në një ese timen të para disa viteve (“Miti dhe antimiti fishtjan”, 1999), as Beqja nuk ka gjetur ndonjë dokument të mirëfilltë historik, sado që ka pasur në dorë çelësin e të gjitha arkivave shtetërore, të përgjithshme e sekrete. Sigurisht aso kohe prej tij nuk mund të kërkohej të përkthente artikullin e Enriko Grasi-it, që pohon se fjalët e fundit të shenjta të Gjergj Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por, sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”/ Giorgio Fishta pronunzio queste ultime sacre parole: “Non per altro, ma perche lascio il nemico sul suolo albanese mi rincresce di dover morire”. (Enriko Grasi: “Giorgio Fishta, spirito di fiama”, në “Gjergj Fishta”, botim i revistës Shendia, 1941, f.101.) Por nëse ky autor (Beqja) mund të justifikohej për metodën bardh e zi (madje vetëm zi) të analizës, sepse punonte nën një trysni ideologjike diktatoriale, Putos dhe Jorgaqit nuk u falet sot të arsyetojnë vetëm zi e më zi e të mos ndalen meritueshëm edhe në faktet që nuk përputhën me paragjykimet e tyre tashmë të dala boje.
Përmbyllja
Pas paraqitjes skematike të qëndrimeve të këtyre tre autorëve më lejoni të arsyetoj shkurtimisht diçka më tepër për atë që premton titulli i kësaj kumtese që lidhet me Fishtologjinë e mbajtur peng prej më se një gjysmë shekulli. Mbajtja peng është fakti që Fishta vazhdon të lakohet për marrëdhëniet e tij me të huajt dhe posaçërisht me fashizmin, ndërsa fishtologjia i shmanget për këtë shkak objektit të vet kryesor, studimit të veprës fishtjane dhe vendosjes së saj në vendin e merituar të historisë së letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Si dihet, autorit të “Lahutës së Malcis” i ka takuar të jetojë dy Lufta Botërore. Në të dyja ka qenë aktiv: si françeskan, si drejtor shkolle, si publicist, si veprimtar shoqëror e politikan, si dhe (veçanërisht) si shkrimtar, që ka shkruar në të gjitha gjinitë, dhe në të gjitha me sukses. (Konica).
Gjatë Luftës së Parë ai drejtoi gazetën “Posta e Shqipërisë,” financuar nga Austria. Pavarësisht këtij fakti, në shkrimet e tij dhe përgjithësisht në faqet e asaj gazete emri “Shqyptar” është shkruar me shkronjë të madhe, ndoshta edhe më të madhe se “A”-ja e madhe, me të cilën shkruhej në atë gazetë fjala “Austri”.
Gjatë Luftës së Dytë Fishta ishte anëtar i Akademisë Italiane, duke u bërë kështu (“Shqyptari”) më i pari akademik përkrah personaliteteve më të shquar jo vetëm të Italisë, por të mbarë Europës. Fishta ka qenë ftuar nga kjo Akademi si poet, madje si poeti më i famshëm i kombit të vet, si poeti kombëtar i Shqipërisë. Jo si poet çfarëdo dhe kuisling (Puto); as si prift katolik prej Shkodre dhe i përdorur prej fashistëve (Jorgaqi); dhe jo patjetër edhe kështu edhe ashtu, por aspak poet kombëtar, si e bëjnë dhe e shkruajnë sot disa gazetarë e autorë të lodhur, të cilët me të vërtetë flirtojnë me profesionin e tyre.
Në një shkrim të kohëve të fundit diku citohet e plotë kronika e vdekjes së Fishtës, botuar në “Corriere della Sera” (31 dhjetor 1940). Në atë kronikë nuk thuhet se vdiq një fashist (apo bashkëpunëtor i fashizmit, pro fashist apo… ku di ta unë çfarë tjetër kësisoj). Por qysh në titull shkruhet: “Vdekja e Gjergj Fishtës – poeti kombtar shqiptar”(La morte di Giorgio Fishta, il poeta nacionale albanese”). Për hir të së vërtetës, këtë cilësim – Gjergj Fishta, Poeti Kombëtar – Jorgaqi duhet ta pranonte më parë se të formulonte çfarëdolloj dyshimi për Fishtën dhe veprën e tij. Kjo vlen edhe për Puton e të tjerë. Vetëm atëherë do të mund të thuhet me plot gojë se fishtologjia është në hulli të mbarë dhe po zhvillohet pa pengesa.
Më lejoni ta mbyll këtë shkrim me vlerësimin e Faik Konicës: “Në shekullin XX kemi disa vepra të njohura të cilat mund të merren si letërsi e njëmendtë… Pikësëpari dua të përmend Gjergj Fishtën, fratin françeskan nga Zadrima, i cili nuk është vetëm poet i zakonshëm: ai për ndonja çerek shekulli është një udhëheqës i spikatur intelektual.”