back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Shtatë shekuj me Danten… – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Dante Alighieri nga Sandro Botticelli, 1495
Dante Alighieri nga Sandro Botticelli, 1495

Shtatë shekuj me Danten…

nga Artan Kafexhiu

Është një nga emrat më të lakuar të literaturës botërore. Për italianët është “il sommo poeta” (ma i nalti poet, ose thjesht Poeti), ndërkohë, për mbarë botën sot është ajo çka thotë T.S. Eliot: “Dante dhe Shekspiri e ndajnë botën midis vedit. Nuk ka të tretë”.
Ndërkohë që flitet shumë për “Komedinë Hyjnore”, shumica që se ka lexuar, mes vedit mund të pyes: Po ç’ne një poet të shkruaj një “komedi”, e për më tepër të fitojë pavdekësinë me të? Ndaj duhet lexuar Komedia Hyjnore, pikësëpari për të kuptuar se nuk flitet për një “komedi” të mirëfilli, por për një nga majat poetike të shkruara ndonjëherë. E sigurisht, kërshëria do t’a çojë të gërmojë edhe më, për të kuptuar se etimologjia është një degë serioze e gjuhësisë, që të tregon, se si ka evoluar kuptimi i fjalëve në qindra-mijra vjeçarë.
Vepra e Dante-s është në fakt, një krijim që përcjell universalitetin e dramës njerëzore, që ndjek linearitetin e saj, pra ka sekuencat e veta drejt një fundi, që lakmohet të jetë vetëm i lumnueshëm, – përveçse me nota optimiste, – një fund i një hareje e lumturije, që sipas poetit, s’ka fund. Por pa dyshimin më të vogël, se çdo qënie njerëzore, përgjatë asaj çka ban e mendon në jetën e vet të gjatë, apo të shkurtër mbl këtë botë, së fundi, i hapet porta që meriton. E ky është morali i gjithë veprës. Dante-ja besonte shumë në zgjimin, ringjalljen shpirtërore e mendore të njeriut, ku e kanë zanafillën të gjithë veprat e mira apo të liga të qënies njeri. Ndaj Purgatori mbetet ndoshta pjesa më e arrirë poetike e lirike e Komedisë.
Ndoshta pak e dinë, se Dante ishte një njeri “politicus”, me një përkushtim çmëndurak, militant i Guelfëve, antipapal, i përzënë nga vendlindja, i syrgjynosur, krejt i pafanë, duke i ikur vdekjes, persekucionit, deri urisë, përgjatë pjesës më të madhe të jetës së tij. Ndërkohë, si “modus vivendi” të fluturimeve të tij poetike, ai ishte kapur fort pas dashurisë së tij platonike për Beatriçen(Beatrice Portinari), krijuar që në fëmijëri, e vazhduar si një aluçinacion obsesiv, që e mbajti ndezur gjatë gjithë jetës të tij. Pa të, ndoshta Komedia, nuk do të ishte shkruar kurrë.
Po ashtu, pak e dinë, që Dante ishte i martuar, martesë e projektuar dhe e kontraktuar, që në rininë e herëshme. Ishte një baba i lumtur, i dy djemve, e një vajzë. Përkushtimi familjar mbeti boshti kryesor i mbijetesës se tij larg Firences dhe familjes. Ishte gruaja e tij, Gemma, që me ndihmën e familjarëve, rremoi mes letrave e dorëshkrimeve të Dante-s të lëna në shtëpi, gjeti të mbledhura kaush me një dorëshkrim imcak, fillimet e Komedisë, dhe nëpërmjet miqve të tij, ia nisi Dante-s në mërgim, për ta stisur të vazhdonte punën e lëne veçse në fillimet e veta.
Dante duhet t’a ketë parë këtë moment, si një shenjë inkurajimi dashurie njerëzore, e vullneti hyjnor, dhe e rinisi epikën e tij. Kantot e përfunduara, ia niste një mikut të tij me pushtet, Cangrande della Scala, sundimtarit benevolent të Veronës, që angazhonte të gjithë skribët dhe hapësirat e scriptorium-it në pallatet e tij, të shumëfishonte kopjet e kantove prej dorëshkrimit origjinal. E kështu mori udhën e njohjes në jetën publike të Italisë të copëtuar në principata, vepra e Dante-s. Jo si vepër e plotë, por “e botuar” nga skribët e kohës, – e kopjuar, e çdo kopje e lidhur me kujdes, në instalime, pjesë-pjesë, duke ndjekur përkushtimin, sekuencat, stanza-t frymëzuese të poetit për të kompletuar kështu veprën.
