back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shtegtimi i Njeri-ziut… dhe një rrëfim i vonë për të nga Sali Bytyqi

Gazeta

Sali Bytyçi
Sali Bytyqi

Shtegtimi i Njeri-ziut… dhe një rrëfim i vonë për të

nga Sali Bytyqi

Një ditë, ndërsa po kërkoja një shkrim timin të kohës së shkuar në disa fletore të vjetra, gjeta edhe vjersha të asaj kohe, të cilat nuk kanë zënë vend në vëllimin tim të parë poetik, “Rekuiem për lisat” (1994), vëllim kryesisht poezi të viteve ’80. Në mesin e këtyre krijimeve gjeta edhe një poezi paksa më të gjatë, e cila e ka një histori pak më ndryshe se poezitë tjera. Përse e ka historinë pak më ndryshe kjo poezi? Sepse është e krijuar jo me laps, po në mendje, në qelinë e burgut të Qarkut të Prizrenit, në javët e fundit të vitit 1982, në kohën e hetimeve, në kohën kur isha i vetëm.
Shkak për ngritjen e aktakuzës ishte bërë një poemë 24 faqesh, pa titull qendror, po e ndarë në nëntituj, në dorëshkrim, e shkruar në një fletore format A/4, në të cilën, sipas akuzës, i kisha fyer personalitetet më të larta të vendit.
Një vit më parë më kishin përjashtuar nga shkolla e mesme si rebel dhe si heretik i ideologjisë së asaj kohe; një vit e gjysmë më pas, i mbetur as andej as këndej, më arrestuan dhe, në këtë gjendje, duke përsiatur me vete, pasi gjithë kohën isha i mbyllur, lindi poezia të cilën e titullova “Shtegtimi i Njeri-ziut”, të cilën e hodha në letër pasi më liruan pas hetimeve, për të dalë në gjyq dhe për të vazhduar dënimin më 1984.
Tani, pyetja për miqtë e mi: A është turp ta publikojë këtë poezi apo ta lë ashtu në fletore? Thënë të drejtën, nuk e besoj që kjo poezi imja bie më poshtë se poezia e akademik Sabri Hamitit “Kosova”, edhe pse nuk pretendoj për vlera të larta të saj po, për dallim nga akademikët që e konsiderojnë veten mbi turpin, sa i përkeq publikimit të kësaj poezie, nuk mund të mos ndiej njëfarë turpi!

Sali Bytyqi ne vitet '80
Sali Bytyqi ne vitet ’80

Shtegtimi i Njeri-ziut

poemth nga Sali Bytyqi (1983)

Evë, nënë-zeza, Evë
Mollën e ndaluar pse e kafshove?
Mëkatin trashëgim na le,
E vetë nga skena u largove.

Me vullnetin tënd, o zot
E mbarove Njeriun;
Pse s’u kujdese si t’kish hije,
Pasi vetë e krijove të ziun!

Nga parajsa e përzure,
E lëshove në të fatit mëshirë,
Edhe më afër Djallit ia vure,
S’u kujtove për të më mirë!

Të lutem me lot në sy:
Perëndi o Zoti-ynë, perëndi,
Pse vetëm një Botë
E Dy Mbretëri?!

***
Zoti e Djalli në luftë përherë,
Po Djalli nga dolli?!
Njeri-Ziu në udhëkryq, –
Po Djallin kush e polli?!

Luftërat vazhduan
E s’u ndaluan kurrë:

Mijëra herë Djalli u bë Zot,
Mijëra herë Zoti Djall u bë!
Mijëra herë ndërruan vendet,
Ndërruan rrobat, ndërruan emrat!

Ai që të fitoi Ty – fronin fitoi,
Tjetri Hadin dhe Mallkimin –
Ti Njeri-Ziu – “Amen” – i the!

Cili është Zoti dhe cili Djalli?
Njeri-Ziu përherë mendoi.
-Ky që është në Fron,
Varfëri e burgje na solli.

Fragment nga dorshkrimi i Poemthit "Shegtimi i Njeri-ziut" e Sali Bytyçit
Fragment nga dorshkrimi i Poemthit “Shegtimi i Njeri-ziut” e Sali Bytyqit

Ja, Djalli ky është, –
Ta rrënojmë!
Zotin në Fron ta sjellim,
Për të të luftojmë!

Gjaku derdhej lumë
E s’ndalej kurrë;
Ditë për ditë derdhej më shumë,
Në të historisë gurrë.

Njëri mbronte “Zotin” në fron,
Nga “Djalli” që po vinte;
Tjetri luftonte “Djallin” në fron,
Dhe “Zotin” donte ta binte!

Kafshët dykëmbëshe hanin njëra-tjetrën,
Më egërsisht se çdo kafshë tjetër:

E shpiknin përditë lloj-lloj armë,
E shpiknin përditë lloj-lloj burgje,
E shpiknin përditë lloj-lloj Fjalë,
E çonin njëri-tjetrin në Had çdo ditë!

Rrëzohej “Zoti” – kuku për ca,
Rrëzohej “Djalli” – lum e lum për tjerë;
Po vinte “Djalli” – Hadi i pret,
Po vinte “Zoti” – Dielli mbi dhet’!

“Zoti” i djeshëm, “Djall” u bë sot,
“Djalli” i djeshëm sot u bë “Zot”;
Dhe në Fron shkoi madhështor,
Shpatën e Djallit rroku që sot!

E, ata që luftuan për “Zotin” e djeshëm,
Kur ky “Zot” – “Djall” sot u bë,
Ata i priti Hadi e kamxhiku,
Për ata më s’pati vendi mbi dhe.

***
Po shpejt kaloi kjo Epope,
Parajsë menduan, Ferr u bë;
Për “Zot” luftuan, Djall u doli,
Njeri-Ziu filloi një luftë të “Re”!

Sa e sa herë lufta u përsërit,
Zoti u bë Djall, Djalli Zot u bë:
Ai që mori forcën, Fronin fitoi,
Titullin, kurorën, emrin trashëgoi.

E ai që humbi, në Had shkoi,
Dhe Mallkimin me vete mori.

***
Eh, Njeri-Ziu po shumë luftove,
Luftove për idhuj, luftove për Zot;
Gjithmonë Had e burgje fitove,
Gjithë mundi yt të shkoi kot.

Zoti ç’tu desh, veten harrove,
Gjithë forcat t’u shterën Zota tuj kriju,
E Njeriun, Njeriun ku e çove?
Ai në fantazmë u shndërru.

E, sa më lart i ngrite,
Aq më poshtë të zbritën,
Njeri-Ziu, ti s’vure mend!

Olimpe të larta për ta krijove,
Vetë në kasolle jetove:
Ata jetojnë me gjakun tënd!

Të erdhi koha Njeri-Bardhi
Të luftosh për vete e të fitosh!
Luftë kundër idhujve, kundër Zotave,
Luftë për njeriun – për vete t’luftosh!

Gjithë jeta të shkoi tuj luftue Djallin,
Gjithë forcat t’u shterën Zota tuj kriju’,
E Njeriu, Njeriu ku mbet?
Në fantazmë ai u shndërru!

Shpatat kryqëzoji me Zotat,
Ata së pari t’i shkatërrosh;
A të mbeti edhe aq forcë,
Njeri-Bardhin ta krijosh?

Mos iu shiko fytyrën,
Të gjithë një janë,
Të luftosh kundër tyre –
Ata ushqehen me gjakun tënd!

Zoti dhe Djalli
Dy fytyra – një qenie janë;
Të luftosh kundër tyre,
Ata ushqehen me gjakun tënd!
1983

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.