Veçanërisht në Firence, për faktin e thjeshtë, se në kantot mbizotëronte dialekti toskan, kantot, vargjet e tij, lexoheshin me një ëndje ndjellamirë prej të gjithëve, përveç elitës fiorentine të edukuar, – të gjithë fiorentinët, që dinin të lexonin. Për shumicën, temat, frazeologjia, fjalori i Dante-s, përtej erudicionit, e herë-herë futjeve të latinishtes zyrtare dhe poetikës superore, ishin mjaft familjare, e të kuptueshme. Dante ishte një bir autentik i Firences, e bota e tij kishte rrokur gjithshka te saj, duke futur në vorbullën e epopesë tre dimensionale, të gjithë karakteret njerëzore, që ai kishte njohur në jetën e tij, duke e ngritur poetikën e tij mbi nivelin e kantove popullore, e të vernakularit të jetës së përditëshme.
Legjenda thotë se kur vdiq Dante-ja, vepra i ishte sjellë publikut pjesë-pjesë, e gjitha, me perjashtim të 13 kantove, që nuk kishin mbërritur kurrë në destinacionin e tyre, Verona, e që kërkund nuk ishin gjendur. Familjarët ishin hedhur në një kërkim të dëshpëruar, për të gjetur kantot e bjerruna. Kishin kërkuar kudo, por asnjë shenjë e tyre. Dikur, të birit, Jacopo-s, që e kishte shoqëruar të jatin në syrgjyn, i ishte fanitur në ëndërr i jati, Dante-ja vetë, e i kishte treguar për vëndin sekret ku i kishte fshehur të 13 kantot. E vërtetë, të murosura në shtëpinë ku kishte dhënë frymën e fundit Dante-ja, për habi ishin gjetur kantot e tij mbyllëse.
.
Dante & Virgil - nga William-Adolphe Bouguereau, 1840 (skenë nga Ferri)
Dante & Virgil – nga William-Adolphe Bouguereau, 1840 (skenë nga Ferri)
I biri, edhe ai një poet, na e ka nxjerrë në dritë misterin e fundit të Dante-s, kantot e fshehura. Një ëndërr e Jacopi-t, së fundmi, na solli poetin e plotë. Gjithshka mbetet pas shtatë shekujsh mbuluar me tisin e mitit; pesha e një vepre, që do të mbetej e papërfundur pa 13 kantot, do të kishte qënë e papërballueshme për të birin, që i ishte kërkuar me insistim nga rrethi i adhuruesve të poetit të vazhdonte e t’a kompletonte ai, veprën e të jatit. A mundet kush të mbushë zgavrën, që mund të lërë pas një gjeni! A mundet kush të mbarojë, e të kompletojë një dramë të Shakespeare-t, një simfoni të Beethoven-it, një skulpturë të Michelangelo-s të pambaruar? Ndaj njerëzit e medhenj, talentet që vizitojnë rrallë këtë tokë, nuk i lenë veprat e papërfunduara. Kjo histori, midis mitit dhe të vërtetës, humbet në thellësinë e kohës.
Të lexosh Komedinë Hyjnore, elementët teologjikë janë pjesë e pandashme, e natyrëshme; e çdokujt që rritej nën hijen e kupolave ekleziaste, e kumonave, që masnin e shpjegonin domethënien e ekzistencës së çdo qënie që mbarte një shpirt, e merrte frymë brënda një komunioni njerëzor. Por kjo nuk mjafton për të shpjeguar, e shijuar domethënien, poetikën e veprës së Dante-s.
Duke shfletuar Dante-n, ke nisur me të një rrugëtim, po edhe aq njerëzor; një udhëtim po aq virtual sa edhe fiksional. Atje nëpër kantot, duke nisur me Ferrin(Inferno), vazhduar me Purgatorin(Purgatorio), është një lloj ngjitje e lehtësim, deri sa arrin Parajsën(Paradiso), një lloj fluturimi lehtësues, ku pak nga pak, nuk e ndjen më peshën e mekatit. Një ngritje, një lartësim moral e shpirtëror, deri në një gjëndje të papeshë. Ndaj edhe ai e quajti “komedi”, – udhëtim drejt një fundi të hareshëm.
Vlerësimet, dëshirat e tij janë krejt njerëzore, të një njeriu, i cili ka njohur të ligën dhe të mirën, e njerëzit që i mbartnin ato. Personazhet fiksionalë janë njerëz, që ai kishte njohur nga afër, apo nëpërmjet reputacionit e bëmave të tyre; ai thjesht çertifikonte poetikisht vëndin e tyre në Komedinë Hyjnore. Mbushte Ferrin me “fiorentinët më të ligë e të ndyrë”, të mbytur nga veset e mëkatet, si vrasësit, sadistët, bankierët fajdexhinj, hajnat, tradhëtarët, më një fjalë të gjithë ndyrësirat e fundërrinat e Firences.
Vetë ai, ishte një personazh i Komedisë, ku sëbashku me mikun e tij, shoqëruesin e tij besnik, Virgjilin, ishte në kërkim të vendit, që vetë ai meritonte në Komedi. Ai ishte një mëkatar, ku mëkati i dukshëm ishtë dëshira, në kërkim të vazhdueshëm të kënaqësisë e shfrimit seksual, gjë që e tundonte vazhdimisht. Por si ai, me këtë dobësi njerëzore kishte plot, e ai nuk e konsideronte mëkatin e tij, si pjesë e Shtatë Mëkateve të Pafalshme. Vëndi i tij ishte Purgatori, ku kishte shanse të pastrohej nga të mbijetuarit i mëkatuarit, të shpëtohej përfundimisht, e të mund të hapej një vend për të në Parajsë.
Ndoshta jo pa qëllim, ai kishte zgjedhur si udhërëfyese shpëtimtare, Beatriçen, dlirësia e saj e udhëhiqte në labirinthet e mëkatit të tij drejt shpëtimit, e së fundmi, të fluturonte e arrinte Parajsën. Beatriçja mbetet figura më e fuqishme e gjithë Komedisë Hyjnore, që siç thotë ai vetë, duke treguar se ajo vetë si përshkrim, i tejkaloi parashikimet e vetë Dante-s, duke përmbushur një premtim të hershëm të tij: – “të shkruante për të, atë çka nuk ishte shkruar më parë për një femër (grua) tjetër”.
Asgjë, që t’i afrohej Komedisë Hyjnore ishte shkruar më parë, ku imagjinata biblike ishte përdorur si sfond për të eksploruar fatin e njeriut me përmasa epike, e u përdor më vonë si një matafore e madhështisë dhe universales, – u quajt si (diçka) danteske. Kujtoj këtu, se si mozaik gjuhësor, huazoi vernikularin toskan, veçanërisht atë fiorentin.
Për t’a mbyllur kam shkëputur dy momente, që i kam përzëmer nga Komedia Hyjnore.
***
Ma dimmi: “al tempo d’i dolci sospiri,
a che e come concedette amore
che conosceste i dubbiosi disiri?”.
E quella a me: “Nessun maggior dolore
che ricordarsi del tempo felice
ne la miseria; e ciò sa ‘l tuo dottore. -Dante Alighieri, Divina Commedia, Inferno, V Canto
***
Thuamë: “N’kohrat e psherëtimave t’amblta
si mundet që dashnia t’iu lejonte
me njoftë deshirat e dyshimta?”
E ajo mu gjegj: “S’ka dhimbje ma t’madhe
me kujtu kohën e lumturisë
në kohë t’mjerueme; krejt e ditun prej udhërrfyesit.” -Dante Alighieri, Komedia Hyjnore, Ferri, Kënga V
Të gjithë në momente të caktuara e kemi provuar këtë ndjenjë torturuese.
***
“Oh quali io vidi quei che son disfatti
per lor superbia!” -Dante Aligheri, Paradiso, Canto XVI
***
“Oh sa kam parë nga ata që janë shbërë
prej krenarisë t’vet!” -Dante Aligheri, Parajsa, Kenga XVI
Më sipër, Dante flet për njerëzit e pushtetshëm, shpesh paria, që krenaria për s’tepërmi, deri në arrogancë, i ka shkatërruar e shbinur me themel. Është rasti i familjes së parë fiorentine, I Lamberti, të konsideruar si “baballarët e Firences”, një histori që gjithmonë përsëritet, gjithkah, e me mbiemra të tjerë.
.
Marre nga muri i FB i nga Artan Kafexhiut, 16 shtator 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.